Faleminderit
Lekë Mrijaj: Një rrëfim kronologjik nëpër udhët e meshtarisë së meshtarit, don Anton Kçira
E marte, 29.07.2025, 06:58 PM
Një rrëfim kronologjik nëpër udhët e meshtarisë së meshtarit, don Anton Kçira
Shkruan
Lekë Mrijaj
Ishte
vera e vitit 1967. Dita e shenjtë e festës së dy Pajtoreve të Kishës Katolike –
Shën Palit dhe Shën Pjetrit – në Gjakovë, kur ky qytet me rrënjë të thella
shpirtërore u kthye në një kremtim madhështor, jo vetëm për qytetin, por për
mbarë Dioqezën Shkup-Prizren.
Në
atë mëngjes të artë korriku, stinës së pjekurisë e begatisë, një djalosh i
përvujtë e i devotshëm i fisit të Kçirajve, me shpirtin e ndezur nga flaka e
thirrjes hyjnore, po i thoshte “PO” Zotit të Gjithëpushtetshëm. Don Anton Kçira
shugurohej meshtar. Ky akt i shenjtë nuk ishte vetëm gëzim i një familjeje të nderuar,
por u bë ngjarje kombëtare e shpirtërore në një kohë kur meshtarët shqiptarë
ishin të paktë, ndërsa nevoja për barinj të fjalës së Zotit, jetike.
Qyteti
i Gjakovës atë ditë u shndërrua në një qendër pelegrinazhi dhe lutjeje. Turmat
vinin nga të gjitha anët e Kosovës – nga famulli të largëta, nga fshatra të
thellë e qytete të mëdha – me zemra të mbushura gëzim dhe sy të përlotur.
Dëshironin të ishin dëshmitarë të një shugurimi që ngjante me një “vdekje të
bekuar” një flijim që lind jetë, një
“po” që ringjallte shpresën në tokën shqiptare të përvuajtur.
Në
këtë kremtim të paharruar, kishin ardhur edhe motra e tij nga Amerika me
gjithëp familjen, si dhe dajat e tij nga Zara, Rijeka, Pula, Zagrebi,
Koprivnica e Shtipi i Maqedonisë. Gjakova e Kosovës u kthye në një kongres
monumental të shpirtit shqiptar.
Mesha
e parë e don Antonit u kremtua më 2 korrik 1967, në Kishën e Shën Pjetrit –
dita e dytë e këtij kremtimi qiellor. Oborri i kësaj Kishë, ishte përplot me
njerëz të etur për hirin dhe bekimin e Zotit. Kori i Kishës së Prizrenit e
madhështoi meshën me këngë engjëllore, ndërsa predikimi i famshëm i Monsinjor
Nikollë Minis, famullitar i Prizrenit, kumboi si kambanë profetike. Fjalët e
tij guximtare, të përshkruara nga urtësia kishtare dhe dashuria për popullin,
sfidonin frikën që mbillte UDB-ja e kohës. Ishin fjalë që nuk i ndalonte dot as
errësira, as shtypja.
Pas
shugurimit, don Antoni vazhdoi përkohësisht studimet universitare teologjike,
dhe në vitin 1968 diplomoi në Universitetin për Teologji. Më 31 korrik të po
atij viti, pas një pushimi të shkurtër, u emërua ndihmës famullitar i don Miles
në Bistazhin të Gjakovës. Ishin vitet e para të shërbesës së tij, të shënjuara
nga përvujtëria dhe sakrifica. Jetonin në një dhomë të thjeshtë të ofruar nga
një besimtar. Aty, mes varfërisë, u ndërtua edhe një shtëpizë e vogël, me tri
dhoma dhe një kuzhinë të përulur. Don Mila, famullitar i moshuar dhe i
durueshëm, dinte të përgatiste vetëm një supë të thjeshtë, por dashuria që
mbillnin bashkë, ngrohte gjithçka. Më vonë, mbërritën edhe motrat murgesha, që
sollën dritë dhe jetë. Nisi ndërtimi i Kishës së re. Udhtonin deri në Vijenë të
Austrisë, për të kërkuar ndihma – sepse besimi është ndërtim që kërkon lëmoshë,
bekim dhe shumë mund e sakrificë...
Më
14 dhjetor 1969, don Antoni u transferua në Gusi të Malit të Zi, ku qëndroi
deri në fillim të vitit 1970. Por sprovën më të madhe e përjetoi më 11 nëntor
1970, kur u dërgua në Gllogjan të Lugut të Baranit – një famulli e rrënuar
shpirtërisht, ku njerëzit kishin humbur gjurmët e fesë apo e luanin rolin e
llojit të laramanizmit. Fëmijët nuk i afroheshin Kishës, pleqtë ndiheshin të
harruar. Kishin pasur një meshtar slloven që nuk fliste gjuhën e zemrës së
tyre. Nga mbi 2 mijë banorë, vetëm rreth njëqind merrnin pjesë në meshë. Nuk
dallonin dot më ditën e festës së shënjtërve nga dita e pazarit nëpër qytete.
Ishte një popull që donte të rizgjohej nga gjumi apo agonia.
Don
Antoni nisi nga e para. Jetoi në një ahër kali për nëntë muaj. Në vend që të
ndërtonte shtëpi për vete, ndërtoi Kishën. Banorët e Gllogjanit e panë
përkushtimin e tij, e panë se nuk kishte ardhur për komoditet, por për shërbesë
siq thotë Krishti: “Nuk erdha për të më sherbyer”. Ai, foli me gjuhën e
dashurisë dhe të përkushtimit. Gllogjani dhe e tërë famullia me ardhjen e tij u
ringjall. Besimi u rikthye në shpirtin e përgjumur të njerëzve.
Në
këtë rrugëtim, ai nuk harroi as vëllezërit myslimanë. Bashkëpunimi me Hoxhën e
Baranit, imam Muhamet Lipën, u bë shembull frymëzues i dialogut ndërfetar. Ata
e ndihmuan njëri tjetrin në pajtimin e shumë familjeve dhe në ndërtimin e paqes
në zemrat e dy komuniteteve shqiptare.
Don
Antoni ishte ndër të parët që foli pranë varrit të hapur për vdekjen. Ky akt i
guximshëm, që në fillim tronditi, më pas u kthye në praktikë që e çonte njeriun
më afër përjetësisë. Fjalët e tij përtej jetës, ishin dritë për të gjallët. Por
jeta nuk u bë më e lehtë. Në vitin 1989, nën trysninë e regjimit komunist
jugosllav, përballë zgjedhjes midis burgut dhe mërgimit, ai zgjodhi mërgimin. E
la atdheun me mall dhe lot. Me bekimin e ipeshkvit Shkup-Prizren, msgr. Joakim
Herbut, u transferua në dioqezën e Detroitit në SHBA. Në aeroport e pritën shqiptarët
me lot gëzimi: Nikollë Junçaj, Martin Lulgjuraj, Nosh Gjolaj e të tjerë. E
mirëpritën si bariun që u kishte munguar.
Në
vitin 1991, ai mori drejtimin e famullisë së Shën Palit në Detroit. Me ndihmën
e shqiptarëve të Amerikës dhe këshillit të ndërtimit, ndërtoi një bashkësi që
shndriste me dritën e fesë: Gjek Gjoku Sinishtaj, Toni Junçaj, Gjon Gojçaj,
Prek Gjokaj, Vasel Nicaj, Fran Ivezaj, Gjok Dedvukaj e Ndue Ivezaj – ishin
shtyllat e këtij misioni.
Don
Antoni mbeti besnik ndaj fjalëve të Zef Camës: “Fishta u bë i madh me malësorë
– edhe ti, nëse di me i prijë, ke me u bë i madh.”Dhe ai u bë. Jo për lavdi
personale, por për dashuri, përkushtim dhe sakrificë.
Zoti
i Madh le ta shpërblejë me hiret e uratës hyjnore. Ai që nuk harron, le t’i
japë dritë të pasosur këtij shërbëtori të tij, që qëndroi me popullin, për
popullin dhe për Hyjin – nga viti 1967 e deri më sot.
Don
Antoni, Bariu i Mirë dhe i përvujtë me shpirt të madh, mbetet ndër ata meshtarë
që ua mbolli shpresën që të mos shuhej, dritën që të mos fikej dhe besimin që
të mos rrëzohej. Mirënjohje për vlerat shumëdimensionale shpirtërore, kombëtare
dhe njerëzore.