Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Po legalizohet kisha ilegale ortodokse serbe në majë të Malit të Rumisë
E merkure, 12.11.2025, 07:00 PM
PO LEGALIZOHET KISHA ILEGALE ORTODOKSE SERBE NË MAJË TË MALIT TË RUMISË
Provokim
i hapët në dëm të marrëdhënieve politike, etnike dhe fetare
Nga
Frank Shkreli
Ministria e Planifikimit Hapësinor,
Urbanizmit dhe Pronësisë Shtetërore të Malit të Zi ka pranuar propozimin
e Mitropolisë së Malit të Zi dhe dhe bregdetit (MCP), që lokacioni në
majën e Rumisë, ku në mesin e vitit 2005 u vendos në mënyrë të paligjshme
një kishë, të përfshihet në Planin Hapësinor-Urbanistik të komunës së
Tivarit, si vend për objekte fetare, ka shkruar para disa ditësh e përditshmja
malazeze Vijesti, njofton
Ulqini Online – Lajme nga Ulqini, Ana e Malit, Kraja,
Tivari, Tuzi, Plava dhe Gucia – Ulqini Online,Te rejat nga Ulqini, Lajme nga
Ulqini, Tivari, Rozhaja.
Sipas këtij njoftimi të portalit Ulqinionline, botuar origjinalisht në gazeten malazeze Vijesti, ky akt është hapi i parë dhe kusht paraprak që e ashtuquajtura “Kisha e Trinisë së Shenjtë” në majë të Rumisë të legalizohet, del nga të dhënat në raportin e debatit publik mbi ndryshimet dhe plotësimet në “Planin Hapësinor-Urbanistik” të Tivarit. Publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë që drejtohet nga një Slaven Radunovi?, anëtar i partisë (Nova srpska demokratija – Demokracia e re serbe), me qëllim për të mundësuar legalizimin e asaj “kishe” duke përcaktuar lokacionin në Rumi, si një territor për të ndërtuar “objekte fetare”. Ky akt ilegal nuk ka asgjë të bëjë me “Trininë Shejte”, me lirinë fetare, as me “demokracinë”, sepse kjo “kishë” teneqe propozohet, për qëllime të caktuara djallëzore, nga qarqe anti-shqiptare të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, që ai “objekt fetar” të legalizohet për ndërtim -- në tokë të huaj -- në trojet iliro-arbërore ndër shekuj. Në mënyrë aspak demokratike, se në Krajë dhe në Rumi ka vetëm shqiptarë autoktonë me shekuj, të cilët nuk pyeten fare për këtë nismë ilegale në venddlindjen e tyre -- një lokacion ku nuk ka asnjë serb të fesë ortodokse – dhe një krahinë kjo ku nuk ka shkelur kurrë këmba serbo-sllave. Por që është një krahinë në rrethin e qyteteve ndër më të lashta, Ulqin-Tivarit me në histori të pasur iliro-arbërore, kishtare katolike dhe kulturoro-gjuhësore shqip, nga ku kanë dalur një numër figurash historike shqiptare si Gjon Buzuku e shumë të tjerë nga ajo zonë e Malësisë së mbi-Shkodrës. Një prej tyre, Gjon Buzuku, prift katolik, autor i “Mesharit”, që konsiderohet si vepra letrare më e vjetër shqipe, mendohet, sipas ekspertëve, të ketë origjinën, pikërisht, aty nga Kraja, aty ku sot Kisha ortodokse serbe ka në plan të legalizojë atë territor iliro-arbëror si pronë të saj, duke ndërtuar një “kishë”, për kë!?
Kisha “teneqe” ortodokse serbe në majë
të malit të Rumisë shqiptare, malit të cilit, më kujtohet se vendasit,
historikisht, por edhe sot, me krenari i këndojnë këngën, “Moj Rumia bjeshkë e
naltë…ti u bafsh oj ma e naltë…”. Si e
tillë, strategjikisht, ajo “kishë” mbikqyr Liqenin e Shkodrës dhe qytetin
Shkodër!
