Faleminderit
Dorian Koçi: Një datëlindje për Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe vepra e tij
E hene, 06.05.2024, 07:57 PM
Një datëlindje për Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe vepra e tij
Nga
Dorian Koçi
Sot
mendohet gjerësisht se mund të jetë përvjetori i i lindjes të fatosit të lirisë
të shqiptarëve - Gjergj Katrioti Skënderbeut. Barleti dhe historianët e tjerë
të mëvonshëm që shkruan për jetën dhe bëmat e Skënderbeut nuk përcaktojnë një
datë të saktë të lindjes së tij, por një shumicë të apasionuarish të tjerë pas
historisë, kryesisht në kohët moderne, e lidhin datëlindjen e Skënderbeut me
këtë datë duke u nisur nga fakti që ai u pagëzua me emrin Gjergj, emrin e
shënjtorit që feston në datë 23 prill me kalendarin Julian dhe 6 maj me
kalendarin Grigorian. Prej kohësh në rrjetet sociale kjo datë është kthyer në
një datë përkujtimore e datëlindjes së Gjergj Kastriot- Skënderbeut, ku përveç
rezonancës së memories kolektive kombëtare të formësuar gjatë Rilindjes
Kombëtare të shqiptarëve, vlen për tu shënuar edhe si fakt dhe s dukuri
kulturologjike moderniste sesi masat arrijnë të imponojnë dëshirën e tyre për
të pasur një datë historike. Në këtë kuadër, nëse komunitetet shqiptare kanë
komfirmuar tashmë dëshirën për të pasur një datë historike që i shtohet
kronologjisë skënderbejane, është më e rëndësishme për të pasur disa
konsiderata historike për ta ridimensionuar këtë figurë poliedrike dhe për ta
parë nën prizmin krahasues me bashkëkohësit e tij në Evropë, për ta risjellë
mesazhin e veprës së tij të pacënuar ndër shqiptarët.
Skënderbeu
ishte një Princ i mesjetës, njëlloj si princërit evropianë që analizon filozofi
italian Makiaveli në veprën e tij të famshme “Princi”. Gjergj Kastrioti lindi
në Arbëri, e cila ishte nën sferën e influencës të qytetërimit perëndimor, por
u rrit në Turqi ku gjithë monarkia ishte e qeverisur nga një drejtues dhe të
tjerët ishin veçse skllevër të tij e sipas Makiavelit sundonte despotizmi.
Në
përpjekjen e tij madhore për tu bërë Udhëheqësi i Kryqëzatës kundër otomanëve,
shpesh herë, si del nga të dhënat historike, ai u përpoq ta anashkalonte
pavarësinë e princërve të tjerë shqiptarë dhe ta kthente vendin e vet në një
model të organizuar sipas modelit të Francës mesjetare, si një territor i
qeverisur nga një mbret, por i rrethuar nga një numër i madh fisnikësh të
njohur e të dashur si të tillë nga nënshtetasit e vet,e që kanë priviligjet e
tyre nga të cilat mbreti nuk mund ti privonte pa u rrezikuar nga reagimi i
tyre. Në të njëjtën kohë duhej të përballonte fuqinë më të madhe të kohës ,
tmerrin e gjithë mesjetës, perandorinë osmane.
Kjo
në fakt ishte sfida e tij. Një përpjekje shumë e madhe për një njeri që fati e
kish troshitur sa midis Lindjes dhe Perëndimit, një përpjekje që la gjurmë në
histori dhe në kohë, një përpjekje që iu njoh si meritë nga Evropa por edhe nga
pasardhësit e vet.Ndaj ai sot vlerësohet e studiohet në të gjitha katedrat
historike të Europës e botës, ndaj bustet dhe monumentet e tij janë në të
gjitha sheshet qendrore evropiane , ndaj përveçse një hero i shqiptarëve, është
në të njëjtën kohë edhe një hero dhe simbol i qytetërimit evropian.