| E enjte, 18.09.2025, 06:59 PM |
PO MBYLLET REVISTA “KUQ E ZI” NË 32-VJETORIN E SAJ -- TRIBUNË E VËRTETË E SHQIPTARIZMIT DHE ZËRI I ISH-TË PËRNDJEKURVE TË REGJIMIT KOMUNIST
Nga
Frank Shkreli
Pak
kohë më parë miku im dhe bashkpuntor i ngusht gjatë
viteve, themeluesi dhe botuesi i revistës “Kuq e Zi”, Lek Pervizi më njoftoi se
kishte vendosur t’i jepte fund botimit të revistës “Kuq e Zi”, botuar prej tij
ç’prej tetorit të vitit 1993 në Bruksel.
Bashkangjit këtij njoftimi ishte edhe dëshira e Z. Lek, që sipas fjalëve
të tija, “si shoqërues e bashkëpuntor i saj prej më se 25 vjet, pothuaj së
bashku e kemi përciellë revistën, rregullisht”, t’a shënoja edhe unë këtë
ngjarje të rëndësishme me një shkrim modest, si bashkpuntor i saj gjatë
viteve. E ndjejë veten të nderuar dhe të
privilegjuar që të kujtoj këtë përvjetor, por edhe të shpreh mirënjohjen time
për mundësinë të bashkpunoja me Z. Lek -- me shkrimet e mia modeste që ai i ka
botuar rregullisht në revistën 32-vjeçare, Kuq e Zi, numri i fundit i të cilës
do botohet brenda disa ditësh. Unë kam patur nderin të shkruaj edhe në të
kaluarën për këtë revistë, por ia vlen me këtë rast të kujtojmë pak historinë e
saj dhe veprimtarinë e botuesit dhe kryeredaktorit 96-vjeçar, Z. Lek Pervizit.
Revista “Kuq e Zi” filloi botimin në tetor-nëntor, 1993 kur doli numri i
parë i revistës kulturore euro-shqiptare e që vazhdoi për plot 32 vjetë nën drejtimin e
botuesit dhe kryeredaktorit të saj, Lek Pervizit, ish i burgosur politik shqiptar,
kundërshtar i regjimit komunist të Enver Hoxhës. Që në fillesë, motoja
e revistës ishte: “Shqiptarve
nuk kanë ç’iu duhen ideologjitë e huaja, duke pasë një të vetmen të tyre:
Shqiptarizmin-Idealin Kombëtar.
Megjithse me një paraqitje modeste por me një përmbajtje të shëndoshë,
fillimisht revistës “Kuq e Zi” iu bashkagjiten menjëherë figura të shquara të
kulturës e të qendresës anti-komuniste komuniste, si Prof. Arshi Pipa, Nermin
Vlora me të shoqin Ambasador Renzo Falaschi, Prof. Injac Zamputi, intelektualë
ish të burgosur si Kardinal Mikel Koliqi, Prof. Guljelm Deda, Prof. Nush
Radovani, Prof. Mark Deda, Prof. Mitat Araniti, At Zef Pllumi, Mons. Frano
Illija, Mons. Nikoll Mazrreku Ndue Pjetër Gjomarku, Tef Krroqi, J-H. J Lanksch,
Myrteza Bajraktari; Idriz Bésha, arbëreshi Vinçenz Golletti Baffa e të tjerë. Anëtarë nderi e bashkëpuntorë të zellshëm të
kësaj reviste. Mjerisht, bashkpunimi i
shumë prej tyre me revistën nuk zgjati shumë pasi për arsye të moshës dhe të
lodhur nga pasojat e rënda të torturave dhe dënimeve me burgje e internime të
parreshtura 45 vjeçare. Por ata do të vazhdojnë të jetojnë në revistën “Kuq e
Zi” me veprat e tyre, si anëtarë nderi e bashkëpuntorë të përhershëm, pasi
revista është e digjitalizuar dhe mund të gjëndet gjithashtu në bibliotekat
kombëtare dhe private anë e mbanë trojeve shqiptare.
