Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 'Reçak - Historia e një Krimi Lufte'
E diele, 26.01.2025, 07:00 PM
“REÇAK: HISTORIA E NJË KRIMI LUFTE” - Ngjarja që ndryshoi të ardhmen e Kosovës - Libër i ish-Diplomatit Amerikan William G. Walker
Nga
Frank Shkreli
25-vjet më parë forcat terroriste ushtarako-policore
të Serbisë fashiste kanë ndërmarrë një sulm barbar kundër banorëve të një
fshati të vogël të Kosovës, i quajtur Reçak, nja 30-killometra në jug të
Prishtinës. Javën që kaloi, masakra barbare e kryer me 15 të janarit 1999, u
kujtua nga qindra pjesëmarrës – përfshir udhëheqsit më të lartë të Republikës
së Kosovës –që morën pjesë në aktivitetet e organizuara për të nderuar dhe
kujtuar, si çdo vit, 45 civilët e pafajshëm shqiptarë, të vrarë nga forcat
terroriste serbe.
Në veprimtaritë që shënuan 25-vjetorin
e kësaj dite të rëndë në historinë e Kombit shqiptar, mori pjesë edhe
Ambasadori amerikan William Walker, ish-Shef i OSBE-së në Prishtinë 2-dekada e
gjysëm më parë. Siç dihet, ishte
Ambasadori i nderuar amerikan William Walker, ai i cili me të shkuar në vendin
masakrës, asaj ngjarjeje të tmershme, atij krimi kundër njerzimit, një ditë më
vonë me 16 Janar, 1999 -- ku ishin hedhur kufomat në Reçak – njoftoi Shtetet e
Bashkuara dhe botën mbarë për masakrën serbe kundër civilëve shqiptarë në
Reçak. Ishte vlerësimi i gjendjes së përgjithshme shumë të rëndë në Kosovë në
atë kohë dhe sidomos dëshmia e Ambasadorit Walker për masakrën që kishte parë
me sytë e vet në Reçak, që çoi më në fund në ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave
terroriste policore dhe ushtarake serbe në territorin e Kosovës dhe anë e mbanë
Serbisë. https://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-masakra-qe-ndryshoi-politiken-boterore-ndaj-kosoves-2/
Ashtu si edhe çdo vit tjetër, në këtë
datë të zezë, Ambasadori Walker e ka bërë zakon dhe viziton Kosovën dhe Reçakun
në shoqërimin e udhëheqsve më të lartë Kosovës. Kështu ndodhi edhe sivjet në
26-vjetorin e masakrës në Reçak – aty në “Reçak, fshatin e vogël, me histori të
madhe”, siç e cilësoi Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë
përkujtimit të këtij viti, “Aty ku 26-vjet më parë, njerëzorja dhe mizorja
patën ndeshjen më makabre, në këtë pjesë të Evropës”, është shprehur Zonja
Osmani. “Kujtesa jonë është mburojë kundër harresës dhe garanci që krime të
tilla nuk do të përsëriten kurrë më”, ka thenë Presidentja Vjosa Osmani.
“Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet me këtë fshat dhe banorët e tij.
Është dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë që kërkoi dhe vazhdoi të
luftonte për liri dhe për të drejtën e ekzistencës”, ka thenë Presidentja e
Republikës së Kosovës. Ndërsa
kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjithashtu gjatë ceremonive përkujtimore në
kujtim të masakrës së Reçakut tha se deklaratat e Walker, drejtuar Amerikës dhe
botës, pas masakrës “ekspozuan brutalitetin me të cilin po përballej Kosova dhe
ndryshuan diskursin ndërkombëtar për luftën e Kosovës…Deklaratat e ambasadorit
Walker ishin denoncime zyrtare të forcave dhe autoriteteve serbe, të cilat po
kryenin krime kundër njerëzimit dhe krime lufte kundër civilëve shqiptarë në
Kosovë”, është shprehur Kryeministri I republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Reçaku dhe Kosova, në shenjë
falënderimi, 8 vite më parë ngritën në Kompleksin Përkujtimor në Reçak,
përmendoren e Ambasadorit William Walker. Sivjet në 26-vjetorin e masakrës, Ambasadori
Walker ia këthei nderin Reçakut dhe Kosovës me botimin e një libri monumental
si dëshmi historike për brezat e ardhshëm të shqiptarëve --mbi krimet serbe
kundër njerzimit ndaj shqiptarëve të Kosovës në Reçak. Një rast ky që sërish
sjell në kujtesë atë që ndodhi në Reçak 26-vjet më parë nga një autor dëshmitar
okular i asaj masakre. Dëshmi autentike për krimet e kryera nga regjimi i
Serbisë në Kosovë,
Një libër-monument, si të thuash, një
dhuratë që Ambasadori Walker tha se ia kishte premtuar Kosovës pothuajse
25-vjet më parë. Ai kërkoi ndjesë me këtë rast, duke shprehur keqardhjen e tij
që i mori aq shumë kohë ta botonte librin e premtuar. Por, ja më në fund, shtoi
ai, libri u botua në shqip dhe anglisht për lexuesit sot dhe për brezat e
ardhëshëm të shqiptarëve, nesër. “Jam shumë i kënaqur që u mundësua botimi i
këtij libri – i kënaqur gjithashtu se Presidentja dhe Kryeministri më kanë
thenë se ky libër është një thesar për rininë e këtij vendi në veçanti dhe për
popullsinë e Kosovës në përgjithsi. Për ta është shumë e rëndësishme dëshmia ime
e ngjarjeve, pjestar i të cilave isha dhe arsyeja se pse mora pjesë në ato
zhvillime 26 vjet më parë”, është shprehur Ambasadori Walker në lidhje me
botimin e librit: Reçak: Historia e një Krimi Lufte, që u promovua, javën e kaluar
në Librarinë “Duklagjini” të Prishtinës me 15-16 Janar.
Në një njoftim i datës 14 Janar. 2025
nga zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti thuhet se në një
takim që zhvilloi me ish-diplomatin amerikan William Walker, ish-shef i
Misionit Verifikues të OSBE-së, ata diskutuan një nga ngjarjet më të
rëndësishme dhe tragjike të historisë moderne të Kosovës: Masakrën e Reçakut
dhe dëshminë e paçmueshme të Ambasadorit Walker për këto ngjarje. Në këtë
takim, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin e Ambasadorit
Walker në mbështetje të së vërtetës dhe drejtësisë, si dhe për kontributin e
tij në përkujdesjen dhe promovimin e ndihmës ndërkombëtare gjatë periudhës së
luftës në Kosovë. Njëherazi, ai theksoi përpjekjet dhe ndihmën financiare prej
70,000 eurove dhenë nga qeveria e Kosovës për këtë iniciativë të rëndësishme
duke bërë të mundur botimin e librit të kujtimeve të Ambasadorit Walker, ku
dokumenton ngjarjet e tmerrshme të Masakrës së Reçakut. Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti tha
se ky libër dhe këto dëshmi të Ambasadorit Walker do të shërbejnë si një mjet
për promovimin e së vërtetës për Kosovën dhe për forcimin e narrativës
ndërkombëtare që vendi ynë ka përjetuar gjenocid nga ana e shtetit të Serbisë.
Vepra si ky libër na ndihmojnë të ruajmë kujtimin e ngjarjeve të tmerrshme si
masakra e Reçakut. Ndërsa, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani
tha me këtë rast, se “Të rinj, të reja e fëmijë që takuam sot, janë brezi i ri
i Reçakut, pasardhësit e viktimave, që dëshmojnë pathyeshmërinë e qëndresën e
popullit tonë, përkundër sakrificës e dhimbjes së madhe -- Lavdi martirëve e
dëshmorëve të Reçakut!, është shprehur Vjosa Osmani. Ndërkaq, edhe Ambasada e
Shteteve të Bashkuara përkujtoi përvjetorin e masakrës së Reçakut me një NeverForget, duke thenë se Shtetet e
Bashkuara i bashkohen popullit të Kosovës duke kujtuar viktimat e masakrës së
Reçakut: “Një pikë-kthese tragjike kjo për njerëzimin, por që nxiti botën të
veprojë. Ndërsa nderojmë viktimat, ne ripërtërijmë angazhimin tonë të
përbashkët për të vërtetën, drejtësinë dhe pajtimin,” thuhet në reagimin
përkujtimor të Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Libri i ish-diplomatit amerikan William
Walker, “Reçak: Historia e një Krimi Lufte”, është një autobiografi mbi jetën ç’prej
fëmijërisë dhe një përshkrim i veprimtarisë së tij të gjatë diplomatike deri në
largimin e tij nga detyra e Shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së, që ai
kryesonte në Kosovë, në kohën e masakrës së Reçakut. Ky është një libër nga një ambasador i një vendi
të madh mik i Kosovës dhe shqiptarëve – ish-diplomati amerikan Wlliam Walker --
i cili si dëshmitar i masakrës së Reçakut, ka shkruar me këtë rast një histori
të vërtetë, paanësisht, duke treguar të drejtën dhe ngjarjen e vërtetë të
tragjedisë në Reçak – me rëndësi për historinë e Kombit shqiptar por edhe për
historinë e Ballkanit dhe të Evropës. Ambasadorit Walker i urojmë jetë të gjatë
– është me gëzim e përzemërsi që çdo shqiptar kudo të përshëndesi botimin e William
Walker, “Reçak: Historia e një Krimi Lufte”, Lavdi martirëve të Reçakut – I
përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!
Ish-Diplomati amerikan, William Walker
duke dedikuar për një blerës librin: “REÇAK: HISTORIA E NJË KRIMI LUFTE”, në
promovimin e veprës së tij, në hapësirat e Librarisë “Dukagjini”, në Prishtinë,
javën e kaluar
Lavdi martirëve të Reçakut!
Udhëheqsit
e Republikës së Kosovës nderojnë diplomatin amerikan, Ambasadorin William
Walker, njeriun që ekspozoi masakrën brutale të forcave terroriste serbe kundër
civilëve të pafajshëm, 26-vjet më parë, në fshatin Reçak të Kosovës
Versioni anglisht Versioni shqip
Autori me mikun e shqiptarëve dhe me
mikun e të VËRTETËS, Ambasadorin William Walker -- folësit kryesorë në festimin
e 15-vjetorit të Shpalljes së Pavarsisë së Republikës së Kosovës -- organizuar
nga Shoqata Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, Inc. në Nju Jork, 12 Shkurt,
2023
“Historia e një krimi lufte”, nga William G.
Walker – ngjarja që ndryshoi të ardhmen e Kosovës.