Faleminderit
Jahja Drançolli: Viktor Karpaçi, një nga personalitetet më të mëdha të Shkollës Arbërore të Venedikut
E marte, 25.06.2024, 05:59 PM
Si sot, në vitin 1525, vdiq Viktor Karpaçi (c. 1460-1525), një nga personalitetet më të mëdha të Shkollës Arbërore të Venedikut (Scuola degli Albanesi)
Sipas talentit të tij të rrallë, ai u ngjit në
piramidën e piktorëve më të famshëm të Rilindjes Europiane!
Nga
Jahja Drançolli
Me
të dhënat që disponoj, nuk mund të jepet asnjë mendim i caktuar në lidhje me
vendin e lindjes së piktorit. Duke pasur parasysh faktin se Viktor Kapaçi
kishte nënshkruar pikturën e parë me “Veneto” (venedikas), disa studiues mendojnë
se vendlindja e tij është Venediku. Ne mendojmë se kjo e dhënë, e vetme e këtij
lloji, nuk mund të merret për ndonjë argument të fortë, që sipas tij prerazi të
konstatohet se vendlindja e Karpaçit qe Venediku. Themi kështu, meqenëse tokat
e Republikës së Venedikut gjatë periudhës kur ka jetuar Karpaçi u shtrinë edhe
në Dalmaci dhe Arbëri. Prandaj, banorët e këtyre tokave janë regjistruar
përgjithësisht si Venedikas. Në anë tjetër, mund të ngrihen mendime të tjera
për këtë çështje. Një pjesëtar të familjës Karpaçi e ndeshim gjatë viteve
1339-1341 në Raguzë. Bëhet fjalë për Francesco Carpaço, të cilit pas një
mosmarrëveshje rreth një borxhi iu dha një shtëpi në "in castello" të
Raguzës.
Viktor
Karpaçi qe bashkëkohës dhe bashkëpuntor i afërt me artistët e mëdhenjë të
Rilindjes Italiane, si, Gentile Bellini (1429-1507) dhe Giovanni Bellini
(1430-1516). I pari mendohet se ka punuar drejtpërdrejt skicat e portretit të
Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, kur Heroi ynë e kishe vizituar Italinë. Karpaçi
gjithashtu e konsideroi Gentile Bellini-n si mësuesin e tij të nderuar.
Studiues
të ndryshëm e konsideronin Karpaçin për njërin ndër gjenitë e pikturës
venedikase të Rilindjes, mirëpo gjithnjë duke e lënë në haresë origjinën e tij
arbërore dhe punën e tij si arbër. Kritikët dhe historianët e artit në Itali
dhe gjetiu gjithnjë kanë shkruar rreth veprave të tij dhe kanë dhënë vlerësime,
natyrisht shumë pozitive, por asgjë për origjinën arbërore të tij në një kohë
kur për bashkëkohës të tij dhe piktorë më pak të vlefshëm kanë dhënë hollësi.
Mirëpo, nuk duhet harruar se, që në shekullin e kaluar janë arritur edhe
rezultate të lakmueshme në historiografinë botërore që provojnë origjinën
arbërore të V. Karpaçit. Në këte kuptim, studiuesi gjerman G. Ludvig, në një
studim me pretendime të mëdha shkencore kushtuar jetës dhe veprës së Karpaçit,
të botuar në vitin 1897 në Roma shkruante: “Është e denjë të kujtohen datat
kryesore të historisë së arbërve të vyeshëm e tu bashkohen njohurive të
regjistruara në Amzën e Shkollës (Arbërore) në rendin kronologjik, meqë nga ajo
rezultojnë sqarimet mbi relacionet e Karpaçit me patriotët, bashkatdhetarë të
tij, si dhe për karrierën e tij artistike, për ndërtimin e shkollës dhe për
motivin për në fjalë.”
Opusi
i Viktor Karpaçit është shumë i pasur, ai përfshinte më se 100 tablo. Nga ky
opus janë ruajtur vetëm gjashtë tablo, të cilat i punoi gjatë viteve 1502-1504
për Shkollën e Arbërve. I punoi këto në kohën kur ishte në kulmin e pjekurisë
së tij si artist. Dy piktura, nga “Cikli i Arbërve”, me rastin e pushtimit të
Republikës së Venedikut nga austriakët, u dërguan sipas urdhrit të princit
austriak Meternikut më 1838 në Vjenë. Është fjala këtu për tablon “Vdekja e
Mërisë” dhe tablon “Festa e Mërisë”. Ndërkaq tablo të tjera nga “Cikli i
Arbërve” mbetën në Itali, por jo përherë, meqë dy prej tyre sot ruhen në
Karlsruhe dhe Lizbonë.
Të
dhënat e ruajtura dëshmojnë se Karpaçi qe piktor shumë i angazhuar. Përveç
“Ciklit të Arbërve”, opus të cilin e punoi për bashkëvëllezërit e tij arbërorë,
punoi edhe cikle të tjera, si, “Cikli i Shën Orseolit” (gjatë viteve
1490-1520), “Cikli i Shën Gjergjit të dalmatëve” (1502), e ndonjë tjetër. Është
për të vënë re se, të gjitha kuadrot e cikleve të përmendura i punoi në
teknikën vaj me pelhurë. Për "Ciklin e Arbërve" Karapaçi nuk
zotëronte ndonjë burim vizual të drejtpërdrejtë. Dihet mirë se për arsye të
njohura ai ishte larg atdheut të tij të robëruar nga osmanët. Përkundrazi,
gjeniu i tij dinte të krijonte vepra origjinale dhe të pavarura nga çdo
shkollë. Padyshim që natyra ishte kryemjeshtri i tij. Të shumta janë pikturat,
tablot me përmasa të mëdha ku temat ishin ndërthurur midis arkitektit antik të
atdheut të tij madhështor dhe Atdheut të dytë, Venedikun, me arkitekturën e saj
fantastike, me procesionet e saj pompoze dhe me kostumet e pasura të
senatorësh. Në zjarrin që kishte përfshirë pallatin dukal në Venedik, janë
asgjësuar pothuaj shumë pjesë që paraqisnin festa ceremoniale dhe piktura nga
mjeshtra të ndryshëm, të cilat mund të na jepnin shpjegime se cilët mjeshtra të
tjerë ndikuan në të dhe zhvillimin e artit të Karpaçit. Për fat të mirë, disa
kampionë kryesorë janë ruajtur në shkollën e Shën Gjon Ungjilltarit, të tilla
si Gentile Bellini, të cilët, nëse kanë ndonjë ngjashmëri në trajtimin e
lëndëve, janë larg të tregojnë talentin e gjallë të tregimtarit Karpaçi.
Prandaj, pyetja mund të shtrohet me plot gojën se përveç ciklit të jetës së
Virgjëreshës Mari të Arbërve, a kishte cikle të tjerë kushtuar jetës së
Virgjëreshës Mari nga artistë të tjerë që punonin në Venedik? Pikërisht kjo
temë u realizua në errësirë në ciklin e arbërve, përkatësisht i gjithë ky cikël
paraqitet në pjesën e majtë të ambienteve të Shkollës së Arbërve. Aty janë
pikturuar këto piktura: l) “Nascita della Vergine” (“Lindja e Virgjëreshës”), 2)
“La Dedicazione della Virgine al Tempio” (“Paraqitja e Mërisë në tempull”), 3)
“Madona con il Bambino tra i Santi Caterina e Gerolamo” (“Zoja Mëri me fëmijën
midis Shenjtorëve Katarina dhe Jeronimi”) 4) “Sposalizio di Maria Virgine”
(“Kurorizimi i Mërisë Virgjër”), 5) “L’ Annunciazione” (“Festa e Mërisë së
Virgjër”), 6) “La Visitazione” (“Vizita e Zojës Maria Elezabeta”) dhe 7) “La
morte della Virgine” (“Vdekja e Mërisë së Virgjër”).
Kaptinë
të veçantë në veprimtarinë e Viktor Karpaçit paraqesin temat mbi luftërat e
arbërve dhe venedikasëve kundër pushtuesit osman. Vlera të mëdha në këte kuptim
zotëron vepra “Ushtarët dhe orientalët”. Vepra në fjalë është punuar me pendë e
brushë me ngjyrë braon, letër e bardhë në një madhësi prej 264 X 194 mm. Sot
ruhet në Paris (Luvrë). Siç vëren kritiku i artit Lauts (më 1962), ai është një
vizatim "instrumental", që synon të japë një shembull unik të
figurave sipas të cilave pasurohet sfondi. Përdorimi i tyre është
karakteristikë e Viktor Karpaçit në ciklin Arbërve.
Nga
gjithë sa u tha më lart, mund të konkludojmë se në krijimtarinë e pasur
artistike të Karpaçit ka tema fetare dhe laike, gjë që ishte karakteristike për
piktorët e tjerë të kohës. Por arti i piktorit Karpaçi, pavarësisht nga tema,
është njerëzor dhe i mrekullueshëm. Ai është i fillimeve të shekullit të artë
në pikturë. Në këtë kuptim, emri i tij përmendet me nderim të veçantë në të
gjitha botimet e historisë së artit të Rilindjes, në enciklopedi arti dhe
enciklopedi të përgjithshme, etj. Pikturat e tij, ndërkohë, janë riprodhuar si
modele të artit të përparuar realist të Rilindjes.
Burimi: Jahja Drançolli,
Arbërit ndërmjet Perëndimit dhe Lindjës gjatë Mesjetës, Zagreb: 2008, 427-443!