Faleminderit
Sevdail Hyseni: Profesor Naser Zairi - një jetë e kushtuar arsimit dhe dijes
E marte, 25.02.2025, 05:53 PM
Profesor Naser Zairi - një jetë e kushtuar arsimit dhe dijes
Portret
Nga
Sevdail Hyseni
Pensionimi
i profesor Naser Zairit nga Shkolla Fillore "Muharrem Kadriu" në
Tërrnovc, Komuna e Bujanocit, nuk është thjesht përfundimi i një cikli
profesional, por një moment reflektimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm
në arsimin shqip në Luginën e Preshevës. Me një përvojë rreth tri dekadat në
mësimdhënie, profesor Naseri ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek nxënësit,
kolegët dhe e gjithë shoqëria që e rrethon.
Në
një koktej rasti të organizuar për të shënuar pensionimin e tij, drejtoresha e
shkollës, znj. Leonora Mehmeti, e falënderoi profesorin për përkushtimin dhe
angazhimin e tij të pashoq. Për dekada, ai ka edukuar breza të tërë nxënësish,
duke i frymëzuar me dashurinë për dijen dhe kulturën kombëtare.
Aktivizmi
i tij nuk ishte i kufizuar vetëm në klasë; ai ishte nismëtar i garave të
recitimeve, anëtar jurie në konkurse profesionale dhe pjesë e komisioneve të
rëndësishme arsimore, si ai i Këshillit Kombëtar Shqiptar për hartimin e
testeve pranuese për shkollat e mesme.
Kontributi
i tij ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë edhe në jetën profesionale të shumë
kolegëve të tij, përfshirë edhe autorin e këtij shkrimi. Para disa vitesh, si
drejtor i një prej shkollave më të mëdha në Luginën e Preshevës, profesori
Naseri më dha mundësinë të ushtroj profesionin e mësimdhënies në gjuhë shqipe,
një aspiratë që për vite me radhë ishte bllokuar për shkak të
"përshtatshmërisë moralo-politike", një formulë famëkeqe komuniste,
që preku shumë arsimtarë shqiptarë. Për këtë mirësi, i jam përjetësisht mirënjohës.
Shumë
nga ish-nxënësit e tij sot janë vetë arsimtarë, duke u kthyer si kolegë të tij,
dhe ky është ndoshta vlerësimi më i madh që një mësimdhënës mund të marrë. Në
momentet e tij të fundit si pjesë e kolektivit arsimor, i rrembyer nga
emocionet, profesor Naser Zairi falënderoi kolegët dhe nxënësit, duke shprehur
mirënjohjen për bashkëpunimin dhe momentet e bukura të kaluara së bashku.
Si
simbol i dashurisë për dijen dhe kulturën, ai dhuroi disa libra nga biblioteka
e tij personale për bibliotekën e shkollës, duke lënë pas një trashëgimi që do
të vazhdojë të ndriçojë mendjet e brezave të rinj.
Pensionimi
i tij nuk do të thotë largim nga misioni i tij fisnik, pasi ndihmesa dhe dija e
tij do të mbeten pjesë e pandashme e komunitetit arsimor dhe shoqëror. Profesor
Naser Zairi, një veteran dhe emblemë e arsimimit në Luginën e Preshevës,
largohet nga detyra me nder dhe respekt, por jo nga zemrat e atyre që i edukoi
dhe i frymëzoi për tre dekada me radhë./Sevdail Hyseni/
Drejtoresha
e shkollës, znj. Leonora Mehmeti dhe profesor Naser Zairi
Një
koktej rasti i kolektivit të shkollës dhe nxënësve me profesor Naserin, një nga
momentet më të emocionuara dhe më të bukura të krenarisë së tij.