Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Ndërroi jetë Nikolin Kurti – Nipi i të Lumturit Dom Shtjefën Kurti
E merkure, 12.02.2025, 07:00 PM
NDËRROI
JETË NIKOLIN KURTI – NIPI I TË LUMTURIT DOM SHTJEFËN
KURTI
– EKZEKUTUAR NGA REGJIMI BARBAR I ENVER HOXHËS NË VITIN 1971
Nga Frank Shkreli
Dje mora lajmin e papritur
se ditën e hënë ka shkuar në amshim, Nikolin Kurti, nipi i të lumturit Dom
Shtjefën Kurti, i cili ishte ndër shumë klerikët e Kishës Katolike Shqiptare,
ekzekutuar nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës, në vitin 1971. Vetëm e
vetëm se kishte pagëzuar një fëmij, me kërkesë të nënës së të miturit. Me Nikolinin e ndjerë kam qenë në kontakt të
vazhdueshëm dhe “takoheshim” shpesh në komunikimet tona nepërmjet postës
elektronike. Hera e fundit e “takimit” me
Nikolin Kurtin ishte dita e dielë, një ditë para se ai të ndërronte jetë. Më komunikonte një koment që kishte postuar në
një portalin e intervistës së ditëve të fundit Gëzim Marku: Intervistë
ekskluzive me gazetarin dhe publicistin shqiptaro-amerikan Frank Shkreli -- Nikolin Kurti (E dielë, 09.02.2025, 04:31 AM) “Një
intervistë e plotë nga e cila u njoha plotësisht me personalitetin e lartë të
medias së shkruar shqiptare, z. Frank Shkreli. Kisha lexuar mbi veprimtarinë e
shquar patriotike të gazetarit të VOA, Frank Shkreli, por nga ky shkrim njohja
për të është e plotë. Frank Shkreli ka hyrë në familjen tonë Kurti, kur ai,
bashkë me meshtarin katolik Zef Oroshi, udhëhoqi protestën e
shqiptaro-amerikanëve para OKB-së ndaj regjimit komunist për vrasjen e priftit
Dom Shtjefën Kurti, 74 vjeç, se pagëzoi një fëmijë. Sh.flm. Frank.” I tillë jetoi dhe veproi Nikolin Kurti,
fisnik e mirënjohës.
Protesta të cilës i
referohet Nikolini në mesazhin e tij ka ndodhur në vitin
1973 para Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe para misionit të Republikës
së Shqipërisë komuniste në Nju Jork -- Frank Shkreli: “Fajtori” i
pafajshëm! 50-vjetori i ekzekutimit të Dom Shtjefën Kurtit nga regjimi barbar
komunist i Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf – Ishte pra kjo ngjarje që më njoftoi me Nikolin Kurtin, nipin e Dom Shtjefën
Kurtit, dekada më vonë – duke vazhduar kontaktet e rregullta me postë
elektronike -- ai në Shqipëri e unë në Amerikë, deri ditën e fundit që ndërroi
jetë.
Ndonëse Dom Shtjefën
Kurti ishte vrarë në 29 shtator, 1971, deri
dy vjetë më vonë nuk dihej asgjë se çfarë kishte ndodhur me Dom Shtjefën Kurtin
në Shqipëri. Kishte lajme, sidomos në shtypin austriak të kohës, që citonin
burime jo të sigurta se në Shqipëri mund të ketë ndodhur vrasja e një kleriku
katolik, për “fajin” se kishte pagëzuar një fëmij, por pa përmendur emër të
klerikut. Por disa ditë para se të mbahej protesta në Nju Jork, burime të
sigurta – që ishin marrë edhe më heret me këtë lajm -- njoftuan vrasjen barbare
dhe emrin e priftit katolik Dom Shtjefën Kurti, me origjinë nga Ferizaji i
Kosovës – si kleriku që e kishte paguar me jetën e tij, pagëzimin e një fëmije
të mitur, me kërkesën e një prindi.
Ashtu si Dom Shtjefën
Kurti, edhe nipi i tij, tani i ndjerë, Nikolin Kurti dhe familja e tyre më e
gjërë e kanë origjinën nga Ferizaji i Kosovës, ku Dom Shtjefni, fillimisht, ka
shërbyer si famullitar në Kishën e Engjëllit të Rojës në atë qytet. Në komunikimet
e mia elektronike me Nikolin Kurtin, ai shprehte krenarinë e vet për preardhjen
e tij nga Kosova, ku kishte të afërm, miq e kolegë, ndërkohë që vendlindjen e
familjes e vizitonte shpesh gjatë dekadave të fundit.
Qysh prej kohës që
jam njohur në distancë me të, nepërmjet postës elektronike, Nikolin Kurti ka
punuar pa pushim për kauzat e të përndjekurve të regjimit komunist enverist por
mbi të gjitha ka vazhduar – siç duket pa sukses deri tani që shkoi në atë jetë
– për të gjetur eshtrat e axhës së tij Dom Shtjefën Kurtit – të ekzekutuar nga
regjimi komunist – por të cilit as varri nuk i dihet deri më sot. Këtë e kishte
pasionin e madh të jetës, në kauzën e tij të madhe, gjetjen e eshtrave dhe
varret e të ekzekutuarve të regjimit komunist. Jo më larg se ditën e premte të
javës që kaloi, para se ndërronte jetë, Nikolin Kurti vizitoi Autoritetin e
Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), në përpjekjet e tija
të vazhdueshme për të kërkuar të Vërtetën.
Në shumë prononcime
zyrtare ose gjyësm zyrtare në Shqipëri kurë është fjala për viktimat e
komunizmit, thuhet se atyre u është bërë e “padrejtë” dhe asgjë më tepër. Zyrtarisht,
shumë pak ose aspak, bëhet për të zbuluar të Vërtetën, për gjetjen e eshtrave
dhe të varreve masive, të të vrarëve nga komunizmi i Enver Hoxhës. Këtyre dhe familjeve të tyre pasardhëse të
viktimave të regjimit komunist, siç ishte edhe Nikolin Kurti -- u është bërë më
shumë se diçka e “padrejtë”. Ekzekutimi i njerëzve të pafajshëm, është krim,
madje është krim kundër njerëzimit. Vrasje
të tilla si ekzekutimi i axhës së Nikolin Kurtit -- Dom Shtjefën Kurtit --
ishte dhunim i ligjeve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me sulmet kundër një popullate
civile, për krime si vrasjet, skllavërimi, shpërngulja e deportimi me forcë,
përfshir torturat dhe persekutimin në bazë të fesë, qendrimeve politike ose
origjinës kombëtare. Si mund të hesht klasa politike shqiptare e këtyre
35-viteve për këto krime monstruoze? Për
botën normale dhe për të ndjerin Nikolin Kurti, këto ishin dhe janë krime
kundër njerëzimit. Për fat të keq, misioni i tij cdhe i të tjerëve si ai në
ndjekje të së vërtetës mbi krimet e komunizmit mbetet, tmersisht, i pa
përfunduar, falë refuzimit zyrtar të kësaj klase politike të tranzicionit
komunist -- se “demokratik” ky sistem nuk mund të quhet në Shqipëri -- për tu
përballur, zyrtarisht, me të kaluarën komuniste. Mbetet për tu dëshiruar një
vendim zyrtar nga institucionet më të larta të qeverisë dhe shtetit shqiptar për
të dënuar krimet e komunizmit dhe për të çuar në vend misionin e jetës së
Nikolin Kurti për të gjetur eshtrat dhe varret, jo vetëm të axhës së ti, Dom
Shtjefen Kurtit, por edhe të mijëra viktimave të komunizmit, anë e mbanë
Shqipërisë. Tregoni guxim moral dhe
vullnet të mirë politik, njëherë e mirë, për hir të së VËRTETËS
HISTORIKE, duke nderuar kështu punën më se 30-vjeçare të Nikolin Kurtit e të
tjerëve, kushtuar gjetjes së eshtrave dhe të varreve të viktimave të komunizmin
barbar. Bëjeni këtë për hir të atyre që humbën jetën, por edhe për
trashigimtarët e tyre të gjallë para se edhe ata të zhduken nga kjo botë. Një vendim i tillë, do të ishte. jo vetëm në
përputhje me kërkesat ligjore vendase, por edhe me ligjet ndërkombtare, ashtu
siç kanë bërë pothuaj të gjitha vendet ish-komuniste në Evropë. Për këtë jetoi
dhe veproi Nikolin Kurti gjithë jetën e tij – jo për hakmarrje – por që të
zbulohet e vërteta! Ai iku nga kjo botë
me një brengë të madhe në zemër – pa gjetur eshtrat e axhës së tij të dashur. Nikolin
Kurti lë pas, me të vërtetë një zbrasti të pazevëndësueshme në gjirin e
familjes por edhe në gjirin e bashkisë së të përndjekurve politikë – të gjallë
e të vdekur – si edhe kauzës së tyre madhore në Shqipëri – të gjallë e të
vdekur. Ata, tani kanë një zë më pak, në
Shqipëri dhe jashtë, që lufton për kauzat e drejta të tyre, morale, politike
dhe ekonomike.
Thellësisht i prekur
nga kjo humbje e rëndë, vëllazërisht i paraqes familjarëve të Nikolin Kurtit
dhe mbarë far-e-fisit të tij në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo gjënden ata -- përdhimtimet
e mia më të thella me lutjet që Zoti t’u japë forcë e Nikolinit jetën e pasosur
në amshim. Do më mungojmë shumë komunikimet me postë elektronike me ty, Nikolin
Kurti!
Pushofsh
në paqë!
Frank Shkreli
Nikolin Kurti –
vdekja e papritur ia ndërpreu misionin për gjetjen e eshtrave të axhës së tij,
Dom Shtjefën Kurtit – I ekzektuar nga regjimi komunist Enver Hoxhës.
I ndjeri
Nikolin Kurti, njëri prej autorëve të librave
kushtuar axhës së tij, ka thënë se Dom
Shtjefni megjithë akuzat nga regjimi, vazhdoi të mbante lidhje me misionet
perëndimore dhe iu nënshtrua dënimit të parë prej njëzet vjetësh dhe pasi nuk e
pranoi shkëputjen e klerit katolik shqiptar nga Kisha Katolike Universale siç kërkonte
regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe se luftoi njëkohsisht, për krijimin e një
opozite politike ndaj regjimit dhe për këtë qëllim kishte patur takime dhe me
përfaqësues të shteteve perëndimore, duke theksuar se pavarësisht terrorizmit
shtetëror ndaj klerit katolik dhe dhunës ndaj tij, i lumi Dom Shtjefën Kurti,
refuzonte, kategorikisht, përdorimin e dhunës.
I ndjeri Nikolin Kurti (majtas) është pritur me 24 Dhjetor 2021 nga
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, në Tiranë, Z. Skënder Durmishi. Me këtë
rast Nikolin Kurti i ka dhuruar Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, librin: “Memorandumi
drejtuar Lidhjes së Kombeve nga klerikët katolikë shqiptarë Shtjefën Kurti, Gjon Bisaku
dhe Luigj Gashi – Dëshmorë të Popullit Martir.” Nikolin Kurti ka marrë pjesë me bashkpuntorë
në botimin edhe të librave të tjerë kushtuar axhës së tij: “I Lumi Dom Shtjefen
Kurti – Dëshmitar i Kishës Martire (3-vëllime) dhe “Studime Historike, Recensione,
Publicistikë” (2-vëllime).
E
ndjejë veten të nderuar dhe i privilegjuar të konsiderohem nga i ndjeri Nikolin
si pjesë e familjes së nderuar dhe shumë të vuajtur nga komunizmi – familjes së
Dom Shtjefën Kurtit dhe nipit të tij, tani të ndjerit Nikolin Kurti – I cili la
për mua këtë testament (të cilin e pranoj me përvujtëri) vetëm një ditë, para se të ndërronte jetë: “Frank Shkreli ka hyrë në familjen tonë Kurti, kur ai, bashkë me meshtarin katolik Zef Oroshi, udhëhoqi
protestën e shqiptaro-amerikanëve para OKB-së ndaj regjimit komunist për
vrasjen e priftit Dom Shtjefën Kurti, 74 vjeç, se pagëzoi një fëmijë. Sh.flm.
Frank.” (E Dielë, 9 Shkurt, 2025) Me përvujtëri dhe mirënjohje të thellë për
punën tënde o Nikolin Kurti, në mbështetje të drejtave të viktimave të
komunizmit dhe të Vërtetës historike për ta.