Kulturë » Ypi
Edison Ypi: Smokthinë e përpjetë
E merkure, 08.10.2025, 06:54 PM
Smokthinë e përpjetë
Nga
Edison Ypi
Muzeu
i madh është Shqipëria.
Një
Muze më i vogël se Shqipëria, është nga Peshkëpia në Kuç, pra Lumi i Vlorës.
Lugina
frymëndalëse me emra fshatrash që të kujtojnë mbiemra oficerash të Diktaturës,
rrethohet male të lartë dhe të vrënjtur nga lindja dhe perëndimi.
Mbi
faqe të maleve, sa të ha syri, fanepsen si në ëndërr: katunde, shtigje, pyje,
stane, përrenj, maja që prekin qiellin.
Pamjet
e fundbotëshme të luginës rrinë varur mbi male si mbi muret e një Galerie Arti
në natyrë me përmasa kolosale.
Gravurave
mahnitëse mbi faqe malesh u mungojnë vetëm kornizat kilometrike. Që mund të
bëhen. I vetmi problem është se janë aq të mëdha, sa po t'i përgatisësh prej
druri duhet të sharrosh krejt pyjet e Shqipërisë, dhe po t'i bësh metalike,
duhet me ngrejt nga varri metalurgjikun e Elbasanit.
Më
jep një Lepenicë 8 me 5 kilometra në oil, të jap një Gjorm 9 x 4 kilometra në
pastel, ose të jap Këndrevicë, Brataj, Tërbaç në akrilik, më jep një Çikë në
akuarel, janë biznese që bëhen rëndom mes Perëndive të këtyre anëve.
Ta
shohësh nga lart me dron ose aeroplan, Labëria ngjan si një pëllëmbë kolosale e
majtë e përmbysur, me pesë gishtat drejt lindjes.
Peshkëpia,
Poçëm e Vjosë, është gishti i vogël i asaj pëllëmbe.
Nga
Kota në Vajzë, e deri në Sevaster që tingëllon sikur e ka pagëzuar Hitleri,
ndodhet gishti tjetër.
Pak
kilometra më tutje drejt Smokthinës, është gishti i mesit.
Kuç,
Progonat, Tepelenë, gishti tregues.
Kuç
deri Qeparo e det, gishti i trashë.
Po
ikim drejt gishtit të mesit të Labërisë, në Smokthinë.
Rruga
nuk është e asfaltuar. Por ka taban të fortë shkëmbor. Aty-këtu ka gjurmë të
një shtrimi me rërë bituminoze të shumë viteve më parë kur Partinë e Punës e
gënjyen i thanë se rërën bituminoze të Mallakastrës mund ta përdorte për
asfalt.
Smokthina
nuk është fshat. Smokthina është një krahinë e vogël me disa fshatra: Velçë,
Ramicë, Verbas, Matogjin, Bashaj, Vermik.
Smokthina,
si e tërë Shqipëria ku asgjë nuk ndodhet "larg", nuk ka shumë
kilometra, nja 10 a 15, por ka qindra mikrotoponime dhe mijëra kthesa.
Smokthina
ka më tepër lapidarë se gurë.
Luftimet
bëhen, dhe dëshmorët bien, në vënde sa më të ulëta, sa më të fshehta, ku
funksionon pabesia.
Lapidarët
e Smokthinës ndodhen në vende sa më të dukëshme, sa më të larta.
Benza
dhe Opela që i ngasin lebër e labëresha, duken e zhduken nëpër kthesa.
Pas
një qafe shkëmbore që është njëkohësisht edhe kthesë, ndodh çudia: Para syve të
dalin pamje ëndërrash: Male me maja të mbuluara nga retë dhe mjegullat, katunde
të strukur nëpër luginëza përrenjsh në faqe të maleve, stane të largët që mezi
dallohen, rrugë dhe shtigje të çuditëshme që s'merret vesh ku fillojnë e ku
mbarojnë. Smokthina i mban fshehur dhe i tregon befas këto pamje magjike që
urgjent duhen fotografuar, filmuar, shkruar, muzikuar.
Duhet
të kalojë një copë herë të mbledhësh veten dhe të kuptosh se nuk është magji
por mirazh, iluzion optik.
Çka
po ta magjeps syrin dhe hallakat mendjen, në fakt janë të njëjtat male të anës
perëndimor të Lumit të Vlorës prej të cilëve sapo u ndave: Shushica, Gjormi,
Çika e me rradhë, por parë nga kënd tjetër, nga perspektivë tjetër, që i bën
malet të duken ndryshe çdo herë që ndërron vendin e kqyrjes, në një marramendje
kaleidoskopike sa kaotike dhe të këndëshme.
Fshati
i parë, Velça, fshat i rregullt me pak shtëpi të mbajtura, jo të lëna pas dore.
Por
në Velçë s'të zë syri frymë njeriu. Nuk kuptohet nëse velçanët ose velçakët
janë nëpër ara, me bagëti, në kafene, në Vlorë, apo në kurbet.
Ja
Ramica, kryeqyteti i Smokthinës mbi një kodër mes maleve.
Pak
shtëpi. Edhe ato të braktisura.
Mbi
fshat shkolla e mesme e dikurshme dhe një lapidar kolosal i palexueshëm me
tekst që i mungojnë fjalët sikur i kanë rënë dhëmbët: "...komiteti...
qarkori...shtabi...brigada...kongresi...sulmuese...mbledhja...delegatët".
Në
një qoshe të sheshit të Ramicës, kafene modeste, e pastër, e rregullt.
Në
kafene tre lebër smokthinjotë me raki e meze përpara.
Njëri
nga lebërit e kafenesë ka një çehre, trup, vështrim, gjymtyrë, antropometri,
gjestikulacion, dhe flet, pyet, përgjigjet tamam si lebërit e librave dhe
filmave.
