Faleminderit
Albert Habazaj: Nga Podgorani i Trebeshinës në Bankën Botërore të Uashingtonit
E hene, 01.04.2024, 08:55 PM
NGA PODGORANI I TREBESHINËS NË BANKËN BOTËRORE TË UASHINGTONIT
-
Shqiptarja Ardita Vreka, si një model i karrierës së suksesshme në ekonominë
globale -
Nga
Albert HABAZAJ
Pata shkruar para ca vitesh për “Vajzën me
flamur”, atë vajzën e brishtë Ardita
Vreka, lindur në Vlorë, por me rrënjë Trebeshine. Për dijet e saj pas
diplomimit në Kolegjin Amerikan të Athinës (“DEREE” - Shkolla e Biznesit dhe e
Ekonomisë) iu dha mundësia që të parakalonte me flamurin kombëtar dhe kjo ia
shtoi më shumë nxitjen dhe përkushtimin që ato dije që “rëndonin” mbi supet e
Flamurit t’i çonte lart dhe më lart.
Fillimisht iu afrua një vend pune si
sekretare e një zyre avokatie në Athinë. Sigurisht që fillimi ishte i vështirë,
bashkë me emocionet të cilat e bënin çdo ditë më të përgjegjshme për
përballimin e detyrave. Në të njëjtën kohë iu fut studimeve për Master në Fakultetin
e ALBA-s (Graduate Business School) në Kolegjin Amerikan, atje ku ishte ngjitur
aq lart me ngjyrat e flamurit kombëtar. E natyrisht ngarkesa ishte më e madhe
dhe pritshmëritë edhe më të mëdha.
Dhe skena…
Dhe skena përsëritej. Yjet e linin mëngjesin,
por Ardita do të gjendej përsëri mbi libra. ALBA ofronte një përvojë
transformimi, si në aspektin e karrierës, ashtu edhe në evolucionin personal, në
një mjedis mësimor emocionues që ndërthur fakultetin e nivelit të lartë,
kurrikulën e vlerësuar me çmime dhe perspektivën ndërkombëtare. Pas përfundimit
me sukse të studimeve në nivel akademik, bordi drejtues i ALBA-s e vlerësoi me
çertifikatën përkatëse “Master of Science in Strategic Human Resource” = Master
i Shkencave në Strategjinë e Burimeve Njerëzore.
Megjithatë, e armatosur tanimë me më shumë
dije, ajo nuk mendonte se kishte arritur gjithçka. Dielli ngrihej lart në
horizonte dhe Ardita mendonte e mendonte se si mund t’i perfeksiononte më tej,
t’i vinte në zbatim dhe në interes të shoqërisë dijet e saj.
Dhe tani po kërkonte rrugë e forma se si
mund të përfitonte sa më shumë përvojë dhe eksperiencë pune. Në fund të fundit,
e kishte ngulitur në shpirt dhe në mendje se puna dhe përpjekjet patjetër do të
çojnë diku në progres, duke u bazuar në moton “Suksesi është arrish atë që do”.
Gjatë një weekendi (fundjave) në verën e vitit 2017 në ishullin e Naksos të
Qikladheve në Egjè, Ardita bashkë me shokun e saj të shkollës dhe jetës
Teodoros Fundukidhi, qëlloi që të gjendeshin në një shoqëri me dy turistë të
huaj moshatarë, njëri kanadez, tjetri amerikan në pension. Amerikani kishte punuar
në Bankën Botërore dhe pasi mësoi për studimet që kishin bërë të rinjtë në
shoqërinë e tyre në Kolegjin Amerikan të Atthinës, u foli për punën që bëhej në
Bankën Botërore për nxitjen e zhvillimit ekonomik të vendeve anëtare, por edhe
për grandet dhe huatë për qeveritë e vendeve me të ardhura më të ulta, në
kuadrin e luftës ndaj varfërisë.
Ky ishte dhe momenti që Ardita dhe shoku i
saj “u ngacmuan” dhe u lindi ideja se në një të ardhme të afërt mund të
bëheshin edhe ata anëtarë të këtij institucioni të lartë të ekonomisë dhe
financave ndërkombëtare.
Për çastin ishte një utopi, por urtësia
popullore na mëson, se shkallët ngjiten një nga një, përndryshe, po i kapërceve
ato, vjen një çast dhe rrëzohesh. Kështu, që përpara Arditës lindnin ide dhe
mendime të ndryshme për të fituar përvojën e duhur, për t’u afirmuar në dijet e
saj. Duhej vënë një objektiv, duhej marrë një vendim, por duhej dhe koha, edhe
durimi.
Aty nga viti 2017, shokut të saj, Theodoros,
pasi aplikoi, iu afrua një vend pune në sektorin e buxhetit të Komisionit
Europian në Bruksel. Pikërisht këtu fillon edhe rrugëtimi i Arditës në udhën e
gjatë të perfeksionimit të dijeve të fituara. Ëndrra dhe objektivi që i kishte
vënë vetes ishte që të punonte në fushën e burimeve njerëzore dhe sidomos në institucionet
e BE - së, atje ku ajo ndjente se do të punonte për një qëllim - për idenë
europiane, ku, me kontributin e saj, ajo do të krijonte impaktin e saj më të
madh duke u shërbyer miliona qytetarëve.
Dhe kjo qe arsyeja që ditë arta Arditë vendosi
të dalë jashtë “Zonës Komforte” në moshën 33-vjeçare, duke nisur udhëtimin në
Europë dhe duke punuar për 3 institucione europiane të ndryshme si: 1. “European
Agency for the Space Program” (në Pragë); 2. “Body of the European Regulators
for ElectronicCommunications (Riga, Letoni) dhe 3. “European Central Bank
(Frankfurt).
Në momentin që arriti objektivin e saj dhe hyri në Bankën
Qendrore të Europës, ajo nuk humbi kohë, por filloi menjëherë të strukturonte
objektivin tjetër, duke vendosur stekën akoma më lart për karrierën e saj, duke
synuar të dalë jashtë nga flluska europiane dhe të ekspozojë veten në ambjente
më globale si Banka Botërore.
Kishte ardhur koha që të kapërcente në kontinentin tjetër përtej
Antlantikut. Shoku i saj, Theodhoriu, pas një përvoje 2-vjeçare në Bankën
Qendrore Europiane, provoi i pari për më lart. Fati i buzëqeshi kur iu afrua një
vend pune në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Të dy morën vizat e autorizuara
nga institucioni dhe prenë biletën për në Washington.
Tani Ardita pothuaj ishin fare pranë asaj banke botërore aq të
ëndërruar e dëshiruar, shkelte mbi tabanin e saj dhe, e përqëndruar, hidhte sytë
atje lart dritareve, që, me rënien e muzgut, llamburitnin nga dritat e shumta,
që çupa jonë i shikonte si drita shprese, si një shpresë të bardhë e guximit të
saj njerëzor dhe intelektual që do ta përmbushte, edhe se ende gjithçka i dukej
si një ëndërr.
Ndër mend i vinte konfrontimi biblik i Davidit me gjigantin e
Filistinëve Goliathin, por Davidi që besonte tek Zoti, e mundi Goliathin vetëm
duke e gjuajtur me një gur në ballë. Edhe Ardita besonte tek forcat e saj dhe
se tani kishte ardhur moment që ëndrra të bëhej realitet. Ka qenë qershori i
vitit 2022, kur ajo mori të dhëna se në Bankën Botërore ishin liruar vende
pune. Bëri përgatitjet e nevojshme dhe, përmes ankthit dhe emocioneve, guxoi e
vendosi të dërgonte biografinë e saj, tashmë shumë të pjekur e të pasur me
profilin e saj.
Dhe ja kështu, krenare por pabujë nisi Udhëtimin e Madh të
Karrierës në Ekonominë Botërore. Jo më vonë se një muaj nga aplikimi dhe
seleksionimet e kandidantëve të paimagjinueshëm, iu dha e drejta e intervistës
së parë, të cilën edhe pse kishte besim te vetja se e dha me sukses, ankthi i
pritjes e shoqëronte për të marrë vesh rezultatin nëse kishte fituar apo jo.
