Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: At Gjergj Fishta - Apostulli i madh i vëllazërimit kombëtar
E marte, 21.10.2025, 07:00 PM
AT GJERGJ FISHTA: SHQIPTARINË E KEMI BASHKË
APOSTULLI I MADH I
VËLLAZËRIMIT KOMBËTAR
Në ditëlindjen e Poetit Kombëtar
23 Tetor, 1871 – 30 Dhjetor, 1940
Nga
Frank Shkreli
Pothuaj
çdo ditë jemi dëshmitarë të një polarizimi politik në rritje e sipër në
hapësirën shqiptare në Ballkanin Perëndimor që rrezikon seriozisht, jo vetëm të
ardhmen evropiane të shqiptarëve por edhe vet paqën shoqërore e politike, duke
kërcënuar gjithashtu vetë demokracinë sado të brishtë në Shqipëri dhe në
Kosovë. Mjafton të ndjekësh punimet në dy parlamentet e përfaqësuesve të
shqiptarëve të kuptohet se në çfarë gjëndje të mjerueshme është sot diskursi
ose mos-diskursi politik. Është e pa-imagjinueshme për mua që pas
35-vjetëve të shembjes së Murit të Berlinit dhe pothuaj 25 vjetë pas çlirimit
të Kosovës, klasa politike e botës shqiptare, nuk ka mundur gjatë gjithë kësaj
kohe, të institucionalizoi një pajtim sadopak të vogël politik e kombëtar për
një bashkpunim të rregullt midis dy partive kryesore politike të Tiranës
zyrtare brenda vendit, por as në radhët e partive politike të Republikës së
Kosovës, por as në nivel kombëtar midis dy shteteve shqiptare – Shqipërisë dhe
Kosovës.
Mund të më quani naiv, ose i painformuar, ose të citoni At Gjergj Fishtën se historia na tregon se “Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashk dy shqiptarë!” Kjo thënie e Gjergj Fishtës vërtetë pasqyron, ashtu si historikisht, mungesën serioze të bashkëpunimit politik dhe kombëtar ndërpartiak midis forcave politike shqiptare, në përgjithësi, e që për fat të keq të Kombit, pasqyrojnë dhe marrëdhëniet midis Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare, në veçanti. Nuk ka asnjë dyshim se aktualiteti politik në Shqipëri dhe në Kosovë – pra, polarizimi i vazhdueshëm politik në hapësirën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, vazhdon të rrezikojë dhe të minojë, seriozisht, paqën e sigurinë por edhe demokracinë, sado e brishtë që është ajo. Por edhetë shuaj edhe ëndërrën shekullore të shqiptarëve për integrimin e Kombit shqiptar me botën perëndimore. Fishta do të thoshte se e gjithë kjo situatë konfliktuale në radhët e politikës mbarë shqiptare sot është rezultat -- jo i ndonjë kërcënimi nga jashtë nga vende e kombe që, historikisht, nuk ia duan të mirën Kombit shqiptar -- por është pasojë e një “rreziku të përbrendëshëm”.
Frank Shkreli: Paralajmërimi i At Gjergj Fishtës
Për këtë rrezik të përbrendëshëm, analistë dhe ente të
ndryshme ndërkombëtare gjatë dekadave kanë fajësuar – për mungesën e lirisë e
të demorkacisë -- polarizimin e vazhdueshëm politik, bojkotet parlamentare të
opozitës, të “majta” e të “djathta” për periudhën kohore përkatëse në opozitë,
qoftë nga njëra ose nga tjetra. Frika është se ky polarizim politik prej
dekadash tani por edhe mungesa e frymës së bashkëpunimit dhe kompromisit dhe
mosmarrveshjet në nivel kombëtar midis Tiranës dhe Prishtinës, po i çon shqiptarët
drejtë ndonjë katastrofe të mundëshme kombëtare me pasoja të pa parashikueshme
për interesat e Kombit.
Sot për sot, nuk duket që Kombi
shqiptar të ketë ndonjë kërcënim nga jashtë. Por përball këtij polarizimi
politik të pa përgjegjëshëm në radhët e klasës aktuale politike shqiptare --
ndërkohë që siç shkruante Fishta pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë -- se,
ndonëse “Ideali ynë përsa i
përket pamvarsisë dhe lirisë së Kombit shqyptar u realizue”, dhe ndërsa “Shteti
shqyptar leu”, ai shtron pyetjen: “Po mirë: por a jeton? A rritet Kombi
shqiptar”. Sot, në ditëlindjen e tij (23 Tetor 1871) Fishta bën të njëjtën
pyetje, ndërsa palajmëron klasën aktuale politike shqiptare në përgjithësi se
rreziku ndaj interesave të Kombit –mbrpjtjes së pavarësisë, lirisë dhe demokracisë -- nuk vjen,
domosdoshmërisht, nga armiqët e shqiptarëve, por nga një rrezik i përbrendshëm.
“…Qe, pra, se kush janë rreziku ma i madh i Shqypnisë: vagabondat, sallahanat,
rrugaçat. Por, megjithkëte, këta njerëz, këta mikrobe të kombit, jo veç se po
kanë sy e faqe me lypë, por edhe po munden sot me shpresue të hynë ndër zyra të
shtetit shqyptar e me marrë, madje, rrogat ar. Po a përnjimend se, për me
ushqye e me majtë këta njerëz të poshtër, tregtari ynë do të thithë miazmat e
dugajave e të sokaqeve, bulku ynë do ta mbajë kryet në gërshanë gjatë shtigjeve
të vështira? E po ku jemi na, o Zot? A përnjimend se edhe kuptimi i burrënisë
asht harrue në këte dhe, që njerëzve kaq të poshtër po u delka me u ushqye me
djersë – me gjak – të Kombit shqyptar…?
Natyrisht
se gjendja aktuale politike në radhët e shqiptarëve sot, me dy shtete të
pavarura në Ballkanin Perëndimor, është ndryshe nga gjendja politike e
shqiptarëve në fillim të shekullit XX -- menjëherë pas shpalljes së pavarësisë
së Shqipërisë – për të cilën ka shkruar At Gjergj Fishta. Ndërkohë që polarizimi politik dhe mungesa e frymës së bashkëpunimit dhe
kompromisit politik në interes të shqiptarëve, por edhe mosmarrveshjet e
turpshme në vazhdim, në nivel kombëtar, midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, rrezikon
t’i çojë shqiptarët drejtë ndonjë katastrofe të mundëshme kombëtare me pasoja
të pa parashikueshme. Por ideali kryesor kombëtar nuk ka ndryshuar megjith
dallimet politike sot: Shqiptarinë e kemi bashk, ka ngulur këmbë At Gjergj
Fishta.
“Vërtetë kemi Bajram e Pashkë, por
Shqiptarinë e kemi bashkë!”
Fishta nuk ishte naiv, i dinte mirë të
përbashktat por edhe dallimet: intrigat dhe ndryshimet politike, fetare,
krahinore e të tjera midis shqiptarëve të kohës së tij, por megjithkëtë besonte
me ngulm se, mbi të gjitha, dhe megjithë ndryshimet e kohës midis shqiptarëve, bijtë
e SHQIPËS besonin se, “Shqiptarinë e kemi bashkë”, dhe sipas tij, kjo e
përbashkët do të mjaftonte që Shqipëria dhe Kombi shqiptar të rilind, të bëhej
dhe të rritet.
Drejt këti qëllimi gjithëpërfshirës
kombëtar, At Gjergj Fishta -- në këtë përvjetor të lindjes i bën thirrje klasës
politike shqiptare, anë e mbanë trojeve iliro-arbërore, që në frymën e porosisë
së tij, se Shqiptarinë e kemi bashkë, atëherë kjo klasë politike, sa më parë
dhe urgjentisht të zgjohet nga gjumi, duke vepruar mbi interesat personale e
partiake, dhe të fillojë të bashkpunojë në realizimin e interesave kombëtare të
shqiptarëve, duke ofruar drejtime të reja strategjike për Kombin, nepërmjet një
bashkpunimi gjithëpërfshirës të partive politike, enteve publike dhe organizmave
të tjera shoqërore, përpara
se gjëndja aktuale e polarizimit politik në radhët e partive politike të
dëmtojë rëndë interesat e Kombit dhe të ngadalsojë ose të prishë përgjithmonë
mundësitë e procesit për integrimin e plotë politik, ekonomik dhe ushtarak të
Shqipërisë dhe Kosovës në radhët e botës perendimor aty ku e ka vendin.
“Nuk
ashtë mjaftë që të jetë ba Shqypnia; duhet ta mbajmë”, ka paralajmëruar At
Gjergj Fishta.
E
kujtojmë At Gjergj Fishtën në ditëlindjen e tij, siç është shprehur At Benedikt
Dema një bashkohas i Poetit Kombëtar, me: “Nderimin më të madh na ia kushtojmë
kujtimit të Tij, sepse Ai ndër vargje të veta epike, lirike, satirike,
dramatike, pohoi vëllazninë e të gjithë Shqiptarëve. Vuni theksin për nevojçn e
besës arbënore, mbi çdo ndasi e mbi çdo dallim. Shuguroi shejtninë e gjakut
tonë që ashtë i njinjishëm në çdo bir të shqipës.”
“Shkëmb
i tokës dhe shkëmb i shpirtit Shqiptar” – “Ky vigan i Kombit” Lasgush Poradeci
për At Gjergj Fishtën