Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Pushofsh në Paqe Profesor Sami Repishti
E enjte, 28.11.2024, 07:30 PM
LAMTUMIRË KOLEG I DASHUR
PUSHOFSH
NË PAQË PROFESOR SAMI REPISHTI
Trashëgimia
e tij qoftë kujtimi i tij!
Nga
Frank Shkreli
Ndërroi
jetë Profesor Sami Repishti në moshën 99-vjeçare. Kalimi i tij në amshim,
shënon një boshllëk të madh në familjen e tij të ngusht, në komunitetin
shqiptaro- amerikan, pjesëtar i të cilit ishte për shumë dekada. Të drejtat e
njeriut – jo vetëm në botën shqiptare – por anë e mbanë botës, me ndërrimin e
jetës së Profesor Repishtit, pësuan humbjen e njërit prej mbështetsve më të
njohur dhe më të fortë në shumë dekada. Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane humbën
promovuesin më të zellëshëm. Komunizmi humbi njërin prej kritikëve më të ashpër
-- dhe si ish- i burgosur i regjimit të Enver Hoxhës, viktimat e komunizmit –
të gjallë e të vdekur – kanë humbur sot përkrahsin më të madh të tyre – sidomos
klerikët katolikë të martirizuar nga komunizmi.
Jeta
dhe veprimtaria e Profesor Sami Repishtit mbetet një thesar kombëtar.
Kontributet ishin të shumta në të gjitha fushat e veëprimtarisë së tij
patriotike, akademike dhe humanitare gjatë viteve, veçanërisht në fushën e të
drejtave të njeriut. Për dekada, Prof.
Repishti ka qenë një shtyllë e fortë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Një
pasardhës i denjë i rilindasve të vërtetë të Kombit – njeri prej intelektualëve
më të njohur e më të dalluar në Shtetet e Bashkuara të Amerkkës dhe besoj në
mbarë botën shqiptare. Besnik ndaj Kombit, besnik ndaj miqëve dhe shokëve,
anti-komunist i përbetuar!
Si
njëri prej pasardhësve të fundit të
brezit të tij të rilindisave të vërtetë të Kombit, Prof. Repishti i ndoqi dhe i
zbatoi idealet e tyre të larta në të gjitha veprimtaritë e tij, por mbi të
gjitha duhet theksuar se përpjekjet e tij, për të promovuar, për të zhvilluar
dhe për të mbështetur të drejtat e njeriut për të gjithë njerëzit pa dallim,
sidomos për shqiptarët kudo, gjatë gjithë jetës së tij -- para dhe pas shembjes
së komunizmit, janë të pakrahasueshme me ndonjë tjetër person, në botën
shqiptare, por jo vetëm. Në niovel kombëtar dhe botëror, Sami Repishti, meriton
nderimte dhe respektin e të gjihtë neve -- si një perosnalitete të nderuar, një
ikonë shqiptaro-amerikane e të drejtave të njeriut dhe për të celebruar
arritjet e tija , si një trashëgimi e një mbështetësi të idealeve të të
drejtave të njeriut, si vlera njerëzore për të gjithë ne – vlera këto të cilat
Prof. Repishti i ka jetuar, i ka mbështetur dhe i ka zbatuar gjithë jetën e
tij, deri në ditët e sotme – por që regjimi enverist ia kishte mohuar duke e
burgosur për 10-vjet si kundërshtarë të tij.
I
përket një personi të veçantë që t’ia dedikojë jetën mbrojtjes dhe promovimit
të drejtave të njeriut. Një person i tillë duhet të jetë një individ vlerash
dhe virtytesh! I tillë ishte Samiu! Gjithë jetën e vet, Prof. Repishti ka
treguar një forcë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme në fushën e të drejtave të
njeriut dhe ka pasqyruar vlerat dhe një besim të fortë, për t’ia pasur
gjithkush lakmi, të pakën nga ata që i respektojnë këto vlera. Ai kurrë nuk
është dorëzuar përball luftës për të drejtat e njeriut. Madje edhe në moshën e
shkuar vjeçare, asgjë dhe askush nuk e ndalonte atë që të shprehej dhe të
shkruajnte në mbështetje të të drejtave të njeriut, të vlerave dhe të drejtave
universale dhe të integritetit dhe të drejtave të individit. Kjo për arsye se
Prof. Repishti nuk ka pasur kurrë frikë të merrte qëndrime të prera dhe të
vendosura në mbështetje të parimeve në të cilat ai besonte. Madje edhe në
rrethanat më të vështira në burgjet e komunizmit shqiptar dhe jugosllav, ai nuk
mund dhe nuk dëshironte të heshtë.Nuk duronte të padrejtësinë! Gjatë gjithë
jetës së tij, Prof. Repishti ka besuar se kur kemi të bëjmë me respektin për të
drejtat e njeriut, pa marrë parasysh rrethanat, njeriu nuk mund të mbetet
asnjanës, sepse siç ka thënë aktivisti i të drejtave të njeriut dhe fituesi i
Çmimit Nobel, Elie Wiesel “të jesh asnjanës, vetëm ndihmon shtypësin dhe kurrë
viktimën dhe heshtja inkurajon gjithmonë torturuesin dhe asnjëherë të
torturuarin”.
Prof.
Repishti, pa marrë parasysh rrethanat dhe rreziqet, nuk ka qëndruar kurrë larg
interesimit dhe mbështetjes për të drejtat e njeriut. Profesor Repishtin, Perëndia e kishte bekuar
me një jetë të gjatë dhe me shëndet për një arsye – dhe ai nuk e ka tradhtuar
atë kurrë. Jeta e tij ishte një jetë shërbimi ndaj të tjerëve. Ai punuar gjithë
jetën dhe vazhdoi deri në muajt e funditt të jetës të jepte kontributin e vet
ndaj njerëzimit, i bindur se misioni i jetës, megjith moshën, nuk ka marrë
fund. Ai vazhdoi deri në fund të frymëzonte të tjerët dhe se pa marrë parasysh
rreziqet me të cilat mund të përballej, Samiu nukishte kurrë i asnjanës ndaj së
keqës as përball shtypjeve e terrorit dhe krimeve, historikisht, nga regjimet
komuniste në trojet shqiptare për një gjysëm shekulli ose nga diktatorë të
tjerë të ngjyrave të ndryshme, anë e mbanë botës.
Prof.
Repishti ishte një dëshmitar i cili ka përjetuar regjimin brutal të Enver
Hoxhës – njërit prej regjimeve më totalitare të shekullit 20. Por, ai
njëkohësisht ishte edhe dëshmitar i gjallë i heroizmit të atyre shqiptarëve,
viktimave të atij regjimi, të cilët së bashku me Profesorin rezistuan forcën
brutale të të ashtuquajturit “pushtet popullor”.
Prof. Repishti s’ka pushuar të shkruaj dhe të flasë për vuajtjet e veta dhe të viktimave të tjera të komunizmit, të cilët kundërshtuan komunizmin së bashku me të. Ndërkohë që propaganda dhe terrori i komunizmit shqiptar kishte përfshirë vendin, duke filluar nga viti 1945, ishte e pamundur që Z. Repishti të heshtë për ato që kishte parë. Megjithë rreziqet që i kanoseshin atij dhe familjes së tij, ai vendosi të mbante një qëndrim të prerë kundër diktaturës komuniste dhe të mbronte të drejtat e njerëzve të pafajshëm. Siç ka ndodhur edhe me mbështetës të tjerë të mëdhenj të të drejtave të njeriut gjatë 50-viteve të fundit, Prof. Repishti kishte filluar të interesohej për të drejtat e njeriut, në një periudhë kur po përballej vetë, drejtpërdrejt me të keqen – dmth, me rendin e ri komunist në Shqipëri – regjim i cili e torturoi për 14 muaj dhe e burgosi atë për 10 vjet, vetëm e vetëm se e kundërshtonte atë regjim.
Qëndrestar
kundër Komunizmit!
Rezistenca
e tij ndaj komunizmit, ka shkruar Prof. Repishti “më ka obliguar moralisht për
të ndarë me të tjerët ato që kam parë, sidomos krimet e diktaturës së
proletariatit, duke venë në dukje, jo vetëm vuajtjet e popullit tonë, por edhe
karakterin e popullit shqiptar, i cili i qëndroi besnik vetvetes, përball
kërcënimeve të ndryshme, përfshirë edhe kërcënimet me vdekje”. Kështu që,
interesimi i Prof. Repishtit për t’iu dedikuar mbrojtjes së të drejtave të
njeriut nuk kishte filluar në 10-20 ose 30-vitet e fundit. Kauza e të drejtave të njeriut ishte bërë
pasion i jetës së tij qysh në fillim.
Angazhimi
i tij për të drejtat e njeriut e ka zanafillën atje, në vitet e vuajtjeve të
tija në burgjet komuniste, si i burgosur politik në Shqipëri, ku vuajti 10 vjet
burgim, së bashku me intelektualët më të dalluar të Shqipërisë së asaj kohe,
përfshirë edhe klerikët katolikë ndër shqiptarët më të shquar, ndërkohë që
kishte qenë dëshmitarë i tmerreve që ata vuajtën në duar të torturuesve
komunistë. Në lidhje me vuajtjet e klerikëve katolikë shqiptarë, Prof. Repishti
ka shkruar në vitin 1966, pasi kishte arritur në Amerikë se, “i ndjeja thellë
mizoritë e ushtruara mbi ta: masakrat dhe torturat, shpifjet e organizuara dhe
trajtimet poshtëruese ndaj tyre ishin aq të rënda, sa që nuk mund të
pranoheshin, të harroheshin dhe as të faleshin”. Prof. Repishti ka shkruar se
ai është frymëzuar nga, “dashuria e tyre fisnike për bashk-të-burgosurit, për
faljen dhe mëshirën që ata treguan ndaj torturuesve të tyre të verbër, nga
shpresa e tyre që buronte nga ndjenjat e shëndosha se aspiratat tona, për liri,
drejtësi dhe paqe, heret o se vonë, do të realizoheshin.
Pasi
mbijetoi vuajtjet në burgjet komuniste të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, ai
emigron në SHBA në fillim të 1960-ve. Përvoja e Z. Repishti në ato burgje duket
se kishte lëkundur qëndrimin e tij në besimin ndaj mirësisë së njerëzve, por
megjithëkëtë, ai kurrë nuk humbi besimin në shpirtin njerëzor.
Në
një letër që ai i ka dërguar, Fondacionit Woodrow Wilson në Washington në vitin
1964, në lidhje me këtë, Repishti bën pyetjen: “A është e keqja me të vërtetë
aq e thellë e rrënjosur në shpirtin e njeriut, sa që njeriu të identifikohet me
të keqen”? Komunizmi, ka shkruar ai,
kishte kthyer për së mbrapshti një numër parimesh të jetës sonë, duke na
kërkuar që të hiqnim dorë nga individualiteti ynë personal, me qëllim për të
ndërtuar një shoqëri më të mirë, një njeri të ri. Përballë kësaj situate, ka
pohuar ai, ne ishim të detyruar të vendosnim nëse të pranonim ose jo këtë
drejtim të ri. “Ishim para një alternative të pa evitueshme, për të dëmtuar të
tjerët (fizikisht dhe moralisht) ose për të pësuar ne sulmet nga të tjerët. Në
lidhje me këtë nuk kishte kompromis”, ka nënvijuar Prof. Repishti, duke shtuar
se ai vet kishte vendosur që të mos dëmtonte të tjerët, por të pësonte kritikat
dhe sulmet nga të tjerët, dmth. nga kundërshtarët e tij.
Prof.
Repishti ka pohuar gjithashtu se përvoja e tij në burgjet komuniste, jo vetëm
që e ka bërë atë të identifikohej më mirë me problemet e përditshme të
bashkatdhetarve të vet, por njëkohësisht, e kishte detyruar të përballohej me
disa pyetje morale, për të mos thënë teologjike, në lidhje me natyrën njerëzore
dhe mbi të drejtat e njeriut në këtë botë. “Cila është gjendja shpirtërore në
ditët tona? Cili është reagimi ndaj tendencave për ta bërë njeriun si një frymë
pa bazë morale, thjeshtë për ta shndërruar atë në një objekt? Si lufton njeriu
për sigurinë e vet, përafirmimin e tij, për lirinë dhe pavarësinë personale dhe
më në fund për ekzistencën e vet, për një ekzistencë kuptimplotë?” Z. Repishti
ka shkruar që nga viti 1964 se “për të zbuluar përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve
të vështira dhe të ndërlikuara të ditëve tona, unë kam vendosur t’i kushtohem
kauzës së të drejtave të njeriut, me qëllim për të kontribuar diçka më të
vlefshme dhe më fisnike ndaj fjalës “njeri, sepse kjo kauzë do të bëhej një
ideal dhe shpresë për mua”, ka thënë ai.
Mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës dhe Çamërisë
Si
rrjedhim, Prof. Repishti ka qenë një mbështetës dhe aktivist i palodhur i të
drejtave të njeriut për shqiptarët kudo që ata jetojnë në trojet e veta në
Ballkan. Profesori është dalluar gjatë dekadave të kaluara sidomos me
aktivitetin e tij në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta
autoktone në Kosovë dhe trojeve të tjera në ish-Jugosllavi, por pa harruar gjithashtu
as të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë. Ai e ka zhvilluar luftën në mbrojtje
të të drejtave të njeriut për shqiptarët me mënyra të ndryshme si individ dhe
si anëtar i organizatës së të drejtave të njeriut, Amnesty International. Por
mbi të gjitha ai është aktivizuar si qytetar i lirë i SHBA, duke ushtruar të
drejtën e tij, me shkrime dhe në kontakte personale, gjithmonë me qëllim për të
influencuar përfaqësuesit politikë amerikanë që politikisht, diplomatikisht dhe
më në fund edhe ushtarakisht me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, të ndihmonin
shqiptarët dhe të mbronin të drejtat e tyre. Sa herë gjatë viteve, ka udhëtuar
Prof. Repishti nga New Yorku në Washington për takime zyrtare me udhëheqësit më
të lartë të qeverisë dhe të Kongresit amerikan për t’i sensibilizuar ata mbi
shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në trojet e veta anë e mbanë Ballkanit.
Kontaktet e tij me Washingtonin zyrtar kanë qenë të shumta dhe të vazhdueshme,
ndërkohë që ai konsiderohej si një këshilltar i besueshëm dhe i drejtë në marrëdhëniet
e tija me Departamentin Amerikan të Shtetit, me përfaqësues të Shtëpisë së
Bardhë dhe sidomos me udhëheqës të Kongresit amerikan të dy partive kryesore
amerikane, republikanë dhe demokratë.
Paraqitja
e Profesor Repishtit para Kongresit Amerikan më 1965 ishte vetëm fillimi i
kontakteve të Prof. Repishtit me autoritetet amerikane. Ç’prej asaj dite, ai
nuk i është ndarë paraqitjes së çështjes shqiptare në qarqet më të larta
politike dhe akademike amerikane. Prof. Repishti gjithmonë ka gëzuar respektin
më të madh në këto qarqe si njeri i besueshëm dhe i drejtë, por është njohur
edhe për angazhimin e tij të fortë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut,
këshillat e të cilit duhej të merreshin parasysh.
Në
një letër që ish-Zv/Presidenti Al Gore i kishte dërguar Prof. Repishtit me
rastin e 75-vjetorit të lindjes, duke i dërguar atij “urimet më të përzemërta
për ditëlindjen” i shkruante se “jeta jote është një shembull i shkëlqyer, e
asaj që është e madhërishme në SHBA… E di se familja dhe komuniteti i juaj, me
të drejtë janë krenarë për karrierën tuaj të profesorit prej 25 vjetësh, për
guximin tuaj të papërkulshëm dhe për aktivizmin tuaj në fushën e çështjeve
shqiptare”. Ndërsa nga ana tjetër e spektrit politik amerikan, Kongresisti
republikan nga Long Island i New Yorkut, Peter King në të njëjtin rast shënon
në gazetën zyrtare të Kongresit, “Congressional Record”, lavdërime për
Repishtin, të cilin ai e cilëson si një “bashkqytetar shëmbullor”, duke
theksuar se, “Gjatë gjithë jetës së tij, Dr. Repishti i është dedikuar luftës
kundër shkeljes së të drejtave të njeriut, shkelje të cilat ai vet i kishte
përjetuar për një kohë të gjatë”. Kongresisti King ka theksuar rolin që ka
luajtur Prof. Repishti në udhëheqjen e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC),
“një organizatë e dedikuar për të luftuar shkeljet e të drejtave të njeriut të
shqiptarëve”, ka shkruar ligjvënsi amerikan republikani Peter King
Profesor
Repishti -- jo vetëm ishte dëshmitar i një historie të tmerrshme, por për më
tepër, ju edhe keni vuajtur nga krimet e asaj historie, nga krimet më
çnjerëzore që mund të ndërmerrte një regjim kundër qytetarëve të vet. Por ju,
megjithë vuajtjet kishit forcën, vendosmërinë dhe guximin për të mbrojtur
parimet e lirisë dhe të drejtat e njeriut, si shembull për brezat e ardhshëm.
Profesor
Dr Sami Repishti, ky mbështetës i shquar dhe luftëtar për të drejtat dhe
dinjitetin e njeriut – miku i ynë Prof. Sami Repishti, jo vetëm sot në kalimin
tuaj në amshim, por me fjalët dhe veprat e tij shembullore, ai gjithmonë na ka
ftuar dhe kujtuar duke na bërë thirrje edhe sot që të mos harrojmë krimet e së
kaluarës. Por, është e rëndësishme për pajtimin shoqëror dhe kombëtar, ka thënë
ai, që ato të korrektohen, me qëllimin dhe shpresën që të mos përsëriten më.
Mendoj
se Prof. Repishti na porosit sot që të bëjmë më shumë në mbështetje të drejtave
të njeriut – duke thënë se megjithëse anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkan,
shqiptarët kanë shënuar përparim të dukshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të
drejtave të njeriut për të gjithë – si Shqipëria ashtu edhe Kosova kanë shumë
për të bërë në këtë fushë dhe në fushë të tjera – sidomos në fushën e pajtimit
kombëtar e shoqëror – për të siguruar që të drejtat e njeriut, dinjiteti
njerëzor për secilin person, barazia para ligjit dhe liria për të gjithë, të
nguliten njëherë e mirë në mendjen dhe zemrën e shqiptarëve dhe përgjithmonë
anë e mbanë trojeve shqiptare. Ky është një objektiv, për realizimin e të cilit
ka punuar gjithë jetën e tij Prof. Repishti. Ai na këshillon sot se puna për
sigurimin e të drejtave të njeriut nuk kryhet kurrë, por do të thoshte se
shqiptarët kanë çdo arsye që të kenë shpresë, se e ardhmja do të jetë më e mirë
dhe më e sigurt se e kaluara e tyre e hidhur dhe më e mirë se e tashmja
zhgënjyese.
Të
jeni të sigurtë i nderuar Profesor, koleg e mik i nderuar, se shqiptarët në
Kosovë dhe në Shqipëri si edhe komuniteti shqiptaro-amerikan, falenderojmë
Zotin që të patëm -- se jemi të gjithë tepër krenarë për arritjet tuaja në
fushën e të drejtave të njeriut për të gjithë shqiptarët në veçanti, dhe për
njerëzimin në përgjithësi.
Me
respekt dhe mirënjohje të thellë. Lamtumirë i dashur Profesor i dashtun. E paç
bekimin dhe uratën e Perendisë – në atë jetë.
Trashëgimia
e tij qoftë kujtimi i tij për të gjithë ne, përgjithmonë. Pushoftë në paqë!
Në celebrimin e 90-vjetorit të lindjes së Profesor Dr Sami Repishtit