Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 'Porosia e Kullës' së Dr. Pashko Camaj
E marte, 10.12.2024, 06:55 PM
“POROSIA E KULLËS” SË DR. PASHKO CAMAJ
(Fjala
me rastin e promovimit të librit “Porosia e Kullës” të autorit
shqiptaro-amerikan nga Malësia e Madhe, Dr. Pashko Camaj, në Qendrën Nenë
Tereza të Kishës Katolike shqitaro-amerikane, Zoja e Shkodrës në Nju Jork)
Nga
Frank Shkreli
Përshëndetjet
e mia të gjithë të pranishëmve aty të mbledhur sot në Sallën e të Madhes tonë
Shën Nenë Terezës, pranë Kishës Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”.
Përshëndes dhe përgëzoj, përzemërsisht, bashk-malësorin tem, mikun, kolegun dhe
autorin e librit “Porosia e Kullës”, Dr Pashko Camaj – të cilit, njëkohsisht, i
kërkoi ndjesë, që në pamundësi të jem aty sot, detyrohem t’a përshëndes me këtë
rast, prej së largu nga Washingtoni. Pa dashur të dukem si krahinor, më duhet
të pranoj se suksesi Dr Pashkos…
“Porosia
e Kullës” është titulli i librit. Dy fjalë të mëdha, dy fjalë të shenjëta –
fjala: Kullë dhe fjala: Porosi, ose siç përdoret në fjalorin popullor: amaneti.
Është një rrëfim autobiografik, por edhe një përvojë reale dhe aktuale
shpirtërore dhe shoqërore. Është një rrugëtim, që secili prej nesh e ka berë,
në rrethana tjera dhe në kohë të ndryshme. Është një tregim i cili po të heqim
emrin e autorit, Dr Camaj, mund të vendoset emri i secilit prej nesh,
mërgimtarë malësorë, por jo vetëm, të ardhur në Amerikë gjatë 50 e sa viteve më
parë. Është një histori dhe një pasqyrë ku secili prej nesh të ardhur nga ato
anë, shohim vetveten tonë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë dhe të
familjeve tona, por edhe të komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi. Si
bashkvendas, me të njëjtën përvojë si Dr. Pashko Camaj, ky libër na ben të
shikojmë thellë brenda vetes, ndoshta me mundësinë dhe dëshirën për të gjetur
veten në një botë të huaj dhe për t’ju përgjigjur pyetjeve se ku ishim, ku jemi
dhe ku po shkojmë – brezi ynë dhe ata që vinë pas nesh. A është një bekim, apo një mallkim, ndoshta,
braktisja e Kullës dhe e trojeve tona? Ato kulla që ndër shekuj kanë ruajtur
brez pas brezi identitetin shqiptar, traditat, vlerat dhe zakonet e mira të
malësorëve, të cilët shpesh e kanë ndier veten si të huaj në kullat dhe në
trojet e veta shekullore.
Atyre
kullave të Malësisë tonë të cilat, historikisht, kanë shërbyer një rol të
dyfisht, si banesa por edhe për mbrojtje nga armiqët. Këto janë pyetje që vetëm
secili prej nesh, bazuar në përvojën tonë, mund t’i përgjigjemi, bazuar në
përvojën dhe në rrethanat tona specifike. Nëse braktisja e kullave tona gjatë
dekadave ishte një bekim apo mallkim, kjo u mbetet historianëve të ardhëshëm të
vendosin. Megjithëse autori mund të ndjehet fajtor për “ mospërfilljen” e
amanetit të Kullës, duke u largua nga vendlindja – ai përpiqet të justifikoj
largimin nga trojet shekullore tona për një jetë më të mirë në Amerikën e
largët duke cituar që në fillim një paragraf nga Testamenti i Vjetër i Biblës –
që përcakton emigrimin si një fenomen botëror i shekullit të kaluar por aktual
edhe sot, ndonëse aq i vjetër sa vet Bibla:
“Zoti
i tha Abrahamit: Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e
babait tënd, dhe shko në vendin që do të tregoj. Unë prej teje do të bëj një
komb të madh, do të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh
një bekim.” Zanafilla 12:1-20
Titulli
i librit, “Porosia e Kullës” e autorit Dr Pashko Camaj është në të njëjtën kohë
edhe një betim dhe mund të shikohet si thirrje brezit të tanishëm dhe të
ardhëshëm të malësorëve e të shqiptarëve, anë e mbanë trojeve tona në Ballkanin
Perëndimor, në përgjithësi, që ata të mos barktisin “Kullat”. Por, nga ana tjetër, është edhe një betim
solemn për t’i qëndruar besnik deri në fund, “Mbrojtjes së Kullës” si një gjë
të shenjtë, një porosi e Kullës së të parëve!
Ky
është edhe pikëqëllimi i këtij libri, sipas vet autorit: një mesazh e porosi
për brezat e ardhëshëm të malësorëve dhe shqiptarëve nga të gjitha trojet, në
Amerikë – ku ndonëse ëndërrat bëhen realitet – siç është edhe vet rasti i
autorit, në këtë vend të ri. Ndërsa bëhen amerikanë, ata mund të ruajnë
gjithnjë rrënjët e veta dhe të mos harrojnë origjinën nga vijnë. Ashtuqë
nepërmjet porosisë së Kullës, malësorët dhe shqiptaro-amerikanët, në përgjithësi
të mund të ruajnë trashëgiminë dhe amanetin shekullor të brezave arbërorë edhe
këtu në Amerikën e largët. Në këtë
“komb
të madh, do të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një
bekim”, janë fjalët e Perendisë, drejtuar Abrahamit. “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu
dhe nga shtëpia e babait tënd...”
Dr.
Pashko: ti ke bërë zgjidhjen e duhur, prandaj mos e ndjejë veten fajtor ndaj të
parëve tu por të jesh krenar për këtë vepër, me të cilën ti përshkruan
historinë tënde, por që, në të vërtetë, përmban edhe historinë e secilit prej
nesh, që në kohë tjera, ashtu si ti para 40-viteve, kemi ardhur në këtë “komb të madh” nga trevat shqiptare në
Ballkanin Perëndimor.
Ky
“komb i madh”, që është Amerika jonë e dashur, të gjithë neve me origjinë të
përbashkët nga vjen edhe autori Dr Pashko Camaj, na e ka bërë të mundur që “Porosia e Kullës” të jetë një bekim për
secilin prej nesh si individ dhe për ne si komunitet që aktualisht luan një rol
me rëndësi në jetën dhe veprimtarinë e këtij kombi të madh, të përcaktuar, si i
tillë nga Perendia – si vendi që ai na “tregojë”.
Më
në fund, si rjedhim, kuptohet, vetvetiu, se sa rëndësi e vlerë ka kjo vepër për
historinë tonë këtu në Shtetet e Bashkuara por edhe për amangtet dhe “Porosinë
e Kullave” të Malësisë tonë të Madhe e të dashtun, për trojet shqiptare në
Ballkanin Perendimor. Për të kaluarën,
për të tashmen dhe për të ardhmen. “Porosia e Kullës” përkon plotësisht me
botëkuptimin e shqiptarëve të cilët dikur u lidhshin dhe mbetshin aty ku kishin
dhanë fjalën, d.m.th: Besën. Besa e dhenë është porosia e ruajtur e Kullës!
Duke
qenë i bindur se ashtu si Arbëreshët e Italisë të cilët ruajtën për më shumë se
500-vjet porositë dhe identitetin kastriotian në dhe të huaj – ashtu edhe
shqiptarët e sotëm në “tokën e premtuar” të Amerikës -- me kohë dhe me kujdes e
sipas rrethanave -- do të mund të ruajnë “Porositë e Kullave”, duke ruajtur
vlerat dhe traditat fisnike të kullave tona, jo vetëm në Malësi të Madhe dhe
anë e mbanë trojeve shqiptare, por edhe këtu në botën e re -- Shtetet e
Bashkuara të Amerikës. Sot për sot, askund si këtu në Amerikë nuk mund të
zhvillohen me sukses përpjekjet për të ruajtur vlerat dhe traditat kombëtare.
Shpresonim
se me shembjen e Murit të Berlinit dhe të diktaturës së egër komuniste në
Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare, “çeshtja shqiptare” do të merrte,
më në fund, dinamika të reja përparimi e zhvillimi, në nivel kombëtar e
ndërkombëtar. Kjo nuk ka ndodhur as pas 35-vjet të ashtuquajtur, tranzicion
“post-komunist”. Mjerisht, kullat tona që u qëndruan me shekuj luftërave për
liri e identitet kombëtar po mbeten bosh, ndërkohë që vazhdon zbrazja biblike e
trojeve shekullore e shqiptarëve.
Për
fat të keq, si në mërgim ashtu edhe në dy shtetet shqiptare – në Shqipëri dhe
Kosovë – mungojnë udhëheqsit atdhetarë, të betuar që të bashkojnë në “një
mendim e një qëllim”, mundësitë e përbashkëta kolektive në mbështetje dhe
mbrojtje të interesave kombëtare, mbi ato private, partiake, ideologjike dhe
krahinore. Jo, se kombi nuk ka njerëz me vlera të larta kombëtare!? Vaj medet
për ne nëqoftse humbasim edhe këtë rast e mundësi historike për të cilën Kombi
shqiptar ka pritur me shekuj. Mendonim se ky do të ishte shekulli i
shqiptarëve! Gjithnjë shpresojmë!
Pa
dashur të dukem si krahinor, më duhet të pranoj se suksesi i Dr Pashkos është
edhe sukses për çdo malësor kullash në trojet tona të Malësisë së Madhe pore
dhe këtu në mërgim.
Prandaj
e mbyll me urimet e mia më të përzemërta, mikut, kolegut dhe bashkvendasit
malësor, Dr Pashko Camajt për këtë botim duke pritur prej tij, edhe botime të
tjera në të ardhmen.
Vëllazërisht,
Frank Shkreli
________________
MËRGIMI – nga Ernest
Koliqi
“Në
mërgim, për arsyena të ndryshme që këtu s’e kanë vendin të rrjeshtohen, asnji
popull tjetër, besoj, nuk u dënue si i yni nga fati me marrë rrugat e «gerbetit
». Ndonse e vogël, Shqipnija i ka bijt e
vet të shpërndâmë në katër kandet e dheut. Të gjithë i shporon në zêmër malli i
vendlindjes. Sado i vobektë, shpesh i mbështjellun nga nji grumbull kujtimesh
të zymta, çerdhe e pazoja me u dhânë rritje e gjallesë t’arsyeshme zogjve të
vet, prap se prap, gurt e sokakut të vendlindjes, thepi i malit, zàni i
prronit, zhurma e çekerkut të pusit, ngjallin në shpirtin ma harraq nji dëshir
të ndezun këthimi. Por edhe mërgimi dallohet në lloje të ndryshme. Kush del
jashë visit të të Parvet për nji përmirsim gjallese por, sado larg t’a két
hjedhë nevoja, nuk ia pengon gjâ udhën e këthimit, ai e ndien mâ pak mallin
sepse e din që mjafton ti hypi nji vaporri ase nji avullqerrje për tu këthye në
gjï të qytetit a të katundit ku u lind. Trishtim kapërthyes ndrydhë,
përkundrazi,
zêmrën
e atij që nuk mund të marrë udhën e këthimit n’atdhé, sepse aty e prêt nji
përndjekje mizore. Ky lloj mërgimi
dërmon shpirtin, tue pre çdo mundësi shmallimi”. (Shëjzat, 11-12, 1962 – faqe
362).
________________
Kush
është Dr Pashko R. Camaj: Ai ka lindur në vitin 1964 në Mal të Zi, ku përfundoi
arsimin e mesëm dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak para se të emigronte,
nëpërmjet Meksikës, në Shtetet e Bashkuara, në vitin 1985. Disa vite më vonë,
në moshën 28-vjeçare, ai u pranua në City University of New York, ku përfundoi
studimet bachelor dhe master për shkencat e mjedisit dhe të shëndetit në punë.
Në vitin 2013, në moshën 49-vjeçare, ai mbrojti tezën e doktoraturës dhe mori
gradën Doktor i Shëndetit Publik në Universitetin e Kolumbias në Nju-Jork. Pashku ka botuar disa studime akademike të
vlerësuara në fushën e shëndetit publik dhe kjo është vepra e tij e parë e
këtij lloji. Aktualisht, ai shërben si
anëtar i udhëheqjes së lartë për “MTA-Bridges&Tunnels”, një agjenci
shtetërore transporti në Nju-Jork dhe është gjithashtu një ndihmës-profesor në
Universitetin “William Paterson” në Nju Xhersi. Përveç kësaj, Pashku aktualisht
shërben si sekretar i Federatës Panshqiptare të Amerikës, “Vatra”, organizata
më e vjetër amerikano-shqiptare në Shtetet e Bashkuara.