Faleminderit
Neshat Mehmedi: Kënga për vëllezërit Jashar dhe Idajet Sejdiu është pasion dhe ushqim
E shtune, 01.03.2025, 06:56 PM
KËNGA PËR VËLLEZËRIT JASHAR DHE IDAJET SEJDIU ËSHTË PASION DHE USHQIM
Nga
Neshat Mehmedi
Kënga
për vëllezërit Jashar dhe Idajet Sejdiu, nuk është thjesht një bashkim
tingujsh, ajo është një flakadan i pashuar që ndriçon shpirtrat dhe zemrat e
një kombi. Ajo buron nga thellësia e zemrës, nga thellësia e ndjenjave dhe
shndërrohet në një forcë që frymëzon, zgjon ndërgjegjen kombëtare dhe forcon
dashurinë për atdheun e vendlindjen.
Kënga
për vendlindjen është si një mall i pashuar, si një plagë që nuk shërohet
kurrë. Ajo është jehonë e historisë, e sakrificës dhe e dashurisë për dheun që
të rriti. Kur këndojnë vëllezërit Jashar dhe Idajet Sejdiu, zëri i tyre është
një thirrje që del nga zemra për të mos harruar, për të kujtuar dhe për t'u
ndier krenar për ata që i dhanë jetën, dijen dhe shpirtin kombit.
Në
vargjet e këtyre këngëve ndriçon emri i Profesor Fadil Sulejmanit, njeriut që
guxoi të sfidojë kohën dhe shtypjen, duke themeluar Universitetin e Tetovës. Ai
nuk ndërtoi thjesht një institucion arsimor, por një kështjellë të diturisë për
brezat e ardhshëm. Universiteti nuk u themelua mbi gurë të zakonshëm, por mbi
gjakun e sakrificën, mbi guximin dhe trimërinë, mbi vuajtjen dhe mjerimin. Aty,
ku arsimi ndalohej, ai e bëri të mundur me çmimin e përndjekjes dhe sakrificës.
Ku zëri i tij ushton fuqishëm: “NE DUAM LAPS, T’SHKRUAJMË DUAM, NUK DUAM ARMË!”
Po
ashtu, kur dëgjojmë këngët për atdheun dhe vendlindjen na kujtohet Hoxha
Ramadan Rushan Sejfullahu, një burrë që nuk u mposht nga koha e as nga
padrejtësia. Ai nuk ishte vetëm një prijës fetar, por një dritë në errësirën e
një kombi që kërkonte rrugën e vet. Ai qëndroi i palëkundur, si një lis që nuk
e thyen as stuhia më e egër. “thirrjet e tij ushtojnë edhe sot fuqishëm- dini e
imani nuk janë në Turqi, po aty ku lindët, aty ku i keni varret e të parëve –
në vendlindje e atdhe!”
Në
këto këngë merr jetë edhe Lazim Destani, një filantrop i rrallë, një njeri që
nuk harroi kurrë vendin e tij, edhe kur rrugët e jetës e çuan larg. Ai është
dëshmia se atdheu nuk është vetëm një copë tokë, por një ndjenjë, një detyrim i
përjetshëm për ta ndihmuar dhe për ta lartësuar kombin.
E
si të mos dridhet zemra kur bisedojmë për Asllan Reshitin, njeriun që njohu
padrejtësinë e burgjeve politike! Ai, si shumë të tjerë, e përjetoi mbi supe
dhunën më çnjerëzore të një kohe që donte të shuante zërin e shqiptarëve, por e
kundërta ndodhi – ai dhe të tjerët si ai u bënë dëshmi e gjallë se liria nuk
fitohet pa dhimbje, pa qëndresë dhe pa luftë.
Këngët
për vendlindjen janë si mallkimi i tokës që nuk lejon harresën. Ato janë lotët
e atyre që u ndanë nga vendlindja, britma e atyre që u sakrifikuan për të, dhe
betimi i atyre që do ta mbrojnë përjetësisht. Sepse vendlindja nuk është
thjesht një vend – është një prush që të djeg në shpirt dhe nuk të lë kurrë të
harrosh kush je dhe nga vjen!
Historia
jonë ka treguar se kur pushtuesit tentonin ta shtypnin shpirtin liridashës të
shqiptarëve, kënga ishte ajo që mbeti e patundur, duke bartur amanetet e trimave,
heroizmin e tyre dhe ëndrrat për liri. Ajo është një thirrje që ngrihet nga
zemra e popullit dhe dëgjohet deri në majat më të larta të maleve, ku gjithmonë
ka jehuar fryma e lirisë.
Këngët
patriotike kanë qenë dhe mbeten një mjet i fuqishëm i vetëdijes kombëtare. Me
tingujt e tyre ato kanë ngritur popullin në këmbë, kanë frymëzuar luftëtarët
dhe kanë rritur ndjenjën e përkatësisë. Ato nuk janë vetëm një kujtesë e së
kaluarës, por janë edhe një mesazh për brezat e ardhshëm që liria, dinjiteti
dhe atdhedashuria janë vlera që duhen ruajtur me çdo kusht.
Kënga
patriotike është betimi i pashkruar i një populli që kurrë nuk u dorëzua. Ajo
flet për atë dashuri që kapërcen çdo sakrificë, që sfidon dhimbjen dhe që i jep
kuptim vetë jetës. Heronjtë tanë nuk e lanë këngën të heshtë, por e bënë atë
një forcë që ndez zemrat dhe ringjall krenarinë kombëtare.
Nga
malet ku luftëtarët shqiptarë këndonin këngët e lirisë, deri në qendrat e
qyteteve ku populli grumbullohej rreth lahutarëve, kënga ka qenë gjithmonë një
formë revolte kundër pushtuesve. Ajo nuk ka pranuar kurrë të heshtë dhe nuk ka
lejuar që harresa të mbulojë lavdinë e luftës së shenjtë për liri.
Shumë
këngë kanë lindur nga dhimbja, por ato nuk janë vajtim, ato janë kushtrim! Ato
janë zëri i një kombi që nuk e pranon robërimin dhe që për lirinë është gati të
flijohet. Nuk është rastësi që pushtuesit, që nga osmanët e deri tek pushtuesit
e huaj më të vonë serbo-sllavë, gjithmonë kanë tentuar ta ndalojnë këngën
shqiptare. Ata e dinin fuqinë e saj, e dinin se një popull që këndon për lirinë
e tij, nuk mund të shkelet dhe nuk mund të shuhet.
Sot,
kënga vazhdon të mbetet një lidhje e fuqishme mes brezave. Ajo është urë mes së
kaluarës të tashmes dhe së ardhmes, mes sakrificës dhe shpresës. Këngët e
dikurshme të trimërisë dhe rezistencës sot tingëllojnë si një thirrje për të
mos harruar rrugën që kemi kaluar.
Brezi
i ri duhet të kujtojë se kënga nuk është thjesht argëtim, por një mesazh i
fuqishëm, një amanet për ruajtjen e identitetit dhe lirisë. Ajo është forca që
i bashkon shqiptarët kudo që janë, nga trojet tona e deri tek diaspora.
Të
mbajmë gjallë këngën do të thotë të mbajmë gjallë shpirtin kombëtar. Le ta
ruajmë, le ta këndojmë me krenari dhe le ta trashëgojmë si një pasuri të
pashtershme që na bashkon, na fuqizon dhe na mbron nga harresa. Sepse një komb
që këndon me shpirt, nuk mund të vdesë kurrë!