Nuk është për tu habitur pra se, heret
ose vonë, Kisha Ortoodkse serbe nuk do hiqte dorë nga ky projekt për ndërtimin
e një kishe në majë të Rumisë. Se kjo do të ndodhte duke marrë parasysh
përpjekjet e pa- ndërprera dhe afatgjata në vazhdim të Kishës Serbe në
bashkpunim me elementë të tjerë antishqiptarë, përfaqësues të interesave
serbo-ruse në Mal të Zi. Me objektivin
me qëllim për të përvetësuar, ilegalisht, okacione si maja e Rumisë, por edhe
vende e zona të tjera, sidomos, gërmadhat e kishave katolike të vjetra
iliro-arbërore të atyre anëve, përfshi ato të Shasit, në breg të liqenit, me të
njëjtin emër. Frank Shkreli/ Hienat
anti-shqiptare përsëri ua mësyjnë trojeve arbërore | Gazeta Telegraf -- Pjesë e këtyre
përpjekjeve sllave për të ndryshuar identitetin kombëtar të asaj krahine
shqiptare është pra edhe kjo e ditëve të sotëme – duke zgjedhur rrugën
“zyrtare” për të legalizuar “kishën” teneqe ortodokse serbe të vendosur vite më
parë me helikopter në majë të Malit të Rumisë nga Kisha Ortodokse serbe.
Për lexuesit që ndoshta nuk janë të
njohur me historinë e asaj zonë, Rumia/Kraja është një krahinë e lashtë
iliro-arbërore -- një vend ku nuk ka pasur kurrë më parë kishë ortodokse serbe
atje, por as popullsi sllave, siç tregojnë statistikat demografike edhe sot,
megjithse shumë shqiptarë të atyre zonave janë larguar nga vendi i të parëve të
tyre, kryesisht për në Amerikë, për një jetë më të mirë, si rrjedhim i
shtypjeve historike politiko-ekonomike nga sllavët ndaj shqiptarëve vendas,
gjatë shekujsh. Si e tillë, strategjikisht, ajo “kishë” serbe, mbikqyr Liqenin
e Shkodrës dhe qytetin Shkodër.
Ka vite tashti që me disa shkrime
modeste, nga koha në kohë, jam munduar të tërheq vëmendjen -- jo vetëm të
lexuesve, por edhe të autoriteteve shqiptare në Ulqin, në Shqipëri dhe në
Republikën e Kosovës, ndaj rrezikut që u kanoset trojeve shqiptare në Mal të Zi
nga përpjekjet e pamëshirshme serbo-malazeze, me mbështetjen historike ruse,
për të ndryshuar historiografinë e atyre trojeve me qëllim të zhdukjes së
identitetit etnik, kultoror dhe gjuhësor të shqiptarëve, si banorë shekullor të
trojeve iliro-arbërore të zonës Ulqin-Tivar. Ka kohë që kam paralajmëruar se marrëveshja
tre vjet më parë e ish-kryeminstrit të Malit të Zi, me origjinë shqiptare, Dritan
Abazoviç, me Patriarkun e Kishës Serbe, Porfirije, do ta bënte më të lehtë për
Kishën Ortodokse serbe të shpallte pretendimet e saj fals, tani në mënyrë
zyrtare, për të mbrojtur “drejtat” e saja fetare e kombëtare në krahinat
shekullore iliro-arbërore, në krahinat Tivar-Ulqin të banuara nga shqiptarët
ndër shekuj. Frank Shkreli: Marrëveshja Abazoviç-Porfirije
një krim ndaj identitetit kombëtar të shqiptarëve jo vetëm në Mal të Zi |
Gazeta Telegraf
Ja pra, Kisha serbe, sipas medias
malazeze, cituar nga portali shqip Ulqinionline, ka filluar “procesin ligjor”
për “legjitimitetin” e vendosjes së një “kishe” ortodokse serbe, në një
lokacion në majë të malit Rumisë, në Krajën e Gjon Buzukut, aty ku nuk ka asnjë
besimtar sllav ortodoks, me pretendimin se ajo kishë me rrethinë, historikisht,
është “pronë” e saj, sot e 6 shekuj më parë.
