Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Martin Camaj dhe 'Shejzat'
E diele, 13.07.2025, 11:58 AM
DR MARTIN CAMAJ DHE REVISTA “SHËJZAT”
NË 100-VJETORIN E LINDJES SË SHKRIMTARIT DHE POETIT
Nga Frank Shkreli
Ky muaj (21 Korrik, 2025) shënon
100-vjetorin e lindjes së Dr Martin Camaj, shkrimtarit e poetit të njohur
shqiptar, ish-Kryeredaktorit të Revistës së njohur Shejzat, krahu i djathtë dhe
bashkpuntori i ngushtë i botuesit të asaj reviste, Profesor Ernest Koliqit, ç’prej
ditëve të para të botimit dhe deri në ditët e fundit të Shejzave. “Është kot të
tjerrim lëvdata për Martin Camaj”, do të shkruante miku dhe kolegu i tij i
afërt, Karl Gurakuqi, “se bota intelektuale shqiptare e njeh mirëfilli atë nga
botimet që na ka dhanë dhe nga artikujt-studime që ka shkrue për Revistën e
mikut të vet, “Shejzat”, ka theksuar ai. Gurakuqi shënon se Martin Camaj, pothuaj,
në çdo numër të Shëjzave, përveç rolit të Kryeredaktorit, ka shkruar, pa
përtesë, me qëllimin për t’i shërbyer gjuhësisë e letërsisë shqipe dhe me
detyrimin personal që ka ndjerë për t’i shërbyer edhe shtypit shqiptar në
mërgim, të asaj kohe.
Martin Camaj, jeta dhe veprimtaria e
tij letrare, gjuhësore dhe në fushën e albanologjisë në pëgjithsi ishte e
lidhur ngusht me revistën Shejzat, me pronarin Ernest Koliqin dhe me kolegjumin
redaksional të revistës, gjatë viteve. Ai konsiderohej prej tyre si një
pjesëtar i familjes së ngusht, por jo vetëm. Në një shkrim nga redaksia e
Shëjzave botuar në dhjetor të vitit, 1965, me rastin e mbrojtjes së
doktoraturës (Dhjetor,1964), në Dhjetor, 1964 nga Martin Camaj, shprehet gëzimi
i tyre me një shkrim kolegjial, “Për fitoren e madhe në fushën kulturore, nji
fitore jo vetëm e së përkohshmes (tonë Shëjzave) por edhe mbarë gjindes
shqiptare”. Fjala ishte, pra, për
mbrojtjen me sukses dhe marrjen e doktoraturës së Kryeredaktorit të Shëjzave Dr
Martin Camaj – një “darsëm intelektuale” e kanë quajtur bashkpuntorët e tij
redaksional të Shëjzave – Doktoraturën për doçencën në albanologji, në
Universitetin e njohur gjerman të Munchenit.
Redaksia e Shëjzave e konsideronte doktoraturën e Martin Camajt, jo
vetëm si një sukses të madh dhe arritje përsonale të tij, por edhe si një, “Ngjarje që
merr nji theksim të randsishëm sepse studjuesi i ri shqiptâr, tue hÿm në radhën
e docentave të njânit prej Universiteteve mâ të çmueme të botës, sidomos, për
sa i përket balkanologjisë, do të mundohet me përtrî traditat e mëdhaja
gjermane në sferën albanologjike dhe në shkencë, së cilës i vûni themelet në
qindvjetin e kaluem, Georg v. Hahn që me të drejtë quhet Ati i Albanologjisë”,
thuhet, ndër të tjjera, në artikullin e redaksisë së Shëjzave, kushtuar doktoraturës
së poetit e shkrimtarit, Martin Camaj, akorduar atij nga Universiteti i
Munchenit në dhjetor të vitit 1964.
Doktorata e Profesor Dr martin Camajt
në albanologji dhe emërimi tij si docent i albanologjisë në Universitetin e
Munchenit, shënoi atëbotë një rëndësi të veçant gjithashtu se pse deri atëherë,
për arsye të ndryshme, mungonte një qëndër kushtuar, veçanërisht, studimeve
shqiptare në Gjermani. Kjo megjithse profesorët e njohur e të nderuar gjermanë,
si Prof. Franz Babinger, Prof. Georg Stadtmuller dhe i paharrueshmi Prof.
Lambertz kishin vazhduar me veprat e tyre, në përpjekje historike për të
ndriçuar, sa më tepër e më mirë, që ishte e mundur, historinë e shqiptarëve
ndër shekuj. Por me vdekjen e Prof Lambertz, albanologjia në Gjermani nuk
kishte më katedrën e vet – deri me ardhjen e Profesor Dr. Martin Camaj në
katedrën e albanogjisë në Universitetin e Munchenit.
Po kush është Dr Martin Camaj sipas
atyre që e njihnin më së miri – dhe që vlerësonin si askush tjetër, personin
dhe veprimtarinë e tij – bashkpuntorë, kolegë e miq të tij të idealit -- e që
ishte Kolegjumi i revistës Shëjzat, Kryeredaktor i të cilës ishte Dr Camaj. Sipas tyre, Martin Camaj lindi me 21 korrik
1925 nga një familje e njohur të Dushmanit (Dukagjin) e ku qyshë në vitet e para
shkollore u dallua për mendje të mprehtë e dëshirë të zjarrët për të zgjëruar
njohuritë e veta në degë të ndryshme të letërsisë, diturisë e shkencës. Si
shumë të rinjë të tjerë shqiptarë të kohës së tij, djali malësor kreu me sukses
të dalluar studimet e mesme në gjimnazin klasik t’Etërvet Jezuitë në Shkodër, ku
qe shumë i çmuar për mësime në klasikun e Jezuitëve, ku i kanë venë themelet e
kulturës së tyne, ndër të tjerë, edhe Luigj Gurakuqi e Faik Konica.
Për fat të keq, ngjarjet e rrepta të
mbasluftës e shtrënguan të riun Martin Camaj, si edhe shumë të tjerë të rij
studjuesë të dalluar shqiptarë, të largoheshin nga Atdhéu, duke marrë rrugët e
vështira të mërgimit. U regjistrua në
Fakultetin e Filozofisë t’Universitetit të Beogradit, duke e marrë diplomën
mbas katër vjetësh me nji punim të kryer nën
udhëheqjen e linguistit të famshëm Henrik Bariç. Gjatë qëndrimit në Jugosllavi, Camaj “mori pjesë me dalldi
rinore në lindjen e
mrekullueshme të letërsisë shqipe në
Kosovë në atë kohë, me vepra që kanë zënë vendin e tyre të merituar në zhvillimin
e saj, bashkë me ato të shkrimtarve më të
dalluar të Kosovës, të cilët Martin Camajn e konsideronin si një prej tyne”,
thuhet në vlersimin e veprave të tija nga kolegjumi i revistës Shëjzat, duke
shtuar se, dy përmbledhje vjershash “Nji fyell ndër male” (1951) dhe “Kânga e
vërrinit” (1954), si edhe “Diella”, botuar në Romë me 1958, “i përkasin -- për frymën që i dallon dhe shqetësimin shpirtnuer bashk me një dishirë
të ndezët palingjeneze vetiake
e shoqërore -- rrethit letrar të Kosovës e radhiten në numër
të produkteve letrare tipike të tij”.
Nga Jugoslavia Martin Camaj vajti në
Itali me qellim që të specializohej në Universitet të Romës, në degën
albanologjike. Mbas pak kohe u emërua Lektor vullnetâr pranë Institutit të
Studimeve shqiptare të Fakultetit të Letravet e të Filozofisë. Ndoq rregullisht
në Romë, për disâ vjet me radhë, mësimet e Fakuletit të Letravet e të
Filozofisë dhe u kurorëzua me titullin akademik duke mbrojtur përpara
Komisjonit tezën me titull: “Il Messale di Gjon Buzuku(Contributi linguistici
allo studio della genesi)”. Ndërkaq, në
Romë, Martin Camaj iu bashkua revistës “Shëjzat”, ndërsa do të kontribonte për
botimin e saj, jo vetëm si Kryeredaktor por edhe me shkrime të shumëta, me
subjekte të ndryshme botuar në shtyllat e asaj së përkohëshmeje. Camaj botoi me
1964 një tubë poemthash, krejt
origjinalë, nën titullin “Legjenda”, ku sipas Kolegjumit të Shëjzave pasqyrohej,
“Arti i tij që jep dëshmi të qartë pjekurie.
Një dëshir i avullueshëm m’u lëshue n’andrrime prallzore përsjellë gjithëkund me nji ndiesi t’idhët se
jeta nuk zhvillohet në hulli të trilleve
të fantazisë, është karakteristika kryesore e legjendave. Për Martin Camajn, bota
e vjetër mythologjike e maleve tona sherben si
pikënisje për fluturime lirike me trajtën e frymën më moderne. Motive
gojdhânore të lashta lulzojnë në këtë poezi të ré, ku ngashërimet e
rrëmbimet, klithime të nji mjerimi të mbytur e tinguj magjikë të
nji muzike së nënzëshme, që përshkon
palcin e vargjeve, shkrihen lumnisht, të
metamorfozuar nëpërmjet të një shijeje në
përkim me atë të poezisë së
sotshëme botërore ku lëndë e trajtë, thjesht shqiptare, paraqiten në nji
dritë të papritur letërsie të guximshëme
bashkëkohore”, thuhet mëtej në homazhin e veçantë (1965) që redaksia e
revistës “Shëjzat” ka bërë për veprën e Camajt si letrar, me ratin e
doktoraturës së tij në Universitetin e Munchenit.
Por Martin Camaj megjithë arrijtet e
tija në fushën letrare, gjuhësore dhe
dhe albanologjike, nuk mbetet i kënaqur për sukseset e deriatëhershme
por vendos të thellojë dituritë në gjuhë të huaja dhe studimesh të rajonit të
Evropës jug-lindore duke iu bashkangjitur një qendre të njohur studimesh në
Evropë, siç ishte Universitetit i Munchenit në Gjermani. Natyrisht se për një
qëlim të tillë, nevojitej njohja e mirë e gjermanishtes, por Camaj, brenda një
kohe të shkurtër, dhe me një
“përpjekje kryeneçe ku shkelqen natyra
e fortë e brumit të maleve shqiptare, u vu në gjendje të përballonte, me atë
gjuhë, çdo provim”. Punoi për pesë vjet pa i falë vetes asnji çast frymëmarrje
pushuese, nën drejtimin e indo-germanistit të shquar si prof. Wilhelm Wissmann.
Shjëzat shënojnë se Martin Camaj
mbrojti doktoraturën në Albanologji në Universitetin e Munchenit me 9 dhjetor
1964 para një Kolegjiumit ku merrnin
pjesë të gjithë titullarët e Fakultetit të Filozofisë të München-it nën kryesin e dekanit Prof. dr. Hans Müller e ku
dijetarët më të spikatur për lëndën
e provimit ishin, përveç prof.
Wissmann-it, edhe profesorët Alois
Schmaus (balkanolog), Georg Stadtmüller (historian i Shqipërisë dhe specialist
i historisë së evropës jug-lindore e të tjerë mjeshtra të përmendur.
Dr Martin Camaj,si docent i Albanologjisë
në Universitetin e Munchenit ka vazhduar punën e tij si profesor i gjuhës dhe
letërsisë shqipe në bashkpunim me kolegë shqiptar e të huaj të studimeve
balkanologjike deri në ditët e fundit të jetës së tij kur ndërroi jetë me 1992.
“Ish- Kryeredaktorit të Shêjzavet,
mikut e shokut e kolegut, na, redaktorët e bashkëpuntorët e së përkohëshmes”, i
ishin drejtuar me atë rast, “urimet tona
vëllaznore për një karrierë të ndritëshme universitare në dobi e në lavdi
të vet e të Shqipnisë dhe lusim Zotin t’a kemi pranë nesh shumë vjet në fushën
e veprimtarisë kulturore”.
Jeta, vepra dhe tarshëgimia e këtij
njeriu të madh të letrave shqipe mbetet ndër breza megjithse regjimi komunist u
përpoq ta zhdukte atë dhe shumë të tjerë si ai nga historia dhe albanologjia
shqiptare – ndërkohë që ka edhe sot të tillë që duan të anashkalojnë figurën e
tij dhe në frymën e apologjetëve aktualë të komunzimit të Enver Hoxhës,
vazhdojnë të baltosin kontributin e Dr Martin Camaj, duke hedhur lloj-lloj
epitetesh kundër këtij… F.rank Shkreli: Fletërrufeja
kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt | Gazeta Telegraf – malësori
bujar dhe evropiani erudit -- Martin Camaj: Malësori bujar dhe
evropiani erudit | Gazeta Telegraf
Është e vështirë të pasqyrohet
kontributi i plotë dhe veprimtaria shumë-dimensionale e Dr Martin Camaj,
përfshir punën si kryeredaktor i revistës “Shejzat. Por po e mbyll këtë përkujtim modest në
100-vjetorin e lindjes me thirrjen e tij të fundit drejtuar shqiptarëve, vetëm
disa ditë para shkuarjes së tij në amshim, mars 1992 – vërtetë një mesazh dhe
testament shpirtëror plot mall, merak e dashuri për vendlindjen e tij dhe për
shqiptarët. Shqipëria e mbante larg Martin Camaj për pothuja një gjsëm
shekulli, Por Martin Camaj nuk ishte kurrë larg Shqipërisë dhe shqiptarëve:
“Të
dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë populli
shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë se
keni vendosur të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Bátë burrninë të
më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i
jueji e ju jeni të mijt.”
Dr Martin Camaj me Dr Ibrahim Rugovën
në Prishtinë, fundi i Gushtit, 1990 –Lexoni më poshtë intervistën e ish-gazetarit
të Zërit të Amerikës, Idriz Lamaj me Dr Martin Camaj, botuar në gazetën
Telegraf -- Martin Camaj, pishtar i kulturës
tonë kombëtare | Gazeta Telegraf
Kompleti i veprave të Dr Martin Camaj