Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kryqtari i Fundit, Gjergj Kastrioti - Skendërbeu
E hene, 05.05.2025, 06:59 PM
KRYQTARI I FUNDIT – GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU
Ditar Diplomatik - Autor: VIRGJIL KULE -- Botim i dytë
(Federata
Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra -- në bashkëpunim me Qendrën Kulturore
"Nënë Tereza" të Kishës Katolike "Zoja e Shkodrës" --
promovoi librin "Kryqtari i Fundit" të diplomatit Virgjil Kule. Promovimi është zhvilluar ditën e Shtunë më 3
Maj 2025 ora 11 Am në Qendrën Kulturore "Nënë Tereza" të Kishës
Katolike "Zoja e Shkodërs")
Nga
Frank Shkreli
Është
gjithmonë kënaqësi të takohemi këtu në sallën “Nenë Tereza” dhe të përshëndes
Dom Pjetrin – i cili si gjithmonë ashtu edhe sot i mban dyert e Kishës Zoja e
Shkodrës hapur për të gjithë ne – pa dallim feje e krahine – në traditën më të
mirë të klerikëve të mëdhej të Kombit Shqiptar, në shërbim të të gjithë
shqiptarëve, duke shtyr përpara veprimtaritë kombëtare e fetare me moton “Për
Fe, Atdhe e Përparim”. Falë Dom Pjetrit,
në këtë kishë e në këtë qendër të Nenë Terezës, ashtu si sot, të gjithë
shqiptarët pa dallim, këtu, gjithmonë kemi gjetur identitetin tonë të
përbashkët fetar e kombëtar – ashtu siç na do Gjergj Kastrioti -Skenderbe dhe
Nenë Tereza.
Falënderoj
gjithashtu Federatën Pan-Shqiptare Vatra për bashkpunimin me Qendrën Kulturore
"Nënë Tereza" të Kishës Katolike "Zoja e Shkodrës" në
promovimin e librit "Kryqtari i Fundit…”.
Ju falnderoj për ftesën.
Zonja
të nderueshme e Zotëri të ndershëm –
Përshëndetjet
e mia të gjithë të pranishëmve – urime autorit të librit: “Gjergj
Kastrioti-Skendërbeu – KRYQTARI I FUNDIT”, Z. Virgjil Kule për këtë vepër të
rëndësishme historiko-diplomatike për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Unë
nuk jam historian, por kam nderin të jem këtu midis jush, të ndaj me ju disa
fjalë -- në lidhje me rëndësinë e këtij botimi voluminoz të Z. Kule – më shumë
nga këndveshtrimi i një gazetari. Si i tillë, e konsideroj këtë promovim një
ngjarje me rëndësi bashkohore, mediatike, jo vetëm këtu në Nju Jork, në
Amerikën e largët, në Qëndrën e Nënë Terezës të Kisha Katolike Shqiptare – por
edhe një ngjarje interesi historik për botën shqiptare në përgjithësi -- përtej
kësaj hapësire -- m’atë anë të Atlantikut.
Në
këtë promovim të veprës së tij, Z. Virgjil Kule -- na bashkon këtu në frymën më
kastriotiane për të kujtuar Heroin tonë, Kryetrimin e Kombit dhe veprimtarinë e
tij epike djplomatiko-ushtarake, të përgjithmonshmin e Kombit shqiptar – Gjergj
Kastriotin-Skënderbe. Këtu para bustit
të tij në këtë sallë që, njëherazi, mban edhe emrin e Shën Nënë Terezës, ndërsa
disa metra prej këtu qëndron monumenti madhështor i Heroit Kombëtar, në oborrin
e Kishës Zoja e Shkodrës.
Por
siç ka thënë edhe Aleksandër, Kryepeshkopi orthodoks shqiptar për Argjentinën
dhe Amerikën Latine, i cili për fat të keq ndërrroi jetë, papritmas, kohët e
fundit, “Skënderbeu nuk është vetëm në bronz. Skënderbeu është pjesë e
identitetit tonë dhe qenie Shqiptare, është pjesë e gjeneve tona”.
