Faleminderit
Vlash Prendi: Misionari i pavdekshëm i Pajtimit Prof. Anton Çetta
E diele, 23.02.2025, 06:59 PM
YLLI I PASHUAR I TRADITËS DHE PAJTIMIT
– MISIONARI I PAVDEKSHËM I PAJTIMIT PROF. ANTON
ÇETTA, NË 105-VJETORIN E LINDJES –
NGA
VLASH PRENDI
Në
zhvillimin dhe përjetësimin e shkencës folklorike shqiptare, një vend nderi i
takon edhe humanistit të shquar, folkloristit të palodhur dhe simbolit të
pajtimit mbarëkombëtar, prof. Anton Çeta. Një jetë të tërë e kaloi maleve të
Kosovës me laps në dorë duke mbledhur nga goja e popullit perlat e folklorit
shqiptar; një jetë të tërë e kaloi ai në kullat e moçme të vendlindjes duke
vendosur kryqin e artë të pajtimit. Ashtu i urtë, i heshtur, i matur dhe i
ëmbël, u fut në zemrat e njerëzve, në kujtesën e tyre, për të mos u shuar më
kurrë.
E
ndërsa këto ditë pranvere po i afrohemi 35-vjetorit të nisjes së misionit të
pajtimit nga i paharruari dhe i pavdekshmi Anton Çetta, njoftohet se në qytetin
e Klinës është vendosur busti i humanistit dhe shkrimtarit të shquar, simbolit
të pajtimit, prof. Anton Çetës, i cili, së bashku me misionarë të tjerë
kosovarë si Zekeria Cana, Hajrulla Gorani, Mark Krasniqi, Engjëll Sedaj etj.,
punuan me përkushtim për të shuar njëherë e përgjithmonë zakonin e egër të
gjakmarrjes në shoqërinë kosovare. Me iniciativën dhe përkushtimin e kryetarit
të asociacionit Forumi i Intelektualëve "Luigj Gurakuqi" në Klinë, z.
Zenun Zenalaj, dhe me ndihmën e pakursyer të humanistëve dhe patriotëve të
njohur Dodë Ndrecaj, Mikel Gojani dhe Pal Canaj, busti u përurua në qendër të
qytetit historik të Klinës.
Profesor
Anton Çeta lindi në qytetin e lashtë të Gjakovës më 20.02.1920, në një familje
me tradita atdhetare. Familja e tij ishte me origjinë nga Fani i Mirditës, e
ardhur në Kosovë aty nga mesi i shekullit XVIII. Gjyshi i tij, Dedë Kolë Çeta,
pati rrëmbyer armët kundër pushtuesve turq në mbrojtje të trojeve amtare,
prandaj ai u përjetësua edhe në këngë: "...Krisi pushka n’ato shkrepa, /
Luftë po ban ky Dedë Kolë Çeta, / Po luftoka me gjithë vëlla, / Shumë asqer na
paska vra...". Ishte djali i Lazër Çetës, i cili u vendos në Gjakovë për
arsye ekonomike aty nga mesi i shek. XVIII. Por në Kosovë nuk qëndroi gjatë,
sepse familja e tij, për arsye pune, u vendos në Tiranë rreth vitit 1926. Në
këtë kohë, babai i tij, Lazri, punoi disa vjet në Ministrinë e Arsimit të asaj
kohe. Antoni i vogël i filloi mësimet në Tiranë, ndërsa në vitin 1934 i vijoi
ato në Liceun e Korçës. Lazër Çeta ishte njeri me kulturë, intelektual i njohur
dhe atdhetar. Ai i shfaqi hapur pikëpamjet dhe idetë e tij atdhetare dhe
demokratike. Për këtë, në vitin 1938 burgoset dhe internohet në Itali, ku vdes
larg atdheut.
Antoni
i vogël mbetet jetim në moshë fare të re. I detyruar nga kushtet e rënda
ekonomike, ndërpret studimet në Lice dhe udhëton për te dajat në qytetin e
Gjakovës. Ishte një udhëtim trishtues, pa shpresa, por që pati vlera për djalin
e ri. I ndihmuar nga dajat e tij, përfundoi studimet e ndërprera në Tiranë dhe
Korçë. Studimet e larta i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua në
lëndët gjuhë dhe kulturë romane. Pas përfundimit të studimeve caktohet mësues
në fshatrat e Kosovës, ku punoi për një kohë të gjatë në disa krahina për
përhapjen e dijes. Më vonë, për një kohë të shkurtër, punoi si asistent në
degën e gjuhës shqipe, ndërsa nga viti 1960 deri më 1968 dha leksione në
Universitetin e Prishtinës në lëndët Letërsi e vjetër shqipe, Histori e
letërsisë dhe Gjuhë latine.
Krahas
punës mësimore, merrej edhe me krijimtari letrare, por jeta e tij ishte e
lidhur me mbledhjen, botimin dhe studimin e folklorit të ruajtur në gojën e
popullit kosovar. E nisi aktivitetin e tij shkencor në një periudhë tepër të
vështirë, por ka merita të pamohueshme sepse njohu lloje e zhanre të ndryshme
të kulturës folklorike. Zbuloi dhe mblodhi krijime të panjohura më parë, solli
variante shumë interesante, hodhi teza origjinale për prejardhjen e burimeve
folklorike dhe përpunoi analiza të sakta rreth fushës së folklorit në zona dhe
krahina të ndryshme të Kosovës. Me punën e tij plot përkushtim dhe me gjetjet
folklorike synoi të zgjonte te bashkëkombësit e tij ndjenjën e respektit për
vlerat e pakrahasueshme të folklorit, të ruajtura në zemrën e popullit.
Libri
i tij i parë doli në dritë në vitin 1953 dhe më pas, deri në vitin 1987, Anton
Çeta botoi 16 libra me përmbledhje, kryesisht nga fusha e folkloristikës. Që
nga viti 1968, prof. Anton Çeta ishte udhëheqës i Departamentit të Folklorit në
Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Në
vitin 1967, kur u krijua Instituti Albanologjik i Prishtinës, prof. Çeta u
ngarkua me detyrën e shefit të katedrës së folklorit, detyrë që e kreu me
përkushtim dhe pasion. Ai formoi menjëherë një arkiv të pasur me materiale
folklorike të mbledhura nga të gjitha trevat shqiptare. Brenda një kohe të
shkurtër, Arkivi i Folklorit pranë Institutit Albanologjik u pasurua ndjeshëm,
duke arritur një shifër rekord prej rreth 450,000 njësish folklorike.
Nuk
vonoi as seria e botimeve të tij, ku ndër më kryesoret mund të përmenden:
“Balada dhe legjenda” (Vol. I, Prishtinë 1974), “Balada dhe legjenda” (Vol. II,
Prishtinë 1977), “Kënga kreshnike” (Prishtinë 1974), “Kërkime folklorike”
(Prishtinë 1981) dhe “Këngë dasme” (Prishtinë 1984), kjo e fundit e
bashkëautorësuar me Anton Nikë Berishën. Në këto vepra dhe të tjera, ai
paraqiti një fragment të pasurisë shpirtërore të popullit shqiptar, duke
dokumentuar këngët, zakonet dhe ritet që jetojnë dhe zhvillohen në të gjitha
trevat shqiptare. Kontributi i tij i padiskutueshëm dëshmoi lashtësinë dhe
unitetin e etnokulturës popullore shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe më
gjerë.
Instituti
Albanologjik i Prishtinës, nën drejtimin e tij, krijoi një fizionomi të plotë
dhe botoi 25 vëllime të korpusit të folklorit popullor shqiptar. Për një kohë
të gjatë, ai drejtoi dhe shkroi artikuj të shumtë në revistën shkencore
“Gjurmime Albanologjike” dhe mori pjesë në konferenca shkencore brenda dhe
jashtë vendit, duke dhënë ndihmesën e tij edhe në studimet folklorike
ballkanike. Me kompetencë dhe nivel të lartë shkencor, Anton Çeta u bë një
figurë e respektuar në botën e albanologjisë.
Vitet
1990 sollën ndryshime të mëdha për shqiptarët. Plaga e rëndë e hakmarrjes ishte
përhapur gjerësisht, duke marrë jetë të pafajshme. Anton Çeta nuk mund të
qëndronte indiferent ndaj kësaj tragjedie. Me iniciativën e tij, ai ndërmori
një aksion historik për pajtimin e gjaqeve. Duke vlerësuar pasojat e rënda të
hakmarrjes, e cila ushqehej nga qarqe të caktuara për të përçarë shqiptarët, ai
u mobilizua me guxim dhe mençuri për ta eliminuar këtë fenomen shkatërrues.