Tjetri
lab në kafene me syze me ngjyra dhe reflekse që i mban mbi kokë, thotë me
mburrje dhe krenari se është ballist.
I
treti lab, ëhtë një enciklopedi e gjallë që tregon me zell të papërmbajtur si
quhen malet, katundet, përrenjtë, ku ndodhet Maja e Këndrevicës, ku u mblodh
këshilli antifashist, cilat vendime historike mori, nga u nisën delegatët për
në Kongresin e Përmetit, ku e pushkatuan Ramize Gjebrenë, në cilën shpellë ja
hodhën kufomën, çfarë tha Shoku Kadri në filan festë, si ja ngritën këngën
shokut Hysni: "O ju male që po qani për Shokun Hysni që vdiq nga
kanceri"", për Ramize Gjebrenë që dashuroi X-in në Smokthinë kur
ndërkohë qe e fejuar me Y-in në Tiranë, dallandyshen e parë të dashurive të
sotme jo vetëm me X-in dhe Y-in por me të gjitha gërmat e Alfabetit, që e
pushkatuan dhe e hodhën në një shpellë, pa vjershë, pa këngë, pa lot, pa gjë
prej gjëje.
Në
fund të ligjëratës, eruditi i kafenesë nuk këshillon me shku më tutje. Thotë:
Smokthin, e përpjetë, ke shumë për të parë. Por ka nisur shiu. Kthehu. Mund të
ketë shembje dheu. Mbetesh mes maleve. Ku të çan ujku. Të çpon gjarpëri. Të
kafshon ariu. Të lëpin breshka. Të çukit sorra. Smokthinë e përpjetë lere për
tjetër herë.
Pritshmëria
e ankthëshme se në kthim do bëj foto dhe video që do çmendin parazitat e
Fejsbukut, nuk plotsohet.
Sa
duket, perspektiva e njëjtë nuk është e mjaftueshme për qëndrueshmëri të
pamjes. Malet kanë ndryshuar pamje dhe rrezatim. Aq sa nuk njihen. Duken si të
tjerë. Tmerrësisht të bukur dhe të thellë. Më se normale në Smokthinë, ku asgjë
nuk është mediokre.
-Jam
çoban, thotë një smokthinjot mesoburrë anës rrugës me kasketë, xhaketë të zezë,
këmishë të bardhë.
-Ku
e ke gunën, kërrabën, fyellin.
Ma
pret smokthinaku me një romuz që s'do e harroj kurrë, të denjë për te "The
Oxford Dictionary of Quotations":
-Jo
çdo çoban i bie fyellit.
Ca
fëmijë të drojtur po kthehen nga shkolla duke u ngutur mos i zërë shiu.
Më
tutje, tjetër çoban me krrabë pa gunë dhe pa fyell e ka mbyllur bagëtinë, dele,
deshë, dhi, cjepë, në një shpellë më të madhe se shpella ku hodhën Ramizenë e
shkretë, thotë se shpellën e ka të tijën, e ka privatizuar. Dhe nis e rrëfen si
e qysh e privatizoi.
Ka
qënë e jona shpella denbabaden, thotë. Në 90-ën më tha xhaxhai: Shpella është e
jona, shko vuri drynin shpellës dhe shkruaj mbi derë "Shpellë e Xanun".
Me
fare pak banorë të mbetur që duken si roja të Muzeut në natyrë, krejt
Smokthina, krejt Labëria, madje e krejt Shqipëria, është një "Shpellë e
Xanun".
Kur
e pyeta një lab Smokthinjot si quhej, nuk tha si thonë në Mallakastër, Kolonjë,
Skrapar, Shkodër, Mirditë e gjetkë, më quajnë, filan fisteku.
Smokthinjoti
ndejti pak çaste i heshtur. Mori frymë thellë sikur futi në gjoks krejt
oksigjenin e luginës së Lumit të Vlorës.
Por
emrin nuk e tha.
Me
solemnitetin e viktimës së Sindromës së Stendalit, njeriut të sëmurë me Art, me
një shpërthim të tillë sa nga Kuçi në
Dashovicë u trembën malet dhe u shpupurisën retë, nuk e shqiptoi, por e
sokëlliu, emrin e vet si emër konti, emrin e babait si emër Mbreti, dhe të
vendlindjes, Smokthinës, kryeqëndrës së Labërisë, si kryeqytetit të Botës.
Në
Poçëm ç'më panë sytë.
Te
një lokal i madh me hotel, restorant, kafene, karburant, lavazh, banjo, me të
tëra, sapo lashë makinën në lavazh, erdhën dy autobuzë me turista gjermanë.
Zbritën nga autobuzët të gjithë pasagjerët, nja pesëdhjetë. Asnjëri nuk vajti
në kafene, apo restorant, apo minimarket. Të gjithë u vunë në rresht para
banjës për të bërë shurrën.
Pas
shurrës, të gjithë drejt e te autobuzi.
Kështu
mbaroi ky udhëtim përmes Labërisë me gishtin e mesit ngritur, që filloi me
galeri Arti në natyrë, vazhdoi me lebër të urtë që punojnë arat, kullosin
bagëtinë, mbarsin gratë, të tjerë lebër që pushkatojnë bashkëluftëtaren pse
bëri dashuri, shpellë e xanun e madhe për bagëti dhe shpellë e vogël për
kufomën e Ramizesë, lab krenar që sokëllin emrin, dhe mbaroi me turista
gjermanë që janë nisur për në një galeri tjetër Arti, për në Luginë e Vjosës,
ku ka edhe më tepër male, pyje, shkëmbinj, rrena komuniste, dhe zbresin në
Poçëm nga autobuzi e vihen në rradhë vetëm për të bërë shurrën.