Po
e përmend ketë se sikur këto dy figura të Kombit, për ne dhe për të huajt, janë
të pandashme në historinë e shqiptarëve, megjithse kanë jetuar e vepruar pesë
shekuj nga njëri tjetri. Janë, njëkohësisht, edhe shembuj të shkëlqyer si
përfaqësues të diasporës. M’u kujtua një
deklaratë e ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright kur ishte pyetur se
çka dinte ajo për shqiptarët: Albright është përgjigjur se ajo e njihte
Shqipërinë dhe shqiptarët nepërmjet Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe Nenë
Terezës. Prandaj, nuk besoj të ketë një vend më të përshtatshëm se -- para
bustit të Heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, në Qëndrën Nenë Tereza – për të
zhvilluar promovimin e librit: “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – Kryqtari i
fundit”, të autorit Virgjil Kule. Në Kishën
e parë Katolike Shqiptare në Amerikë, këtu ku 55-vjetë më parë, si shumë të
tjerë, prej këtu edhe unë kam pas fatin të hedh hapat e parë drejtë një jete e
karriere të lumtur në këtë vend të bekuar.
Natyrisht,
se simbolikat e kanë rëndësinë e vet, por më të rëndësishme janë faktet
historike – kur dokumentet flasin të vërtetën, shekuj më vonë, për Kryeheroin
Kombëtar të shqiptarëve: “Për ta berë
interpretimin mbi faktet në rrjedhshmërinë e tyre origjinale e ndërtova
rrëfimin me kapituj vitesh dhe, brenda çdo viti, me referime ndaj dokumenteve sipas
kalendarit të ditëve, javëve ose muajve kur ato janë prodhuar”, shkruan Z. Kule
në librin e tij, duke shtuar se “u përftuar kështu për herë të parë një ditar
analitik i veprimtarisë politike, diplomatike dhe ushtarake të Gjergj
Kastriotit. Rrëfimi mbi bazën e ditarit” shton ai, “më siguroi pastaj
narracionin e një historie koherente jo vetëm të veprimit, por kryesisht, të
asaj që deri tani ka munguar – të mendimit të Skënderbeut”, pra, që autorit
Virgjil Kule, e ka paraqitur me objektivitet të dokumentuar historik,
shqiptarin e Madh Gjergj Kastriotin-Skenderbe.
Kjo
vepër jo vetëm që e dokumenton me fakte rolin e Gjergj Kastriotit Skenderbe,
“në përballjen evropiane të ofensivës osmane”, por, “ky studim e zgjëron
hapësirën përtej kufijve të zotërimeve të tij”, duke arritur në përfundimin se
Gjergj Kastrioti - Skenderbe, “Nga i pari në mes të barabartëve në Lidhjen
lokale të Lezhës” -- një akt kulmor i urtisë dhe strategjisë vizionare të tij
-- dokumentet e interpretuara në këtë vepër, sipas radhës kronologjike -- e
“vetparaqitën Skenderbeun, natyrshëm, pa ndërhyrje të sforcuar të autorit, si
të barabartë, mes më të parëve edhe në plejadën e liderëve kryqtarë më në zë të
kohës”. Jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë.
Autori e siguron lexuesin gjithashtu se vepra e tij mbi “projektin
madhështor” të Skenderbeut, është një libër i arsyetimeve të tija, ndonëse duke
mbetur “rob” i dokumentit, një rrëfim me pasion dhe objektivitet për shqiptarin
e mençur Skënderbe”.
Historiografia
shqiptare moderne kishte nevojë për një libër të tillë të mirë-dokumentuar –
duke marrë parasyshë burimet e reja të vleshme, por të pazbuluara deri tani, e
që kërkuesit shkencorë e historianët si Virgjil Kule kanë në dispozicion, për
një vepër si kjo, kushtuar Gjergj Kastriotit – Skenderbe. Për një vepër të
shkruar nga një autor shqiptar, me objektivitet, qoftë edhe “rob” i dokumenteve
të fakteve historike, siç shprehet autori -- aq edhe më mirë, si një çeshtje me
referencë faktologjinë historike.
Sepse
historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, sidomos në periudhën e lavdishme të Gjergj Kastriotit-Skenderbe
por edhe e periudhës së errët të pushtimit turko-osman 500-e sa vjeçar, ajo që
është shkruar nga të huajt, mbetet deri në ditët e sotëme mjaft e kapërthyer
dhe e koklavitur, në një pjesë të madhe të saj.
S’do
mend, pra, që paraqitja e fakteve dhe e dokumentacionit historik nga autorë
shqiptarë si Z. Kule, hedhin dritë mbi të vërtetat e luftërave shekullore të
shqiptarëve, në përgjithësi, për liri ndër shekuj. Por, në këtë rast, ky libër,
hedh dritë, veçanërisht, mbi veprimtarinë dhe përpjekjet e figurës më të madhe
kombëtare, Gjergj Kastrioti-Skenderbe, sidomos nga pikëpamja e veprimtarisë
politike e diplomatike të Heroit Kombëtar të shqiptarëve, një kontribut që nuk
ishte trajtuar më parë, siç trajtohet nga pikëpamja e një autori shqiptar, siç
është Virgjil Kule.
Për
këtë, unë si lexues i thjesht, i interesuar në histori, por më shumë edhe si
admirues i Heroit të Përgjithmonshëm të Kombit shqiptar, e uroj dhe e
falënderoj Z. Virgjil për këtë vepër -- si një kontribut të rëndësishëm
historik. Me këtë libër ju e kini paraqitur, bazuar në dokumentacion dhe fakte
historike, figurën madhështore të Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në “frymën më
njerëzore, gjeniale, befasuese, tronditëse, kërshëruese, frymëzuese…por aspak
tragjike e pasive sikundër është thënë jo rrallë”, në thonjëza.
At
Zef Valentini, albanologu i njohur me origjinë italiane dhe autor i veprës së
madhe Acta Albaniae Veneta ka shkruar në vitin 1968 se deri atëherë, mund të
ishin shkruar rreth 600-libra dhe vepra të tjera, muzikore e drama, mbi Gjergj
Kastriotin – Skenderbe. Sot, natyrisht, ky numër duhet të jetë shumë më i madh,
ndërkohë që fqinjtë e shqiptarëve në Ballkan – dhe të huajt, në përgjithsi,
shpesh kanë vazhduar të shkruajnë një histori aspak të vërtetë, qoftë për
Gjergj Kastriotin – Skenderbe, qoftë për historinë e vërtetë të
shqiptarëve. Pa fakte dhe dokumentacion
historik të dorës së parë, historianë e studiues të huaj, janë pëpjekur shpesh
të mohojnë – për interesat e veta gjeopolitike -- jo vetëm veprimtarinë
diplomatiko-politiko-historike të Heroit tonë Kombëtar, por deri në ditët e
sotëme, jo vetëm që vazhdojnë të mohojnë origjinën arbëroro-shqiptare të Gjergj
Kastriotit-Skenderbe, por edhe vet ekzistencën e Kombit shqiptar si njërit prej
kombeve më të vjetra në botë. Atje ku,
“në ato shekuj të kaluem, banonte ajo familja e madhe trako-ilire, në namë e në
za, në histori të fiseve dhe të kombeve... por që sot ashtë bash ai populli i
vogël shqiptar, aq pak i njohun dhe aq zi i qjykuem në Europë…I vjetër sa
fosilet, sa stalaktitat e shpellave jehuese të maleve të veta vigane, dhe i
lindun të thuesh prej vetë rranjëve të vjetra, ai asht sot zot autokton i
pakundershtueshëm i tokave të veta”. (At Gjergj Fishta në fjalimin mbi të
drejtat e shqiptarëve në Konferencën e Paqës, 1919).
Këtu,
pra qëndron, ndër të tjera, rëndësia e kësaj monografie kronologjike e autorit
Virgjil Kule,“Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – Kryqtari i fundit”. Si një vepër me
vlerë, e një studiuesi shqiptar, përpiluar, në bazë të një metode shkencore
faktesh historike dhe dokmentacioni parësor– një vepër që ndikon pozitivisht në
historinë e shqiptarëve, por edhe në rritjen dhe afirmimin e ndërgjegjes
kombëtare – aq shumë e nevojshme në këtë periudhë tranzitore të brishtë
politike dhe historike, nepër të cilën po kalon sot Kombi shqiptar.
Është
interesant fakti se si historia, përsëritet.
Virgjil Kule, me librin “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – Kryqtari i
fundit”, na sjell mbrapa në periudhën e Gjergj Kastriotit-Skenderbe, tek
marrëdhëniet e tija me Selinë Shejte – si qendra më e rëndësishme e botës
perëndimore, atëherë dhe sot. Ai shkruan për përpjekjet e Gjergj Kastriotit për
bashkimin e krerëve të principatave shqiptare në luftën kundër osmanlijve – por
thekson gjithashtu diçka, për të cilënm ndoshta, shumë prej nesh nuk ishim të
vetdijshëm. Për diplomacinë e Skenderbeut për të “ndërkombtarizuar” luftën
kundër turqve dhe për të kërkuar ndihmë nga Perëndimi për mbrojtjen e Krujës
dhe të trojeve arbërore. Gjergj
Kastrioti-Skenderbe, pra, edhe si babai i ndërkombtarizimit të çeshtjes
shqiptare në kohën e tij.
Më
shumë se 5-shekuj më vonë -- në vizitën e parë që Presidenti historik i
Kosovës, Dr Ibrahim Rugova ka bërë në Washington në tetor, 1989 – më kujtohen fjalët
e tija se gjëja më e rëndësishme në atë kohë -- përballë shtypjeve dhe krimeve
serbe në Kosovë -- ishte siç e cilësonte ai: “Ndërkombtarizimi i çeshtjes së
Kosovës”, që më vonë u bë edhe misioni i tij parësor që më në fund çoi në
ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
Historianët mund të gjykojnë ndryshe, por përpjekjet e Rugovës për
“ndërkombtarizmin e çeshtjes së Kosovës” në shekullin XX – që përfunduan në
çlirimin dhe pavarsinë e Kosovës -- mund të duken si një kopje e suksesshme e
veprimtarisë diplomatike të Gjergj Kastriotit për ndërkombtarizimin e mbrojtjes
së Krujës dhe krahinave të tjera arbërore nga otomanët. Nuk ka dyshim se Ibrahim Rugova e dinte
historinë dhe jam i bindur që ai të ketë mësuar nga “gjenialiteti i Gjergj
Kastriotit-Skenderbe, si diplomat e politikan”, siç e cilëson atë autori
Virgjil Kule, duke vlerësuar aftësitë diplomatike dhe lidhjet e Skenderbeut me
Vatikanin dhe me botën e atëhershme “perëndimore”. A nuk është ky një paralelizëm historik midis
dy periudhave dhe dy udhëheqësve të mëdhej të Kombit”?!
“Si
formula e partneritetit për bashkeveprimin me zotërit e principatave shqiptare
ashtu edhe ndërkombëtarizimi i problemit të mbrojtjes së Krujës janë dy risi
politike për të cilat Gjergj Kastrioti ka autorësi të padiskutueshme. Nga ana
tjetër, shpjegimi i hollësishem i këtyre risive është pasuri ekskluzive e
studimit tim. Ato flasin për gjenialitetin e Kastriotit si politikan e
diplomat, tipare këto shumë pak të theksuara në shkrimet e deritashme”, është
shprehur autori i librit, “Gjergj Kastrioti-Skendërbeu – Kryqtari i fundit!
Gjergj
Kastrioti Skenderbe, themelues i shtetit arbëror, bashkues i princave të
Arbërit, ndërkombtarizues i çeshtjes shqiptare si bashkpunues me aleatët
perëndimorë të kohës së tij dhe mbrojtës i vlerave iliro-arbërore, shpëtimtari
i Evropës e pse jo edhe i qytetërimit evropian dhe krishtërimit, si Kryqtari i
fundit!
“Çfarë
shembulli për mbretër! Çfarë detyre për pasardhësin dhe histori-shkruesin e
tij.” (Den Store Castriotto af Albanian kallad Skanderbeg, Stockholm), 1788.
Shtyllat
e kalbura të çardakut nuk do t’i mbajnë mohuesit modernë – të mbrendshëm dhe të
jashtëm -- të figurës dhe veprës së madhe të Gjergj Kastriotit-Skenderbe! Të nderuar të pranishëm, ju falënderoj nga
zemra për durimin ndërsa autorit suksese të mëtejshme!