E marte, 09.09.2025, 02:55 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Kongresi Amerikan me rezolutë: Socializmi, një ideologji e dështuar!

E hene, 08.09.2025, 06:59 PM


KONGRESI AMERIKAN ME REZOLUTË: SOCIALIZMI NJË IDEOLOGJI E DËSHTUAR!

Nga Frank Shkreli

Të enjtën që kaloi në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, Kongresistja Republikane nga shteti Florida, Maria Elvira Salazar dhe Senatori republikan Rick Scott, po ashtu nga Florida -- njëri në Dhomën e Senatit e tjetra në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara – paraqitën për miratim një rezolutë të përbashkët me të cilën dënojnë socializmin si një ideologji të dështuar. Një ideologji që të çon drejt varfërisë dhe shtypjeve e cila është në kundërshtim dhe mospërputhje të plotë me Ëndrrën Amerikane, shkruajnë ligjvensit nga Florida.  Sipas njoftimeve për median nga zyrat e dy përfaqsuesve të këtij në Washington, Senatori Scott e ka paraqitur tanimë rezolutën në Dhomën e plotë të Senatit, ndërsa Kongresistja Salazar është sponsorizuesja kryesore e kësaj rezolute në Dhomën e Përfaqsuesve të Shteteve të Bashkuara.

Në njoftimin e tyre, ligjvensit republikanë nga Florida nënvijuan qëllimin e kësaj rezolute duke paralajmëruar se, “Ndërsa politikanë të ekstremit të majtë si Zohran Mamdani (kandidat i Partisë Demokrate për kryetar bashkie) në Nju Jork pranojnë hapur ideologjitë socialiste si pjesë e programit të tyre politik, kjo rezolutë shërben si një paralajmërim i drejtpërdrejt se socializmi nuk është vetëm një politikë e gabuar, por është edhe një rrugë që, historikisht, ka provuar se çon drejt tiranisë, urisë dhe vdekjes. Prandaj, si ideologji e tillë, socializmi nuk ka vend në Amerikë”. Theksojnë ata në njoftimin për media.

Lexuesit mund të kujtojnë se gjatë viteve të fundit jam munduar të mbuloj veprimtarinë e Kongresistes Salazar dhe ligjvense të tjerë amerikanë, në krye të përpjekjeve të tyre politike kundër ideologjisë socialisto-komuniste, qoftë në Shtetet e Bashkuara, qoftë jashtë këtij vendi. Edhe me këtë rast, María Elvira Salazar – me prejardhje nga Kuba komuniste -- është në krye të kësaj lufte kundër socializmit e komunizmit. "Historia na tregon qartë pasojat e socializimit e komunizmit: nga gulagët e Stalinit dhe fushat e vdekjes në Kamboxhia deri tek skuadrat e pushkatimit të Fidel Kastros në Havana, socializmi gjithmonë ka përfunduar në mjerim, vuajtje dhe vdekje. Si pasojë e kësaj ideologjie, kombe të tëra janë shkatërruar dhe miliona jetë janë humbur, duke përfshirë shumë prej tyre edhe në komunitetin tim që janë detyruar si përfundim i brutaliteti të asaj ideologjie të largohen nga vendlindja. Kjo është arsyeja pse jam krenare të paraqes me Senatorin Eric Scott këtë rezolutë të përbashkët në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve me qëllim për të dënuar tmerrin e socializmit. Por edhe për të siguruar gjithashtu që Kongresi të flasë me një zë kur është fjala për dënimin e ideologjisë së socializmit, në të gjitha format e tij dhe kudo që të shfaqet me fytyrën e tij të shëmtuar. Ashtu që Amerika të qëndrojë gjithmonë si drita e lirisë kundër errësirës së socializmit dhe premtimeve të tij të rreme për barazi”, citohet kongresistja Salazar në njoftimin e botuar nga zyra e saj në Washington.

Edhe Senatori Rick Scott në njoftimin për mediat javën që kaloi në lidhje me rezolutën e paraqitur prej ti në Dhomën e Senatit, i shpalli luftë socializmit: “Socializmi është një ideologji e dështuar -- ka shkatërruar vende, ka shkatërruar ekonomitë dhe u ka mohuar miliona njerëzve, anë e mbanë botës, të drejtat themelore të njeriut. Shikoni vetëm Kubën dhe Venezuelën, ose flisni me ndonjë nga mijëra familjet në shtetin tim të Floridës që janë arrratisur nga ato regjime, pasi diktatorët djallëzorë atje u kanë mohuar atyre të drejtat bazë të njeriut dhe mundësitë për një jetë më të mirë e normale në vendet e tyre.” Pa përjashtim, citohet Senatori Scott, se socializmi ka “përfunduar me të njëjtin rezultat të pashmangshëm: në mjerim, varfëri dhe shtypje të lirive dhe të drejtave të njeriut”, për të gjithë.

Siç duket, kjo rezolutë po paraqitet si në një referencë ndaj qendrimeve politike ekstreme kundër kapitalizmit në fushatën e kandidatit radikal-demokrat për kryetar bashkie në Nju Jork, Zohran Mamdani, i vet-shpallur si demokrat-socialist, por që kundërshtarët i referohen atij thejsht si socialist, madje edhe komunist. Senatori i Floridës Rick Scott tha se, “është e neveritshme të shohësh radikalët e majtë ekstremë që shpifin kundër kapitalizmit, një sistem që ka ndihmuar miliona amerikanë të realizojnë ëndrrat e tyre”.  Ndërkohë që, radikalët socialistë po “përpiqen të shkatërrojnë vendin tonë me qëllim për ta rindërtuar atë në imazhin e tyre radikal, përmes politikave ekstreme socialiste.” Senatori Scott shtoi se Shtetet e Bashkuara janë themeluar bazuar në liritë dhe mundësitë individuale dhe në të drejtat e çdo individi për të ndjekur dhe për të realizuar Endërrën Amerikane… pavarësisht se kush jemi dhe nga vijmë.  Rezoluta jonë është një kujtesë e fortë për ekstremistët e majtë: se socializmi është një dështim dhe se amerikanët, gjithmonë, do ta refuzojnë atë”, është shprehur Senatori Rick Scott i shtetit Florida. Rezoluta e plotë mund të lexohet këtu - C:\Users\new\AppData\Local\Temp\NEW25816.loc

Ndërsa pritet që kjo rezolutë të miratohet njëzëri nga shumica republikane në Senat dhe në Dhomën e Përfaqsuesve, do jetë interesant për të ndjekur votën e hedhur nga antarët e Partisë Demokrate në të dy dhomat e Kongresit. Partia Demokrate në Nju Jork dhe anë e mbanë vendit gjëndet para një dileme politike, përballë kanditaturës së Zohran Mamdanit (kandidati zyrtar i Partisë Demokrate për kryetar bashkie në qytetin Nju Jork), por i vet-shpallur demokrat-socialist, i cili tani për tani kryeson në anketat e opinionit publik, përballë tre kandidatëve të tjerë: kryetarit aktual të Bashkisë Eric Adams, ish-guvernatorit Andrew Cuomo dhe kandidatit republikan Curtis Sliwa. Megjithse mamdani gëzon një epërsi në fushatën e tij për kryetar bashkie të Nju Jorkut, deri më sot, asnjë prej udhëheqsve kryesorë të Partisë Demokrate, qoftë në nivel vendor, shtetëror ose federal, nuk kanë shpallur mbështetjen e tyre për socialistin demokrat Mamdani, për kryetar bashkie të qytetit Nju Jork. Siç duket, udhëheqsit kryesorë demokratë, sidomos, ata në nivel kombëtar, kanë frikë se po të mbështesin Mamdanin, ata do të identifikohen me politikat e këtij socialisti, që synon të zgjidhet kryetar i bashkisë së qytetit më të madh dhe qëndrës kryesore financiare të vendit dhe botës.

Kuptohet se duke pasur parasysh zgjedhjet për Kongres vitin që vjen, liderët demokratë kanë drojë se duke mbështetur socialistin Mamdani në Nju Jork, Partia Republikane do të përpiqet, në nivel kombëtar, të identifikojë Partinë Demokrate me një kandidiat ekstrem socialist si Mamdani – si fytyra e re përfaqësuese e Partisë Demokrate e shekullit XXI. Diçka që ka filluar tanimë në disa qarqe republikane që thonë se me një kandidat të vet-shpallur socialist, që disa e quajnë komunist, sipas tyre, Partia Demokrate e Shteteve të Bashkuara po shëndrrohet në një parti socialiste, një epitet që nuk tingëllon mirë në veshët e disa demokratëve.  Ka zëra, pra që kanë shprehur shqetsimet e veta edhe në radhët e Partisë Demokrate, zëra serioz që janë kundër kandidaturës së Mamdanit për kryetar bashkie të Nju Jorkut. Një prej tyre është Kongresisti Tom Souzzi nga lagja Queens (Kuins) e Nju Jorkut. Ai ka bërë thirrje që anëtarët e Lëvizjes Demokrato-Socialiste të Amerikës si Mamdani dhe kongresistja radikale e majtë Alexandria Ocasio-Cortez e lagjës Bronks me shokë e shoqe të tjera, duhet të largohen nga Partia Demokrate dhe të formojnë partinë e tyre në përputhje me ideologjinë e tyre. Duke shtuar se ai vet shpreson që Mamdani të mos fitonte në Nju Jork sepse do të ishte shumë keq për Partinë Demokrate edhe në nivel kombëtar.

Ish-Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve Tip O’Neill citohet të ketë thenë dikur se politika është gjithmonë vendore (politics is always local), por kësaj radhe Nju Jorku po tregon se politika vendore mund të ketë pasoja të rënda mbarë kombëtare. Demokratët, si kongresisti Souzzi mendojnë se një fitore e një kandidati radikal socialist, për të mos thënë komunist, si Mamdani në Nju Jork mund t’i kushtojë rendë, politikisht, Partisë Demokrate në zgjedhjet e ardhëshme kombëtare për Kongres, vitin që vjen. Sidoqoftë, mbetet për tu parë, por kjo vjeshtë duket se do jetë një stinë me temperaturë të lartë politike dhe me pasoja të paparashikueshme politike dhe ekonomike, jo vetëm për Nju Jorkun, por edhe për mbarë Amerikën, sidomos sa u përket zgjedhjeve të ardhëshme për Kongres, vitin që vjen, zgjedhje të cilat Partia demokrate shpresonte t’i fitonte ato si një kundërbalancë ndaj qeverisjes së Presidentit Trump, por “fenomeni Mamdani” i ndërlikon shumë ato plane për Partinë Demokrate: a do të distancohet nga politikat radikale socialisto-komuniste të Mamdanit apo t’i përqafojë ato dhe paguaj një çmim me pasoja të rënda politike të paparashikueshme.

Kongresistja Republikane e shtetit Florida, Maria Elvira Salazar

Senatori i shtetit Florida, Rick Scott

Bashkautorët e rezolutës që dënon socializmin si një ideologji të dështuar



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Në Ditët e Shën Nënë Terezës 2025, kombi shqiptar kujton bijën e vet me famë botërore Frank Shkreli: 115-vjetori i ditëlindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetori i bekimit të gurthemelit të katedrales së saj në Prishtinë Frank Shkreli: Kurti dhe komandanti i KFOR-it Barduani në festën e Zojës së Madhe në Letnicë Frank Shkreli: Kosova duhet të bëjë më shumë për të informuar veten dhe botën për të vërtetën e historisë së saj të lashtë Frank Shkreli: Një teatër absurditeti ka ndodhur në Shkodër Frank Shkreli: Në kujtim të Kol Kuqalit dhe Loni Adamit Frank Shkreli: Profili i një Shqiptaro-Amerikani - Anthony Stevens Frank Shkreli: Pushteti absolut - korrupton absolutisht! Frank Shkreli: Martin Camaj dhe 'Shejzat' Frank Shkreli: Gëzuar 4 Korrikun, Amerikë! Frank Shkreli: Në Nju Jork do të nderohet Heroi i Kombit Isa Boletini Frank Shkreli: 12 qershor, 1987 – Thirrja në Berlin e Presidentit Reagan Frank Shkreli: Gëzuar Bajramin – Duke kujtuar Hafiz Ali Kraja – Nderi i fesë dhe krenaria e kombit Frank Shkreli: Sa për kështu, Gjergj Kastrioti më mirë mos të ‘shkojë’ në Ulqin! Frank Shkreli: Shqip do flitet, shqip do shkruhet edhe në Sanxhak! Frank Shkreli: Teksasi dënon komunizmin dhe kërkon mësimin e krimeve të tij në shkolla Frank Shkreli: Ernest Koliqi dhe Kosova Frank Shkreli: As edhe një kurorë me lule për Gjergj Kastriotin, në ditëlindjen e tij! Frank Shkreli: Kryqtari i Fundit, Gjergj Kastrioti - Skendërbeu Frank Shkreli: Ndërroi jetë Aleksandëri i Shqiptarëve

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx