E hene, 08.09.2025, 10:25 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Në Ditët e Shën Nënë Terezës 2025, kombi shqiptar kujton bijën e vet me famë botërore

E shtune, 06.09.2025, 06:59 PM


NË DITËT E SHËN NËNË TEREZËS 2025 KOMBI SHQIPTAR KUJTON BIJËN E VET ME FAMË BOTËRORE – Por nuk ishte gjithmonë kështu!

Nga Frank Shkreli

Në bashkëpunim mes SH. B. “ DRITA” në prishtinë dhe Qendrës për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore (QTSHK), Shkup nga 25 gusht deri më 5 shtator, u organizuan “Ditët e Shën Nënë Terezës” 2025, për të promovuar me veprimtari kulturore, kombëtare dhe shpirtërore, jetën dhe veprën e Shën Nënë Terezës në vende të ndryshme të Kosovës, Maqedonisë, Shqipërisë dhe anaë e mbanë diasporës shqiptare.  Frank Shkreli: 115 vjetori i ditëlindjes së Shën Nënës Terezë dhe 20 vjetori i Bekimit të gurthemelit të Katedrales në Prishtinë | Misioni Katolik Shqiptar Shën Nëna Terezë në Rijekë - Albanska Katoli?ka Misija Sv. Majka Terezija u Rijeci

Gjatë këtyre 10-ditëve të kaluara u përkujtua Nënë Tereza anë e mbanë trojeve shqiotare dhe më gjërë me dinjitet siç i ka hije një kombi që është krenar – pa dallim feje a krahine – për veprimtarinë dhe jetën e bijës së tij me fame botërore, e që i ka sjellur shqiptarëve vetëm një emër të mirë e të respektuar anë e mbanë këtij planeti. Nënë Tereza u kujtua këto ditë me veprimtari të ndryshme kulturoro-shpirtërore: me shërbime fetare, me botime librash shkencore kushtuar Shënjëtores shqiptare dhe me deklarata të liderve politikë të dy shteteve shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës -- në këtë përvjetor të lindjes dhe shenjtërimit të Nenë Terezës. Në përmbyllje të veprimtarive 2005, kushtuar Nenë Terezës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh: “Nga fshati i vogël i Letnicës, ku dëgjoi thirrjen hyjnore, në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan dhe pastaj në çdo anë të botës, Nënë Tereza i dha zë të varfërve, të sëmurëve dhe të harruarve, duke lënë pas një trashëgimi të pakrahasueshme bamirësie dhe humanizmi. Rrugëtimi i saj frymëzoi miliona njerëz. Veprat e Shën Terezës na kujtojnë fuqinë e bamirësisë dhe humanizmit, prandaj trashëgimia e saj është një thirrje për secilin prej nesh: të jemi pranë të tjerëve, të dhurojmë dashuri dhe shpresë, si dhe ta ndërtojmë një botë më të drejtë dhe më paqësore”, ka shënuar në faqen e saj të internetit, e para e shtetit të Republikës së Kosovës, bashkangjit këtë fotografi të saj para shtatores së Nenë Terezes.

Ndërsa Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj shkruan me këtë rast se, sot, e gjithë bota i lutet Shenjtës Nënë Terezë, duke vazhduar se ne, “Si shqiptarë jemi krenarë që i dhamë botës një figurë të shenjtë e fisnike, simbol të mëshirës, dashurisë dhe kujdesit ndaj të pamundurve. Shenjta Nënë Tereza është pjesë e shpirtit tonë kombëtar dhuruar njerëzimit për të shëruar plagë e për të sjellë shpresë aty ku mungon. Ajo na mësoi se edhe gjestet e vogla të mirësisë kanë fuqinë të ndryshojnë botën. Le të bëjmë çdo ditë një vepër të mirë!”, ka shkruar në deklaratën e tij në fejsbuk, Presidenti Begaj, në përmbyllje të veprimtarive prej 10-ditësh të këtij viti, kushtuar Nenë Terezës anë e mbanë botës dhe në mbarë trojet shqiptare.

Por për fat të keq, respekti dhe nderimi që bota – përfshir Presidentë amerikanë, Frank Shkreli: Amerika për Nënë Terezën – Rastësi apo Dora e Zotit në veprim? “Prej sot je bijë e Amerikës ” | Gazeta Telegraf dhe Papët e Romës -- i akordonte Nenë Terezës për dekada me rrallë – nuk mund të thuhet se ajo gëzonte të njëjtin respekt, të pakën zyrtarisht, nga shqiptarët në përgjithsi, siç vihet në dukje në një shënim sot të muzeut të Shkodrës, Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës - Site of Witness and Memory --Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës - Site of Witness and Memory | Shkodra | Facebook

“Aty kah fillimi i viteve ’70, kohë kur Nënë Tereza mësoi për sëmundjen e nënës së saj, ajo i dendësoi përpjekjet për t’iu dhënë mundësia që të vizitonte vendin e saj. Shkoi të takonte atasheun e Ambasadës shqiptare në Romë me shpresë që të paktën do të lejohej të vizitonte Shqipërinë. “Kur Nënë Tereza po dilte prej ambasade, – shkruan Dom Lush Gjergji në librin “Nënë Tereza Jonë”, – për herë të parë në jetë e pashë t’i shkonin lot nëpër faqe. U ndal, drejtoi sytë kah qielli dhe tha:  “O Zot, unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron asgjë tjetër përpos të na shohë edhe një herë”. Pas dështimit për vizë në ambasadë, Nënë Tereza nuk rreshti përpjekjet për të nxjerrë të ëmën dhe të motrën nga Shqipëria. Ajo iu drejtua për ndihmë disa prej personaliteteve më të mëdha të Globit, por pa sukses. Kur pa se ëndrra e saj për t’i takuar po shuhej, Nënë Tereza i shkruante të ëmës dhe të motrës: “Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju”.  Nëna e saj, Drande Bojaxhiu vdiq me dhimbje në zemër me 12 korrik 1972 në Tiranë. Ajo nuk arriti të shihte edhe një herë të bijën misionare në Indi. Pas vitit 1990 janë botuar studime, ku shënohet një fakt prekës: Drandja bijës së vet, që nuk e shihte prej 45 vjetësh, fotografinë e fundit ia dërgoi me këtë nënshkrim: “Gonxhe, të puth nanëlokja”, përfundon shënimi i botuar në muzeun Shkodrës, Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës - Site of Witness and Memory me foton më poshtë.

Pritja e ftohët e Nenë Terezës në Tiranë, gusht, 1989, kur më në fund u prit nga përfaqësuesit e një regjimi kriminal, frikacak, që për vite nuk i jepte vizë një murgeshe katolike të thjesht për të vizituar Nenën dhe motrën e saj, sa ishin gjallë. Turp kombëtar për ata atëherë dhe për apologjetët e sotëm që sot e kësaj dite mbrojnë dhe justifikojnë krimet e atij regjimi sllavo-aziatik që për një gjysëm shekulli ndau – për jetë dhe në vdekje -- familjet shqiptare – si familjen e Nenë Terezës! Si shumë e shumë familje shqiptare, fati i Nenë Terezës megjithse me famë botërore, mund të thuhet se ishte ai që siç është shprehur dikur edhe Imzot Pjetër Bogdani: "Fati i im është fati i popullit tim".

Kështuqë, ndërsa shqiptarët kudo në botë janë krenarë se si sot, Kombi në përgjithsi kujton, nderon dhe respekton bijën e vet -- Ikonën shqiptare të dashurisë për njëri tjetrin dhe për Zotin – nuk duhet harruar se edhe trajtimi çnjerëzor i Nënë Terezës nga regjimi komunist i Enver Hoxhës – është pjesë e historisë së trajtimit të Nënë Terezes nga bashkvëllëzrit dhe motrat e saj. Në një kohë kur Ajo pritej e dekorohej me Çmimin prestigjoz Nobel për paqë, pritej në kancelaritë e fuqive më të mëdha botërore, përfshir Shtëpinë e Bardhë dhe Kombet e Bashkuara. Ishte 40-vjetori i Kombeve të Bashkuara kur organizata botërore ftoi Nenë Terezën të mbante një fjalim me atë rast, Blessed Mother Teresa's Address to the United Nations, Diplomatët e Shqipërisë komuniste – në një prej shfaqjeve më të shemtuara, ndoshta në historinë e diplomacisë shqiptare të të gjitha kohërave i treguan botës ftyrën e vërtetë të regjimit të tyre primitiv që ata përfaqësonin. Pasi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në atë kohë, Perez De Quellar duke paraqitur bijën e famshme shqitare para delegatëve të botës, pat deklaruar se Nenë Tereza mishëronte Kombet e Bashkuara – delegacioni që përfaqësonte regjimin enverist, në protestë ndaj fjalimit të Nenë Terezes – para syve të mbarë botës, braktisën sallën e Kombeve të Bashkuara ndërsa Nenë Tereza i fliste botës.

Për ne shqiptaro-amerikanët që në atë kohë prisnim të shihnim ndonjë shenjë sado simbolike për ndonjë ndryshim në mundëshëm në Shqipëri siç po ndodhte në vendet e tjera ish-komuniste të Evropës, ky rast i shëmtuar na zhduku edhe ndonjë shpresë që mund të kishim për ndonjë ndryshim të shpejtë. Trajtimi i Nenë Terezës nga regjimi i Tiranës zrytare në atë kohë u bë si një farë busulle e ndonjë ndryshimi të vogël por të pa shpresë. Sepse siç është shprehur me një rast i ndjeri Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Tiranës, i dashur dhe i respektuar për shumë prej nesh që e kemi njohur, ka thenë se, "Nenë Tereza ka pasur gjithmonë një mesazh të qartë e të mirëkuptimt: se e ardhmja e njerëzimit, prandaj edhe e ardhmja e vendit tonë, realizohet plotësisht vetëm me vendosmerinë për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë, në të cilin nuk ka të përjashtuar e të mënjanuar, të diskriminuar e të harruar", ka thënë, Imzot Rrok Mirdita.

Por sot në 115-vjetorin e lindjes, Kombi shqiptar, me të drejtë është krenar për Nenë Terezën. Këtë e tregojnë angazhimet dhe organizimet e dnryshme kulturoro-shpirtërore, pa dallim feje a krahine, siç ishin ato të 10-ditëve të fundit, për të festuar dhe për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë e Nenë Terezës në trekëndshin Prishtinë, Shkup e Tiranë. Por edhe anë e mbanë diasporës dhe gjakut të shprishur arbëroro-shqiptar të shpërndarë gjithë andej. Deklaratat e liderve shqiptarë gjatë viteve por edhe sot duken të sinqerta se më në fund, bota shqiptare e ka kuptuar mesazhin e saj të qartë – diçka që bota tjetër kryesisht e kishte kuptuar me kohë -- atë të dashurisë për njëri tjetrin dhe për Zotin si dhe për mirëkuptimin se e “ardhmja e njerëzimit, prandaj edhe e ardhmja e vendit tonë, realizohet plotësisht vetëm me vendosmërinë për të ndërtuar qytetërimin e dashurisë. Ishte ky mesazh i Nënë Terezës, përmbledh nga Imzot Rrok Mirdita, mesazhi i “qytetërimit të dashurisë”, pra që nuk përjashton, nuk diskriminon as nuk harron askënd, përfshir më të varfërit e të varfërve.

Ma merr mendja se ishte, pikërisht, ky mesazh i Nenë Terezës i cili bëri që diplomatët e regjimit komunist të Shqipërisë pranë OKB-s, 40-vjet më parë në Nju Jork, të braktisnin sallën e Asamblesë së Përgjithshme kur filloi t’i fliste botës për “qytetërimin e dashurisë”, murgesha e thjesht katolike me origjinë shqiptare e lindur 115-vjet më parë në Shkup, kryeqytetin e dikurshëm arbëroro-shqiptar. Prandaj duhet të jemi krenarë për nderimet dhe respektin që i bëhet sot Nenë Terezës, ashtu siç në të vërtetë ndodhë në mbarë botën -- por të mos harrojmë se nuk ishte gjithmonë kështu. Sado absurde të na duken sot sjelljet e regjimit komunist shqiptar me Nënë Terezen dhe familjen e saj, nuk duhet të harrohen se kollaj mund të përsëriten. Është thenë se ata që harrojnë historinë janë të destinuar t’a përsëritin.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: 115-vjetori i ditëlindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetori i bekimit të gurthemelit të katedrales së saj në Prishtinë Frank Shkreli: Kurti dhe komandanti i KFOR-it Barduani në festën e Zojës së Madhe në Letnicë Frank Shkreli: Kosova duhet të bëjë më shumë për të informuar veten dhe botën për të vërtetën e historisë së saj të lashtë Frank Shkreli: Një teatër absurditeti ka ndodhur në Shkodër Frank Shkreli: Në kujtim të Kol Kuqalit dhe Loni Adamit Frank Shkreli: Profili i një Shqiptaro-Amerikani - Anthony Stevens Frank Shkreli: Pushteti absolut - korrupton absolutisht! Frank Shkreli: Martin Camaj dhe 'Shejzat' Frank Shkreli: Gëzuar 4 Korrikun, Amerikë! Frank Shkreli: Në Nju Jork do të nderohet Heroi i Kombit Isa Boletini Frank Shkreli: 12 qershor, 1987 – Thirrja në Berlin e Presidentit Reagan Frank Shkreli: Gëzuar Bajramin – Duke kujtuar Hafiz Ali Kraja – Nderi i fesë dhe krenaria e kombit Frank Shkreli: Sa për kështu, Gjergj Kastrioti më mirë mos të ‘shkojë’ në Ulqin! Frank Shkreli: Shqip do flitet, shqip do shkruhet edhe në Sanxhak! Frank Shkreli: Teksasi dënon komunizmin dhe kërkon mësimin e krimeve të tij në shkolla Frank Shkreli: Ernest Koliqi dhe Kosova Frank Shkreli: As edhe një kurorë me lule për Gjergj Kastriotin, në ditëlindjen e tij! Frank Shkreli: Kryqtari i Fundit, Gjergj Kastrioti - Skendërbeu Frank Shkreli: Ndërroi jetë Aleksandëri i Shqiptarëve Frank Shkreli: Shkoi në amshim ''Papa i Shqiptarëve''

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx