Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Malësori fisnik, prijësi legjendar kombëtar Dedë Gjo Luli
E merkure, 24.09.2025, 07:01 PM
MALËSORI FISNIK, PRIJËSI LEGJENDAR KOMBËTAR DEDË GJO LULI
NË
110-VJETORIN E VRASJES
Nga
Frank Shkreli
24 shtatori, 1915 shënon datën kur
është vrarë në pritë nga forcat serbo-malazeze Dedë Gjo Luli, malësori fisnik
dhe prijës legjendar kombëtar në luftërat për liri e pavarësi të shqiptarëve. Ishte 24
Shtatori, 1915 kur mbaroi njëri prej kreshnikëve më të shquar të kombit
shqiptar. Dedë Gjo Luli ka lindur në vitin 1840
dhe sot në Tiranë ka një bust në nder të tij dhe emrin ia
"trashëgojnë" shkolla e rrugë Por. sot, 110 më vonë e kujtojmë, simbolikisht
dhe shkurtimisht, këtë burrë të madh të kombit në përvjetorin e tij të
shkuarjes në amshim. Kujtojmë përpjekjet e tija të shumta në luftërat për
pavarësi nga Turqia otomane, por edhe në përpjekjet e tija të shumëta në mbrojtje
të trojet shqiptare nga planet grabitqare të fqinjëve armiqësor, ndër shekuj. E
kujtojmë këtë malësor fisnik si protagonist kryesor i ngritjes së flamurit
shqiptar në Deçiq – për herë të parë pas disa shekujsh, që nga koha e Gjergj
Kastriotit – Skenderbe. E kujtojmë sot Dedë Gjo Lulin si luftëtar në Vraninë
dhe si pjesëmarrës në Lidhjen mbarë Shqiptare të Prizrenit.
E kujtojmë këtë burrë të Malësisë së
Madhe si prijës i kryengritjes së malësorëve në vitin 1911, një zhvillim ky
paraprijës i ngritjes së flamurit në Vlorë dhe i shpalljes së Pavarësisë së
Shqipërisë në vitin 1912. Ishte kjo një
kryezngritje që sipas historianëve kryengritja e Malësorëve kundër turqëve
otomanë dallohej nga kryengritjet e tjera të shqiptarëve — mbi të gjitha — për
nga karakteri dhe objektivat mbarëkombëtare të saj. Ishin këto objektiva që
malësorë kishin përcaktuar për lëvizjet e tyre që, më në fund tërhoqën vëmendjen,
interesimin dhe mbështetjen e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit për përpjekjet
e malësorëve për liri e pavarësi. Si përfundim, dy protagonistët kryesorë
të Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 1912, e gjetën të nevojshme të shkonin
për tu takuar me malësorët e Ded Gjo Lulit. Si përfundim ata së bashku me
malësorët përpilojnë atë që sot njihet siMemorandumi i Greçës, më 23 qershor,
1911 në të cilin pasqyroheshin, jo vetëm kërkesat e malësorëve, por të mbarë
shqitarëve pa dallim për një Shqipëri me administratë, gjuhë dhe buxhet të
vetin. Memorandumi në thelb
ishte, një pasqyrim i kërkesave të gjithë shqiptarëve për vetadministrim anë
e mbanë trojeve veta. “Shqipëria donte vedin me sundue”.
“Ded Gjo Luli, që vu sy me vdekë, a shqiptar i lirë me mbetë: me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mëdhaja – burra si motit veç që i bante lokja shqipëtarë – bjen në mal, e mbi kaki të Deçiqit ngulë Flamurin e Shqipënisë kuq e zi: zjarm e dekë, nji be ai rreh, nji be të madhe po, rreh ai në sy të qiellës e të dheut, se rob shqiptari për nën themër mizore të turkut ma kurrë jo, kurrë nuk do të gjimonte, e as nën themër, t’atij sllavi të mënijshëm. Me atë be të shugurueshme ngeli në habi Evropa. Cetina u trand, e u dynd tanë pem’ e mëni Stambolla…dhe Malësori mujti”- ka kujtuar At Gjergj Fishta Ded Gjo Lulin dhe malësorët e tij. Ata malësorë, paraprijës të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – që ia dolën, në krye me Ded Gjo’ Lulin! Frank Shkreli: At Gjergj Fishta për Dedë Gjon Lulin
Një këngë popullore me lahutë nga
Malësia e Madhe thotë se përpjekjet e malësoreve dhe prijësit të tyre Dedë Gjo
Lulit kishin vetëm një qëllim: “Shqipëria donte vedin me sundue”. Për Dedë Gjo Lulin, Shqipëria ishte mbi të
gjitha ka deklaruar 10-vjet më parë i ndjeri President i Republikës Bujar Nishani
kur në vitin 2015 ka nderuar Dedë Gjo Lulin, pas vdekjes, me njohjen e lartë:
“Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin: “Në vlerësim dhe
nderim të thellë të veprimtarisë dhe kontributit të shquar atdhetar si prijës
legjendar e i paepur në mbrojtje të trojeve etnike shqiptare dhe udhëheqjen e
tij vizionare të lëvizjes kombëtare për liri dhe pavarësi”.
Zyra e
ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani në atë ceremoni pëkujtimore
10-vjetë më parë, e cilësoi dekorimin e prijësit të malësorëve dhe heroit
kombëtar, si një veprimtari solemne me rastin e 100-vjetorit të vrasjes së
heroit dhe prijësit Dedë Gjo Luli, ndërsa kreu i shtetit shqiptar ka shprehur
kënaqësinë dhe nderin që, në cilësinë e Presidentit të Republikës, po
vlerësonte dhe të nderonte “një atdhetar të spikatur, një luftëtar sypatrembur,
një strateg dhe një burrë trim që nuk kurseu asgjë, as jetën e tij, për
mbrojtjen e territoreve shqiptare kundër copëtimit dhe shpërbërjes”.
Me atë rast në kujtim të Ded Gjo Lulit
10-vjet më parë, në fjalën e tij në inaugurimin e përmendores së Heroit Ded Gjo
Lulit, Presidenti Nishani pat kujtuar fjalët e Luigj Gurakuqit për Ded Gjo
Lulin duke cituar atë se “Para 100 vitesh teksa fliste në nder të Dedë Gjo
Lulit, Luigj Gurakuqi profetizonte se: ‘Nuk e kemi nderuar siç duhet historinë
e Shqipërisë deri në momentin që në një shesh të denjë të kombit, një monument
i komandantit të kryengritjes kombëtare nuk do të vigjilojë mbi ne’.
“Të dy patën një jetë madhështore dhe
një vdekje tragjike, si heronjtë e antikitetit, por pikërisht ata u bënë
themeli i asaj ndërtese që quhet shtet shqiptar”, ka thënë Presidenti Nishani. “Po,
sot Dedë Gjo Luli është në Tiranë pas një udhëtimi të gjatë shtigjeve të
historisë. Është këtu afër Gjergj Kastriotit Skenderbeut për të na
rrëfyer se çfarë është Malësia e Madhe dhe bijtë e saj. Shqiptarë dje e
shqiptarë sot, patriotë pa mëdyshje, pa hezitim, të gatshëm për gjatë
shekujve për t’i shërbyer këtij vendi, identitetit të tij evropian, pa
pyetur për çmimin e sacrifices, pa e vajtuar gjakun e derdhur”, a deklaruar
Presidenti Nishani, 10-vjetë më parë me rastin e dorëzimit të dekoratës së
lartë të kombit: “Famuri i Kombit”, pasardhësve të Dedë Gjo Lulit.
Edhe sot pra, në këtë 110-vjetor të
vrasjes së tij nga forcat çetnike terrotiste slave, vepra e Dedë Gjo Lulit dhe
e malësorëve të tij vazhdon të mbetet sot e kësaj dite një akt i madh historik
e patriotik dhe në shërbim të identitetit kombëtar evropian të shqiptarëve. Si e
tillë, vepra dhe përpjekjet e tija dhe të bashkvendasve të tij, për liri e
pavarësi të shqiptarëve, meriton të kujtohet sot e gjithmonë me krenari
frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale dhe të vlerave
atdhedashëse të malësorëve dhe të kombit shqiptar, në përgjithësi. Për të jetuar në liri, duke sunduar veten,
larg influencave të huaja, kundër pushtuesve të huaj dhe të gjithë atyre që,
historikisht, nuk ia kanë dashur kurrë të mirën shqiptarëve -- as atëherë, as
sot! Të kujtojnë brezat se me heroizëm dhe sakrificë Dedë Gjon Luli
dhe malësorët e tij —i ndëjtën besnikë vlerave shekullore të fisit të
shqiptarëve: lirisë dhe vet-sundimit. Besnikë
ndaj dhe mbrojtës të vlerave historike të Kombit Shqiptar: besës e burrënisë, nderit dhe dinjitetit
njerëzor, përballë robërisë shekullore të perandorisë turke, si dhe të armiqëve
të tjerë të afërt dhe të largët të Kombit shqiptar, ndër shekuj. Dedë Gjon Luli
ishte personfikimi i këtyre vlerave shekullore të shqiptarit. Si i tillë, duhet të kujtohet edhe sot. Si një
figurë kombëtare shqiptare që me shembullin e tij u flet edhe sot shqiptarëve
se kjo tokë e vjetër dhe as vlerat, as identiteti kombëtar nuk mund të nxirren
në ankand për tu shitur askujt dhe nga askush. Me ngritjen e flamurit
të Gjergj Kastriotit Skënderbe në Deçiq (1911), për herë të parë në pesë
shekuj, Dedë Gjon Luli ka ndërruar përgjithmonë fatin dhe epokën e
Shqiptarëve, duke paraprir kështu shpalljes zyrtare të Pavarësisë së Shqipërisë
dhe ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vlorë, me 28 Nentor, 1912. I përjetëshëm
qoftë kujtimi i tij!
Nga ceremonia e dorëzimit të Dekoratës
së Lartë “Flamuri Kombëtar” familjarëve të Heroit kombëtar Dedë Gjo Luli në
Presidencë, në 2015, në 100-vjetorin e vrasjes së tij
Një grup malësorësh, klerikësh katolikë dhe një oficer ushtarak – ndër të cilët dallohet Ded Gjo Luli, Imzot Luigj Bumçi, At Gjergj Fishta, Jak dhe Zef Serreqi, e të tjerë. Viti 1914 një vit para se të vritej Ded Gjo Luli me 1915 nga forcat terroriste serbo-malazeze në Mirëditë (Shkodra blog)