E premte, 25.07.2025, 10:56 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: 12 qershor, 1987 – Thirrja në Berlin e Presidentit Reagan

E premte, 13.06.2025, 06:59 PM


12 QERSHOR, 1987 -THIRRJA NË BERLIN E PRESIDENTIT

RONALD REAGAN: “Zoti Gorbachov, shëmbe këtë mur”

Nga Frank Shkreli

Më 12 qershor 1987, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan në fjalimin e tij në Berlinin Perëndimor i ka bërë thirrje, ish-udhëheqësit komunist të Bashkimit Sovjetik: “Z. Gorbaçov, shëmbe këtë mur!” Ishte kjo një kërkesë e një Presidenti amerikan që hyri në historinë botërore. Por sot, fatkeqësisht, agresioni ushtarak i Rusisë putiniste në Ukrainë na kujton në mënyrë të dhimbshme, se paqja e shpresuar asokohe duket edhe sot një mundësi e largët për Evropën dhe për botën. Po sjell në kujtesë këtë fjalim historik të ish-Presidentit Reagan nëpërmjet një shkrimi që kam botuar në qershor, 2012, por me disa përditësime për ta bërë më aktual.

Ditët e fundit në median shqiptare përflitet për një raport të Bashkimit Evropian(BE)mbi Shqipërinë – ndërsa thuhet se ky raport që pritet të botohet, zyrtarisht, brenda disa ditësh -- më në fund – i thotë gjërat pa dorëza, ashtu siç janë aktualisht në Shqipëri. Ndër të tjera, raporti i BE-së paralajmëron edhe për rrezikun e ndikimeve të huaja në Shqipëri, me lloj-lloj mënyrash e ndërhyrjesh, të dukshme të padukshme. Një fenomen për të cilin, në mënyrën time modeste, jam munduar të sjell vëmendjen ndaj këtij rreziku për Shqipërinë e Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithsi, pothuaj 15-vite më parë. Fjala është për ndikimet dhe ndërhyrjet e Rusisë e të Kinës, por edhe të autoritarëve të tjerë ballkanas e botërorë. Këto ndikime të huaja kanë gjetur livadh për të kullotur dashakeqsit e interesave të Kombit shqiptar – një një hapësirë ku rreziku i brendëshëm – mos funksionimi i shtetit në përgjithësi dhe mungesa e lirive bazë dhe vlerave demokratike në veçanti, përfshirë zgjedhjet e lira -- krijon vetvetiu një atmosferë të favorshme për ndërhyrje të dëmshme nga regjime absolute të huja.

ZGJOHU O SHQIPTAR!
Kujdes klyshët e Rusisë dhe ndikimet e tjera të huaja në trojet iliro-arbërore shqiptare!

Ndërsa isha duke shkruar këtë rreshta, vura se se në median shqiptare nuk u përmend fare përvjetori i fjalimit të Presidentit Reagan në Belirn më 12 qershor, 1987 – fjalim që konsiderohet si fillimi i mbarimit që çoi në shembjen e Murit të Berlinit.  Përveç Ambasadës gjermane në Tiranë, as ndonjë përfaqësi tjetër dkjpomatike në Tiranë nuk e përmendi fare këtë datë e këtë fjalim.

“Tear down this wall!

Në fjalimin e tij më 12 qershor 1987 përpara Portës së Brandenburgut në Berlin, Presidenti Reagan i bëri thirrje liderit sovjetik Gorbaçov të hapte portën dhe të shembte murin. Ai deklaroi: “Vetëm liria të çon në prosperitet. Liria zëvendëson urrejtjen mes popujve, me konsensus dhe paqe”.?. (Ambasada e Gjermanisë në Tiranë) 12 qershor, 2025

Sa shpejt harrojmë!

Më 12 qershor, 1987 Presidenti Reagan duke mbajtur fjalimin e tij historik drejtuar banorëve të Berlinit Perëndimor, Gjermanisë dhe gjithë botës.

Kur Z. Ronald Reagan filloi nga detyra e presidentit të Shteteve të Bashkuara në janar 1981qindëra miliona njerëz nga perandoria komuniste e ish-Bashkimit Sovjetik dhe Evropa Lindore, vuanin nën diktatura të ndryshme regjimesh komuniste. Regjimi komunist sovjetik kërcënonte botën me mijëra armë bërthamore dhe ndihmonte lëvizjet komuniste anë e mbanë botës, të cilat përpiqeshin që, me forcë, të vendosnin në fuqi regjime komuniste edhe në shtete të ndryshme të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine. Me 12 qershor 1987, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan viziton Berlinin dhe para portës Brandenburg mbajti fjalimin historik, ndoshta, sipas disa ekspertëve më i rëndësishmi i presidencës së tij, me të cilin sfidoi botën komuniste dhe udhëheqësin e atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbaçov duke iu drejtuar me fjalët: “Zoti Gorbaçov, nëqoftëse kërkon paqë, nëqoftëse dëshiron begati për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, nëqoftëse kërkon liberalizim, eja tek kjo portë. Zoti Gorbaçov, hape këtë portë.  Zoti Gorbaçov, shëmbe këtë mur.”

Presidenti Reagan, në atë fjalim, që sipas gazetës më të madhe gjermane Bild, ishte një fjalim që “ndryshoi botën”, ka shtuar gjithashtu se “Krushovi më 1950-at kishte parashikuar se do të ‘varroste’ Perëndimin. “Por”, ish-presidenti amerikan ai që ka theksuar në atë fjalim se, “në Perëndim sot ne shohim një botë të lirë e cila ka realizuar një nivel begatie dhe mirëqënjeje për popujt e vetë, e pashëmbullt në histori. Në botën komuniste, ne shohim dështime, prapambetje teknologjike, rënie të standardeve në shëndetësi, madje edhe mungesë ushqimi. Sot, Bashkimi Sovjetik gjithnjë nuk mund të ushqejë popullin e vet. Kështuqë, para botës, sot shpaloset një e vërtetë e pashmangshme dhe e pamohueshme: se liria të çon drejt begatisë, se liria zëvendëson armiqësitë e vjetra midis shteteve. Liria është triumfuesja’’, ka thënë, ndër të tjera, Presidenti Reagan, 38 vjetë më parë në Berlin.

Parë, historikisht, në të vërtetë, ky fjalim ishte në vazhdimësi të politikës së jashtme anti-komuniste të Presidentit Reagan, tonin e së cilës ai e kishte përcaktuar në një fjalim tjetër, që kishte mbajtur pesë vjet më parë në Pallatin Uestminstër të Londrës, ku kishte deklaruar para botës shpresën e tij: “Për marshimin e lirisë dhe të demokracisë”, duke thënë se bota gjëndej në një pikëkthesë historike, se komunizmi si ideologji politike dhe ekonomike, ka devijuar. Kishte dështuar, pikërisht, sepse shtypte lirinë dhe nuk respektonte të drejtat e popujve që sundonte. Fjalimi historik i Presidentit Reagan në Berlin 38 vjet më parë, nuk i drejtohej, vetëm Berlinit dhe Gjermanisë, por gjithë botës komuniste, duke venë në pyetje legjitimitetin e regjimit sovjetik dhe të gjitha regjimeve komuniste të Evropës Lindore e Qëndrore.

Nga fundi i vitit 1989, pothuaj të gjitha diktaturat komuniste në Evropën Qendrore e Lindore ishin përmbysur dhe më 1991, Bashkimi Sovjetik u shpërnda dhe shumica e vendeve të reja të pavarura ish-sovjetike, filluan të marshonin drejt demokracisë. Fjalimi i Presidentit Reagan, që për kohën konsiderohej si një sfidë e guximshme dhe serioze ndaj ish-udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov --një thirrje që të provonte me vepra -- se ai ishte serioz për zbatimin e politikës reformiste të “Perestrojkës’’ dhe “Gllasnost-it’’ -- që predikonte në atë kohë udhëheqësi sovjetik.

Sipas shumë historianëve, ky fjalim shikohet gjithashtu edhe si një pikëkthesë në periudhën e luftës së ftohtë, sepse nxiti dhe rriti moralin dhe shpresat, jo vetëm në Gjermaninë Lindore, por dhe anë e mbanë Evropës Lindore dhe Qendrore, pasi, sipas tyre, kjo ishte një thirrje për t’u zgjuar dhe për të rivendosur ndërgjegjen dhe besimin në vetvete. Fjalimi, që disa e patën konsideruar si provokues për kohën, dihet tani se kishte shkaktuar mosmarrëveshje madje edhe në radhët e zyrtarëve të administratës së Presidentit Reagan, disa javë para se të mbahej në Berlin. Fjalimi ishte shkruar nga një shkrimtar në moshë të re i Shtëpisë së Bardhë i quajtur Peter Robinson. Por këshilltarët e lartë të mbrendshëm dhe diplomatë të Presidentit Reagan kundërshtonin përdorimin, pikërisht të thirrjes, tanimë të famshme: “Zoti Gorbaçov, shëmbe këtë mur...’’. Sepse mendonin ata, një thirrje e tillë publike nga Presidenti Reagan do të dobësonte pozicionin politik të Zotit Gorbaçov, brenda në Kremlin. Por sipas ish-ndihmësit të tij, Ken Duberstinë, megjithë kundërshtimet nga këshilltarët e tij më të lartë, Zoti Reagan, më në fund, vendosi vetë që kjo thirrje të mbetej pjesë e fjalimit, ndonëse ishte shprehur se, “do të ç’mendë diplomatët e Stejt Departmentit, por megjithë këtë, unë do ta përdor’’, u kishte thënë Reagan këshilltarëve të tij të ngushtë.

Presidenti Reagan dhe para se të bëhej president i Shteteve të Bashkuara ishte shprehur se Muri i Berlinit nuk duhej të ishte ndërtuar kurrë. Si governator i Kalifornisë ai kishte mbajtur qëndrimin se telat me gjëmba që komunistët kishin vendosur fillimisht për të ndarë Berlinin perëndimor nga ai lindor, duhej të ishin hequr menjëherë. Ai kishte shprehur gjithmonë neveritjen e tij me ndërtimin e Murit të Berlinit dhe ishte i vendosur të bënte çdo gjë të mundur për ta rrëxuar atë mur megjithëse skeptikët ishin të shumtë si në Evropë ashtu edhe në Amerikë -- se shëmbja e atij muri nuk mund të sillte ndonjë ndryshim të madh në Berlin ose në Evropë. Por në këtë 38-vjetor të fjalimit, mund të thuhet se të gjithë skeptikët ishin gabim dhe se Presidenti Reagan kishte të drejtë. Ish-këshilltari i Presidentit Reagan për çështje të sigurimit Kombëtar, Frank Carluçi është cituar të ketë thënë para se të mbahej fjalimi në Berlin, se thirrja që Presidenti Reagan i ka bërë ish-udhëheqësit sovjetik për të shembur Murin e Berlinit, “Është një fjali shumë e mirë, por një gjë e tillë nuk do të ndodhte kurrë.” Megjithkëte, ky fjalim sot konsiderohet si njëri ndër më të rëndësishmit në historinë e Amerikës e ndoshta edhe në historinë e botës.

38- vjetë pas fjalimit të Presidentit Reagan në Berlin, bota përballet sot me probleme të reja politike, ekonomike dhe të sigurimit. Në  mungesë të udhëheqsve botërorë si Reagan dhe Gorbachov, madje, madje këto sfida, në krahasim me ato të shekullit të kaluar, mund të jenë edhe më të mëdha e më të rrezikshme dhe më të pa-parashikueshme.  Për t’u ballafaquar me këto sfida, Shtetet e Bashkuara dhe bota kanë nevojë për një udhëheqës si Ronald Reagan, i cili me optimizmin dhe vendosmërinë e tij, me besimin në vlerat, aftësitë dhe fuqinë e këtij vendi, do të mund të përballen dhe të përballojnë sfidat e sotme kombëtare dhe ndërkombëtare.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Gëzuar Bajramin – Duke kujtuar Hafiz Ali Kraja – Nderi i fesë dhe krenaria e kombit Frank Shkreli: Sa për kështu, Gjergj Kastrioti më mirë mos të ‘shkojë’ në Ulqin! Frank Shkreli: Shqip do flitet, shqip do shkruhet edhe në Sanxhak! Frank Shkreli: Teksasi dënon komunizmin dhe kërkon mësimin e krimeve të tij në shkolla Frank Shkreli: Ernest Koliqi dhe Kosova Frank Shkreli: As edhe një kurorë me lule për Gjergj Kastriotin, në ditëlindjen e tij! Frank Shkreli: Kryqtari i Fundit, Gjergj Kastrioti - Skendërbeu Frank Shkreli: Ndërroi jetë Aleksandëri i Shqiptarëve Frank Shkreli: Shkoi në amshim ''Papa i Shqiptarëve'' Frank Shkreli: “Reçak – Historia e një Krimi Lufte” e Ambasadorit William G. Walker, promovim në Vatrën e Nolit dhe të Konicës Frank Shkreli: I paharrueshmi Sami Repishti! Frank Shkreli: Faik Konica në 150-vjetorin e lindjes - Aktualiteti i fjalëve të tija përballë realitetit të sotëm politik Frank Shkreli: Ndërroi jetë Ahmet Qeriqi, kryeredaktor i Radios "Kosova e Lirë" Frank Shkreli: Ernest Koliqi për Faik Konicën në 150-vjetorin e lindjes Frank Shkreli: Republika e Kosovës nderon Imzot Simon Filipajn Frank Shkreli: Nderim i veçantë për Nënë Terezën në Nju Jork Frank Shkreli: Gëzuar Pavarësinë Kosovë! Frank Shkreli: Ndërroi jetë Nikolin Kurti – Nipi i të Lumturit Dom Shtjefën Kurti Frank Shkreli: Ndërsa në Washington kujtohen Martirët e Komunizmit, politikani britanik jep mesazhin e tij në Shkodër Frank Shkreli: 'Reçak - Historia e një Krimi Lufte'

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx