Faleminderit
Klajd Kapinova: Kush ishte nacionalisti dhe antikomunisti Xhafer Deva
E marte, 30.04.2024, 06:58 PM
Po kush ishte nacionalisti dhe antikomunisti i përbetuar, ish Ministri i Brendshëm shqiptaro amerikani ing. Xhafer Deva
“Si e njofta Xhafer
Devën? Shkruaj si njeri në moshë të kaluar, por edhe si njeri para Zotit. Zoti
dhe kombi, nuk duhet të gënjehen. Xhafer Deva, kishte këto vetijet e kosovarit
dhe hidheshe në luftë pa i vënë gurë ballit si asnjë tjetër, për të mbrojtur
popullin e tijë. Ishte burri, shqiptari më i shkëlqyer i gjeneracionit të
tijë.” - Ago Agaj, ish minister, nacionalist vlonjat
“Këtu provohet se
qendrimi kundrejt Kosovës, është trathëtia më e madhe e Enver Hoxhës, që dërgoj
shqiptarët me derdh gjakun, për me u sigurue komunistëve jugosllav sundimin e
Kosovës.” Tajar Zavalani, gazetar në BBC dhe
studiues, London, United Kingdom
“Ne, po largohemi nga
Shqipëria jo për të shpëtuar kokën, por për të vazhduar luftën, për përmbysjen
e komunizmit dhe fitoren e demokracisë në Shqipëri.” - Mit’hat Frashëri,
Paris, Francë, nacionalist
Nga Klajd Kapinova
Ing. Xhafer Deva (1904-1978), ishte një ndër
liderët kryesorë të diasporës shqiptaro amerikane (ishte kryetar i Organizatës “Lidhja
e Tretë e Prizrenit” (1962, dhe vazhdon edhe sot 2024) me qendër në New York,
SHBA,[1] u
bë mbeshtësi kryesor i prof. Rexhep Krasniqit (1906-1999), për drejtimin e
Komitetit “Shqipëria e Lirë”
“Free Albania" National Committee, (Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”), ishte një
organizatë politike e pas Luftës së Dytë Botërore e mërgatës shqiptare në
vendet perëndimore.
Ky komitet, u
mbështet fuqishëm nga CIA (SHBA), i vendosur si anëtar i Komitetit Kombëtar për
një Europë të Lirë, si pjesë e projektit të madh Plani Marshall, të
shpallur nga Kongresi dhe Senati Amerikan, i dominuar asokohe nga patriotët
antikomunistë republikanë. Sikurse dihet, Komiteti në fjalë, synonte bashkimin
dhe organizimin e mërgatës disidente politike shqiptare dhe bashkëpunimin me
fuqitë perëndimore, për të përmbysur regjimin e zi komunist të Enver Hoxhës në
Shqipëri.
Pas vdekjes së Mit’hat Frashërit në Francë, në tetor të vitit 1949, Hasan Dosti e
mori përsipër drejtimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, dhe më vonë si
drejtues u bë prof. Rexhep Krasniqi (SHBA), një shqiptar nga Kosova u bë
kryetar me mbështetjen e ing. Xhafer Devës, që më parë ishte vendosur në
SHBA.
Jeta dhe veprimtaria e pasur nacionaliste
Xhafer
Deva, ka lindur në Mitrovicë në vitin 1904, nga një familje gjakovare qytetare
që kishte zbritur në Gjakovë me origjinë nga Deva e krahinës së Hasit. Një
njeri i shkolluar në Stamboll, me profesion inxhinjer, ishte një poliglot në
njohjen e shum gjuhëve si anglisht, gjermanisht, turqisht, frëngjisht dhe
italisht.
Gjith
jetën e tij, Xhafer Deva e ka shkrirë në luftë dhe përpjekje të jashtzakonshme
për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe bashkimi me Shqipërinë i të gjitha
trojeve të mbetura jasht shtetit amë.