Duke
përcaktuar qart e thjesht politikën redaksionale të revistës “Kuq e Zi”,
Kryeredaktori Lek Pervizi e përcaktonte kështu misionin e atij medium ti rë në
hapësirën mediatike shqiptare. Në ballinën e parë shkruhej: “Të dashun
bashkatdhetarë, Gazeta “Kuq e Zi” ju përshëndet me
rastin e daljes së saj në dritë për herë të parë. Ajo do të përpiqet të ngrejë
më lartë prestigjin dhe lavdinë e Atdheut tonë të shtrenjtë. Historia, gjuha, kultura e traditat e
përbashkëta janë baza e përmbajtjes së saj për të gjithë shqiptarët kudo janë
në botë. E pavarur dhe demokrate, nuk i nënshtrohet asnjë ndikimi, qoftë ideor
e fetar, apo partiak e krahinor. I shërben vetëm kauzës së shenjtë të shqiptarizmit
për shpëtimin e bashkimin e popullit e të kombit shqiptar. Ftojmë të gjithë
intelektualët që i shpëtuan terrorit komunist, të marrin pjesë me shkrimet e tyre,
të nivelit letrar e studimor. Një e drejtë që iu është mohuar gjatë një gjysëm
shekulli diktature të egër antinjerëzore e antishqiptare.”
Revista “Kuq e Zi” ka vazhduar të jetë
për 32-vjetë tani një revistë patriotike, mbi të gjitha, pasi ashtu e kishte
përcaktuar misionin e saj në editorialin e parë, botuesi Lek Previzi, kur
shkruante se revista “Kuq e Zi”, synonte të shërbente si platformë shqiptarizmi
por edhe si tribunë e të përndjekurve politikë-kundërshtarë të regjimit
komunist: “Ku ata që vuajtën dhe u
sakrifikuan nën dhunën komuniste gjatë një gjysëm shekulli, të kenë mundësinë
të shprehin e të tregojnë aftësitë e tyre në fusha të ndryshme të dijes e të
kulturës”, shkruante Lek Pervizi,
njëri prej gë mbijetuarve të asaj
shfarosjeje sistematike e të planifikuar me gjakftohtësi të madhe nën diktatin
e të huejve: jugosllavë, rusë e kinezë, për t’i zhdukur të gjithë tiparet
shqiptare, si burrëninë, besën e traditat, ashtu edhe historinë, gjuhën e
kulturën tonë, ka shkruar ai.
Është kjo revistë pra, që do mbyllet me
botimin e numrit të fundit në 32-vjetorin e botimit të numrit të parë nën
tetor-nëntor, 1993 në Bruksel. Për më shumë se tri dekada, revista Kuq e Zi ishte
një pasurim, jo vetëm mediatik, por edhe kulturor dhe politik për diasporën
shqiptare në veçanti dhe për botën shqiptare në përgjithësi. Lek Previzi,
me sakrifica personale ia doli, për 32-vjet tani, të përgatiste botimin e
revistës “Kuq e Zi, me artikuj mjaft interesantë, të cilët – për nga subjekti
dhe përmbajtja — rallë mund të gjënden në revistat, gazetat dhe portalet
shqiptare të ditës. Botimi i revistës Kuq e Zi nuk ka qenë diçka e
rastit, sipas Z. Pervizi. Duke përshkruar fillimin e vështirë të botimit,
ai shprehet se revista “Kuq e Zi”, s’u krijue kot pse mu tek mue, është
shprehur ai, por pse, “Unë e kisha si një detyrë që më takonte të kryeja, në
nder të atyne burrave që mendonin vetëm për përparimin e naltësimin e kombit
shqiptar, ku dhe një revistë sado e vogël dhe e thjeshtë, do të lozte rol të
madh. Me këto premisa ishte si një formë amaneti që unë duhej të
përmbushja. Sigurisht se në këto kushte, pavarësisht se gjendëshim në
botën e lirë, truri ynë ishte akoma i bllokuar nga ndikimi i shtypjës së
diktaturës. Dashje pa dashje, truni ynë ishte formatuë dhe duhej kohë që
të rikthehej në gjendjën normale”, ka shkruar Leka.
Por me kohë, nisma modeste e botimit të
kësaj reviste, sipas botuesit të saj, ndryshoi dramatikisht me paisjen me
kompjuter, gjë që rriti cilësinë si dhe shpërndarjen e revistës. Përballë
mos aftësisë për të përballuar shpenzimet e botimit të revistës, ai vendosi që si
alternativë, revistën Kuq e Zi ta botonte në internet, ndërkohë që ua dërgonte
një numri të zgjedhur lexuesish e miqësh të botuesit. Z. Previzi thotë se
kohët e fundit, revista është digjitalizuar komplet nga Nr. 1 deri në numërin e
tanishëm, në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë dhe në Bibliotekën e Shkodrës,
ndonëse ka kërkesa edhe nga biblioteka të tjera, përfshir ato private.
Unë dhe shumë lexues dhe bashkpuntorë
të tjerë e kemi konsideruar revistën “Kuq e Zi”, si një organ mediatik shqiptar
ndër më seriozet e periudhës së pas shembjes së Murit të Berlinit – një organ
mediatik, misioni parësor i të cilës ishte mbrojtja e shqitarizmit, identitetit
dhe interesave madhore të Kombit. Si e tillë, natyrisht, se mbyllja e një
organi të tillë me prirje atdhetare, pro-perëndimore, kulturor-euro-shqiptar,
do i mungojë shumë botës shqiptare, sidomos asaj klase të përndjekur politike,
brenda dhe jasht Shqipërisë. Por, thuhet se gjithë të mirave në këtë jetë,
domosdoshmërisht dhe eventualisht, u vjen fundi. Asgjë nuk është e
përgjithmonshme në këtë jetë. Mbyllja e revistës “Kuq e Zi”, sipas vet Z. Lek,
ishte një vendim i vështirë, por një vendim që u kushtëzua nga mosha 96-vjeçare
e Z. Pervizi, Kryeredaktorit të saj për 32-vite – një zhvillim normal i ritmit
të jetës në këtë botë të përkohëshme.
Megjithate, Leka nuk i dorëzohet moshës.
Ndonëse vendimi për të mbyllur revistën “Kuq e Zi”, nuk ishte i lehtë
për ‘të, ai më siguron me entuziazëm se, “Ne do të vazhdojmë të jemi në
kontakt, sepse aktiviteti jonë do vazhdojë në firma të tjera më të lehta e
përballuese prej nesh”. Por numri i
radhës i revistës “Kuq e Zi” do të dalë, për herë të fundit, sipas Z. Lekë, në
Tetor që bie përvjetori i 32-të i botimit dhe me rastin e 28-Nëntorit, 2025,
shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në
ballinën e numrit të parë të revistës Kuq e Zi shkruhej: Të dashur
bashkatdhetarë: “Gazeta “Kuq e Zi” ju
përshëndet me rastin e daljes së saj në dritë për herë të parë. Ajo do të
përpiqet të ngrejë ma nalt prestizhin dhe lavdinë e atdheut tonë të
shtrejtë. Historia, gjuha, kultura e
traditat e përbashkëta janë baza e përmbajtjes së saj për të gjithë shqiptarët
kudo janë në botë. E pavarur dhe demokrate, nuk i nënshtrohet asnjë ndikimi,
qoftë ideor e fetar, apo partiak e krahinor. I shërben vetëm kauzës së shenjtë
të shqiptarizmit për shpëtimin e bashkimin e popullit e të kombit
shqiptar. Ftojmë të gjithë intelektualët
që i shpëtuan terrorit komunist, të marrin pjesë me shkrimet e tyre të nivelit
letrar e studimor. Një e drejtë që iu mohua atyre gjatë një gjysmë shekulli
diktature të egër antinjerëzore e antishqiptare.”
Lek Pervizi i cili me dorën e vet
përjetësoi me art dhe shkrim vuatjet biblike të popullit shqiptar nën
komunizëm, përfshir edhe vdekjen nga uria dhe tifoja e rreth 300-fëmijve të
familjeve anti-komuniste në kampin famëkeq komunist të Tepelenës. Frank Shkreli: Lek Pervizi,
ikonë e qëndresës anti-komuniste në Shqipëri dhe më gjërë | Gazeta Telegraf
Versioni anglisht i librave të autorit
Lek Pervizit kushtuar gjendjes së burgjeve e kampeve, që ka përjetuar ai vet me
bashkvuajtës të tjerë, kundërshtarë politikë të regjimit komunist. “Këtë e kam
bërë që të mbeten si dokumente faktike të terrorit bolshevik, që përfshiu me
mija viktima të pafajshme” është shprehur Lek Pervizi, me rastin e botimit.
-----------------------------------------------------
“Duhet te konvergjojmë drejt
atyre çeshtjeve që na bashkojnë, ku gjënden premisat e marrëveshjes dhe të
unitetit, dhe të menjanojmë të gjitha shkaqet që na perçajnë. Merita e të parëve tanë patriotë e atdhetarë ishte se për hir të
shpëtimit e të bashkimit të kombit u përqendruan në ato parime që ishin
themelore për t’i afruar e për t’i bashkuar. Shqiptarizmi dhe ideali kombëtar ishin pra, parimet bazë të
lidhjes se tyre në një besë te vetme shqiptare. Shprehja më e fuqishme e
dinjitetit të kombit shqiptar janë Historia, Gjuha, Kultura dhe Traditat e
përbashkta. Mbi këto veti u mbeshtet gjithë puna e madhe e Rilindasve për të
arrijtë në atë bashkim monolit shpirtënor e njerëzor që na dha pamvarësinë me
1912. Në këte përpjekje duhet të perqendrohemi edhe ne”. --Nga
editoriali i numrit të parë të revistës “Kuq e Zi”, botuar në Tetor-Nëntor,
1993 në Bruksel