Lëvizja
fisnike e pajtimit filloi në shkurt të vitit 1990, në fshatin Lumbardhë të
komunës së Deçanit. Ky ishte një moment historik, kur u fal gjaku i parë dhe u
pajtuan dy familje, duke shpëtuar jetë njerëzish. Me përvojën e tij të thellë
në normat kanunore dhe traditat fisnore të Kosovës, Çeta e vuri këtë njohuri në
shërbim të një kauze madhore. Brenda një periudhe të shkurtër, në mbarë Kosovën
u falën mbi 900 gjaqe. Emri i tij u bë sinonim i pajtimit dhe respektit në të
gjitha trevat shqiptare.
Në
ato vite të vështira, nëpër bjeshkët e Kosovës dhe në frontin e luftës,
këndohej për të:
“Kur
po vjen e bardha orë,
Me
falë gjaqet në Kosovë,
Anton
Çeta, i biri i shqipes,
Plak
i bardhë si rrezja e dritës,
Zemra-zemrën
lajmëron bjeshkën,
Prite,
prite Anton Çetën,
Asht
kallaj për me lujt çarkun,
Por
ma zor për me fal gjakun,
Nderon
kombin e kanunin,
Derë
për derë kur çon flamurin,
Ban
me folë gurin me gurin…”
Anton
Çeta mbetet një thesar i pashtershëm i kulturës dhe dijes shqiptare. Ai shquhej
për erudicionin dhe kulturën e tij të thellë në fushën e folkloristikës, duke
qenë njohës i shkëlqyer i arritjeve folklorike tradicionale dhe bashkëkohore.
Përmes veprës së tij, ai çeli shtigje të reja dhe avancoi mendimin shkencor
folkloristik shqiptar, duke lënë një trashëgimi të pavdekshme për brezat që do
të vijnë.
Kosova
ishte përfshirë nga flakët e luftës. Era e barutit dhe krisma e pushkëve
mbizotëronin kudo. Për kosovarët ishte bërë e qartë se pajtimi kombëtar ishte i
domosdoshëm për t’i bërë ballë pushtuesit shovinist serb. Kështu, më 2 shkurt
1990, një grup studentësh nga qyteti i Pejës krijuan Këshillin e parë të
Misionit të Pajtimit të gjaqeve, në krye të të cilit u vu Prof. Anton Çeta. Me
zgjuarsinë, humanizmin, kulturën dhe vlerat e tij njerëzore, ai besonte se
uniteti i popullit dhe bashkëjetesa paqësore ishin themeli i qytetërimit. Ai
synonte të njihte nga afër shpirtin e njerëzve, bujarinë, mikpritjen, besën dhe
gatishmërinë për të sakrifikuar për çështjen kombëtare.
Anton
Çeta mbartte mbi supe një përvojë të pasur, gëzonte respekt dhe një emër të
nderuar. Ai njihte mirë format dhe metodat e pajtimit. Pranë tij kishte ndihmën
e bashkëpunëtorëve të tij të vyer si Mark Krasniqi, Fehmi Agani, Pajazit Nushi,
Zekeria Cana e të tjerë, të cilët nuk kursyen asgjë për çështjen madhore të
bashkimit kombëtar. Fjala dhe mendimi i tij ndërgjegjësonin kosovarët se duhej
ndalur vëllavrasja, duhej urryer hasmëria dhe hakmarrja. Kosovarët e njohën
Anton Çetën dhe e vlerësuan si burrë fisnik, atdhetar të flaktë dhe besnik të
traditave popullore. Ata e dëgjonin me respekt, ulur këmbëkryq në logun e
kuvendit ose në odat e burrave ku bëhej pajtimi.
Ai
synonte që me fjalën e tij të urtë, të matur, të ëmbël dhe të zgjedhur, të
prekte shpirtin e njerëzve. Shpesh përdorte sentencën popullore: “Me fal gjakun
asht burrni, sepse trimi di me fal…”. Në shumë raste, tek kjo figurë madhore
sintetizohej besimi i madh se: “Në qoftë se fal gjakun, ia fal vetëm Anton
Çetës”.
Plaku
legjendar ishte bërë tashmë figura më e spikatur në Kosovë e më gjerë. Misionar
i palodhur i pajtimit, folklorist i shquar dhe deputet i Parlamentit të parë të
Kosovës që nga viti 1990, emri i tij ishte ngritur në kult. E gjithë Kosova e
njihte birin flokëthinjur dhe e priste me gëzim e zemër të hapur. Fjalët e tij
kalonin gojë më gojë, nga familja në familje dhe nga fshati në fshat, duke
dhënë efektin e duhur në forcimin e ndërgjegjes kombëtare. Këto përpjekje
madhështore shtonin shpresën se jeta po ngadhënjente mbi vdekjen. Falë punës së
tij të palodhur, brenda një kohe të shkurtër u falën rreth 1050 gjaqe, 500
plagosje dhe 600 grindje të rënda me premisë hakmarrjeje.
Veprën
e tij e kanë vlerësuar gjithmonë. Prof. Anton Berisha shkruan: “Në punën e tij
në terren, Anton Çeta njohu gatishmërinë për flijim, qoftë për nderin vetjak e
të familjes, qoftë për katundin, për fisin, për atdheun. Njohu urinë e njerëzve
dhe madhështinë e veprimit individual e kolektiv në raste të gëzueshme… por
edhe në ato të dhimbshme e tragjike”. Dr. Nikollë Toma e vlerëson: “Mbeti i
paharruar për faljen e gjaqeve, sepse shpëtoi qindra jetë njerëzish dhe ndikoi
në evitimin e plagëve të rënda, të cilat pushtuesi serb me shumë zell i
stimulonte”. Ndërsa studiuesi Agron Xhangolli thotë: “Diku prania e Anton
Çetës, në një vend tjetër fjala e tij bindëse, në një tjetër një tregim
popullor me temë pajtimin… ushtronin ndikime të pallogaritshme. Midis njerëzve
që deri në ato momente shfaqnin armiqësi dhe kërkonin vdekje, shtrihej dora e
pajtimit, e fjalës, e bashkimit në emër të idealit të lartë të pajtimit
mbarëkombëtar”. Kurse T. Syla shkruan: “Anton Çeta, plaku i urtë i odave dhe
kuvendeve të pajtimit, me vetmohim iu përkushtua zhdukjes së plagës shekullore
të gjakmarrjes”.
Jeta
e tij ishte e shkurtër. Zemra e tij pushoi më 4 nëntor 1995, në një kohë kur
populli kosovar kishte më shumë se kurrë nevojë për të, për fjalën e tij të
artë, për qëndrimin e tij fisnik dhe për mendimin e tij të vyer. Para trupit të
tij, studiuesi i mirënjohur Sadri Fetiu do të theksonte: “Jemi tubuar për t’i
bërë nderimet e fundit një burri të rrallë të Kosovës, një plaku të urtë të
kombit shqiptar, i cili në ditët më të vështira u ngrit bashkë me rininë
kosovare, që popullit të vet t’ia mjekonte plagët shekullore, që gjakun ta
shndërronte në dritë, që urrejtjen ta kthente në dashuri…”.
Për
heroin e pajtimit është shkruar shumë, por në mendjen e njerëzve do të mbeten
të pashlyera fjalët e Prof. Engjëll Sedajt para varrit të tij në Prizren më 5
nëntor 1995:
“Fort
i dashuri dhe i paharrueshëm ynë, Prof. Anton!
Lajmi
për vdekjen tënde na ka gjetur me lot në faqe. Ti ke qenë i sëmurë dhe nuk e ke
ditur, e unë po të tregoj se pikërisht të mërkurën më 1 nëntor 1995 në Zym kemi
varrosur Anton Pashkun, profetin e heshtjes. Ti e ke njohur mirë Anton Pashkun
dhe gjithë shkrimtarët shqiptarë… Ti ishe në odat e mëdha të Drenicës, në
Malësinë e Gallakut, në Tuz e në Shkodër, në Prishtinë e në Tiranë. Ti shkove
në Gjermani e në Amerikë për të lënë gjithkund amanetin e pajtimit dhe të
bashkimit kombëtar, duke na mësuar se bashkimi arrihet me vepra të mira…”.
Veprën
e tij e ka vlerësuar populli, Kosova dhe gjithë shqiptarët. Dhe sot, ai qëndron
krenar në mes të qytetit të Klinës, i nderuar nga vëllezërit e një gjaku dhe
nga gjithë kombi shqiptar. Prandaj zemra e popullit këndon:
“Kur
thotë fjalën Antoni plak,
Lind
pajtimi, s’ka më gjak.
Kur
ngre zërin Anton Çeta,
Falet
gjaku, zgjatet jeta…”.
Ai
rron dhe do të rrojë në mendjen dhe zemrën e popullit të Kosovës martire, e
cila, falë tij, sot gëzon bashkimin, vëllazërinë, lirinë dhe jetën.