Faleminderit
Bedri Tahiri: Shqipja e kreshtave të Shalës
E shtune, 26.04.2025, 07:00 PM
Përvjetor lavdie
SHQIPJA
E KRESHTAVE TË SHALËS
Nga
Bedri TAHIRI
Krahëbardha e lashtë dardane, me kokën
tej në qiell e me këmbët thellë nën Lumin e Bardhë, kishte kohë që s’kishte
vënë gjumë në sy. E bekuara, e kishte humbur qetësinë fare. E si mos ta
humbiste?! Sa e sa raketa e granata u shkrinë në gjoksin e saj të praruar. E qëllonin
pareshtur, sa nga Zveçani, sa nga Vallqi, sa nga Bairi i mallkuar.
Dhe, megjithatë, mbijetonte, mbahej si
Sizifi, nuk gjunjëzohej dot.
-Po ra Majdani, mbaroi Shala e
Bajgorës!- mërmërisnin të gjithë të shqetësuar, duke hedhur sytë andej nga
flakëronte mnershëm. Ashtu ishte vërtet. Zemra e madhe e maleve të pashkelura
qe mbledhur aty dhe suksesshëm sfidonte mortjen vellozezë. Nëpër damarët e saj
të fryrë gufonte gjaku i Kadri Bistricës, i Isa Boletinit, i Jahja Kutllofcit,
i Ukshin Kovaqicës, i Bislim Bajgorës, i Ahmet Selacit, i Fatime Hetemit…
-O komandant, forca të mëdha serbe kanë
mësyrë drejt pozicioneve tona!- foli ushtari i ri, i mbushur frymë, që erdhi me
vrap nga vendroja e skajshme malore. Ca, të zënë bëftë, u shqetësuan pakëz dhe
i vodhën me sy armët varur në mur e gati sa s’brofën në këmbë.
-Qetësohu, or trim, qetësohu- ia priti
ai gjakftohtë, pa ia ndarë sytë hartës topografike, vënë përmbi gjunjë. Ata, ka
kohë që tentojnë të dalin këtej, por kot. Kanë kërkuar edhe përforcime. Me
dhjetëra autobusë, përplot çetnikë e kriminelë ordinarë, janë futur në tokën
tonë. Por, ani, ne jemi këtu, në vatrat tona stërgjyshore, nga të cilat nuk do
të lozim dot…
Të dyfishohen rojat dhe të shtohet
syqeltësia!- u kujtua të porosiste më në fund komandanti, pasi lajmësi kishte
marrë veten.
Betimi mbi varr të Adem Jasharit
Ah, ç’djalë që ishte komandanti! Trim e
shkuar trimash, që të merrte gjak në vetull, siç i thonë një fjale. Shemsi
Ahmeti e quanin, por më tepër njihej si komandant SHEMI. Ai erdhi në këtë botë
një ditë të bukur të muajit të qershive. Ishte pikërisht 8 qershori i vitit
1969, kur në Kodër (ish Zasellë) të Shalës, në një familje të varfër, por të
ndershme e patriotike, u dëgjuan tri krisma pushkësh lajmëtare. Gëzimi kaploi
edhe trarët e shtëpisë. Djepi plot, shtëpia plot. Djaloshi kureshtar mësimet
fillestare i mori në vendlindje, me sukses të shkëlqyeshëm. Të mesmet i vazhdoi
në Akademinë Ushtarake në Sarajevë. O zot, ç’prapësi! Vetëm pse ishte shqiptar
dhe se mësimet i shkonin fort mirë, përpiqeshin ta detyronin përdhunshëm që ato
t’i linte përgjysmë.
Por, Shemi, nga dëshira e madhe që një
ditë të bëhet zot i artit luftarak, përballoi çdo gjë, edhe kërcënimet e
cerbërve serbë. Familjarët e tij tregojnë së me korrespodencë kishte mbaruar
edhe Shkollën e Lartë të Artilerisë në Zarë. Lufta e Kroacisë dhe e Bosnjës e
zunë në shërbim ushtarak. Pas shumë e shumë mundimeve e peripecive mezi arriti
të dezertonte dhe të kthehej në atdhe. Sa u gëzuan të gjithë, veçan familja që
për dy vite nuk kishte ditur gjë për birin e tyre të dashur. As këtu nuk e lanë
të qetë. Gjatë periudhës 1994/98 okupatori serb bëri çmos që ta burgoste, por
kot. Shqipja e kreshtave të Shalës nuk binte dot ndër leqe...Ishte betuar që i
gjallë nuk do të binte në dorë të shkaut.
Viti 1997 Kosovën e gjeti në këmbë.
Protestat studentore të 1 tetorit 1997 dhe më pas dalja në skenë e Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, më 28 Nëntor të po atij viti, në Llaushë të Drenicës, ndezën
flakë zemrën e zhuritur të djaloshit sypishë...
Beteja heroike e kryekomandantit Adem
Jashari dhe e Jasharëve të tjerë ngjalli zemrat e masave të gjëra popullore.
Edhe malet frymuan ndryshe, edhe zogjtë kënduan ndryshe. Jehu i trimërisë u
dëgjua edhe në Krahëbardhën ilire.
Shemsi Ahmeti, i brumosur me idealin e
lirisë, vajti në Prekaz dhe mbi varrin e Adem Jasharit u betua se do ta
vazhdonte rrugën e komandantit, rrugën e nderit, rrugën e madhe të lavdisë.
Shala e Bajgorës pranoi kushtrimin dhe ndezi flakadanin e lirisë. Prangat e
robërisë shekullore krikëllinin në të këputur. Dhe, një ditë prilli të vitit
1998, trimi këputi një lule të kuqe, e vuri në një saksi të kullës së tij të
lashtë, nga e cila mori bekimin mitik, mori armët dhe u nis krushk drejt dasmës
së madhe…
Hapat e parë ushtarak i bëri në
Trepçali, në kuadër të Brigadës 141 “Mehë Uka”. Arma e trimit nuk priti shumë,
ajo shkrehu që në betejën e parë në Mazhiq, më 11 korrik 1998. Dhe, përvoja e
tij luftarake shkëlqeu madhërishëm. Siç rrëfejnë bashkëluftëtarët e tij, trimi
përdorte disa armë njëherësh: revolen personale, pa të cilën nuk e bënte as
gjumin, automatikun, snajperin dhe topin e dorës që ndryshe quhej
“Nitroglicerinë”. Si specialist i artilerisë edhe në kuadër të Brigadës 141 “
Mehë Uka” themeloi Njësitin e Artilerisë, të cilin e komandonte vetë. Të gjitha
i përdorte me mjeshtri, sa kur luftonte fitohej bindja se po luftonin shumë
veta.
E veçanta tjetër e tij ishte aftësia
guerilase. Kishte zotësi t’i futej armikut deri tek hundët e t’i dilte edhe pas
shpine, duke i shkaktuar huti. Ama, edhe për të punuar, punonte shumë. Kurrë
nuk ndalej, natën as ditën. Sa e gjeje në vijën e parë të frontit, sa duke i
ushtruar ushtarët, sa duke vëzhguar, sa duke hartuar plane mbi hartat
topografike. Flinte fare pak, hiç më shumë se pesë-gjashtë orë.
Beteja e pavdekësisë
Dhe, shtatori i vitit 1998 erdhi. Ditën
e pesëmbëdhjetë barbarët ndërmorën një ofensivë të ashpër mbi rajonin e Shalës
kreshnike. Pozicionet e UÇK së ishin bërë njësh me gurët strallorë dhe shkrep
tinin si në beteja dragonjsh. Mazhiqi mori flakë, por nuk jepej dot. Trimat
kishin bërë benë dhe kacafyteshin burrërisht me vdekjen. Bam këndej, bam andej
e beteja s’kishte të sosur. Ra edhe lulëkuqja
e parë, trimi nga Dedia, Avni Shabani...
