Faleminderit
Albert Zholi: Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës
E premte, 27.09.2024, 07:56 PM
Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës
Nga Albert
Z. ZHOLI
-Pa dëshmor historia e
një kombi venitet, pa heronj historia e një kombi
është destinuar të vdes. Heronjtë janë
dëshmia e virtyteve më të larta
patriotike dhe vetsakrifikuese në emër të lirisë.
Heronjtë janë pjesa më e ndërgjegjshme e
një kombi ku interesat e atdheut janë mbi gjithçka,
edhe mbi jetën. Historia e vërtetë e një
kombi nuk mund të shkruhet as me
emocion, as në situatë lufte, as nga
politikanët, as nga fituesit e një lufte apo
tradhëtarët, ajo shkruhet nga historianët gjakftohtë
dhe të ditur pa asnjë ndikim politik
dhe në kohë paqeje. Dhe për figurat patriotike më të shquara
të kombit, krijuesit e kanë ngjizur penën kur kanë mësuar, lexuar dhe rrëmuar
se vepra e tyre me kalimin e kohës është lartësuar dhe nuk është zbehur kurrë. Madje figurat e larta të kombit janë
kthyer në legjenda sepse vepra e tyre është bërë burim frymëzimi ndër breza.
Një ndër këto figura që i kushtoi jetën Shqipërisë mbetet dhe Tafil Buzi.
Jeta e tij e mbushur me ngjarje, herozimat e tij që sot janë kthyer në legjenda.
Trimëria e tij që mirret si shembull në beteja, zgjuarsia e tij që ka qenë
ditar udhëzimi për komitët dhe e kanë bërë figurën e tij të pavdekshme duke e
renditur ndër 100 heronjtë më të mëdhenj të kombit shqiptar.
Jetëshkrimi si një degë dafine
Dafina
simbolizon mirësinë dhe plotësimin e dëshirave, ndaj dhe unë e kam
përcaktuar jetën e Tafil Buzit si një degë dafine, pasi shpirti i tij ishte
mbushur me mirësi për Atdheun, që ta shihte të lirë, dëshirë që u plotësua nga
pasardhësit patriot si amanet i tij dhe shokëve të tij të luftës. Dhe pse
dafina është e brishtë ajo personifikon shpirtin e mirë dhe atdhetar të Tafil
Buzit dhe pse jeta e tij ishte e mbushur me ngjarje, luftra, përpjekje që për
kohën e sotme duken të pabesueshme. Tafil Buzi i biri i Kapos dhe i
Shanisë lindi në vitin 1792 në fshatin Buz. Një fshat i ashpër rrethuar me male
por që ka një bukuri në çdo stinë.
Buzi ndodhet 50 kilometra larg qytetit të Tepelenës, si pjesë e padarë e
qytetit të bedenave dhe të Ali Pashës mik i të cilit ishte dhe Tafil
Buzi. Nga fshati i mahnitshëm Buz,
katund i pështjelluar pas ndjeshmërisë klasike të shqiptarit trim e luftarak,
ai u burmos me virtytet më të mira. Në fshat ai u
mëkua që në djep me ninullat që të bëhej i fortë, i ditur, patriot dhe i papërkulur.
Në familje ai mësoi traditat dhe vitytet më të mira të Labërisë si trimëria,
bujaria dhe besnikëria. Si të gjithë labët edhe familja e tij ishin njerëz baritorë luftarakë që jetonin
kryesisht në malet përreth gjatë pushtimit osman të Shqipërisë. Ai u largua nga fshati pa mbushur 18 vjeç dhe u bë
pjesë e lëvizjes antiosmane duke u bërë një legjendë me vete.
Ngjarjet më pikante të jetës
Shqipëria në çdo milimetër tokë është vaditur
me gjakun e dëshmorëve të cilët nuk kursyen asgjë që ajo të fitonte lirinë, të
ishte shtet i pavarur. Nuk do ketë vend në Europë që të ketë zhvilluar aq shumë
luftra për pavarësinë, sikundër nuk ka vend në Europë që të ketë kaq heronj për
çështjen kombëtare. Kjo për arsyen e vetme se pozicioni gjeografik i Shqiqprisë
ka ngjallur oreksin e fuqive të mëdha për ta bërë të vetën tokën arbërore. Në
panteonin e pavdekshëm të figurave kombëtare shqiptare, një vend të rëndësishëm
zë dhe Tafil Buzi, ky bir i malësisë së Buzit. Për vetë jetën e tij
luftarake të jashtëzakonshme, për gjeogarfinë e shtrirjes së aktivitetit të tij
patriotik, Tafil Buzi, ze vendin e një e një udhëheqësi popullor të
spikatur, të një drejtuesi ushtarak e të një luftëtari guximtar në kryengritjet
popullore. Tafil Buzi në të
gjitha librat e historisë njihet si një udhëheqës i kryengritjeve
antiosmane të viteve '30 të shek. XIX-të. Askush nuk mund të mendonte dhe jo më
të vepronte si Tafili në atë kohë, kundër Perandorisë më të madhe të botës. Ish
luftëtar i Ali Pashë Tepelenës dhe më pas i Mehmet Ali Pashë Misirit, u dallua
gjatë gjithë jetës së tij si organizator dhe prijës i shquar ushtarak.
"Ky Tafil Buzi i ri dhe guximshëm ka përkrahës dhe besëlidhës në gjithë
Shqipërinë"- kështu e kanë përshkruar historianët europian atë.
Një nga
pikat kulmore të jetës së tij luftarake është përpjekja për të bashkuar
shqiptarët e zhgënjyer që luftuan për Revolucionin Grek të 1821. Shumica heronjve që derdhën gjak ishin arvanitas
nga Thiva, Peloponezi, Suli, Himara, Athina, Teba, Livadia, Atlanta,
Korinthi dhe shumë zona të Moresë, të cilët flasin gjuhën arbërore dhe nuk u
respektuan me fitoren e pavarësisë. Në këtë Revolucion sipas të madhit
Aristidh Kola, përveç arvanitëve të krishterë, ishin më shumë se 3500
arvanitasit muhamedanë që luftuan përkrah grekëve kundër osmanëve, dhe prijësit
e tyre ishin Tafil Buzi, Gjoleka, Hodo e të tjerë kapedanë të shquar
shqiptarë. Roli i Tafilit ishte i madh, por zhgënjimi ishte po aq i madh.
Por Tafili e vazhdoi luftën...Në
vitin 1828, mori pjesë në Kuvendin e Beratit. Një
moment historik i veçantë...Gjatë përgatitjeve që Porta e Lartë po bënte për të
përballuar presionin e Fuqive të Mëdha në favor të çështjes greke, sulltani,
ashtu si gjithë myslimanëve të perandorisë, edhe myslimanëve shqiptarë u bëri
thirrje të rrëmbenin armët për të mbrojtur "fenë e shtetin".
Mehmet
Reshid pasha urdhëroi krerët feudalë të Shqipërisë Jugore të paraqiteshin në
Janinë bashkë me luftëtarët e tyre. Këtij urdhri nuk iu bind së pari Iljaz
Poda, megjithëse veziri anadollak i kishte dërguar njoftime se e kishte falur
për qëndrimet e kaluara. Për ta bindur Iljaz Podën, ndërhyri edhe Porta e
Lartë, e cila, në të njëjtën kohë, e kërcënoi se do ta ndëshkonte po të mos
bindej. Iljazi nuk iu bind as Portës dhe, bashkë me krerët e tjerë që ndoqën
shembullin e tij, filloi punën për t'i dëbuar Mehmet Reshid pashën dhe
funksionarët e tjerë nga Shqipëria Jugore..
Feudalët shqiptarë, jo vetëm pse ushqenin simpati për
çështjen greke, por edhe sepse ishin të bindur se ajo do të triumfonte, dhe pse
e quanin me rrezik për interesat e tyre dhe për vendin, pjesëmarrjen në
ekspeditë, nuk pranuan të angazhohen në luftën kundër Greqisë. Ata e shihnin
këtë veprim si një nga rrugët për të dëbuar Mehmet Pashën dhe funksionarët e
tjerë osmanë nga Shqipëria Jugore. Iljaz Poda, Ismail bej Vlora dhe Shahin bej
Delvina, vendosën që për këtë çështje të thirrej një kuvend i gjerë i
përfaqësuesve të krerëve shqiptarë. Ndërkaq, para se të mblidhej kuvendi, ata
hynë në bisedime me qeverinë greke për të përcaktuar qëndrimin që do të mbanin
të dyja palët në konfliktin që kishte shpërthyer. Gjatë bisedimeve të dyja
palët u zotuan të mos sulmonin trojet e njëri-tjetrit.
Pas kësaj marrëveshjeje, në javën e parë të muajit
nëntor 1828, u mblodh në Berat, Kuvendi i krerëve shqiptarë. Kuvendi i zhvilloi
punimet e veta në mbledhje të fshehta, që zgjatën nga 6 deri më 8 të atij muaji
dhe u mbajtën nën kryesinë e Ismail bej Vlorës, Iljaz Podës dhe Shahin bej
Delvinës. Në këtë Kuvend, Tafili kishte rolin e tij kryesisht në mbështetje
direkte të luftës Greke me shpresë që kjo luftë do të kalonte dhe në atdheun e
tij për të fituar pavarësinë nga Perandoria Osmane.
Por
idetë dhe dëshirat e tij nuk u plotësuan pas këtij Revolucioni. Ëndrra e tij
ishte Shqipëria, atdheu i tij që të bëhej i pavarur. Në këtë situatë kthehet
nga Greqia, ku kishte ikur për të shpëtuar nga ndjekjet e osmanëve, dhe në
gusht 1834 dhe zbarkoi në Pashaliman. Ai
zbarkoi në tokën amë nga Korfuzi në Pashaliman, duke ndjekur rrugën
Vlorë e Tepelenë. Dhe më kryesorja në Marsin e vitit 1834, Tafil Buzi
drejtoi kryengritjen ushtarake në Berat ku numuronte 10,000 luftëtarë popullor.
Për këtë moment historik e gjejmë edhe këngën :
- Çelua arapi zi,
Tafili një grusht njeri,
Bashkë me Veis Vasjari,
Ikën e zunë Besanë,
Duan të marrin kalanë !....
Me ftesë
të kryengritësve të Beratit mori detyrën e udhëheqësit ushtarak dhe të
ndërlidhësit të kryengritësve me Mehmet Aliun e Misirit. Tek Tafil Buzi ishte e zhvilluar sedra
kombëtare, dhe donte që edhe shqiptarët të ishin të papërkulur para armiqëve.
Tafil Buzi formoi në Tepelenë më 27 qershor 1834, një ushtri prej 2.000
luftëtarësh. Së bashku me luftëtarët e Zenel Gjolekës niset të çlironte
Janinën. Ai mendonte se do të kishte mbështetjen e luftëtarëve të zhgënjyer të
kryengritjes, por pabesia e kryeministrit të shtetit të ri grek, bëri që beteja
afër Janinës të bëhej kasapanë për luftëtarët shqiptarë. Me patriotizmin e
kthjellët e përparimtar, ai i bashkoi trimat e Jugut të Shqipërisë me shpalljen
e bërë në kryengritjen e 1835. Në ditët e para të vitit 1835 kryengritësit u
shkëputën autoriteteve lokale osmane disa të drejta vetëqeverisëse, që nuk u
njohën nga Stambolli. Fill pas kësaj lëvizjeje Tafil Buzi nisi një kryengritje
të re, por nuk gjeti përkrahje te paria e Beratit. Më 1836 u orvat edhe një
herë të organizonte kryengritjen në krahinën e Vlorës. E gjendur në pamundësi për të frenuar
kryengritjen e Tafil Buzit, perandoria Osmane u detyrua të lëshonte një qarkore
që më vonë do të sillte një marrëveshje që u vu në jetë në 1836 në një mbledhje
të zhvilluar në Berat. Krahina e Tepelenës përfaqësuar në këtë mbledhje nga
Tafil Buzi me shokë, arriti të fitonte Autonominë e saj nga viti 1836 deri në
1841. Një fitore hsitorike e rrallë. Askush nuk mund
ta besonte. Kronikanët e kohës e vlerësuan jashtëzakonisht. Aktiviteti
patriotik dhe luftarak i Tafil Buzit nuk rreshti deri sa ai vdiq në vitin 1844,
duke u bërë shembull frymëzimi për të gjithë bashkëluftëtarët e tij si dhe
brezat e tanishëm. Ai ishte si një ëndërrimtar i zjarrtë për të çelur
rrugën e rilindësve që ja kushtuan jetën çështjes kombëtare...Fryma e tyre
ishte: -
Egzistenca e një
kombi varet nga 4 element themelor: Gjuha,
territori, flamuri dhe himni. Kur mungon një
element egzistenca është e cunguar , kur mungojnë
dy egzistenca ëzhtë e plagosur, kur mungojnë tre
egzistenca është e dyshimtë kur mungojnë 4
një komb nuk egziston. Shqipëria sot i zotëron katër ëndrrat e
patriotëve të shquar që i lanë si amanet të shenjtë si vetë vepra e tyre
heroike.
Në Buzë
të greminës hidhje vallen e jetës,
Se jeta
jote ishte vullkan që ndizte zjarr,
Palla e
mprehtë ishte pjesë e trupit,
Shtëpi,
nënë, babë, pasuri kishe Atdhenë!
Askush
si ti se njihte me pëllëmbë Atdhenë,
Askush
si ti s'vuri gjumë për Lirinë,
Në ballë
kishe shkruar me gërma të Arta:
Jeta ime
është lidhur më Pavarësinë!
Nuk të
mposhtën luftrat në çdo stinë,
Ideali
yt ishte ushqimi i shpirtit arbëror,
Tafil
Buzi i gdhendur në historinë Shqiptare,
Në
altarin e shenjtë si Feniks vezullon.