E merkure, 08.10.2025, 11:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Lekë Mrijaj: Reflektim analitik rreth thënies së Edit Durham...

E merkure, 08.10.2025, 06:55 PM


Reflektim analitik rreth thënies së Edit Durham: “Ju shqiptaret me gjasoni si shqiponjat, derisa jeni në tokë, jeni gojë për gojë, por kur ngritëni në qiell, shifni poshtë se cilin ta hani”

Shkruan: Lekë Mrijaj

Një nga përshkrimet më të thella dhe më të mprehta për karakterin tonë shoqëror e politik të shqiptarëve vjen nga shkrimtarja, studiuesja, antropologia dhe hulumtuesja e shquar britanike Edit Durham, e cila tha një thënie të paharrueshme dhe plot kuptimplote për shqiptarët: “Ju shqiptaret me gjasoni si shqiponjat derisa jeni në tokë jeni gojë për gojë, por kur ngritëni në qiell, shifni poshtë se cilin ta hani”.

Kjo thënie filozofike, në dukje të parë është e thjeshtë, por mbart dhe jep një mesazh të thellë historik e filozofik për realitetin tonë kombëtar. Edhe pse është thënë më shumë se një shekull më parë, ajo mbetet aktuale edhe sot, sepse pasqyron dy natyrat apo me konkret dy sferat e medaljes së karakterit tonë shqiptar. Pra, bashkimin heroik në kohë rreziku dhe përçarjen fatale kur pushteti është në duart tona.

Në pjesën e parë të thënies, studiuesja Durham, i vëren me admirim aftësinë e shqiptarëve për t’u bashkuar kur përballen me kërcënime, kriza apo mungesë pushteti. Shprehja “jeni gojë për gojë” është një metaforë filozofike e fuqishme e unitetit, solidaritetit dhe ndjenjës së përbashkët të qëndresës.

Historia jonë shqiptare (pavarësisht bindjeve tona fetare...) është e pakontestueshme dhe plot dëshmi të këtij virtyti. Pikërisht qysh gjatë pushtimit osman, në përpjekjet për liri e pavarësi, si dhe në luftërat e fundit të shekullit XX kundër pushtimit serb, shqiptarët kanë vepruar si një trup i vetëm, duke lënë mënjanë ndasitë e tyre politike, fisnore dhe fetare. Pikërisht atëherë, kur janë më të lodhur dhe kriza, bëhen më të fortë, kur janë të kërcënuar, bashkohen më shumë se kurrë. Ky është aspekti që Durham e vlerësonte më shumë, forca e jashtëzakonshme e unitetit kombëtar në momentet më të errëta të historisë.

Pjesa e dytë e thënies së saj është një kritikë therëse dhe tejet absolute. Sapo shqiptarët arrijnë apo marrin pushtetin (të qeverisin) apo ndikimin, shpesh i harrojnë sakrificat, idealet dhe vlerat që i bashkuan. Pjesa tjetër e frazës “shifni poshtë se cilin ta hani” është metaforë për xhelozinë, smirën, rivalitetin dhe luftën e brendshme që shpesh karakterizojnë shoqërinë tonë në periudhat e mirëqenies. Në vend që pushtetarët tanë (në Kosovë, Shqipëri e trojet shqiptare), të përqendrohen në ndërtimin e institucioneve, forcimin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve të tyre, pushteti shpesh shndërrohet në mjet t? tyre për interesa personale, përjashtime dhe eliminime të vlerave intelektuale. Bashkimi shuhet, idealet zbehen dhe “shqiponjat” nisin të luftojnë mes tyre për poste e privilegje karrieriste. Kështu paraqitet një paradoks i hidhur, shqiptarët janë më të bashkuar kur janë të shtypur sesa kur janë të lirë. Dhe kjo sjellje neve si shqiptarë na përsëritet brez pas brezi. Fenomeni e mjerueshëm tek ne që vërejti vet studiuesja Durham nuk është rastësor. Shekuj të tërë pa një shtet të përbashkët të tyre, kanë ndërtuar tek shqiptarët një mentalitet mbijetese individuale, jo një kulturë bashkëqeverisjeje. Trashëgimia e ndarjeve politike, ka bërë që identiteti i përbashkët kombëtar të zëvendësohet shpesh me interesa të ngushta partiake apo familjare gjë qe jemi deshmitarë). Mungesa e institucioneve të forta ka krijuar perceptimin se pushteti është pronë e trashëguar nga baballarët, jo përgjegjësi publike. Prandaj shqiptarët, edhe pse në kohën e tiranisë osmane e sebosllave kanë qenë analfabetë apo të pa shkolluar janë treguar më të aftë në luftë e sakrificë sesa sot në ndërtimin institucional të shtetit (të Shqipërisë dhe Kosovës), dhe në zhvillimin dhe integrimet euroatlantike...

Edit Durham nuk e ka thënë këtë thënie për ti fyer apo lënduar shqiptarët. Përkundrazi, ajo shqiptarët i respektonte dhe i admironte aq shumë. Fjalët e saj ishin një mesazh dhe këshillë dhe një paralajmërim miqësor për një dobësi historike që duhet tejkaluar dhe menjanuar, paaftësinë për të ruajtur bashkimin kur fitojmë apo ushtrojmë pushtetin. Nëse shqiptarët duan të ndërtojnë një shtet të fortë dhe demokratik, një shoqëri të drejtë dhe një të ardhme të përbashkët euroatlantike, ata duhet të mësojnë të jenë “gojë për gojë” edhe në kohë suksesi, jo vetëm në krizë. Vetëm duke lënë mënjanë luftën për pushtet personal dhe duke u përqendruar në të mirën e përbashkët, mund të ecim përpara me dinjitet e qëllime madhore. Fjalët e studiueses britanike Edit Durham mbeten një pasqyrë për shqiptarët, si njerëz bujar, fisnik dhe i pathyeshëm në vështirësi, por shpesh i përçarë në mirëqenie. Thënia e saj është më shumë se një vërejtje historike, është një thirrje për ndërgjegjësim moral dhe kombëtar. Bashkimi ynë nuk duhet të jetë produkt i frikës, por i përgjegjësisë. Qe do të thotë se e kemi obligim ndaj heronjëve e martirëve dhe të gjithë atyre qe sakrifikuan për idealet dhe atdheun e tyre-Shqipërinë dhe Kosovën.

Vetëm atëherë “shqiponjat” do të fluturojnë lart pa e ngrënë njëra tjetrën, duke bërë përpjekje dhe ndërtuar një qiell të përbashkët për të gjithë pa dallim, pra, përtej interesave personale e ndasive partiake. Dhe vetëm atëherë do të jemi vërtet të denjë për emrin që mbajmë, e me krenari do t’ua trashëgojmë këtë ndjenjë brezave që vijnë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx