E merkure, 08.10.2025, 11:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Albert Habazaj: Portrete që frymëzojnë poetin Ilia Bombaj – mësues dhe misionar i paqes

E merkure, 08.10.2025, 06:49 PM


Çelet në Vlorë muaji i Letërsisë dhe Artit

PROGRAMI I VEPRIMTARISË

PËRURIM I VËLLIMIT POETIK “PORTRETE QË NA FRYMËZOJNË”

I AUTORIT ILIA BOMBAJ

Data: 04.10.2025, ditë e shtunë, ora 11:00

Vendi: Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” Vlorë

Moderator: Albert HABAZAJ

Diskutime:

1.       Albert Habazaj, poet, bibliograf

2.       Enrieta Sina, poete, gazetare

3.       Hiqmet Mehmetaj, poet lirik

4.       Eqerem Canaj, poet, kritik letrar

5.       Lejla Qejvani, poete, veprimtare shoqërore

-         Përshëndetje të lira

1.       Vullnet Sina, Deputeti i Vlorës

2.       Angjelina Beko Tahiraj, mësuese në pension

3.       Ing. Sejmen Gjokoli, këshilltar i kulturës në bashkinë Selenicë

4.       Fatbardha Xhindi Amzaj, poete

5.       Baxhul Merkaj, kritik arti

6.       Sotir Zahoaliaj, veprimtar shoqëror

7.       Ilia Mustaqi, komentator i RTSH

8.       At Spiro Bulika, klerik në Selenicë

Falënderim i autorit

PORTRETE QË FRYMËZOJNË POETIN ILIA BOMBAJ - MËSUES DHE MISIONAR I PAQES

Nga MSc. Albert HABAZAJ - Poet, studiues, kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë

Të dashur penëtarë të fjalës së bukurshkruar, miq e dashamirës tanë!

Sikurse dhe më parë, strehëza jonë bujare, Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” e qytetit të Vlorës na pret me bujari falë drejtoreshës dr. Iltana Koleka dhe stafit të saj shembullor në shërbim të komunitetit.

Sot, më 4 tetor çelim simbolikisht muajin e letërsisë dhe artit për vitin 2025, sepse ne i kemi shtrirë gjatë gjithë vitit veprimtaritë tona të larmishme letraro -artistike.

Mozaikut tonë kulturor po i shtohet dhe një ngjyrë tjetër e ngrohtë, sa poetike, aq humane e dashur.

Veprimtaria e sotme është e veçantë në bukurinë e saj fisnike, sepse kopshtit tonë poetik i shtohet dhe një lule e freskët, e shëndetshme dhe me aromë të këndshme letrare me përurimin dhe njohjen e vëllimit poetik “Portrete që na frymëzojnë” e autorit Ilia Bombaj. Është një përmbledhje me 67 lirika atdhetare e shoqërore, e mbushur me motive me diell shpirti të portreteve që e frymëzojnë autorin, dhe jo vetëm Lilin tonë, të cilit sot i jemi përkushtuar, prandaj le ta quajmë 4 tetorin ditën e poetit mësues Ilia Bombaj.

Përveçse kam besim tek dëshira për të shkruar, talenti e dhuntia e autorit, ndihem i qetë, sepse libri ka kaluar në sitën e imët redaktoriale të poetes, shkrimtares, gazetares dhe botueses së mirënjohur Enrieta Sina, pranvera e çdostinëshme në formë njeriu.

Më lejoni të kthehem pakëz mbrapa nja 7-8 muaj, më saktë më 7 mars 2025, në ditën e shenjtëruar të mësuesit. Në Selenicë, në prani të shumë  banorëve, nxënësve, mësuesve, personaliteteve nga fusha e arsimit, letërsisë, artit, kulturës, diplomacisë dhe politikës u vlerësua dhe u nderua për gjurmët me dritë në udhëtimin qytetar mësuesi dhe veprimtari shoqëror Ilia Bombaj, i njohur për ndihmesën e tij në mësimdhënie, në shqetësimet dhe zhvillimet e jetës qytetare jo vetëm në Selenicë, Vlorë, Lubonjë, Armen, Lumi i Vlorës, Panaja e rrethina por edhe tej hapësirave të qarkut tonë. Qysh nga ajo ditë e bekuar e 7 Marsit 2025 e në vijim mësuesi Ilia Bombaj është Misionar i Paqes Botërore, Ambasador Nderi, zotërues i Çmimit të Madh “Nënë Tereza” dhe anëtar i misionit të Paqes të DMPP (Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet).

Sot, ky misionar i Paqes Botërore nderohet me këtë veprimtari përuruese të krijimtarisë së tij poetike në institucionin e duhur ku ka vlerë libri e ku peshon fjala. Ilia është i njohur si artist i palodhur, si prozator e romancier këmbëngulës, si autor monografish (bëhen rreth 15 botime të autorit deri sot, sepse ai është turbinë shkrimore.

Çfarë vërej tek ky poet?

Së pari, Ilia Bombaj është poet identitar. Ai nëpërmjet këtij libri, si të thuash, bën autobiografinë e vetë në vargje. Ai tregon thjesht e me dinjitet kush është, nga është, kush janë njerëzit e tij, kush janë miqtë e tij, kush janë të parët e tij, cila është historia e tij, cili është synimi i tij fisnik dhe mesazhi i tij i lartë. Ai është një vllah i mirë, njësoj si ne, një ndër ne, me të mirat, hallet e shqetësimet e shumta përbashkuese e të pakta përveçuese.

Rikthehemi tek “Portretet ...”  e Lilit.

Vjershat e Ilia Bombajt janë me tematikë të ngushtë përkushtuese, shkruar me patos e dashuri, me ndjenjë të lartë vëllazërore e synim për t’u përmirësuar duke përparuar. Ai shkruan për ata që ka njohur, për ata që njeh e i lënë mbresa të mira.

Poezia e tij është patetike dhe klasifikohet në poezinë e angazhuar shoqërore, shkruar me një gjuhë të pastër e të zhdërvjellët, ku spikat stili i ligjërimit të bukur, thurur me aq dashamirësi nga autori

Në një trajtë tjetër Ilia Bombaj më jep imazhin e Selenicës që asfaltoi botën, edhe udhët e Parisit. Edhe Ilia me zemrën e tij, me shpirtin e tij shkroi për mirësinë, për njerëzit e virtytshëm, për historinë e lavdishme, duke nisur patjetër me bijtë e Selenicës, që mërguan si lule nëpër botë dhe patjetër duke e mbyllur me plakat e lagjes së tij: Margën, Guçën, Dhoksinë, Nastën, ca Spira, ca Todi, ca Pandi, ca Gaqi, “emra që thirren me mall nëpër  lagje/ si monumente që s’flenë kurrë në harresë”. Vargje të tilla i japin hijeshi poetikës së autorit sepse janë të shëndetshme figurat stilistike, në këtë rast krahasimi dhe similituda, (krahasim i zgjatur) i cili e bën akoma më të plotë përfytyrimin dhe fuqinë emocionale. Ai shkruan për legjendën e kulturës, aktorin, që u bë histori, për Lasgushin e At Spiro Bulikën, që është dritë e besimit në Selenicë në kishën  ngritur me mure në qiell, shkruan për lavdinë e Luftës së Vlorës, 1920 me Osmën Haxhiun, Selam Musain e Ahmet Lepenicën, për karvanët e Vllehëve pjesëmarrës në këtë luftë me shpirtin e lirë, se kishin në ballë bij të Selenicës si Tol Kita Petraj e Taqi Foton, shkruan për Borovën që s’harrohet, shkruan vargje për artistë, poetë, inxhinierë, mësues, klerikë, misionarë e atdhetarë, sepse që përtej shquan poezia e tij me ngjyra të ndezura atdhetare.

Ndërkohë, të gjithë e njohim historinë e kapedan Gjolekës dhe këngën e tij të famshme: “U trete, Gjolek’, u trete/ po sos u trete për vete/ po për gjithë vilajete...”. Edhe Ilia më duket si një Gjolekë në kohë të re, por i zbritur nga monumenti me jatagan e ulur në tokë me ne, si ne, me penë, me zë e shpirt.

Lajtmotivi poetik dhe jetësor i autorit Ilia Bombaj është : “Dashuri dhe nderi janë një”, sepse dashuria është ndjenja më e bukur njerëzore dhe familja është çerdhja e bekuar e dritësisë diellore në tokë të jetës sonë gëzimtare, familja është bërthama e lumturisë.

Miq të dashur! Letërsia vllahe pasurohet me një visar poetik e kulturor, krahas të talentuarës Sofia Doko Arapaj, po aq dhe letërsia e autorëve vlonjate bëhet më e dinjitetshme dhe me frymëmarrje të gjerë, të natyrshme, zbukuruar me filigran shpirti.

Lili është dhe vetë një portret që frymëzon të tjerët me humanizmin dhe bamirësinë e tij, me dashurinë dhe shembullin e devotshëm për të bërë gjëra të mira, shpesh herë edhe duke dalur nga rreshti (patjetër vetëm për mirë)

Kjo veprimtari është një lule letrare dhe kulturore për muajin e Letërsisë dhe Artit në Vlorë.

Faleminderit, Lili, që na e bëre këtë ditë kaq të bukur!

Kujtesë:

MËSUESI ILIA BOMBAJ VLERËSIM NGA DMPP

07/03/2025 … në gjurmë të aktivistit shoqëror Ilia Bombaj, DMPP-Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet i përfaqësuar nga Guvernatori Ambassador-Shefki Hysa, Amb. Dr. Kristo Goci, Misioneri i Paqes Naim Nimani, Drejtoreshës Bela Dika, Juriste e DMPP Gabriela Shehati, Misionari i Paqes Regjizor Kristaq Janushi, Misionare Dr. Keti Sula, nderoi në atdheun e tij në mes të komunitetit të tij, në prani të Kryetarit Bashkiak Nertil Bellaj, Deputetit Anduel Tahiraj, Hirësi Spiro Bulika, Poet Albert Habazaj, Poet Hiqmet Mehmetaj, Komentator RTSH Ilia Mustaqi, Gazetar-Analist Harilla Koçi , Drejtoresha e shkollës "Todi Koçeli" Donika Qirjo, etj. Që sot e në vazhdim, mësuesi Ilia Bombaj është

Misionar i Paqes Botërore, Ambasador Nderi, zotërues i Çmimit të Madh “Nënë Tereza” dhe anëtar i misionit të Paqes të DMPP.

Përgatiti: Albert HABAZAJ

Vlorë, e shtunë, 4 Tetor 2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx