E merkure, 08.10.2025, 11:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Eduard Skufi: Zhbirimi filozofik i “Njeriut pa emër”

E hene, 06.10.2025, 06:57 PM


ZHBIRIMI  FILOZOFIK  I  “NJERIUT  PA  EMËR”

Përjetim

NGA DR.  EDUARD  A.  SKUFI, ATHINË

Shesh herë kemi ndijesinë se bota është ajo që ne njohim, se njerëzit dhe ngjarjet nuk mund të na surprizojnë më, me asgjë të re. Por jeta të hap dritare të reja dhe ti ndeshesh me një realitet tjetër  aq pranë teje, por të pa njohur, që të mëson se, virtyti  i vërtetë qëndron në “lirinë” brënda vetes, në aktet e vogla, vetmohuese, pa  emër, të mirësisë dhe  dashurisë  për  njeriun...

Në rrugëtimin  tim si mjek, ai  ishte  pacient i vecantë, enigmatik, ishte “njeri  pa  emër”, i lënë në errësirë. Por anonimati i tij fshihte një  surprizë mbresëlënëse, emocionuese, e cila mbeti e pashlyer në  kujtesën  time...Ishte  një  mbrëmje  dimri e vitit 1985, ku e zakonshmja     ofroi  një  sfidë    pazakontë. Tingulli i ziles së portës së shtëpisë, më zbriti tek dera e jashtme. Kur e hapa  atë, pashë hetuesin e degës Besnikun, i cili ishte dhe pacienti im. E përshëndeta me  një  buzëqeshje  mekanike, pasi takimet me të, në atë orë nuk ishin aq  të dëshiruara. Pas tij qëndronte në terr, “Gazi” i degës. Ai duke buzëqeshur më tha: “Doktor, ashtu si ju dhe ne nuk kemi orar. Kemi një të burgosur me probleme urgjente të syve, pra kërkojmë ndihmën tuaj për ta vizituar”. Unë i çliruar nga ankthi, u vesha shpejt dhe  pasi  morëm  aparatet  e duhura  në spital, shkuam    DPB. Jashtë saj një qetësi e rreme, e  vetmja zhurmë ishte fëshfërima e erës. Më ngjante me zhurmën në paraskenë, kur sipari  i fshihte  aktet  skenike. Besniku u drejtua tek një derë e  vogël  në të  djathtë, një  polic i hapi  derën e  parë, mandej një toger, shtatlartë, nga brënda me një mori çelsash në dorë, hapi derën e dytë të hekurtë dhe na shoqëroi  bashkë me oficerin, në një dhomë të vogël. Ai vend kishte një hije të rëndë, hije misteri, që të ngrinte  buzëqeshjen. Ndërkaq një qen i madh, krejtë i zi me maskë, na u bashkua rrëmbimthi me nuhatjen e tij. Mbi murin përballë në dhomë, si zakonisht ishte fotua e komandantit. E vetmja orendi ishte një tavolinë druri, mbi të cilën ishte vendosur një makinë  e çngjyrosur  shkrimi, telefoni dhe  një  karrige përballë. Besniku pa u ulur, ju drejtua oficerit, urdhëroje Ademin të na sjelli numrin 33. Oficeri bëri një hap drejt derës, e shtyti atë fort, me çizmen që shkëlqente dhe thirri: “Adem, na sill numrin 33, atë  filozofin”. Si urdhëron, gjynah të shkretit, do ti prish orën e leximit, u dëgjua nga korridori  i ngushtë, përgjigja e tij ironike. Mbas tingëllimit të çelësave dhe zhurmës rënkuese të derës së qelisë, u dëgjuan  hapat  e ngadalta  të  njeriut  në  nevojë. Me pranga në duar dhe një libër në sqetull, u shfaq para meje njeriu  me numrin 33, njeriu pa emër. Ademi  pasi i hoqi prangat, me një ton të ashpër në një dialekt të  përzier geg e lab, i tha: “Ore, ulu çfarë pret akoma“...I burgosuri  mbasi e pa me mllef, mu drejtua me finesë: “Zoti doktor, të faleminderit që erdhët”...Oficeri në krah, nuk e la ta përfundonte  frazën, “Zotërit vdiqën bashkë me kohën  tuaj”...

Besniku, hetuesi për ta zbutur bisedën, ju afrua oficerit  dhe  mbasi  i pëshpëriti  diçka në  vesh, ky i fundit sakaq u largua. Unë i shtangur, së fundi munda të përqëndrohem tek “personi”. Ai ishte një burrë i moshuar, elegant, i zhytur    një  pallto treçerekshe, të zezë “Gub”, me pamje  fisnike, me  një ballë të lartë dhe pak flokë në ngjyrë gri. Kishte një fytyrë të hijshme, ku rrudhat dhe tkurja e moshës nuk ja zbehnin. Atje zhbironin nën xhamet e syzeve të miopisë, dy sy të gjallë kafe, në një shikim depërtues, që i çelte mjaft buzëqeshja e mirësjelljes. Shprehjen e fytyrës e bënin mëtërheqëse mustaqja fine dhe mollëzat e kuqe, që vazhdonin me buzët në ngjyrë  vishnje, mbase  si  tregues  i një  sëmundjeje  kardiovaskulare. Portretin e tij e perceptova si ndërthurjen e atij    të F.Niçes, me Ivan Karamazovin, si  në  paraqitje  dhe  në  brendi, figurë që A. Camusin e  vuri në dilemë, duke i dedikuar  këtij të fundit,“mithin e Sizifit”, në përpjekjen e përjetshme për të arritur qëllimin... Mbikëqyrjen mbi të e ndërpreu një zhurmë goditëse në derën e  një qelie, shoqëruar me britmën për të dalë jashtë dhe zëri me ton të lartë i oficerit në korridor, që urdhëronte Ademin “ta qetësonte të burgosurin  me mënyrën e vet”. Në atë çast, një  mi goxha i madh u  fut  dhomë, por  oficeri  befas  i  preu   rrugën,

duke e  goditur me çizmen e tij.“Mos, reagoi i dëshpëruar pacienti. Miu është miku im, sëbashku me librin“, duke treguar librin që mbante në dorë,” me ata të dy bashkëjetojë në qeli”. Me librin ndajë dritën, ndërsa me miun thërrimet e bukës. Mandej duke tundur kokën vazhdoi,...“të krahasosh mizorinë e njeriut me atë të kafshëve, ofendon këta të fundit“, referuar F.Dostojevskit. Besniku buzëqeshi  mekanikisht dhe e sugjeroi “filozofin”, të futet në temën e  shëndetit. Dhe pacienti mbas një psherëtime shpërtheu në  ligjëratën e tij: ”U linda dhe u rrita në një familje kristiane të kamur, hija e së cilës akoma dhe sot, më ndjek si demon, që ha ëngjëjtë e pafajshëm. Kjo më dha mundësinë e edukimit dhe shkollimit cilësor, fillimisht për filozofi në Romë dhe në vazhdim  për doktoratën në shkencat filozofike, në Vjenë.Trashëgova nga im atë, miopinë e lartë me degjeneracione të shprehura, që nuk e mundën pasionin tim për kulturë. Në Romë isha nën kontrollin e Dott. G.Cirincione, i cili më rekomandoi lexim të kontrolluar dhe si suplement, një sol.Olio di pesce (vaj peshku) dhe vitamina, ndërsa në Vjenë isha nën kujdesin e Prof.M.Salzmann, i cili më kuronte me Cellulin retinale, për të frenuar karakterin progresiv të miopisë. Mirëpo unë nuk e kufizova leximin dhe  studimin, kështu që gjëndja e syve gradualisht u agravua. Kur u ktheva nga studimet, nuk më lanë kohë për tu kujdesur për sytë, pasi dimri i madh më hapi derën e burgut, ku ndodhem deri sot, i konvertuar në alegorinë e “numrit 33”, po aq vite sa jam në këtë strehim, duke mbartur njëkohësisht dhe simbolikën e viteve të J.Krishtit. Kështu e vërteta  mbeti e burgosur  bashkë me mua, ndërsa unë veçse anonim”...“Lëri detajet futu në temë”, ndërhyri Besniku. Mandej         zotnia  kapi  librin  e  vjetëruar, me duartë e dridhura  dhe nxorri  prej tij një zarf të zverdhur.“Ky është për mua...,tha i emocionuar, më tepër se një libër i shenjtë, libri me “Aforizmat filozofike”, ndërsa këto në zarf, janë recetat dhe  opinionet  e  mjekëve  okulistë që    kanë  vizituar. Mbas disa vitesh, shikimi në syrin e majtë u pakësua mjaft dhe njerëzit i dalloja si silueta. Kohët e fundit filloi  dhe në syrin e djathtë, ulja e shikimit me deformim të gërmave dhe të vijave të drejta, duke humbur dhe vazhdimin e rreshtave të librit. Ditët e fundit pata dhimbje shtrënguese në kokë, gjë që u shoqërua me hemorragji në pjesën e bardhë të syrit. Ishte kjo arsyeja që insistova për vizitën tuaj dhe më sollën nga monastiri i Zvërnecit, ku ndodhem i internuar, për trajtim mjekësor...Retorikën e tij e ndërpreu zilja e telefonit. Besniku e ngriti atë, u ngrys    fytyrë dhe duke u larguar nga dhoma, më tha të vazhdonim, pasi ai duhej të largohej për pak. Pacienti uli zërin dhe vazhdoi:...Ishulli i Zvërnecit  është  versioni  albanez  i  “Ventotenes”  italiane. Kur gjykon se ”Kush jeton për ideale të larta, duhet të harrojë të mendojë për veten”, sic   thotë  F. Niçe, apo “Fuqia e mendimit është drita e jetës, fuqia e vullnetit është energjia e karakterit, ndërsa fuqia e zemrës është dashuria”, sipas L.Feuerbach, sintetizon ecurinë tënde. Dhe unë  pranova  jetën    burg, duke më prangosur trupin dhe shpirtin, por jo mendimin. Heshtja nuk është vetëm kriminale por dhe vetëvrasje. Ajo që më tremb është se, një brez i tërë po mëson një histori të rreme e manipuluese”. Mandej duke e ngritur pak tonin e zërit shtoi:  “Burgu është një shkollë e madhe, për studimin autodidakt, që të mpreh ndjenjat, forcon rezistencën, zbulon dhe  karakterin, por ti privon bukuritë e jetës”...papritmas në pëshpëritje vazhdoi,”Kur lexoj gërvishtjet si ditar, në muret e qelisë time: “Dhe në  pranga e gjeta rrugën..., E vërteta nuk mbetet gjatë në hije..., Intelektuali krijesë e pa dëshiruar.. apo skica e një zemre me thikën e ngulur në mes...”, më mbyt melankolia. Dikush nuk e koncepton, se liria fizike nuk përkon me paqen brënda vetes, kur dogma dhe injoranca mbeten burg konceptual...E kuptova që ai donte të fliste, të thoshte të pathënat e  akumuluara. “Më hape zemrën zotni, i thashë. Ai i menduar shtoi “Çelsin e gjeta tek ju, doktor”... Mandej pasi i mora të dhënat anamnestike dhe u informova mbi dokumentacionin, fillova vizitën. Gjatë saj vura re në qafën e tij, një hematomë  në formën e një papijoni të kuq, që e maskonte jaka e këmishës. Ai e kuptoi dhe me humor më tha: “Dëshmi e përkujdesjes, tatuazh i burgut, por ai nuk krahasohet me tatuazhin  e dhimbshëm në shpirt”...U befasova nga gjëndja e rëndë e syve, megjithatë  ai  nuk e  braktisi  librin. Si shikonte ai “zotëri” pa emër?! I spjegova i rezevuar, mbi gjëndjen e syve dhe i rekomandova  një  mjekim, i cili    tepër  ishte  inkurajues. Ai u mbush me frymë thellë, fiksoi shikimin në dritare, ku pikat e shiut rrëshqisnin si lot dhimbjeje mbi xham. Papritur u ngrit dhe ju afrua dritares, atje pa shëmbëlltyrën e tij dhe shtangu: “Jam unë atje..., sa paskam ndryshuar, kam vite të shoh veten në pasqyrë. Ky imazh mes piklave të shiut, që rrjedhin vazhdimisht mbi refleksin e fytyrës time, më ngjan me një variant elegjie...ah, nuk e paskam humbur romantizmin”.Vendosi dorën në ballë dhe me tigujtë e zërit të dridhur, që dilnin nga tastierat e shpirtit më tha : “Doktor, të lutem më ndihmo të shoh pak dritë, të cilën ma kanë shuar, pasi nuk më nxjerrin jashtë në oborr...Çudi, çdo njeri fsheh brënda një “kal Troje”, fsheh dobësi e qëllime tinzare por dhe instikte jo fort humane”...Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën tronditëse që më përshkoi, mora kartelën e tij dhe në fund të repertit shkruajta: ”E vetmja therapi, sa të jet, është kontakti me dritën natyrale“...,“ rikontroll pas tre muajsh”. Kur ja lexova gëzimi ja mbushi me dritë sytë dhe  zemrën. Zoti...fillova ti them, por më mungonte identiteti i tij...”Thuhet se margaritari shndrit më shumë në errësirë“. Ai tentoi  të thoshte  diçka, por atë çast u kthye  Besniku, duke më pyetur, “a e mbaruam vizitën, apo jo”. Unë pohova me kokë. Kuptova se aty gjërat ishin në një sinkron pa fjalë, Ademi i informuar pas derës, erdhi për ti  vënë  prangat “filozofit” pa emër. Një minutë, i tha “i izoluari”: ”Doktor, të falenderoj nga zemra“, dhe më shtrëngoi dorën, duke përkulur trupin. Ndërkaq ju kthye  Ademit i revoltuar, “Mos mi shtrëngo fort prangat, sepse kanë bërë brazdë dhe po mishërohen me duartë”. Në vazhdim, në formë lutjeje ju drejtua Besnikut:“Shoku hetues, mund ti dhuroj  doktorit për kujtim, librin tim të filozofisë”?...“ E shoh si detyrim etik”. Herën tjetër, shtoi  Besniku  me  një buzëqeshje  të ngrirë. Mandej atë e morën dhe silueta e tij humbi  në terr, si një “idhull i shembur”. Unë shikoja atë dhomë të vogël, ku shkëmbeheshin replika të çuditshme, të cilat më kujtonin fragmente dialogësh interesantë, nga filmi i adoleshencës  time, “Maria  Octobre”!

Kur po dilnim nga ai labirith mister, unë përshëndeta Besnikun dhe ndërsa bëra hapin e largimit, hetuesi më propozoi, të më çonin në shtëpi me makinë, pasi ishte vonë. Unë me finesë e refuzova dhe ika në këmbë, në formë  shëtitjeje. Duke lënë pas atë errësirë, doja të çlirohesha nga ato mbresa, doja të merrja frymë lirisht, të   rifreskoja  mendimet, të detoksifikoja  ndjenjat...

Ika, por emrin e tij nuk e mësova kurrë, i mbeti “njeriu pa emër”, ishte hera e parë në rrugëtimin tim profesional që vizitoja një njeri anonim, por që fshihte përmasa aq të veçanta. Ajo nuk ishte thjesht një vizitë mjekësore, por përballje me një kuadër të panjohur, të një “katarsis emocional”, të farkëtuar me dijen dhe filozofinë e prangosur dhe me lirinë brënda vetes, kur drita e të vërtetës mbahej e strukur në  qelinë  e  errët. Atje u përballa  me urtësinë e  mendimit të “njeriut pa emër”, mes  britmës së revoltës, papërkulshmërisë dhe ruajtjes së dinjitetit... 

Një përvojë me vlera, një mësim jete, që frymëzonte një “rimodelim të vetëdijes”. Eshtë e vërtetë se njerëzit, befas e gjejnë “jehonën”  e  tyre,  tek  përsosmëria  e të  tjerëve,  me    njëjtat  ide   dhe  perceptime!

...Një mëngjez  rastësisht, Besniku më bëri  të ditur, se “dosja          e  filozofit  ishte  mbyllur ”. Unë  mbeta i heshtur, në  trishtim  dhe

ndërmend më erdhi citimi i Euripidit...“Koha do të zbulojë gjithçka, ajo  flet  mjaft  dhe  kur  nuk  e  pyesin”.

Janar  2025



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx