Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Presidenti Xhimi Karter, Papa Gjon Pali dhe të drejtat e njeriut në botë
E hene, 13.01.2025, 06:58 PM
PRESIDENTI XHIMI KARTER, PAPA GJON PALI I DYTË DHE TË DREJTAT E NJERIUT NË BOTË
Nga
Frank Shkreli
Javën që kaloi ndërroi jetë, në moshën
100-vjeçare Xhimi Karter mes, Presidenti
i 39-të i Shteteve të Bashkuara, nga viti 1977-1981, i Partisë Demokrate
amerikane. Ai jetoi dhe zhvilloi një jetë të gjatë e të pasur aktivitetesh si politikan,
biznismen, humanitar, fetar, predikues dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqë.
Në fjalimet e shumta gjatë ceremonive
paraprake të varrimit, folësit dhe media të ndryshme theksuan sukseset e tija
në shumë fushë, por edhe problemet me të cilat u përball gjatë mandatit të tij,
sidomos ato ekonomike. Por, pak ose aspak, nuk përmend kontributi i tij në
fushën e të drejtave të njeriut, që ai i kishte përcaktuar si pjesë e pandashme
e politikës së jashtme amerikane. Në të vërtetë, ishte Presidenti Karter, i
cili në krahasim me presidentët e tjerë amerikanë para tij – që në fillim të
mandatit të tij, ri-drejtoi si të thuash, politikën e jashtme amerikane, duke
theksuar rëndësinë e të drejtave të njeriut në botë – dhe duke i bërë këto të
drejta pjesë të politikës së jashtme të administratës së tij.
Për këtë drejtim të ri në politikën e
jashtme amerikane, Xhimi Karter njoftoi popullin amerikan dhe botën në fjalimin
e tij me rastin e inaugurimit president në janar të vitit 1977, duke thenë se
Amerika, që në themelimin e saj si shtet dhe si shoqëri, ishte e para që ka
përcaktuar bazën shpirtërore dhe lirinë njerëzore si vlera të nevojshme për një
shoqëri të lirë e demokratike. “Që të jemi të sinqert me veten tonë, ne duhet
të jemi të sinqertë edhe me të tjerët. Ne nuk do të veprojmë me vendet e huaja
në një mënyrë që shkel rregullat dhe standardet tona këtu në vendin tonë…Pasi
ne jemi të lirë, ne nuk mund të jemi kurrë indiferent ndaj fatit të lirisë,
kudo tjetër në botë…Morali ynë na dikton qart që se ne duhet të mbështesim
shoqëritë dhe vendet që ndajnë me ne respektin e palëkundur për të drejtat
individuale të njeriut”, është shprehur Presidenti Carter në fjalimin e tij të
parë me rëndësi, si President i Shteteve të Bashkuara, në Janar të vitit 1977.
Ishte kjo një deklaratë e fortë nga një
president i Amerikës -- për një përqëndrim të ri të politikës së jashtme
amerikane në mbështetje të të drejtave të njeriut kudo në botë – në një
periudhë të historisë evropiane dhe botërore -- kur lufta e ftohtë midis lindjes
e perëndimit, midis shteteve komuniste dhe botës perëndimore demokratike –
ishte në kulmin e saj. Ishte kjo hera e parë që një administratë amerikane
përcaktonte të drejtat e njeriut si gur-themelin e politikës së jashtme të
Shteteve të Bashkuara në zhvillimin e marrëdhënieve me shtetet tjera. Kështu filloi dhe vazhdon deri në ditët e
sotëme fokusimi i Amerikës për të përfshir të drejtat e njeriut në politikën e
jashtme dhe në trajtimin e marrëdhënieve të Washingtonit me vendet e tjera –
megjithse rrallë kush i jep kredi për këtë arritje Presidentit Xhimi Karter.
Vetëm dy vjet pas fillimit të mandatit të
tij presidencial, në tetor të vitit 1979, Presidenti Karter, bëhet presidenti i
parë në historinë e Amerikës që pret në Shtëpinë e Bardhë Papa Gjon Palin e II
– vizita e parë historike e një Pape në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte
kjo vizitë e Papa Gjon Palit të II në Washington që i dha një domethënie të re
dhe e mbështetjen e tij të forte, frazës “të drejtat e njeriut”, qoftë në
politikën ndërkombëtare ashtu edhe në marrëdhëniet bilaterale midis shteteve –
por sidomos në marrëdhëniet dhe në diskutimet midis Washingtonit e Moskës.
Gjatë asaj vizite – e para në histori e
një pape në Amerikë -- Papa Gjon Pali i II vizitoi 6 qytete amerikane, duke e
paraqitur veten kudo që shkoi, si një “lajmëtar i vëllazërisë dhe paqës”, duke
predikuar mesazhin e mirë mbi të drejtat individuale të njeriut, mbi lirinë dhe
dinjitetin njerëzor -- Drejtuar jo vetëm popullit amerikan por edhe botës. Një president amerikan i krishtër-protestant,
Xhimi Karter dhe udhëheqsi i Kishës Katolike, Papa Gjon Pali i II, sipas një
deklarate me atë rast nga Shtëpia e Bardhë, thuhej se në takimin midis tyre me
6 tetor, 1979, “Papa dhe Presidenti kanë renë dakort se përpjekjet për të avancuar
të drejtat e njeriut në botë, përbëjnë një ide të domosdoshme për epokën tonë.”
Duhet të kujtojmë se vizita e Papa Gjon
Palit të II në Washington (6 tetor, 1979) erdhi vetëm 4 muaj pas vizitës së Gjon
Palit të II në Poloni, atdheun e tij të origjinës. Një vizitë kjo që, sipas disa historianëve, për
atë kohë, ndryshoi Poloninë dhe botën. Vizita në Shtetet e Bashkuara dhe takimi
në Shtëpinë e Bardhë e Papa Gjon Palit të II, me Presidentin Xhimi Karter në
tetor, 1979, ishte rasti i parë historik kur një president i Amerikës
zhvillonte bisedime me udhëheqsin e Kishës Katolike mbi gjendjen në botë dhe
mbi shqetësimet për paqën dhe drejtësinë në botë. Ata, sipas, deklaratës zyrtare
të Shtëpisë së Bardhë me atë rast, përveç çeshtjeve të tjera ndërkombëtare, “ndanë besimin se respekti për të drejtat e
njeriut dhe për dinjitetin e individit duhet të jenë gur-themeli i politikave
vendore dhe ndërkombëtare të shteteve e kombeve. Papa dhe presidenti”, thuhej
mëtej në atë deklaratë, “theksuan mbështetjen e tyre për konventat
ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut, si dhe për organizatat dhe entitetet
ndërkombëtare, që i shërbejnë kauzës së të drejtave të njeriut…”, thuhej në
deklaratën e Shtëpisë së Bardhë në përmbyllje të bisedimeve midis Presidentit
Carter dhe Papa Gjon Palit të II në Washington. Deklaratat zyrtare të asaj
vizite tregojnë qartë se çeshtja kryesore, ndonëse jo e vetmja, e bisedimeve midis
tyre ka qenë avancimi dhe promovimi i të drejtave të njeriut, si pjesë e
pandarë dhe e domosdoshme në marrëdhënie midis shteteve.
Ishte ky një qëndrim dhe përqëndrim i
ri mbi të drejtat e njeriut në botë, nga ana e Shteteve të Bashkuara të
Amerikës, në zhvillimin e politikës së jashtme dhe ndërkombëtare – por
njëkohsisht ishte edhe një presion moral ndaj komunizmit ndërkombëtar:
Bashkimit Sovjetik komunist dhe regjimeve shtypëse komuniste të Evropës Lindore
e Qendrore. Angazhimi dhe këmbëngulja e Presidentit Karter se të drejtat e
njeriut do bëheshin pjesë e pandarë e politikës së jashtme amerikane dhe se të drejtat
e njeriut do mbroheshin nga Amerika anë e mbanë botës -- pasqyroheshin
gjithashtu, që në fillim, në një letër që Karter i kishte dërguar disidentit të
atëhershëm sovjetik, i njohur botërisht, si mbrojtës i të drejtave të njeriut,
Dr Andrei Sakharov. Në përgjigje të një letre që Sakharov i kishte dërguar
Presidentit Karter, duke i kërkuar presidentit të ri amerikan që të ngrente
zërin në emër të gjithë atyre që po luftonin për të drejtat e tyre në Bashkimin
Sovjetik dhe në vendet e Evropës lindore komuniste. Xhimi Karter ishte
përgjigjur disidentit anti-komunist Sakharov: “Të drejtat e njeriut janë një
çeshtje kryesore e Administratës time”. Siç kam thenë edhe në fjalimin me
rastin e inaugurimit president, ka shtuar Karter në letrën e tij, “Ndonëse ne
jemi të lirë, nuk mund të jemi kurrë indifferent ndaj fatit të lirisë kudo
tjetër në botë…Ju siguroj se populli Amerikan dhe qeveria jonë do vazhdojnë angazhimin tonë të fortë për të promovuar të drejtat e
nejriut, jo vetëm në vendin, tonë, por edhe anë e mbanë botës”, ishte zotimi i
presidentit të ri amerikan Karter dërguar disidentit anti-komunist më të njohur
deri atëherë, Andrei Sakharov.
Xhimi Karter, president i Shteteve të Bashkuara
të Amerikës, megjithë thjeshtësinë e tij në detyrën më të lartë në botë dhe
Papa Gjon Pali i dytë kishin zbuluar se – ndoshta megjithë mospajtimet fetare, njeri
katolik e tjetri prostetant -- ata vërtetë kishin diçka të përbashkët: kauzën e
të drejtave të njeriut, një kauzë që administrata e Presidentit Karter e bëri
pjesë të politikës së jashtme duke e promovuar në Amerikë dhe në marrëdhëniet e
Shteteve të Bashkuara me botën. Ndonëse shumë prej nesh – përfshir autorin e
këtyre rreshtave – i japim, kryesisht, kredi Presidentit Ronald Reagan dhe
lidhjeve të tija me Papa Gjon Palin e II në luftën e tyre kundër komunizmit –
duhet thenë se lufta për zbatimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut në
botë, një nismë kjo e Karterit, mund të konsiderohet edhe si kauza e madhe për
çlirim nga komunizmi dhe për liri e demokraci shekullin e kaluar në Evropë e që
çoi, më në fund, në shembjen e Murit të Berlinit. Një fakt ky që, fatkeqsisht,
nuk u përmend aq sa meritonte të përmendej në fjalimet që u mbajtën këtë javë
me rastin e ceremonive të varrimit të Presidentit Xhimi Karter, i cili ndërroi
jetë me 29 dhjetor, 2024 në moshën 100-vjeçare.
Trashëgimia e Xhimi Karter në mbrojtje të
drejtave të njeriut – gjatë mandatit të tij si president por edhe pas largimit
nga Shtëpia e Bardhë më 1981 – është ndër shumë të “para” që ai ndërmori gjatë mandatit
si president dhe më vonë. Si asnjë president tjetër ai vazhdoi të ishte aktiv
në shumë fusha të verpimtaruisë së tij në Amerikë dhe anë e mbanë botës. Xhimi Karter – ishte presidenti i parë
Amerikan – ndonëse jo në detyrë – që ka vizituar Shqipërinë pas shembjes së
Murit të Berlinit në shtator të vitit 1993 --Frank
Shkreli: Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara Xhimi Karter mbushi 100-vjet, i
pari president i Amerikës që ka vizituar Shqipërinë post-komuniste në shtator,
1993 | Gazeta Telegraf
Karter për Nenë Terezen “Një frymëzim për të gjithë mbështetsit
e të drejtave të njeriut”
Xhimi Karter për Nenë Terezen: Kur Nenë Tereza ka marrë Çmimin e Lartë Nobel për Paqe për
vitin 1979, Presidenti Karter i ka dërguar asaj një urim. Në letrën dërguar
Nenë Terezes me atë rast, Karter vlerësoi punën e saj në ndihmë të varfërve, të
sëmurve, refugjatëve dhe fëmijve. Njëkohësisht, Karter ka shtuar se shembulli i
saj për përkujdesjen për të tjerët në nevojë është një frymëzim për të
gjithë ata që mbështesin të drejtat bazë të njeriut.
Oslo, 1979 - Nobeli i Paqës për Nenë
Terezen
Xhimi
Karter me avokatin shqiptaro-amerikan Bardhyl Tirana – “Njeriu i Karter-it”, që
reformoi Mbrojtjen Civile të Shteteve të Bashkuara
Presidenti Xhimi Karter me Papa Gjon
Palin e II - Papa i parë në histori që ka vizituar Shtëpinë e Bardhë-- Foto by
Bill Fitz-Patrick, October 6, 1979 --National Archives, Jimmy Carter
Presidential Library and Museum, Atlanta, Georgia
Papa Gjon Pali i II në vizitën e parë në vendlindjn e tij (në Poloni) si udhëheqës i Kishës Katolike Universale, qershor, 1979 më pak se 4 muaj para se të shkonte për vizitë në Amerikë dhe takimin me Presidentin Karter. Historianët, në përgjithsi, janë dakort se Papa me origjinë polake kontriboi ndjeshëm në shembjen e komunizmit. Sipas disave, pa këtë vizitë të Papa Gjon Palit në Poloni në qershor, 1979, ndoshta nuk do kishte lindur lëvizja anti-komuniste polake Solidarnost – krijimi i të cilës, sipas shumë ekspertëve, shënoi fillimin dhe mbarimin e komunizmit zyrtar ndërkombëtar në Poloni dhe në mbarë ish-Evropën komuniste.