Kulturë
Rovena Vata Mikeli: Shqiptarët e tokës arbërore në rrjedhat e përgjakshme të historisë sonë kombëtare
E merkure, 08.10.2025, 06:57 PM
SHQIPTARËT E TOKËS ARBNORE NË RRJEDHAT E PËRGJAKSHME TË HISTORISË SONË KOMBËTARE
NGA
PROF. ASOC. DR. ROVENA VATA MIKELI
AKADEMIA
E SHKENCAVE E SHQIPËRISË- INSTITUTET E ALBANOLOGJISË, INSTITUTI I GJUHËSISË DHE
I LETËRSISË, DEPARTAMENTI I STUDIMEVE
LETRARE
Jemi
në korrik të vitit 2025, ku një pjesë e botës sot e kësaj dite, nuk po gjen
qetësinë e duhur për shkak të luftërave, për tu kthyer në retrospektivë në
vitet e largëta 1878-1952, ku shqiptarët kanë jetuar dhe përjetuar dhunën,
dëbimin, luftërat e përgjakshme, gjenocidin, ku një ndër ta kanë qenë edhe
shqiptarët e Sanxhakut të Nishit, Prokuples, Kurshumlisë, Pirotit dhe jo
vetëm.Shqiptarët e tokës arbnore të ndodhur shpeshherë në rrethana të tilla
kanë treguar vendosmëri, trimëri, mençuri dhe qëndresë. Në qëndresën shqiptare
janë spikatur emra dhe personalitete të shquara të cilët historia i radhit në
faqet e saj si pasqyra më e ndritur e çëshjes kombëtare. Rasti i atdhetarit
Dervish Hima, i cili, përmes intuitës dhe dëshirës së madhe për fjalën shqipe,
ai bëri udhëtime historike nëpër qytetet më të rëndësishme në Shqipëri, si në
Vlorë, Berat, Korçë, Elbasan, Durrës, Tiranë, duke përçuar idenë e shkollave
shqipe si dhe, duke mbështetur, lëvizjen kombëtare shqiptare. Personalitete të
historisë dhe kulturës shqiptare, të cilat ndikuan dhe ndihmuan në zhvillimet e
çështjes kombëtare janë: Zef Kolë Ndoka, Xhemë Hasa, Ndue Përlleshi, Halil
Alija, Hamdi Dema, Jashar Erebara,Kolë Bibë Miraka Zahir Pajaziti, Mulla Ramë
Govori, Ymer Berisha, Marie Shllaku, Alush Smajli etj. Çështja që është rrahur
më së shumti në këtë libër me përmbledhje kumtesash është problemi i
shpërnguljes dhe qëndresa e shqiptarëve. Dëbimi me dhunë i shqiptarëve nga
pronat e tyre, tjetërsimi i kësaj prone, ndërrimi i besimit fetar me dhunë,
ndryshimi i identitetit si dhe asimilimi i popullsisë autoktone janë plagë të
hapura për shqiptarët e atyre trojeve dhe objekte hulumtimi për
studiuesit. Çështja e shpërnguljes në të gjitha periudhat historike, ku nuk
është kursyer përdorimi i të gjitha mjeteve shtetërore, politike,
policore-ushtarake, ideologjike dhe akademike, në funksion të zhdukjes së
gjurmëve shqiptare në trojet e tyre ku banonin. Mishërimi i lashtë dhe
vazhdimësia e urrejtjes serbo-sllave ndaj shqiptarëve, një përpjekje e gjatë
historike ndaj popullit shqiptar, duke bërë të ndryshonin demografinë në këto
treva. Toponimet, ndryshimet në trashëgiminë e monumenteve kulturor historike,
veçmas ato religjioze (kishat katolike, ortodokse shqiptare në kisha ortodokse
sllave), në njërën anë, ndërsa në anën tjetër, fakti i ekzistencës së fuqishme
të popullsisë shumice shqiptare në këto treva, ruajtja dhe kultivimi i trashëgimisë
kulturore, ruajtja e gjuhës, traditës zakoneve shqiptare. Dhuna fizike,
psikologjike, ideologjike, si dhe forma të tjera, për të mbajtur të nënshtruar
një popullsi nën hierarkinë brenda shtetërore për qëllime shfrytëzimi të
pasurisë së trevës, fuqisë punëtore, intelektuale, ushtarake etj. Një tjetër
nënndarje kufitare e zonave të ndërmjetme, por edhe e krahinave etnografike, që
kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë aspekt janë edhe ndarjet kufitare në
mes të ish republikave të Jugosllavisë.Në këtë nënndarje duhet veçuar krahinat
etnografike të Shalës së Bajgores, të Llapit, të Gallapit, të Moravës, të
Karadakut, Zhupës dhe Opojës, ku kujtesa
etnografike dhe toponimet janë dëshmi e këtyre ndarjeve.Shala e Bajgorës,
pavarësisht faktit se është një krahinë malore, ajo në veri kufizohet me
Serbinë. Fshatrat e Serbisë më të afërta me këtë krahinë, në një të kaluar jo
shumë të largët kanë qenë vendbanime shqiptare, por ngjarjet historike e sollën
që këto vendbanime ta ndryshojnë strukturën etnike të tyre.Krahina etnografike
e Llapit kufizohet me Serbinë, që në fakt fshatrat kufitare në një të kaluar jo
shumë të largët ishin vendbanime shqiptare, por që me kalimin e kohës dhe me
anë të ushtrimit të dhunës këto vendbanime (në Serbi) tani janë vendbanime me popullsi
serbe. Në kujtesën etnografike ruhen ende kujtime, kur banorët e fshatrave të
Llapit kishin qasje me fshatrat e përtej kufirit, kuptohet deri sa banorët e
atyre vendbanimeve ishin të banuara me shqiptarë. Për këtë kujtesë etnografike
flasin faktet historike në njërën anë dhe në anën tjetër toponimet dhe emrat e
fshatrave, të cilat janë dëshmia më e mirë se këto fshatra ishin pjesë e
trojeve shqiptare. Qëndresa e shqiptarëve për trojet e tyre ishte qëndresë për
identitetin kombëtar, për emrin shqiptar, për gjuhën, historinë, kulturën dhe
traditat e popullit më të vjetër të Ballkanit.
Tiranë, 19 korrik 2025.