E enjte, 18.09.2025, 10:47 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Po mbyllet revista 'Kuq e Zi'

E enjte, 18.09.2025, 06:59 PM


PO MBYLLET REVISTA “KUQ E ZI” NË 32-VJETORIN E SAJ -- TRIBUNË E VËRTETË E SHQIPTARIZMIT DHE ZËRI I ISH-TË PËRNDJEKURVE TË REGJIMIT KOMUNIST

Nga Frank Shkreli

Pak kohë më parë miku im dhe bashkpuntor i ngusht gjatë viteve, themeluesi dhe botuesi i revistës “Kuq e Zi”, Lek Pervizi më njoftoi se kishte vendosur t’i jepte fund botimit të revistës “Kuq e Zi”, botuar prej tij ç’prej tetorit të vitit 1993 në Bruksel.  Bashkangjit këtij njoftimi ishte edhe dëshira e Z. Lek, që sipas fjalëve të tija, “si shoqërues e bashkëpuntor i saj prej më se 25 vjet, pothuaj së bashku e kemi përciellë revistën, rregullisht”, t’a shënoja edhe unë këtë ngjarje të rëndësishme me një shkrim modest, si bashkpuntor i saj gjatë viteve.  E ndjejë veten të nderuar dhe të privilegjuar që të kujtoj këtë përvjetor, por edhe të shpreh mirënjohjen time për mundësinë të bashkpunoja me Z. Lek -- me shkrimet e mia modeste që ai i ka botuar rregullisht në revistën 32-vjeçare, Kuq e Zi, numri i fundit i të cilës do botohet brenda disa ditësh. Unë kam patur nderin të shkruaj edhe në të kaluarën për këtë revistë, por ia vlen me këtë rast të kujtojmë pak historinë e saj dhe veprimtarinë e botuesit dhe kryeredaktorit 96-vjeçar, Z. Lek Pervizit.

Revista “Kuq e Zi” filloi botimin në tetor-nëntor, 1993 kur doli numri i parë i revistës kulturore euro-shqiptare e që vazhdoi për plot 32 vjetë nën drejtimin e botuesit dhe kryeredaktorit të saj, Lek Pervizit, ish i burgosur politik shqiptar, kundërshtar i regjimit komunist të Enver Hoxhës. Që në fillesë, motoja e revistës ishte: “Shqiptarve nuk kanë ç’iu duhen ideologjitë e huaja, duke pasë një të vetmen të tyre: Shqiptarizmin-Idealin Kombëtar.  Megjithse me një paraqitje modeste por me një përmbajtje të shëndoshë, fillimisht revistës “Kuq e Zi” iu bashkagjiten menjëherë figura të shquara të kulturës e të qendresës anti-komuniste komuniste, si Prof. Arshi Pipa, Nermin Vlora me të shoqin Ambasador Renzo Falaschi, Prof. Injac Zamputi, intelektualë ish të burgosur si Kardinal Mikel Koliqi, Prof. Guljelm Deda, Prof. Nush Radovani, Prof. Mark Deda, Prof. Mitat Araniti, At Zef Pllumi, Mons. Frano Illija, Mons. Nikoll Mazrreku Ndue Pjetër Gjomarku, Tef Krroqi, J-H. J Lanksch, Myrteza Bajraktari; Idriz Bésha, arbëreshi Vinçenz Golletti Baffa e të tjerë. Anëtarë nderi e bashkëpuntorë të zellshëm të kësaj reviste. Mjerisht, bashkpunimi i shumë prej tyre me revistën nuk zgjati shumë pasi për arsye të moshës dhe të lodhur nga pasojat e rënda të torturave dhe dënimeve me burgje e internime të parreshtura 45 vjeçare. Por ata do të vazhdojnë të jetojnë në revistën “Kuq e Zi” me veprat e tyre, si anëtarë nderi e bashkëpuntorë të përhershëm, pasi revista është e digjitalizuar dhe mund të gjëndet gjithashtu në bibliotekat kombëtare dhe private anë e mbanë trojeve shqiptare.

Duke përcaktuar qart e thjesht politikën redaksionale të revistës “Kuq e Zi”, Kryeredaktori Lek Pervizi e përcaktonte kështu misionin e atij medium ti rë në hapësirën mediatike shqiptare. Në ballinën e parë shkruhej: “Të dashun bashkatdhetarë, Gazeta “Kuq e Zi” ju përshëndet me rastin e daljes së saj në dritë për herë të parë. Ajo do të përpiqet të ngrejë më lartë prestigjin dhe lavdinë e Atdheut tonë të shtrenjtë.  Historia, gjuha, kultura e traditat e përbashkëta janë baza e përmbajtjes së saj për të gjithë shqiptarët kudo janë në botë. E pavarur dhe demokrate, nuk i nënshtrohet asnjë ndikimi, qoftë ideor e fetar, apo partiak e krahinor. I shërben vetëm kauzës së shenjtë të shqiptarizmit për shpëtimin e bashkimin e popullit e të kombit shqiptar. Ftojmë të gjithë intelektualët që i shpëtuan terrorit komunist, të marrin pjesë me shkrimet e tyre, të nivelit letrar e studimor. Një e drejtë që iu është mohuar gjatë një gjysëm shekulli diktature të egër antinjerëzore e antishqiptare.”

Revista “Kuq e Zi” ka vazhduar të jetë për 32-vjetë tani një revistë patriotike, mbi të gjitha, pasi ashtu e kishte përcaktuar misionin e saj në editorialin e parë, botuesi Lek Previzi, kur shkruante se revista “Kuq e Zi”, synonte të shërbente si platformë shqiptarizmi por edhe si tribunë e të përndjekurve politikë-kundërshtarë të regjimit komunist:  “Ku ata që vuajtën dhe u sakrifikuan nën dhunën komuniste gjatë një gjysëm shekulli, të kenë mundësinë të shprehin e të tregojnë aftësitë e tyre në fusha të ndryshme të dijes e të kulturës”, shkruante Lek Pervizi,

njëri prej gë mbijetuarve të asaj shfarosjeje sistematike e të planifikuar me gjakftohtësi të madhe nën diktatin e të huejve: jugosllavë, rusë e kinezë, për t’i zhdukur të gjithë tiparet shqiptare, si burrëninë, besën e traditat, ashtu edhe historinë, gjuhën e kulturën tonë, ka shkruar ai.

Është kjo revistë pra, që do mbyllet me botimin e numrit të fundit në 32-vjetorin e botimit të numrit të parë nën tetor-nëntor, 1993 në Bruksel. Për më shumë se tri dekada, revista Kuq e Zi ishte një pasurim, jo vetëm mediatik, por edhe kulturor dhe politik për diasporën shqiptare në veçanti dhe për botën shqiptare në përgjithësi.  Lek Previzi, me sakrifica personale ia doli, për 32-vjet tani, të përgatiste botimin e revistës “Kuq e Zi, me artikuj mjaft interesantë, të cilët – për nga subjekti dhe përmbajtja — rallë mund të gjënden në revistat, gazetat dhe portalet shqiptare të ditës.  Botimi i revistës Kuq e Zi nuk ka qenë diçka e rastit, sipas Z. Pervizi.  Duke përshkruar fillimin e vështirë të botimit, ai shprehet se revista “Kuq e Zi”, s’u krijue kot pse mu tek mue, është shprehur ai, por pse, “Unë e kisha si një detyrë që më takonte të kryeja, në nder të atyne burrave që mendonin vetëm për përparimin e naltësimin e kombit shqiptar, ku dhe një revistë sado e vogël dhe e thjeshtë, do të lozte rol të madh.  Me këto premisa ishte si një formë amaneti që unë duhej të përmbushja.  Sigurisht se në këto kushte, pavarësisht se gjendëshim në botën e lirë, truri ynë ishte akoma i bllokuar nga ndikimi i shtypjës së diktaturës.  Dashje pa dashje, truni ynë ishte formatuë dhe duhej kohë që të rikthehej në gjendjën normale”, ka shkruar Leka.

Por me kohë, nisma modeste e botimit të kësaj reviste, sipas botuesit të saj, ndryshoi dramatikisht me paisjen me kompjuter, gjë që rriti cilësinë si dhe shpërndarjen e revistës.  Përballë mos aftësisë për të përballuar shpenzimet e botimit të revistës, ai vendosi që si alternativë, revistën Kuq e Zi ta botonte në internet, ndërkohë që ua dërgonte një numri të zgjedhur lexuesish e miqësh të botuesit.  Z. Previzi thotë se kohët e fundit, revista është digjitalizuar komplet nga Nr. 1 deri në numërin e tanishëm, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe në Bibliotekën e Shkodrës, ndonëse ka kërkesa edhe nga biblioteka të tjera, përfshir ato private.

Unë dhe shumë lexues dhe bashkpuntorë të tjerë e kemi konsideruar revistën “Kuq e Zi”, si një organ mediatik shqiptar ndër më seriozet e periudhës së pas shembjes së Murit të Berlinit – një organ mediatik, misioni parësor i të cilës ishte mbrojtja e shqitarizmit, identitetit dhe interesave madhore të Kombit. Si e tillë, natyrisht, se mbyllja e një organi të tillë me prirje atdhetare, pro-perëndimore, kulturor-euro-shqiptar, do i mungojë shumë botës shqiptare, sidomos asaj klase të përndjekur politike, brenda dhe jasht Shqipërisë. Por, thuhet se gjithë të mirave në këtë jetë, domosdoshmërisht dhe eventualisht, u vjen fundi. Asgjë nuk është e përgjithmonshme në këtë jetë. Mbyllja e revistës “Kuq e Zi”, sipas vet Z. Lek, ishte një vendim i vështirë, por një vendim që u kushtëzua nga mosha 96-vjeçare e Z. Pervizi, Kryeredaktorit të saj për 32-vite – një zhvillim normal i ritmit të jetës në këtë botë të përkohëshme.  Megjithate, Leka nuk i dorëzohet moshës.  Ndonëse vendimi për të mbyllur revistën “Kuq e Zi”, nuk ishte i lehtë për ‘të, ai më siguron me entuziazëm se, “Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt, sepse aktiviteti jonë do vazhdojë në firma të tjera më të lehta e përballuese prej nesh”.  Por numri i radhës i revistës “Kuq e Zi” do të dalë, për herë të fundit, sipas Z. Lekë, në Tetor që bie përvjetori i 32-të i botimit dhe me rastin e 28-Nëntorit, 2025, shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në ballinën e numrit të parë të revistës Kuq e Zi shkruhej: Të dashur bashkatdhetarë: “Gazeta “Kuq e Zi” ju përshëndet me rastin e daljes së saj në dritë për herë të parë. Ajo do të përpiqet të ngrejë ma nalt prestizhin dhe lavdinë e atdheut tonë të shtrejtë.  Historia, gjuha, kultura e traditat e përbashkëta janë baza e përmbajtjes së saj për të gjithë shqiptarët kudo janë në botë. E pavarur dhe demokrate, nuk i nënshtrohet asnjë ndikimi, qoftë ideor e fetar, apo partiak e krahinor. I shërben vetëm kauzës së shenjtë të shqiptarizmit për shpëtimin e bashkimin e popullit e të kombit shqiptar.  Ftojmë të gjithë intelektualët që i shpëtuan terrorit komunist, të marrin pjesë me shkrimet e tyre të nivelit letrar e studimor. Një e drejtë që iu mohua atyre gjatë një gjysmë shekulli diktature të egër antinjerëzore e antishqiptare.”

Lek Pervizi i cili me dorën e vet përjetësoi me art dhe shkrim vuatjet biblike të popullit shqiptar nën komunizëm, përfshir edhe vdekjen nga uria dhe tifoja e rreth 300-fëmijve të familjeve anti-komuniste në kampin famëkeq komunist të Tepelenës.  Frank Shkreli: Lek Pervizi, ikonë e qëndresës anti-komuniste në Shqipëri dhe më gjërë | Gazeta Telegraf

Versioni anglisht i librave të autorit Lek Pervizit kushtuar gjendjes së burgjeve e kampeve, që ka përjetuar ai vet me bashkvuajtës të tjerë, kundërshtarë politikë të regjimit komunist. “Këtë e kam bërë që të mbeten si dokumente faktike të terrorit bolshevik, që përfshiu me mija viktima të pafajshme” është shprehur Lek Pervizi, me rastin e botimit.

-----------------------------------------------------

Duhet te konvergjojmë drejt atyre çeshtjeve që na bashkojnë, ku gjënden premisat e marrëveshjes dhe të unitetit, dhe të menjanojmë të gjitha shkaqet që na perçajnë.  Merita e të parëve tanë patriotë e atdhetarë ishte se për hir të shpëtimit e të bashkimit të kombit u përqendruan në ato parime që ishin themelore për t’i afruar e për t’i bashkuar.  Shqiptarizmi dhe ideali kombëtar ishin pra, parimet bazë të lidhjes se tyre në një besë te vetme shqiptare. Shprehja më e fuqishme e dinjitetit të kombit shqiptar janë Historia, Gjuha, Kultura dhe Traditat e përbashkta. Mbi këto veti u mbeshtet gjithë puna e madhe e Rilindasve për të arrijtë në atë bashkim monolit shpirtënor e njerëzor që na dha pamvarësinë me 1912. Në këte përpjekje duhet të perqendrohemi edhe ne”.  --Nga editoriali i numrit të parë të revistës “Kuq e Zi”, botuar në Tetor-Nëntor, 1993 në Bruksel



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Kongresi Amerikan me rezolutë: Socializmi, një ideologji e dështuar! Frank Shkreli: Në Ditët e Shën Nënë Terezës 2025, kombi shqiptar kujton bijën e vet me famë botërore Frank Shkreli: 115-vjetori i ditëlindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetori i bekimit të gurthemelit të katedrales së saj në Prishtinë Frank Shkreli: Kurti dhe komandanti i KFOR-it Barduani në festën e Zojës së Madhe në Letnicë Frank Shkreli: Kosova duhet të bëjë më shumë për të informuar veten dhe botën për të vërtetën e historisë së saj të lashtë Frank Shkreli: Një teatër absurditeti ka ndodhur në Shkodër Frank Shkreli: Në kujtim të Kol Kuqalit dhe Loni Adamit Frank Shkreli: Profili i një Shqiptaro-Amerikani - Anthony Stevens Frank Shkreli: Pushteti absolut - korrupton absolutisht! Frank Shkreli: Martin Camaj dhe 'Shejzat' Frank Shkreli: Gëzuar 4 Korrikun, Amerikë! Frank Shkreli: Në Nju Jork do të nderohet Heroi i Kombit Isa Boletini Frank Shkreli: 12 qershor, 1987 – Thirrja në Berlin e Presidentit Reagan Frank Shkreli: Gëzuar Bajramin – Duke kujtuar Hafiz Ali Kraja – Nderi i fesë dhe krenaria e kombit Frank Shkreli: Sa për kështu, Gjergj Kastrioti më mirë mos të ‘shkojë’ në Ulqin! Frank Shkreli: Shqip do flitet, shqip do shkruhet edhe në Sanxhak! Frank Shkreli: Teksasi dënon komunizmin dhe kërkon mësimin e krimeve të tij në shkolla Frank Shkreli: Ernest Koliqi dhe Kosova Frank Shkreli: As edhe një kurorë me lule për Gjergj Kastriotin, në ditëlindjen e tij! Frank Shkreli: Kryqtari i Fundit, Gjergj Kastrioti - Skendërbeu

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx