E merkure, 30.04.2025, 02:42 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Shkoi në amshim ''Papa i Shqiptarëve''

E marte, 22.04.2025, 07:00 PM


SHKOI NË AMSHIM “PAPA I SHQIPTARËVE”

PAPA FRANÇESKU NDËRROI JETË TË HËNEN E PASHKËVE

“Shqiponjat fluturojnë lartë, por kthehen në folenë e tyre” (Papa Françesku)

Nga Frank Shkreli

Papa Françesku ndërroi jetë mengjesin e ditës së Hënë të Pashkëve – shkoi nga kjo botë, “Papa i popullit”, (The people’s Pope), siç njihej anë e mbanë botës. Por ishte veçanërisht edhe Papa i Kombit shqiptar – i shqiptarëve kudo. Si një simbol tepër domethënës për të treguar këtë dashuri të posaçme për Kombin shqiptar, Papa Françesku, pak mbasi ishte zgjedhur udhëheqës i Kishës Universale Katolike, kishte vendosur të vizitonte Shqipërinë –vendin e parë evropian – pasi ishte zgjedhur zevëndës i Shën Pjetrit. “Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush, në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh, që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh, të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes. Ju falënderoj që më ftuat ta vizitoj atdheun tuaj, “tokën e shqiponjave”, si edhe për pritjen tuaj kremtore”.

Para se të shkelte në tokën shqiptare, Papa Françesku kishte njoftuaar botën se kishte pranuar ftesën e Kishës Katolike Shqiptare dhe të udhëheqësve politikë të vendit, se me 21 shtator, 2014 do bënte vizitën e tij të parë në Shqipëri dhe të parën vizitë si udhëheqës i Kishës Katolike në kontinentin evropian.  Para mijëra pelegrinëve në Vatikan, Papa qe shprehur se po shkonte në Shqipëri me qëllim “për të inkurajuar pakicën katolike në atë vend, si edhe popullin shqiptar në përgjithësi, i cili ka vuajtur shumë dhe për një kohë të gjatë, si pasojë e ideologjive të kaluara, nën një diktaturë komuniste, e cila e shtypi dhe e izoloi popullin shqiptar nga bota, për pothuaj një gjysmë shekulli”. Ndërkohë që një zëdhënës i Vatikanit ka theksuar për gazetarët se vizita e parë e Papës në Europë, po bëhej në një vend me një histori persekutimesh shoqërore dhe fetare, si dhe në një vend të prekur nga varfëria e vazhdueshme. Por siç vunë në dukje lajmet e kohës, vizita e Papa Françeskut në Shqipëri ka pasur për qëllim, gjithashtu, që ndër të tjera, me vizitën e tij në trojet shqiptare, udhëheqësi i Kishës Katolike, të tregonte nderimin dhe të deklaronte respektin e tij për bashkëjetesën dhe tolerancën fetare që, historikisht, ekziston midis shqiptarëve të feve të ndryshme. Një traditë kjo dhe një thesar kombëtar, i cili është pasqyruar, botërisht, si shembull bashkëjetese ndërfetare dhe ndërkombëtare, jo vetëm në Balkan dhe në Europë, por edhe më gjerë.

Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje: e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Klima e respektit dhe e besimit të ndërsjelltë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar dhe i përçudnojnë e instrumentalizojnë dallimet ndërmjet besimeve të ndryshme, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje e dhune, e jo në mundësi për dialog të hapur e të respektshëm, për përsiatje të përbashkët rreth domethënies që ka besimi në Hyjin e zbatimi i ligjit të tij”.

Vizita e Papës Françesku në Shqipëri në shtator 2014, ashtu siç ishte edhe vizita e Papës Gjon Palit të Dytë më 1993 në tokën arbërore, megjithë historinë e persekutimeve të regjimit komunist ndaj kundërshtarëve të tij, qofshin ato për arsye fetare ose politike, tregon se gjithçka ngjallet e përtërihet, se e mira më në fund, triumfon mbi të keqën, se e Vërteta ngallënjon mbi gënjeshtren.  Me këtë vizitë të shkurtër dua të vërtetoj mbështetjen time për Kishën Shqiptare dhe njëkohsisht të dëshmoj inkurajimin dhe dashurinë time për një vend i cili ka vuajtur, aq shumë dhe gjatë, nga pasojat e ideologjive të kaluara.” (Papa Françesku)

Me 21 shtator të vitit 2014, në Tiranë, Ati i Shenjtë Françesku iu drejtua mbarë popullit shqiptar, ndërsa e përshëndeti përzemërsisht pore dhe duke i lënë shqiptarëve, disa porosi, që sidomos, në ditën e kalimit të tij në amshim, mund të jenë më aktuale se kurrë për realitetin politik e shoqëror të vendit, pa harruar kurrë se "shqiponja nuk e harron folenë…prandaj, fluturoni lart!” U ka thenë Papa Franaçesku shqiptarëve. Pastaj, "uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në Flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira".

Fjalët e përzemërta gjatë vizitës së Papa Fraçeskut gjatë vizitës së tij në Shqipëris dhe përshëndetjet e mëvonshme për Kombin shqiptar dhe vuajtjet e tija gjatë historisë kanë kumbuar gjatë viteve dhe vazhdojnë të tingëllojnë edhe sot -- ditën e kalimit të tij në amshim -- në veshët e shqiptarëve dhe të udhëheqsve të tyre.

Me të marrë lajmin e kalimit në amshim sot të Papa Françeskut, liderët shqiptarë – në Shqipëri dhe në Kosovë – kujtuan fjalët e tij dhe përkujdesjen e veçant të tij të vazhdueshme dhe të sinqert të Papa Françeskut për Shqipërinë, për Kosovën dhe mbarë Kombin shqiptar.

Ja disa prej reagimeve sot të udhëheqsve shqiptarë në portalet e tyre zyrtare, me rastin e kalimit në amshim të Papa Françeskut, mikut të shqiptarëve:

Në një mesazh ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka vlerësuar figurën e tij si simbol të dashurisë universale, dhembshurisë dhe përkushtimit pa dallim feje apo kombësie. “Shenjtëria e tij, Papa Françesku, sot u ngjit në qiell, pranë Atit, për të çuar në qiell atë që la trashëgimi në tokë – dhembshurinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj çdo njeriu, çdo besimtari e çdo feje,” – u shpreh Presidenti Begaj, i cili është pritur dy herë në audiencë nga Ati i Shenjtë.

Ndërsa Kryeminsitri i Shqipërisë, Z. Edi Rama është shprehur me rastin e kalimit në amshim të Papa Françeskut me këtë foto më sipër dhe me këto fjalë: “Lamtumirë, Ati i Shenjtë, mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë.”

"Do të vij në Kosovë", ishte premtimi i Papa Françeskut gjatë audiencës që kisha me të në Selinë e Shenjtë, shkruan Presidentja e e republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmani, “duke treguar sa shumë dashuri kishte për vendet më të vogla, sidomos për popullin e përvuajtur të Kosovës. Këtë vizitë, fatkeqësisht nuk arriti ta realizojë, sepse Shenjtëria e Tij, Papa Françesku kaloi në amshim, por do të kujtohet si një udhëheqës shpirtëror që me përulësinë, mençurinë dhe dashurinë e tij të pakufishme i dha botës një shembull të rrallë njerëzie dhe shërbimi…Populli i Kosovës do t’i jetë gjithmonë mirënjohës për fjalët e ngrohta dhe kujdesin e vazhdueshëm që Papa Françesku tregoi ndaj nesh. Ai ishte një zë që i dha rëndësi vuajtjes së të pafajshmëve dhe shpresës për një të ardhme më të ndritur…Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe për Kishën Katolike dhe për mbarë njerëzimin. Mendimet dhe lutjet tona janë me besimtarët katolikë në mbarë botën. U prehtë në paqe shpirti i Shenjtërisë së Tij!” (Presidentja Vjosa Osmani)

Në reagimin e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti shprehu tronditjen e tij për ndarjen nga jeta të Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut dhe ekujtoi takimin e tij në Vatikan me Ppap Françeskun:  Takimi im me Papën më 22 qershor 2023 — gjatë të cilit riafirmuam përkushtimin tonë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Vatikanit dhe Republikës së Kosovës — mbetet një nga momentet më domethënëse gjatë kohës sime si Kryeministër deri tash. Ai bënte pyetje për Kosovën, për rininë e fëmijët dhe fliste për paqën me dashuri e për popujt me dhembshuri. Është një takim që do ta kujtoj gjithmonë me kujdes dhe mirënjohje. Pushoftë në paqe Papa Françesku. Trashëgimia e tij e mirësisë, përulësisë dhe guximit moral le të vazhdojë të frymëzojë dhe ndriçojë botën për brezat që vijnë”, ka shkruar Kryeministri Kurti në portalin e tij.

Ndërsa lideri i Partisë Demokratike në opozitë, ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, Dr Sali Berisha kujtoi gjithashtu takimin e tij me Papa Françeskun. Në ditën e parë të papnisë së tij, shkruan Z. Berisha se e kishte ftuar Papa Françeskun të vizitonte Shqipërinë, vizitë që u realizua me rastin e lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike Shqiptare. Pata fatin ta takoj ditën e ngjitjes së tij në Fronin e Atit të Shenjtë dhe shprehu ndjenjat më miqësore për shqiptarët dhe Shqipërinë dhe në të vërtetë Shqipëria do ishte ndër vendet e para që Shenjtëria e tij do vizitonte. Ai erdhi në Shqipëri për një ngjarje të madhe për Kombin Shqiptar dhe mbarë krishtërimin, lumturimin në një ditë të 38 martirëve të Kishës Katolike Shqiptare, të ekzekutuar nga diktatura staliniste e Enver Hoxhës.  Ikja e tij në jetën e pasosur është sot një kujtesë se burri, njeriu, mbetet në këtë jetë me veprat e veta, me mësimet, me trashëgiminë”, tha sot në reagimin e tij Dr Sali Berisha.

Ndërsa, ish-Presidenti i Shqipërisë, Z. Ilir Meta u shpreh “thellësisht i pikëlluar” për ndarjen nga jeta të Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut, theksoi se është, “Përherë falenderues për vëmendjen e veçantë, ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer, që Shenjtëria e Tij i dha kombit shqiptar në momentet të vështira, si dhe në kapërcimin e sfidave shpirtërore, sociale e ekonomike.  I paharruar do të mbeten për mua takimi dhe bashkëbisedimi me Shenjtërinë e Tij.  Të paharruara do të mbeten mesazhet e vyera dhe frymëzuese të Papa Françeskut për popullin dhe në veçanti për rininë e mrekullueshme gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri: "Shqiponjat nuk e harrojnë folenë, por fluturojnë lart. Ju lutem mbajini ata në Atdheun e tyre dhe Shqipëria të shpëtojë nga dimri demografik. Duhet bërë gjithçka për të shtuar shpresën për rininë tonë, sepse ku ka rini, ka shpresë”, thuhet në reagimin e Z. Ilir Meta.

Për të interesuarit -- Disa nga shkrimet e autorit të lidhjeve midis Vatikanit, Papa Françeskut dhe shqiptarëve, gjatë viteve:

Në një nga takimet e Papa Françeskut me shqiptarët në Vatikan

Frank Shkreli: Papa Françesku në Mongoli pritet nga motrat e Shën Nënë Terezës, do të inaugurojë një qendër të re për t’u kujdesur për më të varfërit | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Papa Françesku me kardinalin shqiptar Ernest Simonin për bekimin “Urbis et Orbi”, me rastin e Pashkëve, 2023 | Gazeta Telegraf

Papa Françesku: Falenderon Kardinalin për dëshiminë në 60-vjetorit të arrestimit komunist. Frank Shkreli: Simoni, martir i gjallë i kombit | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Vizita e ardhëshme e Papa Françeskut në Kosovë | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Bektashinjtë shqiptaro-amerikanë në vizitë tek Papa Françesku | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Papa Klementi i XI me origjinë shqiptare, mbrojtës i identitetit kombëtar të shqiptarëve | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Shqipëria jonë e vogël bën edhe njëherë jehonë globale. Lumnohen në Shkodër Át Luigj Palaj e Dom Gjon Gazulli | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Kardinali shqiptar Ernest Simoni – “martir i gjallë” i diktaturës komuniste viziton Shtetet e Bashkuara | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Një vit që po fillon mbarë për Republikën e Kosovës, qytetarët e së cilës treguan se janë pro Perëndimorë | Gazeta Telegraf

Nga Frank Shkreli/ Morali i protestës dhe thirrja e Papës: Mos injoroni hallet e njerëzve | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Një fotografi vlen më shumë se 1000-fjalë | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Qëndro, Shqipëri! | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Shqiptarët të bashkuar përsëri në Vatikan rreth Gjergj Kastriotit Skënderbe | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Gjergj Kastriot Skënderbeu, i përgjithmonshmi i fisit shqiptar | Gazeta Telegraf

Frank Shkreli: Shenjtëresha e shqiptarëve, Nënë Tereza | Gazeta Telegraf  --



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: “Reçak – Historia e një Krimi Lufte” e Ambasadorit William G. Walker, promovim në Vatrën e Nolit dhe të Konicës Frank Shkreli: I paharrueshmi Sami Repishti! Frank Shkreli: Faik Konica në 150-vjetorin e lindjes - Aktualiteti i fjalëve të tija përballë realitetit të sotëm politik Frank Shkreli: Ndërroi jetë Ahmet Qeriqi, kryeredaktor i Radios "Kosova e Lirë" Frank Shkreli: Ernest Koliqi për Faik Konicën në 150-vjetorin e lindjes Frank Shkreli: Republika e Kosovës nderon Imzot Simon Filipajn Frank Shkreli: Nderim i veçantë për Nënë Terezën në Nju Jork Frank Shkreli: Gëzuar Pavarësinë Kosovë! Frank Shkreli: Ndërroi jetë Nikolin Kurti – Nipi i të Lumturit Dom Shtjefën Kurti Frank Shkreli: Ndërsa në Washington kujtohen Martirët e Komunizmit, politikani britanik jep mesazhin e tij në Shkodër Frank Shkreli: 'Reçak - Historia e një Krimi Lufte' Frank Shkreli: Marco Rubio, kryediplomati i ri i Shteteve të Bashkuara Frank Shkreli: Një kujtim personal me rastin e 50-vjetorit të shkuarjes në amshim të Ernest Koliqit Frank Shkreli: Presidenti Xhimi Karter, Papa Gjon Pali dhe të drejtat e njeriut në botë Frank Shkreli: At Gjergj Fishta për rolin e Shtypit të Lirë Frank Shkreli: Ago Agaj - 'Kosovari nga Vlora' Frank Shkreli: Kongresi i Shteteve të Bashkuara – Jo ndikimit komunist në shkollat amerikane! Frank Shkreli: 'Porosia e Kullës' së Dr. Pashko Camaj Frank Shkreli: Po me malësorë, ç’kini Frank Shkreli: Përmendorja e Gjergj Kastriotit në Tuz

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx