| E marte, 04.11.2025, 07:01 PM |
KUR GJERGJ KASTRIOTI-SKENDËRBEU U KTHYE NË KRUJË
3 NËNTORI 1443
Nga
Frank Shkreli
Historia
shënon se në këtë datë të rëndësishme në historinë e fisit shqiptar, Heroi i
Përgjithmonshëm i Kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti-Skenderbe, në atë datë,
shekuj më parë, u kthye në Atdhe për të filluar kryengritjen e shqiptarëve
kundër pushtuesve osmanë. Me një grup prej 300-kalorsish besnikë shqiptarë që shërbenin
në ushtrinë osmane, Gjergj Kastrioti-Skenderbe braktisi ushtrinë turke dhe u
nis drejt Krujës. Pas largimit nga beteja e Nishit, si udhëheqës ushtarak i
ushtrisë osmane në vitin 1443, ai i drejtohet vendlindjes së tij Shqipërisë,
duke arrijtur në Krujë, ku me 28 nëntor po të njëjtit vit, Gjergj Kastrioti
ngriti flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenare, duke shpallur, njëkohësisht,
çlirimin e trojeve arbërore nga pushtuesit turq dhe themelimin e shtetit të
parë shqiptar pas disa shekujsh. Me marrjen nën kontroll të kështjellës së
Krujës, si një prijës i vërtetë i Kombit të vet, Skënderbeu shpall pavarësinë
nga Perandoria Osmane, duke u bërë kështu udhëheqsi i parë për një çerek
shekulli i shqiptarëve, por jo vetëm, në luftën e tyre për liri nga pushtuesit
osmanë. Pa dyshim një datë e tillë historike do ishte me rendësi për çdo komb
tjetër në botë, si një ditë që shënon, sado simbolikisht dhe përkohsisht,
lirinë dhe pavarsinë e vet, nga Perandoria më e fuqishme kohës.
Po
a shënojnë sot, zyrtarisht, Shqipëria dhe Kosova si dy shtete shqiptare të lira
e të pavarura të kohës moderne, përvjetorin e nëntorit historik të vitit 1443
-- si një ditë simbolike të çlirimit të trojeve shqiptare nga Skendërbeu – dhe
si një kujtim por edhe reflektim i thellë – ndaj meritave të Prijsit të Kombit,
i “cili gjithëherë, mbi çdo interes, ka venë vlerat kombëtare të trashëguara të
besës, të nderit, e të burrënisë”, siç e ka cilësuar Papa Pali i VI me rastin e
500-vjetorit të Heroit të Shqiptarëve, duke u shprehur se, “Fatosi Gjergj
Katrioti- Skënderbeu ka qenë personifikimi i gjallë i këtyre cilësive dhe se
këto virtyte Gjergj Kastrioti ua ka lënë në rojë e trashëgim të shënjtë në
Atdhe dhe në mërgim'', është shprehur Papa Pali i VI, në fjalimin e tij para
shqiptarëve mërgimtarë në Romë dhe Vatikan, me rastin e 500-vjetorit të
Skenderbeut.
Po
çfarë ndodh sot me trashëgiminë dhe vlerat e Gjergj Kastriotit-Slenderbe: të
besës, të nderit, e të burrënisë ndër rradhët e shqiptarëve në Atdhe dhe në
mërgim? Sot, në këtë përvjetor të hyrjes
së Gjergj Kastriotit në Krujë, i bie kujt në mend – sidomos klasës politike,
këtyre “prisjave” aktualë të kombit sot, për trashëgiminë dhe vlerat e Heroit
të madh Kombëtar. Nuk ma merr mendja!
Nëqoftse
historia e këtyre 35-viteve të fundit na mëson ndonjë gjë sa i përket kujtimit,
respektimit dhe nderimit të trashëgimisë dhe vlerave të Heroit Kombëtar, anë e
mbanë trojeve shqiptare, atëherë, mbetet shumë për tu dëshiruar.
Për
fat të keq, vihet re gjatë viteve se në vend që – me zemër dhe me shpirt të
pathyeshëm shqiptari –me respekt dhe mirënjohje të kujtohet dhe të nderohet
përgjithmonë Heroi i Kombit Gjergj Kastrioti -Skenderbe, pushtetarët e sotëm
sidomos në Tiranë, prania e përmendores së Gjergj Kastriotit në kryeqytein
shqiptar është më shsumë një prani e bezdishme më shumë se një simbol krenarie.
Shpeshherë gjatë viteve ata kanë mbuluar statujën e Skenderbeu në Sheshin mu në
qëndër të Tiranës gjatë vizitave të presidentit turk, Erdogan në Tiranë,
ndërkohë që Presidenca në raste të tilla ka hequr bustin e Skenderbeut nga
salla e takimit në takimet me presidentin Erdogan në Tiranë.
Merreni
me mend nëse Londra zyrtare do i kishte kërkuar presidentëve amerikanë që në
vizitat e udhëheqsve britanikë në Shtëpinë e Bardhë të heqnin fotografitë e
Xhorxh Washingtonit ose të tjerëve për të mundësuar vizita të tilla zyrtare, me
qëllim që të mos zemëronin anglezët. Absolutisht e paimagjinueshme! Por për
botën e çudirave të politikkës aktuale shqiptare, çdo gjë është e mundur dhe e
lejueshme në emër të interesave personale, qofshin ato edhe në dëmin historik
ndaj vlerave dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve.
Uroj
në këtë përvjetor (3 nëntor, 1443) të hyrjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbe në
Krujë, që ky brez i shqiptarëve, mbrojtës dhe përgjegjës sot i interesave dhe
identitetit historik kombëtar të shqiptarëve -- të mos jenë një brezni e nemur,
e papërcaktuar dhe e papërgjegjshme ndaj identitetit kombëtar dhe qëllimeve dhe
interesave madhore të Kombit shqiptar. Por të jetë një brezni burim shpresash
për liri dhe bashkim kombëtar, në mbrojtje të vlerave bazuar në trashëgiminë
morale, shpirtërore dhe kombëtare të Gjergj Kastriotit - Skendërbe. Gjithmonë sipas Skënderbeut, me porosinë e
tij: “Ngrehni Flamurin përpara dhe tregohuni burra si gjithënjë. Perëndia, si gjithnjë edhe pasketaj do të na
ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë.''
Ishte dhe është edhe sot ky besimi dhe amaneti i të Madhit dhe të
Përgjithmonshmit të Kombit shqiptar. Por, për fat të keq, deri më sot është
vështirë të thuhet se shqiptarët janë treguar “burra”, siç i donte Skenderbeu.
Sigurisht që jo duke mbuluar fytyrën e të Madhit Gjergj Kastriotit -Skenderbe,
mu në mes të Tiranës, vetëm e vetëm, se dikush i huaj e kërkon një gjë të
tillë.
I
përgjithmonshmi i Kombit – Gjergj Kastrioti-Skenderbeu -- me 28 nëntor, 1443
ngriti flamurin kuq e zi me shqiponjën dy-krenare - Flamurin e Lirisë,
Krenarisë Kombëtare dhe Bashkimit të të gjithë shqiptarëve pa dallim.