Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Marco Rubio, kryediplomati i ri i Shteteve të Bashkuara
E enjte, 23.01.2025, 07:54 PM
MARCO RUBIO – KRYEDIPLOMATI I RI I SHTETEVE TË BASHKUARA
Nga
Frank Shkreli
Marco
Rubio, (53-vjeç) ish-Senatori republikan nga shteti Florida, jo krejt i
panjohur për lexuesit -- një yll i ri i Partisë Republikane të Amerikës për më
shumë se një dekadë tani, përflitej për do kohë se do emërohej në ndonjë detyrë
të lartë në mandatin e dytë të Administratës së Presdentit Donald Trump,
megjithse kishte sfiduar Z. Trump në fushatën e përzgjedhjes së kandidatit
republikan për president.
--Frank Shkreli:
Senatori Republikan antikomunist Marco Rubio në krye të Diplomacisë Amerikane?
| Gazeta Telegraf
--Frank Shkreli/ Një yll
i ri i partisë Republikane në SHBA? | Gazeta Telegraf –
Ashtu
edhe ndodhi, parashikimet u bënë realitet. Dy muaj më parë, Presidenti i
zgjedhur Donald Trump e emëroi ish-Senatorin Marco Rubio në detyrën e
Sekretarit të Shtetit – në krye të diplomacisë amerikane për katër vitet e
ardhëshëm. Të hënën, menjëherë, pas betimit të Donald Trump në mandatin e dytë
presidencial në Shtëpinë e Bardhë, Dhoma e plotë e Senatit amerikan, me vota
unanime (99-0) konfirmoi emërimin e Z. Rubio në krye të Departamentit Amerikan
të Shtetit (DASH), ndërsa ditën e të martë ai bëri betimin në detyrën e re para
Zevendës-presidentit J. D. Vance, duke u bërë kështu anëtari i parë i kabinetit
të Zotit Trump në administratën e tij të dytë.
Sekretari i Shtetit, i emëruar nga Presidenti dhe me miratimin e
Senatit, është këshilltari kryesor i Presidentit për politikën e jashtme. Me
ndihmën e 80-mijë diplomatëve dhe nëpunsve të tjerë të DASH -- të vendosur në
Washington dhe në ambasadat amerikane anë e mbanë botës -- Sekretari i Shtetit
zbaton vizionin e politikës së jashtme të Presidentit. Si ë tillë, këtë vizion, Kryediplomati i ri
amerikan, Zoti Marco Rubio e njoftoi, publikisht, para Komisionit të Senatit
për Punët e Jashtme, javën e kaluar
Opening Remarks by Secretary of State-designate Marco Rubio Before the
Senate Foreign Relations Committee - United States Department of State, angazhimin e tij për një politikë të jashtme
të përqendruar tek interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke folur në hollësi mbi sfidat kryesore të politikës së jashtme nga
këpndveshtrimi I tij dhe administratës Trump, përfshirë kërcënimet nga Partia
Komuniste Kineze, imigracioni në masë dhe konfliktet anë e mbanë botës, ndërsa
paralajmëroi gjithashtu edhe për diktatorët në Moskë, Teheran e Phenian, që
shkaktojnë destabilitet në botë.
Por,
“Përfundimisht”, theksoi Z. Rubio, për administratën e Presidentit Trump,
“përparësia numër një e Departamentit të Shtetit është interesi i Shteteve të
Bashkuara të Amerikës”, duke shtuar se. “Udhëzimi që ai (Presidenti Trump) ka
përcaktuar për politikën e jashtme, është i qartë”, nënvijoi ai para Komisionit
të Senatit për Punët e Jashtme. “Çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që ne
financojmë, çdo politikë që ne ndjekim, duhet të justifikohet duke iu
përgjigjur këtyre tre pyetjeve:
A
e bën Amerikën më të sigurt?
A
e bën Amerikën më të fortë?
Dhe,
a e bën Amerikën më të begatë?”
Z.
Marco Rubio e zhdërvjelloi këtë ide disi më gjerësisht para Komisionit të
Senatit të Punëve të Jashtme të mërkurën e kaluar: “Të jesh i kujdesshëm në përpilimin e
politikës së jashtme nuk do të thotë braktisje të vlerave tona. Por, s’do mend
se ndërsa ne mbetemi kombi më i pasur dhe më i fuqishëm në botë, pasuria jonë
nuk ka qenë kurrë e pakufizuar dhe forca jonë nuk ka qenë kurrë e pafund.
Vendosja e interesit tonë thelbësor kombëtar, mbi të gjith tjerat, nuk është
izolacionizëm; por është kuptimi i arsyeshëm se një politikë e jashtme e
përqendruar në interesin tonë kombëtar nuk është ndonjë relikë e vjetëruar. Që
nga shfaqja e shtetit-komb modern, mbi dy shekuj më parë, vendet kanë vepruar
bazuar në atë që ata e perceptojnë si interesin e tyre kryesor kombëtar – kjo
ka qenë normë, jo përjashtim. Dhe për vendin tonë, vendosja e interesit të
Amerikës dhe e amerikanëve, mbi gjithçka tjetër, nuk ka qenë kurrë më e
rëndësishme apo më e nevojshme se sa është sot. Sepse në fund të fundit, si
mundet Amerika të promovojë sot kauzën e paqës në botë, nëqoftse nuk është vet
e sigurt brenda kufijve të saj? Çfarë dobie ka Amerika për aleatët tanë nëse
nuk është e fortë, për veten? Dhe si mund t'i japë fund Amerika vuajtjeve të
fëmijëve të Zotit, anembanë botës, nëse, së pari, nuk është e begatë këtu ku
jetojmë, në vendin tonë?”, theksoi ndër të tjera Marco Rubio, para Komisionit
të Senatit për Punët e Jashtme.
Gjënë
e parë që ai bëri ditën e martë, Sekretari i Shteteit Marco Rubio vajti në
ndërtesën e Departamentit Amerikan të Shtetit për tu prezantuar dhe për të
shprehur mirënjohjen për diplomatët amerikanë që shërbejnë në Washington dhe
anë
e mbanë botës. Sekretari Rubio paralajmëroi, me atë rast se, po, “do ketë
ndryshime por, ndryshimet nuk kanë për qëllim të dëmtojnë njeri, as të
ndëshkohet ndokush”.
Gjatë
seancës së miratimit në detyrën e tij të re, të mërkurën e kaluar, para
Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme dhe në fjalimin që mbajti në Departamentin
Amerikan të Shtetit në Washington, Sekretari Rubio, i lindur në Amerikë, por me
prindër nga Kuba – foli për familjen e tij dhe prindërit e tij të arratisur nga
Kuba në vitin 1956, të cilët, sipas tij, erdhën në këtë vend pa asgjë, por
vetëm me një ëndërrë, për një jetë më të mirë, tha Z. Rubio. Kjo ditë, shtoi
ai, më kujton se ishin, prindërit e mi, të cilët nuk janë më me ne, ata të
cilët përgatitën rrugën që më solli mua këtu ku jam sot. Falë atyre, nenvijoi
ai, “unë kam pasur privilegjin që të kem lindur në vendin më të madhërishëm në
historinë e botës”. Përveç mirënjohjes për prindërit dhe familjen e tij,
Sekretari i ri i Shtetit – ndryshe nga shumë para-ardhës tij tij –në prak të
fillimit të detyrës së re në krye të diplomacisë amerikane -- falënderoi të
Madhin Zot për bekimet që i ka akorduar atij në jetën e vet.
“Besimi
im është kritik dhe është diçka në të cilën do të mbështetem dhe do të
mbështetem shumë në muajt në vijim. Në një botë të trazuar - ne jemi thirrur të
promovojmë kauzën e paqes dhe të mirën e përbashkët. Kjo detyrë është bërë më e
vështirë se kurrë”. Si përfundim, vazhdoi Sekretari i Shtetit Rubio, “Unë do të
mbështetem shumë në besimin tim dhe do të lutem për bekimet e Zotit, që ai të
më japë forcën, mençurinë dhe guximin për të bërë atë që është e drejtë, në
këto momente të vështira”, është shprehur Z. Rubio.
Në
fjalimin e tij para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Z. Rubio
vlerësoi se, me fundin e luftës së ftohët dhe me triumfin e demokracive
perendimore mbi komunizmim, në Amerikë u krijua njëfarë konsensusi politik nga
të dy partitë kryesore se, “Tani kishim arrijtur në fund të historisë”, siç u
shpreh ai. “Se të gjitha kombet e botës tani do të bëheshin anëtarë të
demokracisë të udhëhequr nga vendet perëndimore demokratrike. Se një politikë e
jashtme që i shërbente interesit kombëtar, tani mund të zëvendësohej me një
politikë që do t’i shërbente rendit të ri liberal botëror. Me besimin se i
gjithë njerëzimi tani ishte i destinuar të braktiste sovranitetin dhe identitetin
kombëtar dhe në vend të kësaj do të krijohej një familje e madhe njerëzore dhe
të gjithë do bëheshin qytetarë të botës. Kjo nuk ishte, thjesht, një fantazi.
Tani ne e dimë se ishte një mashtrim i rrezikshëm”, ka thenë Z. Marco Rubio në
dëshminë e tij para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, të mërkurën që
kaloi, duke shpjeguar përparësitë e politikës së jashtme të administratës së
Presidentit Trump.
Ndërkaq,
Z. Rubio paralajmëroi mbi “krizën historike të migracionit” në masë, jo vetëm
në Amerikë por anë e mbanë botës, që sipas tij, është një krizë që po kërcënon
të destabilizojë shoqëritë dhe qeveritë e ndryshme në botë. Ndërkohë, që sipas
tij, anë e mbanë botës perëndimore, “qeveritë tani censurojnë e madje ndjekin
penalisht kundërshtarët e mbrendshëm politikë”, është shprehur Rubio.
Prandaj,
“8 dekada më vonë, neve na kërkohet edhe njëherë që të krijojmë një botë të
lirë nga kaosi aktual në botë, ndonëse kjo nuk do të jetë e lehtë. Një gjë e
tillë do jetë e pamundur pa një Amerikë që beson në vetvete dhe që angazhohet
në botë, duke vendosur, edhe njëherë, interesat tona themelore kombëtare, mbi
çdo gjë tjetër”, theksoi Rubio, duke u mbështetur edhe në mandatin e dhenë
administratës Trump nga zgjedhsit amerikanë:
“Ata duan një Amerikë të fortë – një Amerikë të fortë dhe të angazhuar
me botën, një Amerikë me një objektiv të qartë për të promovuar paqën në botë
dhe sigurinë e begatinë në vendin tonë, Amerikën… Një premtim i dhenë, një
premtim i mbajtur që do jetë thelbi i misionit të Departamentit Amerikan të
Shtetit”, ka thenë Z Rubio në fund të dëshmisë së tij para antarëve të
Komisionit të Senatit që merret me Punët e Jashtme të Amerikës.
Duke
reflektuar mbi fjalët e Sekretarit të ri të Shtetit, Z. Marco Rubio, drejtuar
Senatit, punonjësve dhe diplomatëve amerikanë në Washington dhe anë e mbanë
botës, është e pamundur të heq nga mendja aktualitetin e marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane në përgjithsi dhe ato midis Shqipërisë dhe Shteteve të
Bashkuara, në veçanti. Sa i përket
marrëdhënieve Tiranë-Washington, nuk e di se ç’të them, në këtë ndërrim të
administratave në Washington. Nuk besoj se e ekzagjeroj kur them se ato
vazhdojnë të jenë në nivelin më të ulët në këto tri dekada, ndoshta me
përjashtim të vitit 1997. Frank Shkreli: Thikë m’u në zemër të marrëdhënieve
shqiptaro-amerikane! | Gazeta
Telegraf Më duket si një ftohje e
shëmtuar në marrëdhëniet midis dy vendeve tona -- një pauzë e pashpjegueshme në
marrëdhëniet dy-palëshe! Për mua, dikush ka vepruar sistematikisht dhe në
mënyrë djallëzore që të sillnin marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në këtë pikë
dëshpërimi, pas aq shumë përpjekjesh për t’i vendosur ato në nivelin që duhej
dhe që meritonin, historikisht. Kush dhe pse?! Keqëbërsit, kurrë mos bëfshin
hajër! Në pikën më të ulët ku janë sot –
duke e goditur rëndë gjënë më të mirë, për shumë shqiptarë kudo në botë –
rivendosjen e marrdhënieve të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
35-vjet më parë – pas pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm. Sidoqoftë, presim dhe shpresojmë që marrëdhëniet
midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të nxirren nga absurditeti aktual
dhe të sillen në normalitetin diplomatik, ashtu siç u ka hije dy kombeve,
historikisht, mike.
Fjalët
e Sekretarit të Shtetit mbi vizionin e politikës së jashtme të administratës së
Presidentit Trump janë të qarta. Se si dhe nëse ai vizion do mund të
shëndërrohet në një realitet më të mirë për Shtetet e Bashkuara, për
marrëdhënie më të mira midis Shqipërisë dhe Amerikës-Kosovës dhe Amerikës dhe
për një Amerikë më të fortë, më të sigurt, apo më të begatë dhe për një botë në
paqe – atëherë kjo mbetet për tu parë, në muajt dhe vitet e ardhëshme.
Zoti
e bekoftë Amerikën dhe Kombin shqiptar në këtë kohë të vështirë!
Presidentja
e Republikës së Kosovës ishte ndër udhëheqsit e parë ndërkombëtarë që, në emër
të popullit të Kosovës, dërgoi urimet e saj Sekretarit të ri të Shtetit (DASH),
Z. Marco Rubio për detyrën e re në krye të diplomacisë amerikane. “Kosova pret
me padurim të bashkpunojë me ju për fuqizimin e alancës tonë të fortë dhe për
promovimin e vlerave tona të përbashkëta, përball sfidave të kohës në të cilën
jetojmë”, shkruan e para e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në urimin e saj
drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit me rastin e fillimit të punës në krye
të diplomacisë amerikane në administratën e Presidentit Donald Trump. *Foto nga
një takim i para disa muajve i Presidentes së Kosovës me Senatorin Marco Rubio
në zyrën e tij në Kongres.