E marte, 04.11.2025, 09:50 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u kthye në Krujë

E marte, 04.11.2025, 07:01 PM


KUR GJERGJ KASTRIOTI-SKENDËRBEU U KTHYE NË KRUJË

3 NËNTORI 1443

Nga Frank Shkreli

Historia shënon se në këtë datë të rëndësishme në historinë e fisit shqiptar, Heroi i Përgjithmonshëm i Kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skenderbe, në atë datë, shekuj më parë, u kthye në Atdhe për të filluar kryengritjen e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Me një grup prej 300-kalorsish besnikë shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane, Gjergj Kastrioti-Skenderbe braktisi ushtrinë turke dhe u nis drejt Krujës. Pas largimit nga beteja e Nishit, si udhëheqës ushtarak i ushtrisë osmane në vitin 1443, ai i drejtohet vendlindjes së tij Shqipërisë, duke arrijtur në Krujë, ku me 28 nëntor po të njëjtit vit, Gjergj Kastrioti ngriti flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenare, duke shpallur, njëkohësisht, çlirimin e trojeve arbërore nga pushtuesit turq dhe themelimin e shtetit të parë shqiptar pas disa shekujsh. Me marrjen nën kontroll të kështjellës së Krujës, si një prijës i vërtetë i Kombit të vet, Skënderbeu shpall pavarësinë nga Perandoria Osmane, duke u bërë kështu udhëheqsi i parë për një çerek shekulli i shqiptarëve, por jo vetëm, në luftën e tyre për liri nga pushtuesit osmanë. Pa dyshim një datë e tillë historike do ishte me rendësi për çdo komb tjetër në botë, si një ditë që shënon, sado simbolikisht dhe përkohsisht, lirinë dhe pavarsinë e vet, nga Perandoria më e fuqishme kohës.

Po a shënojnë sot, zyrtarisht, Shqipëria dhe Kosova si dy shtete shqiptare të lira e të pavarura të kohës moderne, përvjetorin e nëntorit historik të vitit 1443 -- si një ditë simbolike të çlirimit të trojeve shqiptare nga Skendërbeu – dhe si një kujtim por edhe reflektim i thellë – ndaj meritave të Prijsit të Kombit, i “cili gjithëherë, mbi çdo interes, ka venë vlerat kombëtare të trashëguara të besës, të nderit, e të burrënisë”, siç e ka cilësuar Papa Pali i VI me rastin e 500-vjetorit të Heroit të Shqiptarëve, duke u shprehur se, “Fatosi Gjergj Katrioti- Skënderbeu ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive dhe se këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në rojë e trashëgim të shënjtë në Atdhe dhe në mërgim'', është shprehur Papa Pali i VI, në fjalimin e tij para shqiptarëve mërgimtarë në Romë dhe Vatikan, me rastin e 500-vjetorit të Skenderbeut.

Po çfarë ndodh sot me trashëgiminë dhe vlerat e Gjergj Kastriotit-Slenderbe: të besës, të nderit, e të burrënisë ndër rradhët e shqiptarëve në Atdhe dhe në mërgim?  Sot, në këtë përvjetor të hyrjes së Gjergj Kastriotit në Krujë, i bie kujt në mend – sidomos klasës politike, këtyre “prisjave” aktualë të kombit sot, për trashëgiminë dhe vlerat e Heroit të madh Kombëtar. Nuk ma merr mendja!

Nëqoftse historia e këtyre 35-viteve të fundit na mëson ndonjë gjë sa i përket kujtimit, respektimit dhe nderimit të trashëgimisë dhe vlerave të Heroit Kombëtar, anë e mbanë trojeve shqiptare, atëherë, mbetet shumë për tu dëshiruar.

Për fat të keq, vihet re gjatë viteve se në vend që – me zemër dhe me shpirt të pathyeshëm shqiptari –me respekt dhe mirënjohje të kujtohet dhe të nderohet përgjithmonë Heroi i Kombit Gjergj Kastrioti -Skenderbe, pushtetarët e sotëm sidomos në Tiranë, prania e përmendores së Gjergj Kastriotit në kryeqytein shqiptar është më shsumë një prani e bezdishme më shumë se një simbol krenarie. Shpeshherë gjatë viteve ata kanë mbuluar statujën e Skenderbeu në Sheshin mu në qëndër të Tiranës gjatë vizitave të presidentit turk, Erdogan në Tiranë, ndërkohë që Presidenca në raste të tilla ka hequr bustin e Skenderbeut nga salla e takimit në takimet me presidentin Erdogan në Tiranë.

Merreni me mend nëse Londra zyrtare do i kishte kërkuar presidentëve amerikanë që në vizitat e udhëheqsve britanikë në Shtëpinë e Bardhë të heqnin fotografitë e Xhorxh Washingtonit ose të tjerëve për të mundësuar vizita të tilla zyrtare, me qëllim që të mos zemëronin anglezët. Absolutisht e paimagjinueshme! Por për botën e çudirave të politikkës aktuale shqiptare, çdo gjë është e mundur dhe e lejueshme në emër të interesave personale, qofshin ato edhe në dëmin historik ndaj vlerave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Uroj në këtë përvjetor (3 nëntor, 1443) të hyrjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe në Krujë, që ky brez i shqiptarëve, mbrojtës dhe përgjegjës sot i interesave dhe identitetit historik kombëtar të shqiptarëve -- të mos jenë një brezni e nemur, e papërcaktuar dhe e papërgjegjshme ndaj identitetit kombëtar dhe qëllimeve dhe interesave madhore të Kombit shqiptar. Por të jetë një brezni burim shpresash për liri dhe bashkim kombëtar, në mbrojtje të vlerave bazuar në trashëgiminë morale, shpirtërore dhe kombëtare të Gjergj Kastriotit - Skendërbe.  Gjithmonë sipas Skënderbeut, me porosinë e tij: “Ngrehni Flamurin përpara dhe tregohuni burra si gjithënjë.  Perëndia, si gjithnjë edhe pasketaj do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë.''  Ishte dhe është edhe sot ky besimi dhe amaneti i të Madhit dhe të Përgjithmonshmit të Kombit shqiptar. Por, për fat të keq, deri më sot është vështirë të thuhet se shqiptarët janë treguar “burra”, siç i donte Skenderbeu. Sigurisht që jo duke mbuluar fytyrën e të Madhit Gjergj Kastriotit -Skenderbe, mu në mes të Tiranës, vetëm e vetëm, se dikush i huaj e kërkon një gjë të tillë.

I përgjithmonshmi i Kombit – Gjergj Kastrioti-Skenderbeu -- me 28 nëntor, 1443 ngriti flamurin kuq e zi me shqiponjën dy-krenare - Flamurin e Lirisë, Krenarisë Kombëtare dhe Bashkimit të të gjithë shqiptarëve pa dallim.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Fjala përshëndetëse në përvjetorin e degës së “Vatrës” dhe shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, New York Frank Shkreli: At Gjergj Fishta - Apostulli i madh i vëllazërimit kombëtar Frank Shkreli: Asnjë provë bashkëpunimi në dosjen e Martin Camajt Frank Shkreli: Shkrimi i parë që nisi karrierën time modeste gazetareske Frank Shkreli: Nënë Tereza ''Bijë e Amerikës'' Frank Shkreli: Malësori fisnik, prijësi legjendar kombëtar Dedë Gjo Luli Frank Shkreli: Po mbyllet revista 'Kuq e Zi' Frank Shkreli: Kongresi Amerikan me rezolutë: Socializmi, një ideologji e dështuar! Frank Shkreli: Në Ditët e Shën Nënë Terezës 2025, kombi shqiptar kujton bijën e vet me famë botërore Frank Shkreli: 115-vjetori i ditëlindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetori i bekimit të gurthemelit të katedrales së saj në Prishtinë Frank Shkreli: Kurti dhe komandanti i KFOR-it Barduani në festën e Zojës së Madhe në Letnicë Frank Shkreli: Kosova duhet të bëjë më shumë për të informuar veten dhe botën për të vërtetën e historisë së saj të lashtë Frank Shkreli: Një teatër absurditeti ka ndodhur në Shkodër Frank Shkreli: Në kujtim të Kol Kuqalit dhe Loni Adamit Frank Shkreli: Profili i një Shqiptaro-Amerikani - Anthony Stevens Frank Shkreli: Pushteti absolut - korrupton absolutisht! Frank Shkreli: Martin Camaj dhe 'Shejzat' Frank Shkreli: Gëzuar 4 Korrikun, Amerikë! Frank Shkreli: Në Nju Jork do të nderohet Heroi i Kombit Isa Boletini Frank Shkreli: 12 qershor, 1987 – Thirrja në Berlin e Presidentit Reagan

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx