Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 35 vjet nga Shembja e Murit të Berlinit – ‘Mbajeni Lart Lirinë’
E hene, 11.11.2024, 08:10 PM
35-VJET NGA SHEMBJA E MURIT TË BERLINIT: “MBAJENI LARTË LIRINË!”
Nga
Frank Shkreli
Sot me 9 Nëntor, 2024, Berlini, qyteti
i Lirisë, Gjermania – por edhe mbarë Evropa dhe bota kujtojnë -- Berlinin dhe
të kaluarën e tij si një qytet i ndarë, me programe të veçanta -- shembjen e
Murit të Berlinit, 35-vjet më parë (9 Nentor, 1989), me moton: “Mbajeni
Lartë Lirinë!”
Në këtë përvjetor, Kancelari aktual i
Gjermanisë Federale të bashkuar, Olaf Scholz tha se kjo ngjarje historike është
një shembull i shkëlqyer i kohezionit evropian. Ai u shpreh se fqinjët e
Gjermanisë – vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, kanë kontribuat në shembjen
e Murit të Berlinit, duke shtuar se, “Fitorja e Lirisë në vjeshtën e vitit
1989 ishte një fitore mbarë-evropiane”, nënvijoi Kancelari gjerman.
Shembja e Murit të Berlinit – si një
simbol i së vërtetës së regjimeve totalitare komuniste -- nuk kishte të bënte
vetëm me politikën e Luftës së Ftohtë, por ishte njëkohsisht edhe simbol i
triumfit të dinjitetit njerëzor mbi shtypjet e një ideologjie çnjerzore – të
quajtur komunizëm.
Pak histori, si kujtesë. Në vjeshtën e vitit 1989, u rrëzua Muri
i Berlinit dhe me shembjen e tij, popujt liridashës të Europës
Lindore dhe Qendrore, njëherazi, shembën edhe sistemin e
tyre komunist që i kishte nënshtruar ata fizikisht dhe shpirtërisht,
për pothuaj një gjysmë shekulli. Ky përvjetor sot na kujton
mbarimin e një sistemi të korruptuar, të një ideologjie vrasëse dhe
skllavëruese që ishte komunizmi ndërkombëtar. Por për më tepër, ky përvjetor, shënon
gjithashtu, edhe rivendosjen e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor
për qqindra miliona njerëz, anë e mbanë Europës Lindore dhe Qendrore, të
cilët deri atëherë kishin jetuar me frikë, në varfëri si skllevër nën
shtypjen e regjimeve të diktaturës komuniste. Ishte pra 9 Nëntori i vitit 1989, kur
mijëra gjermanë shemben simbolin kryesor të ndarjes në Europë, simbolin ndarës
e përçarës të komunizmit ndërkombëtar: Murin e Berlinit. Për
pothuaj dekada, Muri i Berlinit përfaqësonte si asgjë tjetër, atë
që Winston Çurçili e kishte pagëzuar si, “Perdja e Hekurt”, që kishte
rënë mbi Evropën, nga Baltiku deri në Adriatik. Por, ama, ashtu siç përfaqësonte
ai Mur, për pothuaj dy brezni ndarjen e Europës në demokratike perëndimore
dhe atë komuniste diktatriale të lindjes, shembja e Murit të Berlinit më
në fund shënoi rënien e perandorisë së komunizmit, mbarimin e Luftës së
ftohët dhe fillimin e një Europe, që presidenti amerikan Xhorxh Bush
do ta quante, “të tërë, të bashkuar dhe në paqe”. Dy vjet para se të shembej Muri i
Berlinit, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan në
fjalimin e tij historik më 1987 në Berlinin e ndarë, i pat bërë
thirrje udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov që ta shembte Murin
famëkeq të Berlinit. Aty, para portës Brandenburg, Presidenti Reagan
pat deklaruar se: “Për derisa kjo portë mbetet e mbyllur, nuk është vetëm
çështja e Gjermanisë që mbetet e pazgjidhur, por është edhe liria në mbarë
botën që mbetet një çështje e pazgjidhur”, për qindra miliona njerëz që
dëshirojnë lirinë nga pushtimi komunist ndërkombëtar. Ishte e qartë se shembja
e Murit të Berlinit, simbolit më të mbrapsht të komunizmit në Europë, gjërat më
në fund, do të ndryshonin për më mirë.
Nuk ka dyshim se shembja 35-vjet më
parë e Murit të Berlinit -- simbolit të tiranisë komuniste në Europë dhe në
botë -- ka ndryshuar botën. Ai Mur ishte një pengesë denigruese fizike,
shpirtërore dhe psikologjike për popujt e robëruar nga komunizmi që kërkonin
lirinë, anë e mbanë Evropës dhe më gjerë. Ishte një Mur simbol që dukej sikur
do të përjetësonte praninë sovjetike dhe regjimet diktatoriale komuniste anë e
mbanë Europës. Për derisa qëndronte Muri i Berlinit, njerzit ishin të bindur se
Evropa nuk do kishte liri. Bota mbarë sikur e kishte pranuar ndarjen midis
lindjes komuniste dhe perëndimit demokratik si diçka të pakthyeshme, si të
përhershme.
Por më në fund në vitin 1980, Shtetet e
Bashkuara zgjodhën për president, kandidatin e Partisë Republikane, Ronald
Reagan, i cili nuk hezitoi ta quante Bashkimin Sovjetik si perandorinë e së keqes.
Qershorin e vitit 1987 ai mbajti fjalimin tanimë të famshëm në Berlin, me
të cilin i bëri thirrje udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov, madje kundër
këshillave të ndihmësve të tij të ngushtë – se në qoftë se me të vërtetë
dëshironte paqen, atëherë të urdhëronte shembjen e Murit të Berlinit dhe të
lejonte ribashkimin e Gjermanisë. Por, megjithë rolin e tij vendimtar, Presidenti
Ronald Reagan nuk ishte një kalorës i vetëm në këtë zhvillim historik për
Evropën dhe botën. Presidenti amerikan Reagan kishte përkrahjen e udhëheqësve
botërorë: Kryeministres britanike Margareth Thatcher, Lech Walesa me Lëvizjen e
punëtorëve polakë Solidarnost, por edhe lëvizjet e disidentëve anti-komunistë
anë e mbanë Europës. Papa Gjon Pali II, u ofroi këtyre përpjekjeve
anti-komuniste forcën e tij morale dhe më në fund nuk mund të mohohet
kontributi i udhëheqësit të atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbaçov, i cili duket
se kishte vendosur të mos përdorte tankset kundër lëvizjeve historike
anti-komuniste anë e mbanë Europës Lindore dhe Qendrore.
Por sot në këtë 35-vjetor kujtojmë se
-- si përfundim i këtyre përpjekjeve të udhëheqsve botërorë, në nivel
ndërkombëtar dhe qendresës së popujve anti-komunistë të Evropës Lindore e
Qendrore për liri e demokraci -- më datën 9 Nëntor të vitit 1989 u shemb më në
fund Muri i Berlinit, u ribashkua Gjermania dhe u shemb edhe komunizmi, të
pakën siç njihej deri atëherë, anë e mbanë Europës Lindore dhe Qendrore, duke
ndryshuar kështu, shpresojmë, përgjithmonë Europën dhe Botën.
Si dëshmitar i shembjes së Murit të
Berlinit dhe regjimeve gjakpirës komuniste anë e mbanë Evropës dhe më gjërë, trashëgimia
e këtyre ngjarjeve historike sikur rikumbon sot në veshtë tonë, ndërkohë, që
Evropa përballet me një konflikt të ri, si përfundim i pushtimit të Ukrainës
nga Rusia putiniste. Duket sikur 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit,
bota i ka harruar mësimet që ofrojnë tragjeditë dhe sakrificat e milionave
njerzve të pafajshëm që kanë humbur jetën për liri, pavarësi e demokraci, në
luftën kundër komunizmit, anë e mbanë Evropës dhe botës. Nëqoftse Muri i
Berlinit ishte simbol i ndarjes dhe përçarjes midis popujve dhe kombeve në
periudhën e komunizmit, atëherë, shembja e këtij Muri -- në këtë 35-vjetor --
do duhej të shërbente si një simbol i bashkimit dhe paqeje për të gjithë popujt
në Evropë dhe në botë.
“Zoti Gorbachev, shembe këtë mur” –
Berlin, 12 Qershor, 1987