Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: I paharrueshmi Sami Repishti!
E merkure, 09.04.2025, 02:59 PM
I PAHARRUESHMI SAMI REPISHTI!
(Në 100-vjetorin e lindjes)
“PER NJI ELITE PATRIOTIKE, DEMOKRATIKE, DHE
PROFESIONALE”
Nga
Frank Shkreli
Po të ishte gjallë, të djelën që kaloi
me 6 Prill, 2025, Profesor Sami Repishti do kishte mbushur 100-vjet. Profesori i
nderuar, mik e koleg i dashur ndër vite, ndërroi jetë vitin e kaluar në moshën
99-vjeçare, duke lenë kështu një boshllëk të madh në komunitetin
shqiptaro-amerikan—njëri prej aktivistëve më të palodhur ndër dekada – në
mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe të çeshtjes kombëtare në përgjithsi,
por jo vetëm. Me rastin e kalimit në amshim të Profesor Repishtit kam shënuar,
ndër të tjera, se të drejtat e njeriut – jo vetëm në trojet shqiptare por anë e
mbanë botës, me largimin nga kjo jetë e Profesor Repishtit -- humbën njërin
prej mbështetësve më të njohur dhe më të fortë në shumë dekada. Se, marrëdhëniet
shqiptaro-amerikanë kanë humbur promovuesin më të zellshëm. Dhe se komunizmi kishte
humbur njërin prej kritikëve më të ashpër dhe si -ish-i burgosur vet ai i
regjimit të Enver Hoxhës, viktimat e komunizmit – të gjallë e të vdekur – kanë
humbur përkrahësin më të madh të tyre; sidomos klerikët katolikë të martirizuar
nga komunizmi. Frank
Shkreli: Sami Repishti: “Lotë, Lavdi e Lumnim” | Gazeta Telegraf – Por veprimtaria, shkrimet e veprat e Dr Sami
Repishtit, në përgjithësi, të botuara gjatë dekadave e pothuaj deri në ditë e
fundit të jetës së tij, mbeten sot e gjithmonë një thesar kombëtar për brezat e
sotëm dhe të ardhshëm të shqiptarëve. Kontributet e tija ishin të shumta në të
gjitha fushat e veprimtarisë së tij patriotike, politike, akademike dhe
humanitare gjatë viteve, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut, në
arsim, literaturë por edhe në shumë aktivitete të komunitetit
shqiptaro-amerikan. Për dekada të tëra, Prof. Repishti ka qenë një
shtyllë e fortë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Një pasardhës i denjë i
rilindasve të vërtetë të Kombit, njëri prej intelektualëve më të njohur e më të
dalluar, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe anë e mbarë
trojeve shqiptare dhe më gjërë. Besnik ndaj Kombit, besnik ndaj miqve dhe kolegëve,
anti-komunist i përbetuar, besnik dhe mbrojtës i pakompromis i demokracisë së
vërtetë për shqiptarët dhe të gjithë popujt! Frank
Shkreli: Lamtumirë koleg i dashur! Pushofsh në paqë profesor Sami Repishti |
Gazeta Telegraf | Gazeta Telegraf Profesor Repishti,
në këtë 100-vjetor të lindjes, vazhdon të na flasë nepërmjet shkrimeve dhe
veprave të lëna pas si xhevahire shumë të çmueshme të fjalëve e të veprave të
tija. Me Profesor Repishtin kam shkëmbyer shpesh komunikime dhe kemi ndarë
shkrime deri vonë. Shkrimet e tija, siç e dinë të gjithë ata që i kanë lexuar
gjatë viteve, ishin brilante, frymëzuese dhe edukuese –shkrime në të cilat, me këshillat dhe përvojën e tij,
theksonte të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen – gjithmonë duke qarë hallet e
Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe duke dhënë këshilla konstruktive për një të
ardhme më të mirë..
Duke kujtuar Profesorin e nderuar këto
ditë të (100-vjetorit të lindjes së tij), mu kujtua një shkrim i tij që
Repishti ma kishte dërguar në Gusht të vitit 2017, e që është botuar në gazetën
Dielli të Federatës Vatra, --PER
NJI ELITE PATRIOTIKE, DEMOKRATIKE, DHE PROFESIONALE – Dielli | The Sun – Dielli | The Sun-- mjaft interesant, konstruktiv dhe aktual edhe për ditët e
sotëme, për ata që duan të mësojnë e të dëgjojnë – sidomos duke marrë parasysh se
shqiptarët janë në prak të zgjedhjeve të 11 majit, 2025, në Shqipëri. Në atë artikull, me rastin e fitores së
Partisë Socialiste, dhe formimin e qeverisë së re (Rama 2), Profesor Repishti paralajmëronte
rrezikun që vjen nga përqendimi i tre pushteteve në duart e nji partie politike
të vetme: “Teorikisht, ajo ashtë nji kombinim forcash që lehtësojnë rrugën
drejt nji rregjimi autoritar i cili damton zhvillimin demokratik të vendit. Kjo
strukturë më shqetëson, prandej sot shkruej!”, arsyetonte ai pa frikë. Ndërkohë
që bënte thirrje për një elitë të re politike për shqiptarët – elitë patriotike,
demokratike dhe profesionale, siç e cilësonte ai. Po e kujtoj 100-vjetorin e
lindjes së Profesor Sami Repishtit me disa shkëputje paragrafesh nga artikulli
në fjalë – në kujtim të tij por edhe sepse këshillat e tija më duken tepër
aktual edhe sot, sidomos në prak të zgjedhjeve të majit në Shqipëri. Veçova
këta paragraph, por lexuesi i interesuar mund të lexoj shkrimin e plotë në
linkun e mësipërm.
“…Me ramjen finale të komunizmit,
periudha e tranzicionit në demokraci tregoi se e vjetra refuzon me vdekë, dhe e
reja demokratike nuk gjen fuqi të mjaftueshme me lindë dhe me u forcue. Sot,
nevoja e rishqyrtimit të rrugës së kalueme gjatë këtyne 27 viteve ashtë e
domosdoshme për të gjithë, sidomos tashti me krijimin e nji situate të re
koncentrimi të pushtetit që rrezikon vetë demokracinë. Shqiptarët duhet të
tejkalojnë “lodhjen” që ka shkaktue periudha e tranzicionit në vendin e tyne;
dhe për këte, duhet të jenë ma të bashkuem se asnjiherë ma parë. Propaganda
negative dhe shterpe e “rrugaçëve” të grupeve të ndryshme nuk duhet lejue me
mbajtë vendin peng në nji kaos politik e konfuzion psikologjik. Kemi nevojë për
ide të reja!”, ishte thirrja që bënte Profesor Repishti ka bërë 8-vjetë më parë
dhe alarmi që ai i jepte me atë rast -- për nevojën e një elite kombëtare
shqiptare, “patriotike, demokratike dhe profesionale” -- politikës dhe
shoqërisë shqiptare, një nevojë madhore politiko-kombëtare që mbetet edhe sot e
kësaj dite e pa realizuar, sipas Profesor Repishtit.
“Me ndryshimin e gjendjes politike në
vend, 1990-91, populli i këputun nga vuejtja e randë dyzetë e pesë vjeçare, e
ndjeu veten të vetmuem, të harruem, e me shpresa që gënjyen. Ai nuk gjeti
përsëri fuqinë e duhun me u ngritë, as me luftue, valën e frikëshme të
degradimit moral të gjithanshëm, të vorfënisë dërmuese që përfshiu edhe
marrëdhaniet ndër-personale. Shumë prej tyne, të huej në vendin e vet, morën
rrugën e mërgimit, për nji copë bukë me nder, në nji vend ku jetohet pa frikën
e shtypjes dhe të urisë. Dhe me të drejtë!..”Shembulli ma i ri i këtij
degradimi moral, ka qenë shitë-blerja e votave në zgjedhjet e fundit të 25
qershorit 2017, nji njollë e zezë për demokracinë e brishtë, e pothuejse “të
dështueme” në Shqipëri.”
Profesori, përveç se fajëson politikën
për dështimin e demokracisë shqiptare, ai kritikon edhe shoqërinë në
përgjithsi: “Manifestimi i plotë i efekteve të këtij “dështimi” shihet në
qëndrimin pasiv, gjysëm të përgjumun, të shoqënisë shqiptare, që shijon- e nuk
reagon!- programet televizive, ku politikanët e ditës sulmojnë njëni tjetrin me
nji fjalor rrugaçërie që ka penetrue edhe sallën e Kuvendit Kombëtar. U
përjashtue kështu revoltimi i arsyeshëm dhe pjesëmarrja aktive në transformimin
demokratik të Shtetit e të shoqënisë shqiptare.
Akoma të tronditun nga persekutimet e së kaluemes jo të largët, ata që
mbijetuen rregjimin komunist vegjetojnë akoma me frikë, e qëndrojnë akoma larg
angazhimit serioz në jetën politike të vendit. Neutral…deri në vetë-asgjasim!
Veprimtaria qytetare në Shqipëri, e pame prej së largu, paraqitet ende si “nji
dëshirë” ma shumë se “nji mundësi”. Ashtë shue shpresa, bashkë me shkendinë e
revoltës qytetare… Në Shqipëri, shumica e qytetarëve janë të lodhun, të pa aftë
me veprue, e kufizohen me protesta verbale në ambiente të mbylluna. E gjithë
kjo, në nji “Shtet” ku manipulohen zgjedhjet, eliminohen kundërshtarët
politikë, në nji vend ku mediat e informimit, sidomos programet televizive –
shërbejnë padronin qeveritar (ose të pasunit, baronët e drogës me autoritet).
Në Shqipëri, turma të vorfnueme jetojnë, krah më krah, me nji oligarki
qeveritare tejet të pasun –ose të pasun jo-qeveritarë- të gjithë të shurdhët
dhe të pashpirtë, skenar i përsosun për nji pabarazi të madhe ekonomike me tone
sociale të thella… Në fakt, flitet për mundësinë e nji revolucioni paqësor, si
mjeti i vetëm për rrugëdalje!”.
“Anëtarët e partive politike, shumica
militantë të shpërblyem dhe tru-shpërlarë, veprojnë të patrazuem nga zani i
ndërgjegjes së mbytun prej të miravet landore. Sepse, “partia”- kjo mbretneshë
e pakurorëzueme, ka çveshë shërbyesit e saj nga dinjiteti i aktit të lirë e të
pavarun, pa dhanë asnji herë përgjigje për mijëra pyetjet që ngrihen e bien e
nuk tërheqin vemendjen e mendjeve të programueme…Duket sikur barka e jonë
shqiptare lundron pa një busullë morale. A. Koestler e cilësonte këte gjendje:
“kemi pirë kupën e dëshprimit deri në fund!”
“Qytetarët në përgjithësi sikur kanë
humbë interesin për nji angazhim aktiv, nji qendrim ky i rrezikshëm, ndërsa në
Shqipëri nuk ka dalë ende nji udhëheqës që frymëzon! Dhe kjo si rrjedhim
i qendrimit komunist shqiptar, dhe atij fashist, që zotënoheshin nga nji
dëshirë e fortë: me kontrollue jo vetëm trupin, por edhe mendjen e qytetarit.
Me këte qëndrim, “mendimi ndryshe” (disidenca) u trajtue si krim dhe u dënue
randë. Konflikti politik u krijue artificialisht, jo me shpëtue atdheun, por me
shkatërrue “anmikun e klasës”. U mbushën vorrezat me mendje të ndrituna;
errësina diktatoriale mbuloi vendin tonë…Sot, paguajmë akoma çmimin e kësaj
marrëzie, kryesisht sepse shumica e heshtun vegjeton me ndjenjën e poshtënimit
të përjetuem…”
“Na do të hyjmë në “histori”, në se
bajmë “histori”; dhe do të bajmë “histori” vetëm atëherë kur të kuptojmë si
duhet “historinë” e vendit tonë, pa paragjykime. “Historia” do të bahet kur të
kuptojmë se nji rend publik i qendrueshëm kërkon “pushtet” dhe “moralitet”,
njikohësisht; kur të përqafojmë sensin e përgjegjsisë sonë personale ndaj
shoqënisë si qytetarë të lirë, dhe ndaj bashkësisë sonë kombëtare e
ndërkombëtare!”
“Akoma sot diskutojmë “meritat” e
pushtimit pesëshekullor otoman. Akoma sot “krenohemi” me tmerret e murtajës së
kuqe 45 vjeçare në vendin tonë, dhe akoma nuk kemi gjetë kohë me zbulue të
gjitha viktimët e diktaturës dhe vorrezat e tyne, me krye ritet e përkujtimit
dhe nderimit që ata meritojnë. “Diktatura e proletariatit”, në fakt diktatura e
nji maniaku kriminel si E.Hoxha, ka qenë nji ndër fatkeqsitë ma të mëdha
historike, ndoshta ma e madhja -për popullin tonë. Shkatërrimet që ajo i ka
sjellë vendit e popullit tonë janë të pallogaritëshme, dhe vazhdojnë të na
torturojnë mendërisht e fizikisht akoma sot… Kështu edhe për nostalgjinë e
pushtimit otoman…Okupimi otoman dhe diktatura komuniste në Shqipëri kanë qenë
dy fatkeqsitë ma të mëdha historike të vendit tonë, çmonte mendja e ndritun e
intelektualit Ismail Kadare. Kjo ashtë historia e jonë!”
“Sot, tranzicioni i pafund
“demokratik”në Shqipëri ka prodhue korrupsion, e cinizmin e partive politike,
populizëm mashtrues, ndërsa presioni i kapitalizmit pa fre po kthen qytetarët
në konsumatorë të thjeshtë. Pa qytetari, vendi i jonë kthehet në nji turmë
robotësh të drejtueme nga nji qendër “kompjuterike” të manovrueme nga
“specialistët” e njohun publikisht si “elita politike e vendit”. Ky “boshllek”
i rrezikshëm duhet mbulue nga forca koshiente të situatës – nga nji elitë Patriotike,
Demokratike dhe Profesionale!... Kjo kategori patriotësh gjindet vetëm aty ku
ka qytetarë të lirë dhe në nji shtet të lirë e të sunduem nga ligji… Duhet të
pyeten qytetarët cili ashtë vizioni i tyne, dhe nga këto vizione të nxjerrim
përfundimet tona që duhet të jenë esenca e mendimit tonë kolektiv, dhe origjina
e ngritjes sonë qytetare. Cili ashtë vizioni i kombit shqiptar në Ballkan, në
Europë, në Botën e Lirë, sot në shekulin 21?
Kjo ashtë pyetja krysore që përballojmë sot në hymje të shekullit të
dytë të Pavarësisë sonë kombëtare. Përgjigjja e kësaj pyetje ashtë nji
imperativ kategorik, korrektësia e së cilës do të përcaktojë fatin tonë të
paktën për nji shekull…e ndoshta për jetë!”, ka shkruar, ndër të tjera,
Profesor Sami Repishti në artikullin që ai ka ndarë me mua në gusht të vitit 2017,
linkun e plotë të cilit mund ta lexoni më lartë, siç është botuar në atë kohë
në gazetën Dielli të Federatës Vatra në Nju Jork.
Ky shkrim dhe qindra të tjerë si ky, një
trashëgimi dhe thesar i çmuar politik e letrar kombëtar, lënë pas nga Profesor
Sami Repishti, na kujton në këtë 100-vjetor të lindjes së tij -- njërit prej të
mëdhëjve të Shkodrës, të Shqipërisë dhe Kombit mbarë -- porositë për gjëndjen
aktuale në trojet shqiptare dhe, njëkohsisht, nënvijon misionin e tij profetik,
në mbrojtje të interesave kombëtare. Duke dhënë alarmin se shqiptarët kanë nevojë
për udhëheqës që nuk kërkojnë karrierë politike, por për udhëheqës që shërbejnë
kauzën e shenjtë të popullit të tyre, për njerëz që “vrasin frikën” duke folur
të V ërtetën. Thirrja e Profesor Sami Repishtit për një elitë të re politike
ndër shqiptarët –Elitë, “Patriotike, Demokratike dhe Profesionale” -- jo vetëm
që është aktuale sot, por edhe më e nevojshme se kurrë më parë në histori. I
përjetëshëm qoftë kujtimi i Profesor Sami Repishtit!