Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Lamtumirë Astrit Lulushi!
E enjte, 05.09.2024, 08:49 PM
LAMTUMIRË KOLEG I DASHUR
SHKRIMTARI
DHE GAZETARI I ZËRIT TË AMERIKËS ASTRIT LULUSHI NDËRROI JETË
Nga
Frank Shkreli
4
Shtatori më solli një lajm të rëndë për mua dhe për të gjithë ata që e kanë
njohur dhe kanë pasur privilegjin të punonin me Astrit Lulushin. Lajmin e zi ma
përcolli i vëllai i Astritit, Albert Lulushi, gjithashtu një koleg imi i
familjes së nderuar Lulushi: “Wanted to send a brief message about Astrit. He
passed away this morning. Thank you for being an important part of his
life.” Astrit Lulushi e humbi betejën e
fundit nga një sëmundje e rëndë në veshke që e kishte ndjekur me kohë.
Është
një fjalë e vjetër ndër ne shqiptarët kudo që jemi, me shprehjen se “Të gjithë
jemi bijat dhe të bijt e vdekjes.” E
verteta e idhtë është se kjo thënje është tepër e ftohtë në çdo rast vdekjeje,
por në këtë rast, të kësaj humbjeje të rëndë -- siç është kalimi në amshim,
mengjesin e 4 Shtatorit, 2024, të kolegut tonë Astrit Lulushi. Kjo shprehje nuk
i teri as lotët e derdhura nga familjarët dhe të dashurit e tij, miq e kolegë.
As nuk zvogëlojnë aspak dhimbjet për humbjen e një kolegu të dashur për të
gjithë ata që e kanë njohur si tepër të dobishëm për familjen e tij, për Zërin
e Amerikës në gjuhën shqip, ku ka punuar për 30-vite dhe për të gjithë ata me
të cilët ishte në kontakt sa ishte gjallë.
Astrit Lulushi ka lindur në vitin 1953 në Tiranë. Ai u arratis nga
regjimi komunist Bolshevik sllavo-komunist në vitin 1985 dhe një vit më vonë
filloi punë tek "Zëri i Amerikës", ku e ndjente veten shumë të
privilegjuar, ndërsa familja e tij iu bashkua disa vite më vonë, pas shembjes
së Murit të Berlinit.
Vdekja
është gjithmonë një ngjarje e kobshme dhe në rastin e Astritit, disi e
parakohëshme, pasi e mori në moshën 71-vjeçare. Por, pasi ky, përfundimisht,
është fati i të gjithë ne – s’i ikim dot, por me lutje e pranojmë si diçka që i
dorëzohemi, duam, s’duam. Ndërkaq, në raste të tilla, ato që na mbeten,
janë kujtimet dhe trashëgimia lenë pas -- janë ato kujtime nga e kaluara që e
bëjnë shkuarjen në amshim, ndoshta pak më të lehtë.
Prandaj,
sot e kujtoj Astrit Lulushin si koleg të nderuar dhe të respektuar nga të
gjithë bashkpuntorët e tij, gjatë periudhës që kemi punuar bashk në Zërin e
Amerikës – megjithse nuk ishim në marrëdhënie të përditshme pune. Astriti ka filluar punën në shërbimin shqip
të Zërit të Amerikës, në vitin 1985, pothuaj menjiherë pasi ishte arratisur nga
Shqipëria komuniste. E kujtoj si një gazetar me përvojë, si producent i
përpikët i Shërbimit shqip për programet e radios dhe më vonë të televizionit.
Por edhe si folës, përkthyes, gazetar e shkrimtar. Ishte shumë i dashur për të gjithë.
Gjatë
punësimit, tek VOA-shqip, Astrit Lulushi trajtonte lloj-lloj temash e
subjektesh për transmetim, përfshir shkencë dhe mjekësi. Ishte i njohur dhe
shumë i respektuar edhe në komunitetin shqiptaro-amerikan, pasi ka shërbyer
shpesh si korrespondent i Zërit të Amerikës, duke mbuluar zhvillimet e
komunitetit dhe duke intervistuar personalitetet e dalluara
shqiptaro-amerikane.
Pas
30-viteve punë, Astriti kishte vendosur të dilte në pension nga Zëri i Amerikës
5-vjet më parë, në korrik të vitit 2019. Me atë rast, Drejtoresha e atëhershme
e Zërit të Amerikës, Amanda Bennet i dorëzoi Astrit Lulushit dekoratën, “Çmimi
i Karrierës”, për arritjet e tija profesionale.
Me atë rast Astriti u drejtoi, nga një studio e Zërit të Amerikës, fjalët e fundit si gazetar i këtij enti të madh
amerikan lajmesh, dëgjuesve dhe
shikuesve të VOA-s shqip:
“Sot
është dita ime e fundit si punonjës i Zërit të Amerikës. Pas 30-vjet punë tani
erdhi koha për të dalë në pension. Njeriu ikë nga vendlindja dhe vjen në
Amerikë për të kërkuar liri dhe mirëqenje. Këtu, unë i gjeta të dyja.
Gjithashtu ndjehem i privilegjuar që m’u dha mundësia për të shërbyer në një
agjenci si Zëri i Amerikës, që zë vendin e nderit mes vendeve të lira. Largohem
i përmbushur dhe i nderuar që kam qenë në shërbimin tuaj – ju dëgjues dhe
shikues të mrekullueshëm të programeve të Zërit të Amerikës. Ju falemnderit!”
Ishin
këto fjalët e Astritit në ditën e pensionimit drejtuar dëgjuesve dhe shikuesve
të Zërit të Amerikës. Por duken mjaft të përshtatshme këto fjalë edhe sot që
kolegu ynë i dashur, është ndarë përgjithmonë prej kësaj bote: “Në Amerikë
gjeta lirinë dhe mirëqenjen” -- “Largohem i përmbushur dhe i nderuar”, është
shprehur ai, si një falënderim ndaj Amerikës që e ka strehuar, ashtu si edhe
shumë prej nesh që kemi gjetur strehim dhe liri në këtë vend të bekuar –të
arratisur nga anë e mbanë trojet shqiptare.
Edhe
ne që e kemi njohur e punuar me Astritin gjatë dekadave – ndonëse të pikëlluar
për humbjen e tij -- ndihemi të pëmbushur dhe të nderuar që e kemi njohur. Ai do vazhdojë të jetë me ne – nepërmjet
trashëgimisë kulturore dhe një publicistike me gjallëri mahnitëse që ka lenë
pas: të pakën mbi një dyzinë librash të botuar dhe qindra e qindra
artikuj. Por, shkuarja në amshim e Astritit
gjithsesi do të varfërojë gazetarinë dhe letërsinë shqipe jo vetëm në diasporë
por edhe anë e mban trojeve shqiptare ku ai ishte pothuaj i pranishëm,
vazhdimisht.
Por
megjithkëtë, zbrastia e tij do të ndjehet shumë, sidomos në rrethin e tij
familjar, në radhët e kolegëve të tij gazetarë dhe në komunitetin
shqiptaro-amerikan, pjesë e të cilit ishte për pothuaj 50-vjet, si gazetar i
Zërit të Amerikës dhe si publicist pas daljes në pension. Familjes së ngusht, pikëspari bashkshortes
Lilianës, familjarëve të tij në Amerikë dhe në Atdhe – u shprehi ngushëllimet
më të sinqerta dhe përdhimtimet e mia më të thella – me nderim e respekt – duke
u përkulur para kujtimit të paharrueshëm të Astritit.
Me rastin e daljes në pension, Drejtoresha e atëhershme e Zërit të Amerikës, Amanda Bennet i dorëzoi Astrit Lulushit dekoratën, “Çmimi i Karrierës”.
Astrit
Lulushi në sallën e konferencave të entit Euro-Aziatik të Zërit të Amerikës