Kjo nismë “zyrtare” nga Kisha Ortodokse
Serbe, për të përcaktuar atë lokacion në majë të Rumisë si një vend për ndërtim
“objektesh fetare” siç raportohet nga burimet mediatike malazeze, është pranuar
për shqyrtim nga autoritetet. Kjo nismë e Kishës Ortodokse serbe, e pranuar nga
ministria përkatëse e qeverisë së Malit të Zi për tu shqyrtuar për miratim, nuk
është asgjë tjetër veçse si një provokim i hapët i radhës me mbështetje zyrtare
të qeverisë së Malit të Zi, por me ndikime shumë negative në marrëdhëniet
politike, etnike dhe fetare në Mal të Zi. Për shqiptarët kudo, ky rast nuk
duhet të jetë një çeshtje e izoluar që i përket vetëm shqiptarëve nën Malin e
Zi, por është një çështje që nevojitë vullnetin dhe aftësinë e gjithë
shqiptarëve kudo për ta kundërshtuar, duke e parë këtë rast si çeshtje në
mbrojtje të identitetit kombëtar e kulturor në trojet shqiptare, në terësi dhe
si një e drejtë kombëtare të pacenueshme - si një çështje e sigurimit të
identitetit kombëtar të shqiptarëve kudo qofshin ata.
Për fat të keq, historikisht, entet zyrtare vendore shqiptare në Mal të Zi, por edhe
Tirana e Prishtina zyrtare kanë heshtur përball kërcënimeve dhe ndërsa janë
dalluar për mos kujdesje ndaj mbrojtjes së objektivave historike të identitetit
kombëtar e kulturor të shqiptarëve, jo vetëm në Mal të Zi por edhe anë e mbanë
trojeve shqiptare. Kam drojë se ky mos-interesim ndaj trojeve shqiptare dhe
historisë kombëtare, vjen si pasojë e ideologjive të huaja të elitës shqiptare,
e influencuar nga politikat ateiste, sllavo-komuniste, bolshevike në radhët e kësaj
elite, sidomos, në Shqipëri por edhe në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve
shqiptare. Një politikë që tani po e shohim më qartë se kurrë në këto 35-vite
pas shëmbjes së Murit të Berlinit që nga moskujdesi zyrtar, po shkatërron
identitetin, traditën dhe kulturën kombëtare të shqiptarëve në mohim të historisë – por në favor të një
fryme të re globaliste, shkatërruese anti-kombëtare.
Kisha shkruar në kohën
kur përflitej për nismën famëkeqe të ashtuquajtur, “Ballkani i Hapur”, se edhe
nëqoftse se kjo ide hidhet poshtë, eventualisht, nga ana e vendeve perëndimore,
sllavo-serbët do të gjejnë mënyra të tjera për të realizuar planet e interesave
të tyre afatgjata politiko-ekonomike në Ballkan, si gjithmonë në kurriz të intersave
shqiptare. Priti se po hynë për penxhere,
me mënyra të tjera “legjitime” dhe “zyrtare”, siç ishte marrëveshja e
kryeministrit malazez me origjinë shqiptare, Dritan Abazoviç me Kishën
ortodokse serbe — aleatën më të ngushtë të Rusisë së Putinit në Ballkan, kisha
shkruar para disa vitesh, me atë rast. Për fat të keq, po e përsëris se brezi aktualë
i politikanëve shqiptarë janë të paaftë të bëjnë shtetin për të mbrojtur kombin
dhe as nuk po zhvillojnë shoqërinë civile as mekanizma të tjera që të mbrojnë
shtetin, historinë dhe identitetin kombëtar nga pretendimet armiqësore dhe nga
përvetësimi ilegjitim i tokës, identitetit dhe historisë kombëtare të
shqiptarëve, nga fqinjët dashakeqës historikë. Në fund të fundit, siç thotë
populli, livadhi është i deleve që e kullosin. Si gjithmonë në të kaluarën,
serbo-sllavët edhe sot duan të kullosin në livadhet e shqiptarëve, me heshtjen
ndaj grabitjeve ilegjitime të trojeve shqiptare ose edhe me pëlqimin e vet
shqiptarëve. Zoti ndihmë, si përhera!