Pas kësaj beteje, ku armiku la shumë të
vrarë e të plagosur, në fakt pasi plagoset komandant BESI dhe vritet Xhevat
Jusufi, më 3 janar 1999, Shemsi Ahmeti emërohet komandant i Njësisë Speciale në
Brigadën „Mehë Uka“. Lufta mori krah. Emri i tij u dha fuqi e zemër edhe
shkëmbinjve. Dhe betejat s’kanë të ndalur. Luftohet në Rahovë, në Kutllovc, në
Majdan, në Ashlan, në Akrashticë, në Pantinë, në Sumë…
Kur forcat e NATO-së sulmuan bazën
ushtarake serbe në Kutllovc, komandant Shemi i pari, në krye të Njësitit
Special, futet brenda dhe siguron sasi të mëdha municioni, armatimi e ushqimi.
Agu i ditës së 26 prillit 1999 çeli i
zymtë sterrë. Ç ‘është e vërteta, po bëheshin dyzet ditë që mbi këto anë dielli
nuk dukej fare nga tymi e flaka. Sot ishte edhe më ndryshe. Majdanin e kishte
mbytur zymtësia. Ende asnjë lajm nga grupi, i cili që pa gdhirë kishte kaptuar
majave të larta.
- “Shqiponja” për “Dardanin”... a më
dëgjon?!... Fol, ore të keqen, se na shastise e na le pa mend!... Lajmërohu të
lutëm!...
-Nga ana tjetër e radiolidhjes asnjë
lajm, asnjë zë. Aman, sa keq! Nuk e dinin se ata kishin rënë në grackë dhe e
kishin shumë pisk.
-Kujdes, këta mistreca duhet t’i kapim
të gjallë!- çirrej kapiteni serb, duke iu hakërryer me revole në dorë atyre që
nga frika zhgërryheshin barkas. Kuptuat! Po na shpëtuan, juve e dini ç’ju pret,
plumbi në kokë! Hë, ç’kujtuat ore tutkuna, kot u liruam nga burgjet! Ah, jo,
atë të mirë duhet shpaguar shumëfish, qoftë edhe me kokë...
-Të gjallë nuk biem në dorën tënde, ore
bir shkine, jo!- u betuan trimat. Ashtu i kishte mësuar zëri i atdhe ut. Ashtu
e kishte mësuar edhe mësuesja e jetës studentin shembullor, Historianin, i cili
edhe në Prishtinë qe treguar hero i vërtetë, kur hoqi fanellën dhe ia lidhi
kokën dr. Ali Zatriqit, të lënduar nga barbarët serbë në demonstratat e
Prishtinës. Aq shumë e deshi historinë sa edhe vetë u bë histori.
Dhe, fjalën e morën armët.
Krisma...këngë...britma...ulërima...Kriminelit
iu skuq mjekra. Edhe revolja i fluturoi
nga dora e sytë i ngelën hapur...
Edhe gjaku i lirisë rrodhi rrëke mbi
shkëmbinjtë e thepisur. Bashkë me prijësin Rrustem Hyseni nga Gumnishta ranë
edhe Xhemail Haxha, Ahmet Haxha dhe Asllan Cimili.
Një shqipe mori drejt Albanikut
Dielli kishte kaluar zenitin e zjarri i
betejës heroike nuk po shuhej fare. Përkundrazi, veçse ashpërsohej edhe më
shumë. Numri i djajve shtohej, sepse kishin pësuar humbje të mëdha. Trimave u
harxhohej municioni.
-Qëlloni rrallë e për mall, qëndisni në
lule të ball it!- i këshillonte komandanti, duke vrapuar sa te njëri, sa të
tjetri, nëpër istikamet e përgjakura përplot me të plagosur.
As vetë nuk ndjehej mirë. Rënia e
shokëve e kishte prekur thellë në shpirt. Pa ta as që mund ta mendonte jetën. I
kishte pasur më shumë se vëllezër. Kurrë nuk i kishte ndarë nga vetja. Trimi
trimin e çmon. Të tillë ishin edhe ata. Kudo i gjeje, pranë topit, pranë
mitralozit, pranë mortajës, pranë automatikut. Eh, sa e sa betejat i bënë e sa
e sa plagët i morën. Por, kot. Nuk ndaleshin sa ndalej lumi. Kur pushonte lufta
në atë zonë kalonin në zonat tjera. Pa u çliruar Kosova mbarë dhe gjithë Trojet
Etnike Shqiptare s’ka pushim, thoshin, dhe ngarendnin si Akili këmbëshpejtë...
- Edhe qentë i paskan marrë me vete!-
foli dikush që po vështronte me dylbi andej nga ana e armikut.-Aq na bën ne,-
ia priti tjetri, pa e prishur gjakun e duke e zgjatur vargoin e gulinovit.
Qentë me qen përpiqen të na frikësojnë. Hajde kokë, hajde!
Një shqipe krahëhapur mori drejt
Albanikut. Ashtu të lumtë!- mërmëriti komandanti...
Dhe, malet zunë të rënkojnë si në ditë qameti.
Qielli përflakej e rrathët e ferrit dantesk ngushtoheshin. Sokolat kacafyteshin
me vdekjen dhembë për dhëmbë. Ata më nuk dëgjonin asgjë, as armët e veta që
villnin zjarr. Të plagosurit hanin vetën dhe me grahmat e fundit flaknin bombat
mbi armiqtë e pabesë që ishin fare afër. Një copë shkëmbi i ndante. As dy metra
largësi! Koha bënte llogarinë. Epilog i dhimbshëm, por krenar për malësorët që
qefinin e bartnin me vete. Shumë lulëkuqe buluan mbi shkrepat e virgjër. Në
shqipe lirie u shndërrua edhe vetë komandanti legjendë, trimi i paepur, Shemsi
Ahmeti. Pranë tij edhe ushtari karateist, Arsim Muzaqi. Tutje edhe Esat
Meholli, edhe Sokol Preteni, edhe Qazim Cimili, edhe Enver Musa, edhe Faruk
Beqiri, edhe Shemsi Istrefi edhe...
-“Askush nuk ka arritur ta mbaj më lart
moralin luftarak te ushtarët si Komanadant Shemi. Kur ushtari ishte në
istikame, na aksion me këtë Komandant kurrë nuk i shkonte ndërmend të mendonte
se mund ta qëllonte plumbi i armikut. Edhe nëse e qëllonte ai nuk ndjente
dhimbje fare. Njësia Speciale ishte Njësi elite, Njësi e kreshnikëve, e
Komandant Shemi ishte në krye të tyre. Ai ishte legjendë e luftës së UÇK-së jo
vetëm në Zonën Operative të Shalës, por thuajse në tërë Kosovën. Poeti Jakup
Ceraja nuk e ka njohur nga afër Komandant Shemin, por kur e krahason me Vrana
Kontin e kohës së Skënderbeut ia ka qëlluar më mirë se çdo kush tjetër”- thotë
sot major Miftar Kurti, duke kujtuar me pietet të lartë Shqipen e kreshtave të
Shalës, Komandant Shemsi Ahmetin- SHEMIN.
Teli i lahutës përherë i gatshëm për
përjetësime. Lum ai që zë vend aty. Sa shpejt e mori edhe trimin:
Ka mësye hasmi në Preten
Ballë për ballë me UÇK-në
Si ushtimë që sjell tërmeti
Tmerr iu shti Shemsi Ahmeti
Ndërkaq pena e mprehtë e poetit Jakup
Ceraja, i cili me gjithë moshën që kishte, kurrë nuk u nda nga istikamet e
luftëtarëve të lirisë, pos tjerash shkruan:
Komandant Shemi baras me Majdan
Trim i mirë me ushtarët pranë
E shkrove më së miri historinë
Ku rrëfehet dashuria
Në më të mirën stinë...
Sot emri i tij shkëlqen nëpër rrugë,
shkolla e kazerma. Emrin e tij e mbanë Batalioni 14 Gardist, që është trashëgimtar
i drejtpërdrejt i Njësisë speciale të UÇK-së e që është vendosur në Shipol. Më
mirë se kudo ai është skalitur me shkronja ari në zemrat tona dhe për jetë e
mot do të rrezatojë atdhedashuri mbi Kosovën e lirë!
Shënim: Shkrimi është
shkëputur nga libri im FLAKADANËT E LIRISË 1, Focusi, Prishtinë, 2004, f.
131-142.