E merkure, 30.04.2025, 05:10 AM (GMT+1)

Faleminderit

Bedri Tahiri: Dëshmori i Pranverës Studentore - Ruzhdi Hyseni

E premte, 04.04.2025, 06:59 PM


Në 44- vjetorin e demonstratave në Vushtrri

DËSHMORI I PRANVERËS STUDENTORE- RUZHDI HYSENI

Nga Bedri Tahiri

Në faqet e historisë sonë të lavdishme e krenare vend të rëndësishëm zë edhe Kolla e Artakollit heroik. E gjendur rrëzë Qyqavicës mitike e në kufi me Drenicën legjendare, përherë qe fole trimash e arenë luftimesh. Toka e saj e stërgjyshore, brez pas brezi, është larë me gjak të njomë lirie. Trung i fortë atdhetarie qe edhe familja e studentit të lirisë- Ruzhdi Hysenit.

Ruzhdi Hyseni u lind më 23 shkurt 1954 në Kollë. Prindërit e tij, Abiti dhe Elfija, patën shumë fëmijë; katër djem: Hasanin, Sinanin, Ragipin, Ruzhdiun dhe shtatë vajza: Rahimen, Zylen, Lutfijen, Eminen, Shukrijen, Hanifen dhe Shemsijen. Mirëpo, Ruzhdiu ishte disi më i dalluari prej të gjithëve, andaj edhe dashuria për të ishte më e madhe.

Djaloshi inteligjent e kureshtar i pashoq mësimet e para i mori në Novolan, kurse të mesmet në Gjimnazin e Vushtrrisë, me sukses të shkëlqyeshëm. Studimet i nisi në SHLP “Bajram Curri” në Gjakovë, dega Kimi- Biologji, por nuk arriti t’i përfundojë, sepse tri ditë para se ta mbronte temën e diplomës ra në Altarin e Pavdekësisë. Të gjithë ata që e kanë njohur, sidomos shokët e tij studentë, pohojnë së Ruzhdiu ishte i sjellshëm, i shoqërueshëm, i vendosur dhe trim që vdekjes i thoshte ku je. Shpirtin e tij liridashës e sforconin edhe më librat që nuk i ndante nga vetja, si: “Lahuta e Malcisë”, “Azem e Shotë Galica”, “Hasan Prishtina”, “Gjarpinjtë e gjakut” etj. Padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar nuk i duronte dot dhe, në çdo protestë e në çdo demonstratë, ishte i pari.

Pranvera e përgjakshme studentore e vitit 1981 ishte një parantezë artë e një epoke të re për shqiptarët e Kosovës. Atë vit rrugët e qyteteve tona u lanë me gjakun e njomë të luleve rinore. Edhe Vushtrria e lashtë e Hasan Prishtinës nuk mbeti prapa shoqeve të saja. Përkundrazi, ajo qe shumë e zëshme dhe prijatari në këto ndryshime epokale shoqërore. Demonstratat vushtrriase, që vazhduan për disa ditë rresht, kulmuan më 3 prill 1981. Si përherë, në ballë të tyre, me flamurin kuqezi në dorë, printe studenti sypatrembur, Ruzhdi Abit Hyseni.

Dhe, atë ditë, turma e pakënaqur kishte shpërthyer fuqishëm, duke mbushur rrugët e rrugicat. Sakaq, pasdreke, demonstruesve iu bashkëngjitën edhe 300 femra të fabrikës “Polet”. Tek Ura e Gurit u bë përleshja fyt më fyt me forcat speciale policore. Plumbat dhe gazi lotsjellës nuk i zmbrapsen dot liridashësit që brohorisnin “Kosova Republikë”. Kur prijësit e kolonës po vërsuleshin tek dyert e shkollës së policisë, breshëri plumbash automatiku u zbrazën mbi gjokset e shqipeve të lirisë. Trupi i paepur i Ruzhdiut zu të skuqej nga gjaku që po i rridhte nga plaga e marrë në kokë. Flamuri i tij nuk ra në tokë, atë e morën të tjerët për të vazhduar përpara. Akrepat e orës po shënonin 15 e 30 minuta, kur pushoi së rrahuri zemra e studentit dëshmor. Pak më tej, me gjakun e vet lau rrugët e Vushtrrisë edhe plaku 72 vjeçar, Sali Zeka- Mulaku.

Atë ditë rrodhi shumë gjak lirie. Pati edhe shumë të plagosur, në mesin e tyre edhe Ali Jonuzi, i cili kohë më parë, para kuvendarëve në Vushtrri është shprehur: “Demonstruesit që dhanë jetën për pakënaqësitë dhe diskriminimin e shqiptarëve në kohën e sundimit serb duhet të trajtohen si dëshmorë të kombit, të respektohen dhe të kujtohen njësoj si dëshmorët nga lufta e UÇK. Para 36 viteve, ka thënë Jonuzi, ranë heroikisht, në ballë të demonstratave të 2 dhe te 3 prillit edhe katër qytetarë të Komunës së Vushtrrisë, Salih Abazi, Naser Hajrizi, Ruzhdi Hyseni dhe Sali Mulaku dhe u plagosën me dhjetëra të demonstrues në përpjekje për çlirim kombëtar të shqiptarëve të mbetur nën sundimin serb e jugosllav, ndaj kërkoj nga institucionet komunale që këta dëshmorë të përkujtohen për çdo vit me rastin e përvjetorit të rënies së tyre”.

Në nderim të veprës dhe shëmbëlltyrës së Ruzhdiut, mu aty ku ka rënë, është ngritur një pllakë përkujtimore, e cila, në 20 vjetorin e rënies së tij, pra më 3 prill 2001, u zbulua nga Ali Jonuzi, Dinore Curri dhe i nipi, trashëgues i emrit të tij, Ruzhdi Hyseni.

Për të kurorëzuar idealin e tij jetësor, rrugës së tij lavdiplote vazhduan edhe pjesëtarët e tjerë të asaj familjeje. Kështu, në radhët e UÇK-së, në ZO të Shalës veproi i nipi, Ekrem Sinan Hyseni dhe, në sektorin e logjistikës, i vëllai, Ragip Abit Hyseni.

Lavdi Ruzhdi Abit Hysenit dhe të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Kadri Tarelli: Prof. Dr. Murat Gecaj, mbeti në përjetësi Nue Oroshi: Kujtesë për profesor Qazim Kabashin Gjekë Gjonaj: Dr. Suzana Gjekaj, kolonelja e parë shqiptare në Forcat Ajrore të SHBA-së Ibrahim Hajdarmataj: 'Udhëtimi' i fundit i Bajram Currit Sylejman Salihu: Faik Konica, ky princ i kulturës dhe i gjuhës shqipe Dorian Koçi: Imzot Noli, është e mjerueshme që 60 vjetori i shuarjes Tuaj të kalonte në heshtje në Shqipëri Prend Buzhala: Klinë - Katër mësimdhënës të vrarë e të zhdukur në dy masakra dhe 18 arsimtarë të vrarë në luftë Prend Buzhala: Tomë Gjokaj, njeriu që theu mitin jugosllav të përkrahjes në SHBA në vitet 1989-1991 Neshat Mehmedi: Kënga për vëllezërit Jashar dhe Idajet Sejdiu është pasion dhe ushqim Petrit Dibrani: Kosova dhe mbarë trojet e Shqiptarisë humbën dy zëra të fuqishëm Sevdail Hyseni: Profesor Naser Zairi - një jetë e kushtuar arsimit dhe dijes Vlash Prendi: Misionari i pavdekshëm i Pajtimit Prof. Anton Çetta Ibrahim Kabili: Jakup Krasniqi, një intelektual dhe patriot me vlera të spikatura… Rrezart Kalaja: Belisar Jezerci - Një intelektual dhe patriot kundër islamizmit politik dhe pushtimit të huaj në Kosovë Gjekë Gjonaj: Shtjefën Gojçaj, mërgimtari malësor me zemër bujare që ëndërron bashkimin e trojeve shqiptare Nexhmedin Saqipi: Mulla Sulë Sllupçani- legjendë udhërrëfimi për gjeneratat e ardhshme Albert Vataj: Azem Shkreli, pena dhe parmenda e poezisë kushtruese shqipe Kadri Tarelli: Kujtesë për artisten e madhe Vaçe Zela...!? Sevdail Hyseni: Dr. Shefkije Hasani – një emër që nuk shuhet kurrë Hysen S. Dizdari: Një jetë kushtuar letërsisë, atdheut dhe kombit

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx