Faleminderit
Agim Xh. Dëshnica: Poeti i ndritur Vexhi Buharaja
E marte, 14.05.2024, 07:59 PM
POETI I NDRITUR
VEXHI
BUHARAJA
Nga
Agim Xh. Dëshnica
Tashmë emri dhe vepra e poetit e dijetarit të ndritur Vexhi Buharaja njihen e lexohen me
ëndje kudo, ku flitet shqip.
Në
qytetin me tërë ato vlera, Berat, ku jetuan e krijuan Nezim Frakulla, Sulejman
Naibi, Hasan Zyko Kamberi dhe poeti mbëtar Naimi, në familjen e Ibrahim Buharasë më 12 maj
1920, lindi një fëmi, një djalë, që do të
mbante emrin e bukur Vexhi. Një djalë, i cili do të
nderonte fisin e Buharasë. Një njeri, që do të shquhej për sjelljen fisnike.
Dijetari i ardhshëm që do të ngrinte lart vlerat e atdheut dhe të Beratit. Një
fetar i kulturuar i besimit ndaj Zotit. Një poet i dashurisë për njeriun e
bukuritë e natyrës shqiptare. Bota letrare do ta njihte qysh në moshën 19 vjeç.
me poezitë , “Përpara Tomorit”, fituese e çmimit të parë. “Poeti”, “Zemrës”,
“Shiu”, “Çudit’ e fshatit tim”, “Dua të jem flutur”, “Manushaqja”, etj. me
nivel artistik dhe frymëzim poetik, të cilat u sjellin ndër mend lexuesve Lasgush Poradecin, të krijuara sipas
traditës rilindase, me ndjenjat e pastra të një njeriu të mirë. Vargjet me
gjuhë të kulluar shqipe, rrjedhin ëmbël e natyrshëm. Pseudonimet “Valater
Çokdari” e “Lulëzari” në atë kohë u njohën kudo. Vlerësimet për Buharanë, u
botuan në shtypin e kohës, nga Lasgush
Poradeci, Ernest Koliqi, Ali Asllani, Nexhat Hakiu etj..
Drama e jetës së tij…
Vexhi
Buharaja pas mësimeve të para në Berat, në vitin 1940 u vendos në Tiranë. Atje
kreu me përfundime të shkëlqyera Medresenë e Lartë. Më pas dha mësim po në atë
shkollë dhe drejtoi revistën “Kultura
Islame”. Viteve 1940 -1944, u përkasin shkrimet e një krijimtarie të pasur me
poezi e prozë, studime për ngjarje historike, përkthime e redaktime
punimesh për revistën. Në këto vite bashkëpunoi edhe me organet e shtypit të
kulturës si, “Njeriu”, “Tomori i Vogël” etj.
Ernest
Koliqi miratoi për të një bursë të
veçantë për vijimin e studimeve më lartë, në orientalistikë. Por këtë fat të
rrallë nuk mundi ta gëzonte, madje për
shkaqe familjare në fillim të vitit 1944, kthehet në Berat. Në ditët e premte,
i ftuar në xhamitë kryesore të qytetit, tek jepte vas në shqip për çështje
fetare e shoqërore, dëgjohej zëri i tij i ngrohtë me një oratori e filozofi të
përkryer. Deri në vitin 1947 jep mësim në shkollat e qytetit. Në atë vit të zi
për njerëzit e kulturës, Vexhi Buharaja si shumë të tjerë u arrestua!…Gjyqi
komunist me akuzën për “agjitacion e propagandë”, e dënoi me 8 vjet burg.
Biblioteka e vet e pasur u shtetëzua. Librat u mbartën me një kamion ndërtimi.
Shkruesi i këtyre rradheve asokohe i ri, pa me dhimbje librat e dëmturar
grumbull në karroceri.
Nga burgu e dërguan në kampin e Maliqit. Emrat: kënetë, kanal, Maliq, Roskoveç, Tërbuf, Çermë, na kujtojnë martirët atdhetarë, dijetarët e shquar, profesorët, inxhinerët e aftë, shkrimtarë, njerëzit e shërbesave fetare etj. Pas burgut, Vexhi Buharaja për të siguruar jetesèn e familjes, iu nënshtrua një pune sfilitëse me duart e pafuqishme përdori sërish kazmën! Megjithatë penën dhe librat i mbajti pranë si mjetet e tij më të shtrenjta.
Frymëmarrje
në krijimtari. Kur diktatura do të ndalte përkohësisht hovin vrastar, lejohet të kthehet në arsim. Në
shkollat e mesme jep lëndën e gjuhës ruse, të
mësuar në burg. E shohim të punojë për Muzeun e Beratit. Kur
institucionet shkencore, patën mjaft nevojë për dijet e tij, në vitin 1965,
pranohet të bshkëponojë me studime shkencore në Institutin e Historisë, Gjuhës
e Letërsisë të UT, më vonë të Akademisë së Shkencave. Për Vexhi Buharanë nisi
një punë e pashterur hulumtuese dhe krijuese. Shquhet për punë cilësore për
historinë e Shqipërisë. Kjo u pa në shkrimet e shkëlqyera, ndërmjet tyre
kumtesa për Gjergj Kastrotin- Skënderbe, me rastin e 500 vjetorit të lindjes, mbajtur në një sesion shhkencor, në Berat. Të
një rëndësie të veçantë janë përkthimet e tij. Siç dihet në vitet e diktaturës
shumë poetë e shkrimtarë të paraluftës, u burgosën ose u lanë mënjanë. Mundësia
e vetme për të mbijetuar e për të shprehur aftësitë e tyre, ishin përkthimet e
shkrimeve politike, e poezive dhe romaneve të letërsisë së huaj. Të tillë qenë,
Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli. Vedat
Kokona, Sotir Caci etj. Këtë fat pati
dhe Vexhi Buharaja. Në Instituni e Historisë, përktheu qindra dokumente
arkivore turke që hedhin dritë mbi kohën e pushtimit osman. Me vlera kombëtare
janë përkthimet e Defterëve (regjistrave) të administratës turke. Përkthimi i
shkrimeve dhe letrave nga turqishtja në shqip e rilindësve tanë, si Hasan
Tahsini, Sami Frashëri, Dervish Hima etj. Ndihmesa e tij, shkëlqeu sidomos në
studimet shkencore, për toponimet,
transkriptimin e përkthimin e mbishkrimeve në gjuhën osmanisht, në shkrimeve në
shumë rrethe të vendit, në ndërtesat fetare, në kështjella, në kulla sahatesh,
në ura, në shtëpitë e lashta etj. Një nga veprat e tij me titullin, „Monumente
të kulturës turko-arabe“ përmban rreth 300 mbishkrime, e një kohe që nis nga
shekulli XV deri në shekullin XX. Shumë studjues për temat e tyre përdornin
punimet e tij. Kur përmendnin burimin e lëndës, shënonin shkurt formulën, sipas
arkivit të Institutit të historisë. Pra, e gjithë kjo veprimtari e Vexhi
Buharasë, kaloi në heshtje. Shpesh në konferenca kombëtare këto arritje, i përfaqësuan
të tjerët, të cilët ishin nën nivelin e tij kulturor. Megjithatë ato u
vlerësuan nga dijetarët vendas e të huaj si, gjuhëtari i madh Prof. Eqrem
Çabej, orientalisti Myqerem Janina, orientalisti gjerman Prof. Franc Babinger
etj.
Në
lëmin e letërsisë, përveç poezive e shkrimeve
të Vexhi Buharasë, njihen përkthimet në shqip, si drama „Besa“ e Sami
Frashërit, krijimet e poetëve persë e turq. Me një interes të veçantë u prit
nga lexuesit, botimi në shqip i veprës
së Saadiut „Gjylistanit dhe Bostani“,
perlë e poezisë botërore. Po nga kjo gjuhë ai shqipëron dhe një kryevepër
tjetër, „Shahname-në“ e Firdusiut. Përgatiti dhe një antologji me poezi të zgjedhura të poetëve persianë.
Për
letërsinë tonë e një rëndësie të veçantë, është dhe përkthimi shkëlqyeshëm në
shqip nga Vexhi Buharaja i dy vëllimeve me poezi në gjuhën persishte të Naimit,
„Endërrimet“ (Tahajjulat) dhe „Katër Stinët.“ Sipas një letre të publçistit N.
Jorgaqi, i njohur si hartues antologjish me shkrime autorësh shqiptarë, kërkoi
prej tij ndihmë për një kumtesë rreth këtyre dy librave. Lasgush Poradeci për ato punë arti, shkruante:“ Për mua dy janë të mëdhenj në
fushën e përkthimeve nga gjuha perse, i madhi Noli në Amerikë dhe i madhi
Buharaja këtu.“ Prof. Eqrem Çabej pas leximit të „Gjylistanit“ u shpreh:
“Mjaftonte vetëm studimi hyrës, shënimet sqaruese dhe fjalori enciklopedik, që
Vexhi Buharaja të meritonte gradë shkencore.“
Siç del nga letrat, i dashur dhe bujar shpesh punimet e veta të pabotuara ua jepte të tjerëve si burim për temat që kishin në program. Si shpërblim pas kërkesash të lodhëshme, disa ktheheshin e disa humbisnin.
Largimi nga puna
shkencore
Kur
diktatura me luftën e klasave u zgjua më e tërbuar në vitin 1975, Vexhi
Buharaja, u pushua nga puna. Ky veprim i mbrapsht u prit me pakënqësi të thellë
nga intelektualët e ndershëm. Në letrën e dijetarit të njohur Samim Visoka,
dërguar Institutit të Historisë dhe Akademisë së Shkencave, ku sekretari
shkencor L. Omari mbulonte kuadrin, midis të tjerave lexojmë: „S’ka dyshim se
elementë si Vexhi Buharaja nuk duhen pushuar nga puna, po duhet të ruhen e të
mbrohen si diçka shumë e vlefshme, sepse siç e dini ju vetë, jeta, mosha, po i
rrallon këta specialistë me vlera të mëdha në fushën e orientalistikës.
Elementë të tillë si Vexhi Buharaja janë perlë…“
Vexhi
Buharaja, i prekur, por aspak i thyer, sado i larguar nga punët shkencore
të Institutit, vijoi të merrej me
letërsi e shkencë. Pushtetarët pa shkollën e duhur në Berat për ta fyer më tej këtë njeri të
madh, e caktojnë arkëtar . Megjithatë populli i Beratit si përherë e nderonte dhe mburrej me të. ashtu si më parë, Të gjithë ata që patën fatin të takonin
Vexhi Buharanë, njohën njeriun idealist e gojëmbël, poetin e hijshëm të lirisë,
dijetarin serioz e bujar, profesorin e vërtetë shqiptar. Kuptimplotë ishte
sjellja fisnike e kryetari të Akademisë së Shkencave prof. Aleks Budës, i cili
sa herë vinte në Berat takonte poetin e dijetarin Buharaja dhe duke biseduar,
ecte tok me të, në shetitoren e qytetit.
Megjithatë penën dhe librat nuk i la kurrë pas dore.
I
dashur me të gjitha moshat, miq apo shokë takohej me mesuesit e rinj si Muhamer Telegrafciu apo Ramiz Haznedari. Herë
pas here atdhetarë të shquar në histori si Xhevdet Dëshnica, apo historiani
Ahmet Kondo sapo ktheheshin të
përmalluar në qytetin e lindjes, Vexhiu
u shkonte në shtëpi dhe bisedonte gjatë me ta, për ngjarje historike e
kulturore në Berat.
Aty
nga vitet 70, shtëpia e Ibrahim Buharasë, Sulejman Deshnicës dhe atdhetarëve të
tjerë, do të shembeshin barbarisht nga pushteti komunist.
U
shkatërrua, zona më e bukur e më e lashtë e lagjes Murat Çelepi. Ajo, dikur ishte me
ndërtesa monumentale, rrugica të pastra, gjallëronte prane lumit Osum me
blerimin e kopshteve me fryta e perime,
gjithfarësh.
Tashme
Vexhi Buharaja, me krijimtarinë e pasur njihet kudo, si poet, publicist,
fetar-filozof, orientalist, historian, përkthyes, njohës e zotërues i 10
gjuhëve, më s’pari, gjuhët klasike të Lindjes: persisht, arabisht, osmanisht
turqishten e re e rusisht. Pas tyre, nga gjuhët e perëndimit: anglisht,
gjermanisht, frengjisht dhe italisht.
Shuarja e kriimtarisë
Në
prag te ndryshimeve të mëdha historike, pas një sëmundje të rëndë dhe në një
gjendje ekonomike të vështirë, Vexhi Buharaja do të ndahej nga jeta, para
kohe më 6 korrik 1987. Erdhi pra në jetë
në muajin maj të poetëve, dhe iku i pafat, kur po ndihej era e lirisë… Mykerem
Janina, viktimë dhe ky i regjimit komunist, shkruante me dhimbje: “U mbulua me
atë bashkë një thesar, një dritë dijesh…një burrë karakteri e virtutesh të
rralla..“
PËRPARA TOMORIT
Nga
Vexhi Buharaja
Bukuri
këputur qiejsh mbi Tomorin sonte bie,
Më
pushton që prej së largu dhe një shpirt prej lashtërie,
Si
shkëndi, si rreze dielli, po afrohet valë -valë,
Ndënëqesh
me mall të nxehur pastaj hapet me ngadalë,
Edhe
zbret si yll i ndezur ku shkon jeta në mjerime:
Gjer
në fund të natës sime.
Dhe
kjo dritë dhe kjo flakë që po ndez një qiell floriri,
Që
po qesh nga maj’ e malit si një diell ndaj të gdhirë,
Gaz’
i lar’ me drit’ thëngjilli që pikoi vetvetiu
Edhe
gaz’ i Afërditës që së lartësh vetëtiu
Nga
dy buz’ si trëndafili edhe ra në ëmbëlsime:
Gjer
në fund të natës sime.
Zog’
i shpirtit tundi krahët mbi Tomorin fluturoi!
Shpuzë’
e mallit po valëvitet, trete helmin, ligjëro!
Thuaja
si ia thot’ bariu kur dëgjon zën’ e gugashit
Shko
si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit,
Qesh
si qesh një shtizë hëne përmbi faqen e dëborës,
Ndrin
si ndrin një fije ari mu në buzën e kurorës
Dhe
këndo posi bilbili me aq mall e drithërime
Gjer
në fund të ditës sime.
Dhe
pasi të kesh marrë, frym’ e shpirt nga bukuria
Dhe
pasi të kesh parë, ca shkëndi nga dashuria,
Fute
kokën ndënë krahë dhe dëgjo, o pendëshkruar,
Sesi
nga Osum’ i jetës, buçet këng’ e amëshuar.
Si
buçet nga goj’ e Zotit Fjal’ e ëmbël mençurie,
Si
buçet nga buzë e Muzës fjal’ e ëmbël bukurie,
Si
buçet nga gjit’ e vashës fjal’ e zjarrtë dashurie…
Del
nga fund’ i fshehtësisë sipër valëve të lumit,
Dhe
përhapet anembanë sa na zgjon nga nat’e gjumit
Pastaj
ngjitet lartë -lartë ku ndez jeta në shkëlqime:
Gjer
në fron të ditës sime.