Faleminderit
Milaim Vokshi: Atdhetarët kanë edhe jetën e tretë
E marte, 14.01.2025, 06:53 PM
ATDHETARËT KANË EDHE JETËN E TRETË
(Rrëfim
për Nënkryetarin shumëvjeçar në Degën e LDK-së në Zvicër, Ing. Nazmi
PECI-BOLETINI)
Nga
Milaim VOKSHI
Në
vitin 1990, Ing. Nazmi PECI-BOLETINI, bashkë me disa veprimtar të tjerë, ishte
njëri nga themeluesit e Degës së LDK-së në Zvicër, dhe njëri nga nënkryetarët e
parë të kësaj dege demokratike. Si veprimtar i saj, shpeshherë e ka vizituar
Nëndegën e LDK-së në St. Gallen, andaj për mua mbetet veprimtari më i
kompletuar dhe më i dashur gjatë viteve 1995-1998, atëherë kur isha unë
Koordinator i Grupit të Nëndegëve në Zvicrën Lindore. Aty pata rastin ta njohë
edhe ma mirë, dhe tani të mburrem që isha bashkëveprimtar i tij. Më pas, Ing.
Nazmiu gjithnjë ka vizituar Nëndegën tonë dhe me dhjetëra herë ka ardhur edhe
në biznesin tim, të cilin e kam drejtuar për vite të tëra. Jo vetëm si
intelektual me njohje të gjerë, por Ing Nazmi PECI-BOLETINI, ka qenë edhe në
aspektin njerëzor ma i sjellshmi, dhe ma i respektuari që kam pritur dhe i kam
shërbyer në lokalin tim të gastronomisë. Mund të them se Ing. Nazmi
PECI-BOLETINI, gjithnjë ka mbajtur qëndrim parimor ndaj të gjitha proceseve
nëpër të cilat kalonte vendi ynë.
Kjo
ndjenjë më lidhet me emrin dhe personalitetin e tij, pasi për të fundmen herë
në një aktivitet publik, mori pjesë dhe foli për librat e mikut të tij dhe
bashkëveprimtarit tim Shefqet Dibrani. Ashtu siç e kanë theksuar të tjerët, ky
prezantim i tij publik ishte i fundit, kurse rasti ka ndodhur pikërisht në
lokalin tim, ku unë isha drejtues e pronar dhe natyrisht edhe në shërbim të
tij. E falënderoj Zotin që nuk na tregon se kur e kemi radhën dhe takimin e
fundit, kur e kemi prezencën e fundit në një aktivitet publik, dhe nuk e dimë
kur e themi lamtumirën e fundit?! Si sot më kujtohet butësia, brishtësia dhe
dashamirësia e tij, në atë takim, kurse në ndarje që paska qenë e fundit, ai me
zemër më ka uruar dhe falënderuar për mikëpritjen që organizuam për të
pranishmit.
Po
ashtu, vlen me përmendur se me Ing. Nazmi PECI-BOLETININ, kam bashkëpunuar edhe
në Fondin Humanitar Gjithëkombëtar, dhe pastaj edhe në Fondin e Trepërqindëshit.
Korrektësia, preciziteti dhe sinqeriteti ishin atribute të rralla. Ing. Nazmi
PECI-BOLETINI, ishte tepër i përkushtuar dhe gjithnjë vinte i përgatitur.
Raportonte me shkrim dhe mbante shënime si askush tjetër. Me një fjalë ai ishte
veprimtar i palodhshëm dhe njëri nga ata që bëri shumë edhe për lirinë dhe
pavarësinë e Kosovës. Ia vlenë ta them se Ing. Nazmi PECI-BOLETINI, ka qenë
veprimtari përgjegjës i Degës tonë, edhe në “Fondin për Nevoja të Veçanta”,
gjatë vitit 1991-1992, atëherë kur bashk me Degën e LDK-së në Gjermani, qe
marrë inciativa për t’i përgaditur për luftë “Grupet e para ushtarake”
që do të ushtroheshin në Shqipëri: Shpresoj se historia do ta dëshmoj se ato
përgatitje ishin bërthamat e para të UÇK-së, të cilat pastaj udhëhoqën Luftën
në Kosovë 1998-1999, dhe njëherë e përgjithmonë e shporrën shkjaun dhe
dhunën serbe nga Kosova.
Ing.
Nazmi PECI-BOLETINI, ishte konsekuent, i fjalës dhe i besës deri në frymën e
fundit. I denjë dhe i drejtpërdrejtë nëpër të gjitha proceset shtetformuese, ai
e udhëhoqi idealin e vet me dinjitet në shërbim të interesave kombëtare. Ai do të mbetet një personalitet me atrubute
të rralla në tërë mërgatën shqiptare në Zvicër dhe kudo në Europë, andaj ai
është një përsonalitet dhe figurë e mëdhe për Mitrovicën dhe Shalën e Bajgorës.
Gjithësesi edhe një figurë e ndritshme në Historinë e Popullit Shqiptar,
sepse ai kontriboi shumë për demokracinë, paqen, për luftën dhe për çlirim e
Kosovës.
Ing. Nazmi PECI-BOLETINI, me besnikëri i shërbeu Presidentit të Kosovës dhe Kryetarit të LDK-së, Dr. Ibrahim Rugovës, të cilin e dashti dhe e çmoi shumë, dhe gjithnjë ballëhapur i mbrojti idealet e tij për realizimin e demokracisë në shërbim të interesave të shenjta të popullit dhe Kosovës. Për jetë e mot, lavdi punës dhe veprimtarisë së Tij!...
Diepoldsau
(SG), janar 2025.
Milaim VOKSHI, ish koordinator i Grupit të
10-të,
dhe Kryetar i Nëndegës së LDK-së në St. Gallen.