Më 09
prill 1950, Xhafer Deva i shkruan Rexhep Krasniqit, i cili në atë kohë ndodhej
në Australi: “Shperthimi i një lufte në Ballkan dhe ma gjanë, nuk duhet të na
gjejë të pa përgatitun. Na nuk mund të bajmë mrekulli, por me një bataljon, të
cilin mund ta krijoj dhe udhëheqi, do të zbarkojmë në Tropojë dhe nga aty mund
të thejmë një pikë sa me hy në Rrafsh të Dukagjinit dhe për të ngritur në këmbë
mbarë Kosovën e trojet tona etnike. Më 26 qeshor 1950, pak para mesnate filloj
hedhja e parashutistëve të Xhafer Devës në Shqipëri. Ata ishin të gjithë
kosovarë dhe të veshur me uniformë ushtarake amerikane. Ata ishin përgatitur në
një kamp ushtarak amerikan duke patur Devën ditë për ditë në fushën e
stërvitjes”.[2]
Qeveria
e Rexhep Mitrovicës, në të cilen Ministër i Brendëshëm ishte ing. Xhafer Deva,
akuzohet nga historiografia komuniste si qeveri kuislinge. Duhet shkuar më tej
strategjisë së kësaj qeverie e cila kishte për qëllim të shfrytëzonte
konjukturat politike të kohës për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në
një shtet të vetëm. “Asnjëherë në këtë kohë në Shqipni nuk ka ekzistu një parti
naziste, as nuk ka patur formacione të organizuara të rinisë shqiptare. Në
asnjë godinë shtetërore ose qendër publike, përveç flamurit kombëtar, nuk është
ngritun flamur i huej”.[3]
Nacionalisti
flonjat Ago Agaj,[4]
ndër të tjera kujton: “Si e njofta
Xhafer Devën? Shkruaj si njeri në moshë të kaluar, por edhe si njeri para
Zotit. Zoti dhe kombi, nuk duhet të gënjehen. Xhafer Deva, kishte këto vetijet
e kosovarit dhe hidheshe në luftë, pa i vënë gurë ballit si asnjë tjetër, për
të mbrojtur popullin e tijë. Ishte burri, shqiptari më i shkëlqyer i
gjeneracionit të tijë”.[5] [6]
Është
me të vertetë për të ardhur shum keq kur të gjith ata që gjith jetën e tyre
luftuan për një Shqipëri etnike demokratike dhe kundër instalimit të murtajës
komuniste në Kosovë dhe në Shqipëri të mos vlerësohen por përkundrazi të
injorohen.
Kjo
tregon se shoqëria jonë dhe politika në Shqipëri është tejet e infektuar nga
reminishencat e regjimit komunist.
Nga ky
batak që kemi rënë sa më parë duhet të ngrihemi që të rendim në rrugën e
vështirë të demokracisë dhe të bashkohemi me kombet e tjera të qytetëruara.[7]
Trathëtia
kombëtare nuk ka qenë kurrë dhe asnjëher në anën e nacionalistëve.
Nacionalistët ishin të vendosur në idenë e tyre, të një Shqipërie etnike
demokratike të bashkuar me të gjitha trojet e sajë, të mbetura padrejtësisht
jashtë shtetit amë nga konferenca e Londrës e vitit 1913.[8]
Shqipëria
dhe çështja kombëtare u trathëtuan nga Enver Hoxha dhe komunistët që shërbyen
në veprën e tyre kriminale kundër popullit shqiptar.
“Këtu provohet se qendrimi kundrejt Kosovës
është trathëtia më e madhe e Enver Hoxhës që dërgoj shqiptarët me derdh gjakun
për me u sigurue komunistëve jugosllav sundimin e Kosovës.”[9]
Duhet
hedhur poshtë me neveri ideja e historianëve mashtrues dhe hipokritë komunistë,
që ulurijnë me histerizëm nëpër TV të kapura nga Edi Rama se nacionalistët
shqiptarë me Mit’hat Frashërin, Xhafer Devën, Abaz Kupin etj., e kanë humbur
luftën, shkruan studiuesi Sejdi Peka.[10]
Është
një gënjeshtër monstruoze dhe trushpërlarëse. Duke u larguar nga Shqipëria pas
marrjes së pushtetit nga komunistët, Mit’hat Frashëri do të deklaronte: “Ne, po largohemi nga Shqipëria jo për të
shpëtuar kokën, por për të vazhduar luftën, për përmbysjen e komunizmit dhe
fitoren e demokracisë në Shqipëri”.
Ata
kishin humbur një betejë, por nuk kishin humbur luftën. Dhe me të vertetë, pas
shumë përpjekjesh, gjakut të derdhur për lirinë e Shqipërisë, komunizmi u
përmbys dhe ka fituar ideja e nacionalistëve dhe antikomunistëve shqiptarë,
ideja e Mit’hat Frashërit për një Shqipëri të lirë, demokratike të bashkuar me
Evropën dhe kundër murtajës bolshevike.
“Numri i të vrarve dhe i viktimave të
pafajshme, që u pushkatuan nga komunistët në Kosovë dhe vise të tjera në
Maqedoni e Mal të Zi, arrinë në 47.000 deri në 50.000 shqiptarë. Më se ¾ e
burrave, ajka e trimave dhe patriotëve të vertetë ranë në sheshin e luftës,”
shkruan nacionalisti i shquar Tahir
Zajmi, Sekretar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në
veprën e tij me të njëjtin titull.[11]
Drejtuesit
e Lidhjes, ata që kishin mbetur gjallë, bashkluftëtarët e Xhafer Devës,
oficerët dhe luftëtarët që kishin luftuar trimërisht në formacionet e kësaj
lidhje, u dorëzuan në brigadat partizane shqiptare “si shqiptari, në besë të shqiptarit”, por që ata menjëherë u
dorëzoheshin forcave jugosllave, që i prisnin me thikë në dorë duke i
ekzekutuar menjëher.
Në analizën e tij
interesante historike, studiuesi Sejdi Peka shkruan, se në listën e gjatë me qindra
mijëra dëshmorësh po përmendim vetëm disa prej tyre: Musa Shehi, Kryetari i Kuvendit të Lidhjes së dytë të Prizrenit, prof. Kol Marxhini, N/kryetar i Komitetit
Qendror të Lidhjes, Aqif Bluta
N/kryetar i Lidhjes, djemt e Isa
Boletinit, Asllan Boletini, Mujo Boletini, Pajazit Boletini, nipat e Isa Boletinit, Kapllan Boletini,
Skënder Boletini, Bedri Peja, Sekretar i Lidhjes, Uk Sadik Berisha dhe Shaban Berisha dy djemtë e Sadik Ram
Berishës, udhëheqës i kryengritjes së Rrafshit të Dukagjini, Skender Curri, Esat Berisha, mulla Idriz Gjilani
etj.
“Një vend nderi të posaçëm lypset dedikue
batalionit “Hasan Prishtina të përbame prej të rijve në një moshë fare të
njomë, që u shkri në tansi prej 300 vetësh në grykat e Podujevës në mbrojtje të
një pike strategjike, kundër ushtrisë bullgare e udhëhequr prej komisarve
komunist. Këte betejë të përgjakshme poeti shqiptar e ka quejt “Termopilet e
Kosovës”.
Brigadat partizane
shqiptare u dorëzuan forcave komuniste jugosllave që po pushtonin Kosovën edhe
shumicën e oficerve të Lidhjes si: Kol. Fuat Dibra, komandant i forcave
ushtarake të lidhjes dhe shtabin e tij, Kol. Asllan Vela, N/kol. Sidki Shkupi,
Kap. Hajdar Planeja, Kap. Rasim Dajçi, Kap. Gjon Destanishta, Major N. Hoxha,
Kap. Mark Thani, toger Nush Dobruna, N/toger Qazim Gostivari, asp. Reshit
Kaçaniku etj. Të gjith këta oficerë jan dorëzue në komandën e brigadës
partizane në Prizren, e cila menjëher i ka dorëzue në autoritetet komuniste
jugosllave që i kan ekzekutue pa vonesë.”[12]
Masakrat,
vazhduan edhe pas vendosjes së regjimit komunist serb në Kosovë. Në pranverën e
vitit 1945, 8000 luftëtarë të Lidhjes së dytë të Prizrenit dhe patriot të
tjerë, lulja e djalërisë kosovare, u grumbulluan në Prizren dhe në internarin
Kukës, Pukë, Shkodër, në marrveshje me qeverinë komuniste të Enver Hoxhës u
dërguan në Tivar dhe u ekzekutuan.[13]
Xhafer
Deva dhe emri i tij, nuk mund të mbulohet me natë dhe të mbetet peng i
historianëve të Institutit të studimeve marksiste leniniste.
Personalisht
unë ndjehem shumë krenarë se Babaj im Iljaz Peka ka qenë bashkluftëtari dhe
miku më i ngushtë i Xhafer Devës, si dy bij të trevës së Krahinës së Hasit, në
“Lidhjen e dytë të Prizrenit” në luftë për kundërshtimin e instalimit të
regjimit komunist në Shqipëri dhe Kosovë por edhe më vonë në kuadrin e
Komitetit Shqipëria e lirë në Amerikë.[14]
“Xhafer Deva, vinte nga Polo Alto e
Kalifornisë ku banonte, për t’u takuar në New York me Iljaz Pekën, që e kishte
mikun e tijë më të mirë,” tregonte aktivisti antikomunist prof. Rexhep
Krasniqi.[15]
Xhaferi, ishte
biri i Ibrahim Devës, një tregtar i njohur nga Mitrovica. Origjina e mirëfilltë
e kësaj familje është nga qyteti i vjetër i Gjakovës. Ai është shkolluar në
gjuhët: shqipe, serbisht, turqisht,
gjermanisht dhe anglisht.
Gjuhën angleze e ka mësuar në Stamboll, në
shkollën e quajtur Robert College të
Turqisë. Përveç gjuhëve, që
përmendem më lart, Xhaferi zotëronte
edhe gjuhën italiane, duke lexuar në origjinal shumë kryevepra letrare të
autorëve latinë.
Xhafer Deva, gjatë viteve 1941-1943, kishte fituar besimin e
Guvernatorit gjerman me qendër në Beograd të quajturit Noi Bayer, dhe në
vjeshtën e parë të vjetit 1943, kur italianët lëshuan armët e luftës dhe iu
dorëzuan armiqëve, atëherë ushtria gjermane vrapoi për arsye strategjike për të
dalë në bregdetin e Shqipërisë.
Kësaj here, Guvernatori në fjalë, e dërgoi
Xhaferin në Tiranë, ku zuri vendin e Ministrit të Brendshëm. Me të drejtë,
vlerëson studiuesi e publicisti
veteran i komunitetit tonë Idriz Lamaj, se ing. Xhefer Deva
ishte një “burrë i shtetit shqiptar
etnik, që në emër të atij populli luajti rolin më vendimtar në "Kohën e
Shqipnisë", padyshim është Xhafer Deva". [16]
Ai, përfaqësonte grupin kosovar në mërgim, të
cilët e lëshuan Prizrenin në mes të nëntorit 1944. Para largimit, u bë dorëzimi
i zyrës qendrore të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Për sa kohë që ata qendruan
në Kosovë, ing. Deva me shokët e tij, kishin qeverisur, drejtuar administratën
e Kosovës, përmes zjarrit të luftës.
Kryetari Deva, me ndershmërinë që e karakterizonte, bëri dorëzimin e të
gjithë mjeteve financiare të buxhetit të shtetit (thesarit), në mënyrë korrekte
e transparente, duke shprehur edhe një herë moralin e lartë të një njeriu
fisnik, që asnjëherë nuk tundohej nga pushteti administrativ dhe pushteti i
fuqishëm i parasë.
Shpesh, figura e ing. Xhafer Devës është keqpërdorur në disa drejtime,
por, ne po shpiegojmë shkurt, aspektin human të tij. Në një dorëshkrim, që kemi
mundur të gjejmë në disa arkiva private, që disponon Lidhja e Prizrenit në New
York, mësojmë mbi aktivitetin e ing. Xhafer Devës, e cila është e ndarë në disa
pika.
Dorëshrimi, nuk ka autorësi dhe është
realizuar me makinë të vjetër shkrimi, që krijon mundësinë e leximit dhe
kuptimit të saktë të çdo fjale. Në dorëshkrim, Deva në veprimtarinë e tij
kritikohet, se është treguar tolerant ndaj komunistëve.
Në mënyrë që lexuesit shqiptarë, të krijojë
një ide më të saktë, po e citojmë faktoshkrimin mbi biografinë e ing. Xhafer
Devës dhe veprimtarinë e tij si Ministër i Brendshëm në mënyrë autentike:
“S’pari, në vend që t’a shpërndante tokën e t’i kapte edhe ata komunistë
që inshin mbetun të pa-kapun në kohën e Italis nga ana e policis shqiptare, aj (është fjala për ing. Devën, shënimi im K.K) hapi portat e burgut në
Tiranë, tue i lirue gjith ata komunistat e rrezikëshem, të cilët në vend që të
shkojnë nepër shpijat e tyne, ata dulne në mal, ku u furnizuen me arme dhe
filluen akcjonet e tyne në të gjitha anët tue vra kundershtarët e tyne. Kështu
jeta, malli, pasunija e popullit urtë u ba e pa-sigureme nga ana e qeveris.”
Në fillim të dhjetorit 1944, grupi kosovar i
përbërë nga ing. Xhafer Deva, Rexhep
Mitrovica, Tahir Zajmi, prof. Rexhep Krasniqi, Xhelal Mitrovica përshkoi
udhën nëpër malet slloveno-austriake (Alpet e Europës), duke mbërritur pas një
rruge të mundimshme në shtëpinë e një miku të Devës.
Më pas, ata së bashku mbërritën në Austri,
duke pasur kujdes, që mos bien në sy të komunistëve rusë, që si barbarë
sulmonin e shkatërronin gjithçka. Ata, pasi u stabilizuan falë ndihmës bujare të
Devës, ranë në kontakt me grupet e nacionalistëve refugjatëve shqiptarë.
Edhe atyre, ing. Xhafer Deva u siguroi
strehë, ushqim dhe nevoja të tjera të domosdoshme për një kohë të mirë.
Nga letrat e botuara, për herë të parë pas disa dekadave, nga studiuesi
i kujdeshëm shqiptaro-amerikanë Idriz Lamaj, mësojmë, se "në mënyrë të veçantë,
Xhafer Deva u kujdes për Rexhep Mitrovicën shëndetlig, të cilit, me anë miqësh
përsonale i siguroi strehim në një senatorium, në një rreth të qytetit
Feldkirch afër kufirit më Zvicër.
Në fund të vitit 1945 e deri në fillim të vitit 1947, Deva u tërhoq të
disa miq të vet në Austrinë perëndimore, prej ku ndejti në lidhje të
vazhdueshme me shokët e Grupit Kosovar dhe u përpoq të marrë lajme dhe të
krijojë ndërlidhje me qendresën antikomuniste në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni,
ku mijëra e mijëra shqiptarë kishin përfunduar nën breshërinë e skuadrave të
pushkatimit dhe ndër burgje.
Lajmi i shuarjes së kryengritjes së Drenicës, nën udhëheqjen e Shaban
Polluzhës, Mehmet Gradicës dhe prof. Ymer Berishës, ndjekur me vetëmohim nga
masa popullore e atij rrethi, la në fushën e luftës mëse 5000 vetë dhe shkrirja
në zjarr e 44 katundeve, e tronditi së tepërmi Grupin Kosovar.
Shpresa dhe premtimi, se aleatët mund të zbrisnin në Ballkan, po të
kishte kryengritje të tilla të qendresës së organizuar nacionaliste në vende
nevralgjike si në Kosovë, filloi të venitet, për të mos thënë se u shua..."[17]
Patrioti nacionalist ing. Deva, asnjëherë nuk u step dhe nuk tregoi
shenja pesimizmi në situatën e re të zezë, të krijuar në Ballkan dhe
vendlindjen e tij.
Më 1947, ai gjendet në Itali, ku takohet me
patriotët: Tahir Zajmin, Ali Dragën,
Xhelal Mitrovicën. Asokohe, ai
tërhoqi nga Australia Rexhep Krasniqin e Rexhep Mitrovicën, të përmirësuar
nga shëndeti. Gjeografia e lëvizjeve të tij sa vjen e zgjerohet, në shtete të
ndryshme të botës. Ajo ishte e larmishme, dhe ai udhëtonte vazhdimisht aty ku
gjendeshin shqiptarët të emigruar asokohe.
Ai duke shfrytëzuar miqësinë, që kishte me
një diplomat turk (me origjinë shqiptare nga qyteti historik i Prizrenit), i
siguroi Rexhep Mitrovicës një vizë, për të shkuar në Turqi. Kështu 4 nga 5 antarët
e grupit kosovar, shkuan në Damask (Siri) në fund të vitit 1947.
Këtu filloi një aktivitet politik, sikurse
botimi i gazetës Bashkimi i Kombit
në vitin 1948, si zëdhënse e parë e nacionalizmit shqiptar, pas Luftës II
Botërore. Këtu mundi të tubojë rreth vetës shumë bashkëatdhetarë dhe patriotë
antikomunistë, që kishin emigruar prej kohësh.
Ai ishte përfaqësuesi më i lartë në bisedimet
politike të mërgatës, për mbrojtjen e jashtme të kryengritësve antikomunistë.
Shumë i madh është aktiviteti i ing. Xhafer Devës në vitet 1948-1949, ku ai
përpiqej që në Komitetin Kombëtar “Shqipnia e Lirë” të përfshiheshin të gjithë
viset shqiptare dhe Kosova.
Për më tepër, studiuesi Idriz Lamaj vlerëson,
“Megjithëse nuk kishte asnjë lidhje me
inteligjencën angleze, ai ndikoi drejtasi që çështja e Shqipërisë etnike të mos
ndahej prej problemit të shtetit të cunguar shqiptar.”
U zgjodh kryetar i Kuvendit të Aleksandrisë,
në kohën kur Mbreti Zogu I, ftoi të gjithë përfaqësuesit e partive shqiptare në
diasporë. Ing. Deva, ndikoi fuqishëm në krijimin e bazave të rezistencës
antikomuniste, në malet e Shqipërisë Veriore, ku u krijuan shumë qendra
radiofonike 1944-1953, kundër regjimit antihuman komunist.
Një vit më pas futet në punë, pranë një zyre polake për refugjatët, duke
ndihmuar shqiptarët të shkojnë drejt SHBA, Kanadasë, Australi, etj., mbasi
kishin mbetur prej kohësh në kampet e emigracionit në Itali e Greqi.
Nacionalisti gjendet në Australi, ku themelon Organizatën "Bashkimin e
Shqiptarëve në Australi". Miku i
tij i ngushtë Xhelal Mitrovica, i jep jetë gazetës kuptimplote "Vatra Shqiptare".
Një udhëtim tjetër të gjatë, ing. Deva fillon
në vitin 1956 në drejtim të SHBA. Asokohe në vendin e lirive dhe të drejtave të
njeriut, kryeqendrën kampione të demokracisë botërore, kishin mbërritur shumë
emigrantë disident politikë nga Kosova, Shqipëria dhe trojet etnike shqiptare.
Si gjithnjë, ai mbajti të ndezuar në zemër
ndjenjën nacionale, finikërinë dhe traditën e pasur shqiptare, forcën e
karakterit të burrërisë dhe përsonalitetin e vet, të respektuar e nderuar me
mirënjohje nga të gjithë bashkëpatriotët.
Ai vazhdimisht punoi me ndershmëri çdo lloj pune në New York, Boston.
Nuk i pëlqente të ishte parazit në kurriz të tjerëve dhe shtetit amerikan. Më 1960 shkoi në Kaliforni, në krahinën malore Calavera Coubty, ku
qendroi pranë një miku të tij amerikan.
Si një punëtor i thjeshtë, u punësua në një
stabiliment sharrash dhe lëndësh drusore, duke përsëritur të njëjtën punë pas
dy dekadash, ç’ka i kujtonte sharrtarët në luginën e Ibrit në Kosovë.[18]
Si një nëpunës zyre, punoi deri sa doli në pension në vitin 1972 në Universitetin e Stanfordit në
qytetin Palo Alto të Kalifornisë.
Duke qenë i dashur dhe i respektuar nga të gjithë e zgjeroi shumë rrethin e
miqve dhe shokëve, të cilët do të lozin një rol të rëndësishëm në
përsonalitetin e tij, duke u bërë shumë i njohur në universitet.
Kësisoj, së bashku me mergatën shqiptare të SHBA, ing. Xhafer Deva do të
bashkëpunonte dhe do të pranonte për hir të nacionalizmnit detyrën e Kryetarit
të Lidhjes II të Prizrenit, që do të themelohet në SHBA në vitin 1962.[19]
Një ndër miqtë bashkëkohës, studiuesi e
publicisti Idriz Lamaj shkruan me respekt, se: “Mërgata etnike e ndjeu vetën të entuziazmuar përsëri si në kohën e
qëndresës, kur luftuan me jetën e vdekjen për të mbetur bashkë me Shqipërinë.
Me sakrifica përsonale, Xhafer Deva shkon në New York herë mbas here dhe
riorganizon Lidhjen e Prizrenit në Mërgim, e cila mbështetej në të kaluarën e
vet historike dhe në parimet e larta kombëtare të Lidhjes së Dytë të Prizrenit
në atdhe.
Organizatës së ringjallur në New York, Deva i dha formën moderne të
kohës, duke krijuar përfaqësimet, zyrën e shtypit dhe atë të kontabilitetit.
Megjithëse kjo Organizatë nuk kishte thirrë ende Kongresin e saj të
parë, shtypi i Tiranës dhe i Beogradit filluan fushatën e propagandës së tyre
kundër përsonit të Xhafer Devës. Nga seria e artikujve të botuar në
"Veçernje Novosti" të Beogradit dhe "Zëri i Popullit" me
titull "Xhafer Deva në lëvizje", shihet qartë, se ata nuk kishin
harruar, se cili ishte Deva kur vihej në lëvizje.”[20]
Pas një jetë të tërë kushtuar atdheut dhe
bashkimit të trojeve etnike shqiptare, pas shumë udhëtimeve me karakter
nacional, pranë bashkatdhetarëve të shpërndarë nëpër botë, pas një jete të
përmallshme për vendlindjen e dashur, i zhuritur me mallin për tokën ku lindi
dhe u mëkua me ndjënjën fisnike të atdhedashurisë vdiq ing. Xhafer Deva, duke
lënë trashëgim për bashkatdhetarët dhe emigrantët nëpër botë testamentin e
vetëm të Shqipnisë etnike.
Pikërisht në pragun e 100 vjetorit të
ditëlindjes së “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” 1878, më 25 maj 1978 mbylli
sytë, një ndër udhëheqësit e flaktë të nacionalizmit ing. Xhafer Deva.
Sot hap pas hapi, po ndriçohet kontributi i
madh nga studiuesit e rinj të diasporë e trojet etnike shqiptare, të mbështetur
kryesisht në arkiva, kujtime të bashkëkohësve. I rëndësishëm mbetet arkivi i
pasur i letërkëmbimeve, që ing. Xhafer Deva kishte pasur, me përsonalitete të
Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në mërgim.
Kur të botohen letërkëmbimet që ka pasur me përsonalitetet e huaja, do te
zbardhin shumë aspekte të errësuar nga historiografia komuniste.[21]
[1] Tomë Mrijaj
& Klajd Kapinova, “Lidhja e
Prizrenit (1962-2002) themeluesi dhe udhëheqësi
Ismet Berisha”, Monografi, New York, U.S.A., 2002.
[2]
Idriz
Lamaj, “Angazhimi i Xhafer Devës për
përfshirjen e Kosovës në planin ushtarak të Washingtonit”, fq. 2.
[3]
Prof.
Rexhep Krasniqi, tek libri: “Xhafer
Deva, jeta dhe veprimtaria”, fq. 73.
[4]
Ago
Agaj (Ramicë, 7 mars 1897 – Clearwater, Florida, 24 dhjetor 1994), ka qenë agronom, nëpunës dhe
ministër i Ekonomisë Kombëtare. Ai ishte pjesëmarrës aktiv në Luftën e Vlorës,
Lëvizjen e Qershorit dhe i dënuar për Kryengritjen e Delvinës. Pas ardhjes në
pushtet të regjimit komunist emigroi së pari në Egjipt dhe më pas në Shtetet e
Bashkuara. U lind më 7 mars 1897, në Ramicë të Mesaplikut, i biri i agait të
Smokthinës, Shero Emin Agajt dhe Hyries, familje besnike dhe qehaja të oxhakut
të Vlorajve. Mësimet e para i mori në Vlorë. Studimet e mesme dhe të larta i kreu në Vjenë të Austrisë për
inxhinieri Agrikulture, dhe kthehet në Shqipëri më 1919. Mori pjesë në
Kongresin e Lushnjes 1920 dhe Luftën e Vlorës më 1920 në çetën e Shullërit,
punoi si praktikant në Silezinë e Sipërme, në Gjermani. Gjatë viteve 1920-1923,
bashkëpunoi me prof. dr. Ernst Nowack
(1891-1946), të Universitetit të Kölnit, për hartimin e Kartës Gjeografike,
Topografike dhe Gjeologjike të Shqipërisë, dhe më 1924 bëri pjesë në
Komisionin për caktimin definitiv të nomenklaturës së Hartës së Shqipërisë. Punoi edhe dy vjet në Poloni e Moldavi dhe
kur kthehet në Vlorë, u emërua agronom i zyrës së bujqësisë. Ai ishte ndër
nënshkruesit e mbledhjeve të opozitës në ceremonitë e zhvilluara pas vrasjes së
Avni Rustemit. Aktivisti Agaj, përkrahu Lëvizjen e qershorit të vitit 1924.
Prej vitit 1925-1926, bashkëpunoi me shkencëtarin zvicerian, dr. Miller, në kërkimet e shtresave
vajgurore të nëntokës shqiptare, për llogari të Dutch Shell Oil Company dhe ishte
prezent në hapjen e pusit të parë vajguror shqiptar. Në fund të vitit 1926
u emërua agronom në Shkodër, më vonë në Xhafzotaj, dhe Drejtor i Shkollës
Bujqësore në Lushnjë dhe pas mbylljes së shkollës, shërbeu si agronom direkt në
Berat, Gjirokastër dhe Delvinë. Më 1937 u ndalus për ngjarjet e kryengritjes së
Delvinës, arrestohet, gjykohet dhe dënohet me tre vjet burg. Dita 7 prill 1939, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, Agajn e
gjen në burg. Pas vitit 1941, ai shkoi në
Mitrovicë, ku u emërua prefekt, drejtoi organizimin e administratës
shqiptare, atë të xhandarmërisë vendase dhe të hapjes së shkollave në gjuhën
shqipe. Në të njëjtën kohë organizon rezistencën kombëtare, se i duhet të
mbrohet edhe nga sulmet e çetnikëve të Drazha Mihajloviçit, me të cilët
ndërmerr edhe përpjekje direkte, derisa edhe plagoset. Në bashkëpunim me Vehbi
Frashërin, bën të mundur shpëtimin e jevgjve të Mitrovicës nga "zgjidhja
përfundimtare" naziste. Qeveria Kruja e emëron Drejtor të Përgjithshëm të
Nozullimeve, që varej nga Kryeministria. Më
1943-1944, ishte Ministër i Ekonomisë Kombëtare në qeverinë Rexhep Mitrovicës.
Më 1944 ishte inspektor epror në këtë ministri. Në qershor të vitit 1944, Agaj
mori pjesë në mbledhjen e Dytë të Lidhjes së Prizrenit, si dhe në Kongresi i
Dytë të saj, që u mbajt më 15 janar 1944. Pas vendosjes së regjimit komunist në
atdhe, u largua fillimisht në Austri e Itali dhe më pas u vendos Egjipt. Kur u
largua nga Shqiperia, ai e kishte të pamundur të marrë edhe gruan me 5 vajzat
me vete, të cilat u internuan dhe vuajtën dënimet dhe persekutimin komunist,
për gjatë gjithë kohës së sundimit komunist në Shqiperi. Qëndroi 25 vjet atje
dhe punoi për administrimin e pasurisë së Aziz Izet Pashë Arnautit (Qiprilijve)
dhe drejton sektorin Vinicole e Viticole.
Gjatë qëndrimit në Egjipt Ago Agaj, përgatiti dorëshkrimin e vëllimit Lufta e Vlorës, të cilin e botoi në
vitin 1969, kur ishte këtu në Amerikë. Më 1969, Ago Agaj u vendos në SHBA, ku
dhe ndërroi jetë në Florida në dhjetor të vitit 1994. (Wikipedia)
[5]
Po
aty, fq. 1
[6]
Po
aty, fq. 116.
[7]
Sejdo
Peka, “Xhaferr Deva dhe plani ushtarak i
Uashingtonit për Kosovën”, 18-12-2009, https://www.forumishqiptar.com/threads/115275-Xhafer-Ibrahim-Deva-%281904-1978%29/page4
[8] Sejdo Peka, “Xhaferr Deva dhe plani ushtarak i Uashingtonit për Kosovën”, 18-12-2009, https://www.forumishqiptar.com/threads/115275-Xhafer-Ibrahim-Deva-%281904-1978%29/page4
[9]
Tajar
Zavalani, “Historia e Shqipërisë”,
Pjesa e Dytë, fq. 278-279, London, United Kingdom, 1966.
[10] Sejdo Peka, “Xhaferr Deva dhe plani ushtarak i Uashingtonit për Kosovën”, 18-12-2009, https://www.forumishqiptar.com/threads/115275-Xhafer-Ibrahim-Deva-%281904-1978%29/page4
[11]
Tahir Zajmi,
“Lidhja e Dytë e Prizrenit” Bruksel,
Belgjikë, 1966.
[12]
Prof.
Rexhep Krasniqi, tek libri: “Xhafer
Deva, jeta dhe veprimtaria”, fq. 73. Kosova në vjetët 1941-1945 dhe Xhafer
Deva, fq. 67-68.
[13] Sejdo Peka, “Xhaferr Deva dhe plani ushtarak i Uashingtonit për Kosovën”, 18-12-2009, https://www.forumishqiptar.com/threads/115275-Xhafer-Ibrahim-Deva-%281904-1978%29/page4
[14] Po ai,
po aty.
[15] Prof. Rexhep Krasniqi, tek libri: “Xhafer Deva, jeta dhe veprimtaria”, fq. 73. Kosova në vjetët 1941-1945 dhe Xhafer Deva, fq. 67-68.
[16]
Lamaj,
Idriz, “Xhafer Deva
në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”, New York 2002, fq. 6.
[17] [17] Lamaj, Idriz, “Xhafer Deva në dritën e letrave të veta dhe zbulesa të tjera të mërgatës”, New York 2002, fq. 8.
[18] Fjala Ibër rrjedh nga fjala shqipe i bardhë, shkumbon.
[19] Tomë Mrijaj & Klajd Kapinova, “Lidhja e Prizrenit (1962-2002) themeluesi dhe udhëheqësi Ismet Berisha”, Monografi, New York, U.S.A., 2002.
[20]
Idriz Lamaj, vepër e cituar, f. 13.
[21] Klajd Kapinova, “Kryetari i "Lidhjes së
Prizrenit" në mërgim ing. Xhafer Deva nga Mitrovica”,
marrë nga gazeta "Illyria", Manhattan, New
York