Faleminderit
Rejhane Rexhepi: Lamtumirë Imran Murati – një jetë e lidhur me idealin e lirisë
E shtune, 16.08.2025, 06:59 PM
In memoriam
Lamtumirë Imran Murati – një jetë e lidhur me
idealin e lirisë
Nga Rejhane Rexhepi
Para disa ditësh u
nda nga jeta Imran Murati. Të enjten, më 07.08.2025, u bë varrimi i tij në
varrezat e Tërnocit të Madh, ku u përcoll me nderime nga një numër i madh
qytetarësh dhe ish-ushtarë të UÇPMB-së.
Imran Murati ishte
ndër celulat e para të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc,
nga Tërnoci. Qysh në moshën 20-vjeçare, kur e pa se fshati i tij dhe populli
kishin nevojë për mbrojtje, ai, së bashku me pesë shokë të idealit, u nisën
drejt Manjevcit të Malësisë së Bujanocit dhe qëndroi në radhët e UÇPMB-së deri
në demilitarizimin e plotë.
Pas demilitarizimit,
siç dihet, politika shqiptare në Luginë veproi që ish-ushtarët e UÇPMB-së të
mos organizoheshin politikisht dhe të mos përbënin rrezik për pushtetin.
Kështu, shumica prej tyre mbetën të harruar – pa përkujdesje, pa punë,
pa dinjitetin dhe autoritetin që e meritonin – përveç disa individëve
që gjetën forcën të veprojnë në mënyrë të pavarur.
Para Imranit, kanë
ndërruar jetë edhe pjesëtarë të tjerë të kësaj gjenerate, por mjerisht as
Bashkësia Lokale e Tërnocit, as partitë politike, as njerëzit e pushtetit nuk
ua bënë nderin e merituar. Madje, nuk u dha as njoftimi publik që njerëzit të
dinin se kishte ndërruar jetë një njeri i veçantë, që e meritonte një lamtumirë
dinjitoze dhe me nder.
Ka shumë si Imrani që
e kanë kryer obligimin qytetar me guxim, me trimëri, pa bërë zë – por, siç thoshte i ndjeri Muharrem Kadriu, drejtori i parë i shkollës fillore
në Tërnoc: “As nuk pata për kënd, e as me kënd!”
Rasti i Imran Muratit
është një pasqyrë e qartë e mënyrës se si institucionet tona shpesh dështojnë
të kujdesen për vlerat dhe njerëzit që ishin të gatshëm të sakrifikonin
gjithçka për popullin dhe kombin. Dhe kjo është një e vërtetë që nuk duhet
heshtur.