Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Po me malësorë, ç’kini
E shtune, 07.12.2024, 06:59 PM
PO ME MALËSORË Ç’KINI?!
Edhe
unë, malësor jam!
Nga
Frank Shkreli
Këtë javë, në Parlamentin e Shqipërisë,
Kryetarja, Zonja Elisa Spiropali iu drejtua deputetit Frrok Gjini, që siaps
lajmeve zuri foltoren pa u thirrur nga Kryetarja e Kuvendit, me këto fjalë:
“Për çfarë e kërkoni fjalën? Apo edhe ju në kuadrin e malësorëve që e marrin
fjalën vetë…”. Dua të them prej fillimit
se unë – në asnjë mënyrë -- nuk e aprovoj mënyrën se si sillen parlamentarët
shqiptarë në sesionet zyrtare. Nuk ma merr mendja se parlamentarët shqiptarë,
po ta shikojnë veten në pasqyrë, e ndjejnë veten krenarë me sjelljet e tyre
gjatë këtyre tre dekadave të ashtuquajturit “tranzicion demokratik”– qofshin
ata të opozitës apo të pozitës. Ky është një problem institucional me të cilin
duhet të merren instancat e Kuvendit – por grindjet politike dhe përleshjet
fizike në parlamanet nuk janë problem as
faji i “malësorëve”, as si grup, as si krahinë.
Fjalët e Kryetares ishin të nxituara
dhe të pa vend. Thuhet se Albert
Einstein ka thënë se po të kishte një orë kohë për të zgjidhur një problem,
atëherë ai do të shpenzonte 55 minuta duke menduar për problemin dhe pesë
minuta do mendonte për zgjidhjen e problemit. Kjo thënje më kujtoi edhe fjalët
e gjyshit tim malësor: Mendo tri herë e fol një herë, bir!
Pyeta veten kush mund të jenë
“malësorët” në Kuvendin e Shqipërisë, që shkaktojnë ka shumë “sherre”, në
organin më të lartë legjislativ të shtetit shqiptar, sipas Kryetares së
Kuvendit!? Nuk dij, por nëqoftse ka
ndonjë deputet që e mban veten malësor, nuk besoj se flet dhe sillet në emër të
gjithë malësorve, kudo që janë. Nuk
besoj se është, as më i mirë as më i keq, sa i përket grindjeve e
konfliktualitetit midis deputetve -- se të tjerët që përfaqësojnë krahina të
tjera të Shqipërisë -- për aq sa kam parë e dëgjuar nga zhvillimet e punimeve
të Kuvendit shqiptar, këto tre dekada, “demokraci”. Thashë me vete, po mund të ketë ndonjë malësor
që ndërpret punimet e parlamentit në Tiranë, po ç’faj kanë të shkretët malësorë
të përhapur anë e mbanë Shqipërisë e trojeve shqiptare, përfshir ne në mërgim,
për një akt të një personi në Kuvendin shqiptar, që shkaktoi një reagim të
tillë përgjithsues nga Kryetarja e Parlamentit. Po, ç’faj kanë sot malësorët që
të përgojohen për keq dhe të ofendohen si grup e si krahinë në Kuvendin e
Shqipërisë, sikur ata nuk kanë halle të tjera të mbijetesës, ashtu si të gjithë
shqiptarët e tjerë pa dallime politike, feje a krahine? Se ne shqiptarët, pa
dallim, përpiqemi të mbrojmë dhe të ruajmë bashkjetesën fetare e krahinore dhe
t’ia tregojmë botës si një prej vetive tona që shumë pak popuj gëzojnë vlera të
tilla kombëtare. Larg duart nga përçarjet krahinore!
Më duhet të them se u zhgnjeva për së
tepërmi kur lexova këtë lajm e që më la një shije të keqe në gojë! Dallime të
tilla, krahinore me qëllim ose pa qëllim dhe një diskurs i tillë politik, nuk
kanë vend Kuvendin e Shqipërisë.
Ndërkohë që malësorët, në përgjithësi,
si persona, grup e krahinë po ofendoheshin në trupin më të lartë legjislativ
shqiptar, si njerëz konfliktual që nuk nderojnë as nuk zbatojnë rend as qetësi
– qindra malësorë të tjerë nga të gjitha trojet dhe nga mërgimi – ishin
mbledhur në Tuz të Malësisë së Madhe për të përuruar Monumentin madhështor
kushtuar të Përgjithmonshimit, Heroit të Kombit, Gjergj Kastriotit -Skenderbe -- Frank Shkreli: Përmendorja e
Gjergj Kastriotit. Skënderbe në Tuz të Malësisë së Madhe -Mbrojtësit t’Atdheut
e të Qytetrimit Europian | Gazeta Telegraf – Atje përball Malit të Deçiqit ku legjendari Ded Gjon Luli më
6 prill 1911 ka ngritur për herë të parë në 500-vjet pushtimi otomano-turk,
flamurin e Gjergj Kastriotit –Skenderbe – një vit para se të valvitej flamuri
në Vlorë me 12 Nentor, 1912. Ditën që
malësorët në Tuz zbuluan shtatoren e Gjergj Kastriotit-Skenderbe – simbolit të
bashkimit kombëtar – rastësisht lexova në disa portale se atje nuk kishte asnjë
përfaqsi atë ditë në Tuz – sado të vogël – as nga Tirana, as nga Prishtina
zyrtare.
Më duhet të jem i sinqert se unë nuk
njoh shumë deputetë malësorë të Kuvendit të Shqipërisë. Ata edhe mund të jenë
ndryshe nga malësorët që kam njohur e njoh unë. Por edhe po të ketë të tillë,
gjë që nuk e besoj, përgjithsimet kurrë nuk janë të mira. Janë fals, ka thenë
Mark Twain. Malësorët që kam njohur unë jo vetëm në vendlindje, por dhe rrugëve
të mërgimit --gjatë më shumë se 50 e sa
viteve, kanë qenë malësorë të “logut të kuvendit”, kur të gjithë në ato kohë, flisnin
dhe jepnin mendimin në takime. Por, ama, kishte rregull, rregulla tradicionale
që nuk shkeleshin – një nder to ishte të flisnin me rend, të dëgjoheshin të
gjithë dhe të mos ofendohej askush.
Këta ishin malësorët që unë kam njohur
gjatë jetës time – dhe nuk do të ishte keq që edhe brezi i sotëm i shqiptarëve
t’i njihte ata si i njoh unë. Ose të dinte pak më shumë, ashtuqë të mos
përgjithësohen gjërat. Malësorët si
shqiptarë, protagonistë të Lahutës së Malësisë të At Gjergj Fishtës, janë
malësorët që, kryesiht, kam njohur unë.
Po i kërkoj ndjesë Ernest Koliqit pasi
po parafrazoj një artikull që kam lexuar kohë më parë prej tij ku ai shkruante
për malësorët e Malësisë së Madhe se ata përparimin dhe lirinë e kanë dashur
dhe e duan, por jo në shkëmbim të humbjes së lirisë. Se ndoshta mund të mos
ketë ndonjë popull në Evropë si shqiptarët e Malësisë së Madhe që e duan lirinë
si ata, që plotësimin e nevojave të tij, si popull, e gjënte në liri. Rrobat e
malësorit, zhele-zhele valviteshin si flamur i grisur në luftëra shekullore,
për të ruajtur nderin dhe lirinë – lirinë e vet dhe të fisit.
Pasi po flasim për “malësorët”,
Albanologu i njohur Robert Elsie ka shkruar një libër siç kanë shkruar edhe të
huaj të tjerë për malaësorët dhe Malësinë e Madhe. I ndjeri Robert Elsie, në librin e tij të
fundit, profilizon fiset dhe bajraqet më të njohura të Malësisë së Madhe -- Frank Shkreli/ Robert Elsie:
Fiset e Shqipërisë | Gazeta Telegraf, si, Hoti,
Kastrati, Shkreli, Kelmendi, Gruda, Trieshi, por pa përjashtuar fiset e
bajraqet e krahinave të tjera, si fiset e Dukagjinit, Malësisë së Gjakovës,
Malësisë së Lezhës, krahinës së Pukës, Malësisë së Krujës, krahinës së
Mirditës, zonës së Matit e të tjera. Ai
i cilëson këto fise të Shqipërisë së veriut dhe të Shqipërisë veri-lindore si
tepër të veçanta në Evropë dhe ndoshta në botë, të cilat sipas tij, janë i
“Vetmi shembull i vërtetë i një shoqërie fisnore, e mbijetuar në Evropë deri në
mesin e shekullit të 20-të”.
Megjithëse këto krahina, mbeten edhe
sot më pak të zhvilluara dhe si rrjedhim malësorët po detyrohen të largohen nga
kullat e tyre, jo vetëm në krahasim me
pjesën tjetër të Shqipërisë, por edhe në krahasim me botën tjetër për rreth
saj, Sir Noel Malcolm, eksperti britanik për çështjet e Ballkanit, ka shkruar
në parathënie të librit “Fiset e Shqipërisë” të Robert Elsit, se “Ishin këto
fise — të cilat megjithëse territori i tyre, me qindra vite ishte nën pushtimin
Osman, por pothuaj kurrë nën kontrollin otoman – përbënin bazën për identitet
shoqëror, për drejtësi vendore dhe veprimtari ushtarake”.
Siç tregon edhe mbiemri im, unë jam
malësor krenar, pjesëtar i njërit prej këtyre fiseve (Shkrelit) që sipas
eskpertit britanik Sir Noel Malcolm janë përpjekur që gjatë shekujve të ruanin
identitetin shoqëror të shqiptarëve dhe drejtësinë vendore, por pa u trembur
nga sfidat as nga veprimtaritë ushtarake gjatë shekujve.