Dhe përgjigjja i erdhi shumë shpejt. Data 22 Gusht 2022 është e
shënuar dhe e veçantë për shqiptaren e re të dijes, për bijën guximtare të
Podgoranit. Pikërish atë ditë kapedanes sonë i erdhi Mesazhi i urimit si bekim
perëndie: “E dashur Ardita! Mirësevini në
Grupin e Bankës Botërore! Ju jeni bashkuar me një nga institucionet kryesore të
zhvillimit ndërkombëtar në botë. Ky institucion ka një vizion unik me dy synime
të rëndësishme: dhënien fund të varfërisë ekstreme dhe promovimin e
prosperitetit të përbashkët. Si një anëtar i ri i kësaj organizate, ju do të
rriteni, do të bëheni edhe një profesionist më i mirë zhvillimi dhe do të bëni
një ndryshim në botë në vendet ku ndihma jonë është më e nevojshme. Në rolin
tuaj të ri, ekspertiza dhe perspektiva të reja që po sillni do t’i ndihmojnë
klientët tanë të gjejnë zgjidhjet më të mira globale. Ekipi i WBG Onboarding do të sigurojë që ju të keni
mjetet dhe mbështetjen e duhur për të filluar udhëtimin tuaj dhe për t’u bërë
një kontribues efektiv dhe eefikas në misionin e WBG. Ne do t’ju ofrojmë
informacion jetik për t’ju rregulluar dhe për t’ju çuar në një udhëtim mësimor
në bord brenda 6 muajve të ardhshëm”.
Që në muajt e parë, megjithëse me vështirësi, i ngjiti shkallët
shumë shpejt, sikur të kishte vite e vite në atë organizatë gjigante. Pa kaluar
6 muajt e parë të punës, e përfundoi me sukses udhëtimin mësimor. Edhe pse e
ndjen veten mirë, e kupton që ka mësuar shumë, ajo nuk heq dorë nga literatura
bashkëhohore, nga përditësimi i saj dhe i praktikave më të përparuara dhe të
dobishme. Përsëri nuk resht së përballuari me sukses programe gjithnjë e më të
vështira, duke fituar besimin e stafit drejtues të bankës, të cilët janë shumë
të impresionuar nga aftësitë e saj dhe po aq të kënaqur me punën e saj, ku spikat
dukshëm ndershëmëria profesonale, aftësia e punës në grup dhe e mirëkomunikimit
me anëtarët e organizatës.
“Dikur, nga vitet e Kolegjit - kujton Ardita - një nga
instruktorët më të mirë në botë, Konstandinos Tasoulis, më tha një herë: “Ti
duhet të jesh ai që zgjedh organizatën për të cilën do të doje të punoje, jo
organizata ty”. Në atë kohë nuk e kuptoja domethënien dhe rëndësinë e këtyre
fjalëve aq tejshikuese. Sot, pas 11 vjet më vonë, pas të gjitha sfidave dhe përvojës
që kam fituar gjatë karrierës sime, e kuptoj rëndësinë e “të qenit ne” ata që
zgjedhim organizatën për të cilën do të donim të punonim. Kjo - vazhdon më tej
Ardita - është diçka që e kuptova, ndërsa punoja për institucionet e BE- së, që
u shërbejnë 500 milionë njerëzve. Kjo është arsyeja pse unë pranova ofertën për
të punuar për Grupin e Bankës Botërore, sepse gjatë gjithë misonit të tij të rëndësishëm
për të luftuar varfërinë dhe për të rritur prosperitetin në mbarë botën, më bën të ndihem se punoj për
një kauzë globale. Perspektiva për të ardhmen - ka besim Ardita ditë artë -
është e ndritur”.
Ajo tani po angazhohet në grupin e punës së Bankës Botërore, që
merret me trajnimin e drejtorëve të bankave në disa shtete të SHBA. Synimet e
saj janë si të shqiponjës. Së shpejti do të fluturojë edhe në vende të tjera si
Namibia, Kenia etj. në kuadrin e përpjekjeve që bën Banka Botërore për të
ndihmuar në luftën ndaj varfërisë ekstreme. Ajo, sa e zonja është në profesion,
aq është humane, altruiste, idealiste. Por… do ta themi: ajo ka edhe një ëndërr
tjetër, që të provojë aftësitë e saj edhe në OKB, (Organizatën e Kombeve të
Bashkuara)…
Synimet e Arditës janë si të shqiponjës.
E premte, 29.03.2024
Vlorë,
ALBANIA