Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Bilal Alaj, mësimdhënës model dhe drejtues i aftë
E enjte, 14.03.2024, 08:56 PM
Bilal Alaj, mësimdhënës model dhe drejtues i aftë
Nga
Gjekë Gjonaj
Se
arsimimi është shpirti i kombit, këtë e kishte thënë që moti patrioti i shquar
demokrat, personaliteti i rrallë e heroi i madh i kombit tonë, Hasan Prishtina.
E meqë ishte pishtar i flaktë i arsimit shqip, ai edhe e kishte jetësuar këtë
thënie me shkollimin e tij personal duke shkrirë tërë pasurinë e tij për
arsimin shqip. Këtë rrugë të
mësimdhënies e zgjodhi dhe e ushtroi me shumë dashuri, entuziazëm e
përgjegjësi edhe mësuesi Bilal Alaj ,
nga fshati Katërkollë ( Anë të Malit), Komuna e Ulqinit. Shkollimin fillor e ka kryer në Shkollën
Fillore “ Bedri Elezaga” në Katërkollë,, kurse Shkollën Normale në
Prishtinë. Nuk u kënaq me kaq dhe diplomoi
në Fakultetin e Mësuesisë , në Universitetin e Prishtinës.
Sikur e ka bekuar Zoti
me profesionin e mësuesit!
Bilal
Alaj ndjehet i lumtur që ëndrra dhe
dëshira e tij për t’u bërë mësues iu
plotësua, sepse ky profesion për të është i shenjtë, ashtu siç janë vet
nxënësit me çiltërsinë, dashurinë dhe botën e tyre fëmijërore e të
padjallëzuar. Profesionin e
mësuesit e ka zgjedhur me dëshirën më të madhe
prandaj shprehet : “ Sikur të
ndodhte ajo që nuk do të ndodhë, përsëri
do të zgjidhja profesionin e mësuesit”.
Sikur e ka bekuar Zoti me
profesionin e mësuesit! Në përvojën e tij
shumëvjeçare gjithmonë ishte dhe
mbetet parimi se të edukosh dhe të mësosh gjenerata të tëra nxënësish është
mund e përkushtim, kënaqësi e dashuri, nder e krenari, por edhe detyrim dhe
përgjegjësi e madhe.
Fillimet e punës me
ditar në dorë
Profesionin
e mësimdhënies e filloi, pasi e mbaroi me sukses Shkollën Normale në Prishtinë , në paralelen
e shpërndarë të SHF” Bedri Elezaga” të Katërtkollës,
në fshatin Megjureç, ku mësimi zhvillohej në gjuhën joamtare (
serbokroate). Në këtë fshat të largët
mësuesi i ri Bilal , me
përgatitje të lartë profesionale, në
shkurt të vitit 1972 mori për herë të
parë ditarin në dorë. Për të ishte një
ndjesi e rrallë dhe e papërshkruar, që
iu krijua mundësia dhe pati fatin të kthehet në vendlindje dhe
të punojë në shkollën, ku i kishte marrë
mësimet e para, ku mësuesit e tij ia
kishin shtuar dashurinë për dije, për
gjuhën e atdheun, lashtësinë e kombit tonë, mësimet dhe shkathtësitë për jetën. Edhe pse
prej atëherë kanë kaluar 52 vjet ende e ka të freskët dhe kurrë nuk do harrojë
takimin e parë dhe njohjen me nxënës.
Përshëndetja e ëmbël, buzëqeshja
e çiltër , hyjnore e engjëllore e nxënësve
e përcjellin dhe e shoqërojnë edhe sot.
Hapi rreze diturie në
fshat dhe qytet
Mësuesi
entuziast Bilal Alaj, pas dy vitesh pune në fshatin Megjureç dhe
kryerjes së shërbimit ushtarak, përsëri punësohet
në SHF “ Bedri Elezaga” në vendlindjen e tij, ku ka punuar deri në vitin
1978. Prej aty shkëputet nga arsimi dhe në vitin 1979 kalon në
Ulqin, ku punësohet në Sekretariatin e Mbrojtjes
Popullore. Në këtë sekretariat ka punuar
gjashtë vite dhe ka përjetuar
atë që nuk e kishte menduar
asnjëherë, largimin nga puna dhe
arrestimin , duke e akuzuar si
nacionalist. Ky dënim i rëndë dhe i
padrejtë që iu bë këtij
personaliteti të shquar të
arsimit i ndaloi
atij të drejtën e punës, deri në
kohën e ndryshimeve demokratike
në Mal të Zi. Por, nuk ia theu
fuqinë e madhe , moralin dhe
dashurinë e tij të
flaktë shpirtërore, që të vazhdojë të hapë rreze diturie tek
nxënësit shqiptarë në fshat dhe
qytet. Në vitin 1990 u
punësua në SHF “ Marshall Tito” në
Ulqin, ku ka punuar deri në vitin 2006.
Mësues i mirë dhe udhëheqës i aftë
Mënyra
e sjelljes si mësues të Bilal Alajt vazhdimisht është shprehur me fjalë dhe veprime. Një nga parimet kryesore të tij në punën e mësuesit dhe drejtuesit, ka qenë disiplina e punës, të
cilën ai gjithnjë e ka vlerësuar si një nga faktorët kryesorë të drejtimit të
shkollës dhe klasës. Parimi i këtij
mësuesi ambicioz , në punën e vet edukative
-mësimore, ka qenë dhe është udhëhequr nga koncepti se një mësues i mirë duhet t’u mësojë nxënësve
që ata të marrin përgjegjësinë për të mësuarit dhe të arrijnë t’i realizojnë
objektivat që i vënë vetes.
Si
mësues dhe edukator i mirë dhe drejtues
i aftë i shkollës Bilal Alaj
vazhdimisht është dalluar për inteligjencë, njohje të profesionit,
kryerje të punës me ndërgjegje e dashuri për nxënësin, durim, qëndrim të drejtë
dhe sinqeritet. Ai gjithnjë dhe gjithmonë
i ka dashur nxënësit dhe shkollën, duke punuar me këmbëngulje e durim për
mbarëvajtjen e tyre. Shumë nxënës që
janë edukuar dhe mësuar nga “dora” e tij, janë dalluar dhe vazhdojnë
të dallohen për vullnetin e mirë për të
mësuar sistematikisht.
Të
gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij, që së bashku kanë punuar dhe
kanë kontribuar në edukimin dhe arsimimin
e nxënësve shqiptarë dhe në përmirësimin
e kushteve të jetës sociale-ekonomike të fëmijëve me aftësi të
kufizuara, natyrisht që vazhdojnë të ruajnë
respektin e dashurinë për këtë njeri dhe intelektual të veçantë. Të
flasësh për cilësitë njerëzore të Bilal Alajt , nuk mund të mos thuash
se ai është një njeri modest,
shembull i veçantë në komunikim,
me nxënës, kolegë dhe bashkëqytetarët e vet.
Ta duam dhe ta respektojmë profesionin e mësuesit
Kjo thënie është porosia e këtij mësimdhënësi model, tashmë në
pension, i cili gjithherë procesin
edukativ e vuri para atij
arsimor, duke menduar se njeriu i edukuar mirë mund të jetë i dobishëm për
familjen e tij, për rrethin ku jeton e
vepron, për kombin dhe atdheun. Ai
shprehet se ky profesion është
zbavitës, sfidues i vështirë dhe ekzistues. “ Toni Bler ka thënë:
“Ashtu siç është arsimi sot është kombi nesër” , kurse Sami Frashëri ka thënë: “ Nëse do të mbjellësh për një vit,
mbill misër e grurë. Nëse kërkon që të mbjellësh për gjithmonë mbill arsim e
kulturë”. Këto thënie, vlerëson Bilali
na këshillojnë ne mësuesve që
nëse gabojmë në procesin edukativo-arsimor, ky gabim kurrë nuk do të përmirësohet . “ Prandaj ta duam, ta respektojmë dhe ta aplikojmë me
shpirt ngrohtësinë e profesionit të mësuesit, sepse do të
përfitojnë nxënësit tanë, që janë ardhmëria jonë”, na tha ai në përfundim të bisedës sonë.