Faleminderit
Agron Gjekmarkaj: Sami Repishti iku, la pas një monument!
E enjte, 28.11.2024, 06:58 PM
Sami Repishti iku, la pas një monument!
Nga
Agron Gjekmarkaj
Sa
keq që ka ndërruar jetë Sami Repishti! Si një zë nga qielli shfaqej ai në Botën
Shqiptare, herë pas here, kur urtia e tij përkufizohej si shpresë! Diku në
faqet e para të librit “Nën hijen e Rozafës”, Repishti na rrëfen se si teksa
mësuesi i historisë u fliste studentëve për Gjergj Kastriotin –Skënderbeun, një
shok klase ofshan e plot pafajni thotë: “Sa keq që ka vdekë Skënderbeu!”.
Një
keqardhje e tillë duket e shoqëron qysh në vogli edhe Sami Repishtin, sepse i
vetëdijshëm Skënderbeu është për të “mbinjeriu” shqiptar që ndryshon rrjedhat e
historisë! Kjo ofshamë duhet ti dalë sot çdo shqiptari që e ka shijen e
kulturës, të lirisë, të dinjitetit njerzor, të një shoqërie pa dhunë e
padrejtësi, apo atë sublimitetit të Atdheut!
Sami
Repishti një nder intelektualët më të medhenj shqiptar futur në mes të dy
shekujve, sot ndërroi jetë! Gjithë jetën e tij ja kushtoi dinjitetit njerzor,
lirisë individuale e shoqërore! Shqiptar rracet e shkodran sojit, shkrimtar, disident,
i burgosur politik, filozof, profesor në Amerikë, veprimtar pranë
administratave të ndryshme të SHBA-ve, kohë e gjitha e shpenzuar për Shqiperinë
e Kosovën, në konflikt të pareshtur me tiraninë komuniste e shtypjen nacionale!
I
formuar në perëndim, për 10 vjet i burgosur pas perdes së hekurt! I arratisur
si në legjenda mbërrin në vendin e lirive! Mundësinë personale e kthen në
përspektivë shqiptare! Bashkëkohës e mik i të mëdhenjëve, Koliqi, Camaj dhe
Pipa, i madh sa ata!
Ideolog
i identitetit europian të shqiptarve, po kaq i mendësisë dhe standardeve
demokratike!
‘’Gjithë
rininë e kam kaluar në vendin tim të lindjes, Shqipëria, ku kam parë tërë
skenat çnjerëzore të tmerrit fashist të Luftës së Dytë Botërore. I ri,
pjesëmarrës i Rezistencës, u ndodha më 1945 përballë një ideologjie totalitare
dhe një qeverie që e quanin ‘’pushteti i popullit’’. Realiteti që përjetova
dërrmoi tërë shpresat e mija, dhe me vullnetin për t’i qëndruar besnik
vetvetes, iu kundërvura rendit të ri të vendosur. Më quajtën ‘’rebel’’. E
pranova këtë cilësim dhe krejt pasojat
që rrodhën; dhjetë vjet tortura, burg, kamp përqendrimi dhe punë të detyruar.
Më 1959 kalova me armë kufirin …Zhvlerësimi njerëzor i organizuar nga
komunistët në kampet e përqendrimit të Shqipërisë poshtëroi të burgosur në
numër të madh; shumë u vranë, u vetëvranë, me mënyra nga më të llahtarshmet… Të
jetosh në një kamp përqendrimi është vetë ferri. Të përballosh torturën, të
sotmen e të nesërmen, ta përballosh atë çdo ditë që pason dhe këtë për dhjetë vjet
më radhë, është një agoni shumë më e thellë se ajo e vdekjes’’! Kjo pjesë
autobiografike gjindet tek “Dialektika e rendit dhe e rebelimit’’, tek Andre
Malraux”, një kryvepër e llojit në sociologji e filozofi!
Në
paqe mes Islamit dhe Krishtërimit, i fisëm në qëndrime, i paepur në bindje,
magjepës në vepra të shkruara e të folura, ndikues i madh atje ku çdo njëri
prej nesh ndihet i vogël, pranë Presidenteve të SHBA-së apo në katedrat
historike të qytetërimit perëndimor, sot shkoi në amshim, një nga Ata që i lind
rrallë shoqi!
Iku
dhe la një monument të shqiptarit që mblodhi në vete valencat e historisë, e ka
shqisat e modernitetit, la monumentin e intelektualit të kalibrit, atë të
klerikut të lirisë e dinjitetit në përballje me tiraninë, të patriotit që e do
vendin e tij edhe kur ai të vret! Iku
Gega i fundit madhështor!