Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Kurti dhe komandanti i KFOR-it Barduani në festën e Zojës së Madhe në Letnicë
E diele, 17.08.2025, 06:55 PM
NË FESTËN E ZOJËS SË MADHE NË LETNICË MARRIN PJESË KRYEMINISTRI ALBIN KURTI DHE KOMANDANTI I FORCAVE TË KFOR-it (NATO-s) GJENERALI ENRICO BARDUANI
Nga
Frank Shkreli
Kisha Katolike e Republikës së Kosovës,
si çdo vit në të kaluarën edhe sivjet me 15 Gusht organizoi për besimtarët dhe
dashamirsit e Shenjtërores së Zojës së Letnicës, festën e të “Të Ngriturit e
Marisë Virgjër në Qiell”, e njohur ndër shqiptarët edhe si Zoja e Madhe, ose Zoja
Cërnagore. Historikisht, Letnica njihet
në atë troje shqiptare si vend bashkimi, lutjeje e shtegtimi, sidomos, në këtë
festë të madhe të Kishës Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë dhe anë e mbanë
trojeve shqiptare. Ceremonitë e rastit u
kryesuan nga udhëheqsi i Kishës Katolike në Kosovë, SH. T. Imzot Dodë Gjergji.
Dihet se tradita e krishterë ka lenë gjurmë të pashlyeshme në Dardaninë e lashtë dhe në të gjitha trojet e lashta shqiptare, ashtu si edhe në Kontinentin e Vjetër. Frank Shkreli: Kosova duhet të bëjë më shumë për të informuar veten dhe botën për të vërtetën e historisë së saj të lashtë | Gazeta Telegraf Një prej dëshmive më të dukshme të kësaj tradite janë Kishat dhe Shenjtëroret në Dardaninë e lashtë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Perendimor. Në veçanti, Kosova ka një Shenjtërore të njohur e të përzemërt, atë të Zojës së Madhe, në fshatin Letnicë të Karadakut. Në këtë Kishë Shenjtërore, kushtuar Virgjërës Mari, pati nisjen thirrja dhe misioni i Shën Nënë Terezës, Ganxhe Bojaxhiut. Letnica, në komunën e Vitisë, Malësia e Karadakut, ku me 14 e 15 gusht, në festën e Zojës së Madhe, u vërshua nga besimtarë shtegtarë -- pa dallim feje e kombësie -- me lutje, uratë, adhurim e meditim, në shqip, kroatisht, anglisht e gjuhë të tjera, para trupores se Zojës së Madhe siç e quan populli i atyre anëve dhe më gjërë – një festim ky me rëndësi fetare, domosdoshmërisht, por edhe e një rëndësie historike kulturoro-kombëtare ku morën pjesë një mori besimtarësh dhe jo-besimtarësh në Letnicë – një trashëgimi kjo, vërtetë, e pasur historike, e një natyre jo vetëm shpirtërore e fetare, por edhe e një të dëshmi e vërtetësisë historike kombëtare iliro-arbërore.
Siç mund të shihet nga fotot e botuara në portalin e Kryeministrisë së Kosovës në këtë festë në Letnicë mori pjesë edhe Major-Gjenerali Enrico Barduani. I pranishëm atje ishte edhe Kryeministri-në-detyrë, Z. Albin Kurti, i cili mbajti një fjalim përshëndetës me atë rast. Kryeministri Kurti e cilësoi Letnicën si një vend lutjeje dhe bashkimi për të gjithë njerëzit, një vend ku gjendet qetësia shpirtërore, duke theksuar se para kësaj truporeje janë përkulur breza të tërë, pa dallim feje, kombi, ose krahine – kroatë, shqiptarë katolikë e myslimanë, shkupjanë e shkodranë, romë, ortodoksë serbë e maqedonas, agnostikë, ateistë dhe shumë të tjerë – për t’u lutur me përulësi.
Ai tha se famullia e Letnicës është një
pasuri e madhe historike për Kosovën dhe më gjerë, derisa potencoi se bartja e
trupores së “Zonjës së Bekuar”, nga Shkupi dhe vendosja e saj në Letnicë, aty
ku ndodhet edhe sot u bë simbol i bashkimit, shpresës dhe besimit të
palëkundur. Sot nuk jemi thjesht
pjesëmarrës në një festë, tha më tej ai, por jemi pjesë e një familjeje të
madhe shpirtërore, të bashkuar në Letnicë nga dashuria për Zojën Mari, Nënën e
Jezusit. Andaj, tha se nga ky vend duhet të lëshojmë një thirrje të përhershme
për paqe, pajtim dhe hapje të zemrës ndaj njëri-tjetrit.
“Zoti e bekoftë Letnicën, dhe
ndërmjetësinë e Zojës së Madhe, Kosovën tonë dhe të gjithë ata që me besim të
plotë vizitojnë këtë tokë të shenjtë. Amen”, tha në fund të fjalës,
kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti, thuhet në portalin e
Kryeministrisë së Republikës së Kosovës.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti: Kryeministri Kurti merr pjesë në
meshën solemne për kremtimin e festës së Zojës së Bekuar, bën thirrje të
përhershme për paqe, pajtim dhe hapje të zemrës ndaj njëri-tjetrit –
Kryeministri
*Fotot janë marrë nga portali i
Kryeministrisë së Republikës së Kosovës – ku ka edhe të tjera nga aktivitetet
në Letnicë.
Kryeminsitri Kurti duke u përshëndetur
me Komandantin e KFOR-it (NATOS) në Kosovë, Gjeneralin Enrico Barduani
Kisha e Letnicës, Komuna e Vitisë
Udhëheqsi i Kishës Katolike në Kosovë,
SH. T. Imzot Dodë Gjergji kryesoi festën në Letnicë. Mori pjesë edhe Ipeshkvi
Metropolit i Tiranë-Durrësit, Imzot Arjan Doda
Ushtarët e KFOR-it bartin truporen e
Zojës së Letnicës