E premte, 21.03.2025, 06:20 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Ndërroi jetë Ahmet Qeriqi, kryeredaktor i Radios "Kosova e Lirë"

E merkure, 12.03.2025, 06:53 PM


NDËRROI JETË AHMET QERIQI – KRYEREDAKTOR I RADIOS KOSOVA E LIRË

Nga Frank Shkreli

Frank Shkreli: Me kalimin në amshim të Ahmet Qeriqit, Kosova dhe mbarë Kombi shqiptar ka mbetur pa punëtorin e pa pritueshëm të çështjes kombëtare --

E nderuara familje e Ahmet Qeriqit — pak me vonesë lexova sot lajmin e zi për kalimin në amshim të kryefamiljarit tuaj, Ahmetit. Ky lajm i zi dhimëplot, mjeroi Familjen tuaj bujare dhe pikëlloi miqtë, dashamirët (një prejt të cilëve e konsideroj edhe unë veten time) si bashkëpunëtorët dhe bashkëluftëtarët e shumtë të tij në Kosovë, diasporë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.  Komunikimi im i fundit me të ndjerin Ahmet ishte verën që kaloi — atëherë folëm për Ernest Koliqin dhe kontributin e tij në përhapjen dhe mësimin e gjuhës shqipe në Kosovë në kohën e Luftës së II Botërore.

Por ndërkohë ndamë hallet tona shëndetësore — ai të tijat e unë të miat — në shenjë inkurajimi dhe përballimi me gjendjen tonë shëndetësore, pa u ankuar por duke e mbajtur sëmundjen me duresë të pashembullt, e duke iu nënshtruar vullnesës së të Madhit Zot. Megjithëse ai me njoftoi për keqësimin e tij shëndetësor, nuk e besova se Ahmeti do ndahej kaq shpejt prej jush dhe prej nesh sado larg që jemi dhe përgjithmonë. Prandaj lajmi për kalimin e tij në amshim më tronditi thellë mua ashtu si edhe të gjithë dashamirësit e kulturës tonë, patriotë e luftëtarë të lirisë, kolegë, miq e bashkëluftëtarë të Ahmetit.

Ahmet Qeriqi (1946-2025) ishte një figurë e shquar shqiptare, i njohur për kontributin e tij në fushën e gazetarisë, publicistikës dhe kulturës kombëtare. Ai shërbeu si kryeredaktor i Radios "Kosova e Lirë", një medium i njohur për mbështetjen e luftës çlirimtare dhe promovimin e vlerave kombëtare shqiptare.

Me kalimin në amshim të Ahmet Qeriqit, Kosova dhe mbarë Kombi shqiptar ka humbur punëtorin e pa pritueshëm të çështjes kombëtare, frymëzuesin dhe organizatorin e pashoq të nismave — sidomos gjatë luftës çlirimtare nën rrethana shumë të vështira — por edhe në lirinë e pas luftës me veprimtarinë e tij gazetareske, portale e radio-televizive, gjithmonë me objektivin për lartësimin e visarit tonë shpirtëror e kulturor, iliro-arbëror.

Si një bashkëpunëtor, nga koha në kohë, me Radio Kosova e Lirë, e ndjejë si detyrim moral të falënderoj Ahmetin e ndjerë dhe t’i shpreh mirënjohjen time të thellë për bashkëpunimin.  Me këtë rast i dërgoj ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Ahmetit dhe uli kryet me respekt përpara kujtimit të tij, duke paraqitur përdhimtimet e mia më të thella.

Me nderime dhe respekt,

Frank Shkreli

Nju Jork, Shtetet e Bashkuara të Amerikës



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx