Faleminderit
Enver Bytyçi: Ta nderojmë me një javë kulturore Nënë Terezën!
E hene, 26.08.2024, 06:58 PM
Ta nderojmë me një javë kulturore Nënë Terezën!
Nga
Prof. Dr. Enver Bytyçi
Sot
është 114 vjetori i lindjes së të shenjtës Nënë Tereza (Anjezë Gonxhe
Bojaxhiu). Ajo lindi në Shkup më 26 gusht 1910 nga një familje me rrënjë
Gjakovën dhe Prizrenin. Babai i saj, Kolë Bojaxhiu, ishte tregtar. Gjithashtu
patriot i flaktë, aq sa serbët nuk e duruan dot dhe e helmuan, duke e likuiduar
fizikisht. Tradicionalisht familja e Nënë Terezës ishte katolike si besimtare
dhe praktikante.
Vetë
Gonxhe Bojaxhiu, pasi mbaroi shkollën e mesme në Shkup, në vitin 1928, në
moshën 18 vjeçare emigroi fillimisht në Irlandë. Më pas iu bashkua misionarëve
të Kishës dhe themeloi atë që në historinë e njerëzimit do të mbahet mend si
Misioni i Nënë Terezës. U bë e famshme për humanizmin e saj dhe ndihmën ndaj të
sëmurëve dhe të të vobegtëve në qytetin metropol të Indisë, Kalkutë. Aq sa
shpesh herë quhet edhe Nënë Tereza e Kalkutës.
Por
rrënjët e saj shqiptare ajo i shpalli gjithmonë publikisht. Edhe në momentin
kulmor të jetës së vet, kur më 1979 u nderua me Çmimin Nobel për Paqen, ajo
shpalli botërisht se nga gjaku dhe gjuha ishte shqiptare. Ndërsa në Shqipëri,
fillimisht në Shkodër e më pas në Tiranë, jetonin nëna (Drandja) dhe motra
(Agja) e Nënë Terezës, asaj iu mohua të vinte në atdhe e të vizitonte dy
njerëzit e saj më të dashur. E konsideruan si “reaksionare” dhe “agjente të
Vatikanit”! Për fat, në Romë jetonte vëllai i saj, Lazri, ish-oficer i Zogut i
arratisur pas vendosjes së komunizmit, me të cilin takohej e çmallej
vazhdimisht.
Papa
Gjon Pali i II e lumturoi Nënë Terezën pas vdekjes së saj. Ndërsa Papa
Françesku e shenjtëroi atë. Një shqiptare e kudopërmendur në botën politike,
kulturore, njerëzore e të artit në planet, tashmë është e shenjta Nëna Terezë.
Nënë Tereza është personaliteti më i njohur në botë në historinë e shqiptarëve.
Më e njohur edhe sesa Skënderbeu. Eshtë nderi më i madh i kombit shqiptar,
sepse ky komb, kur identifikohet me Nënë Terezën, merr kuptim hyjnor e
përceptohet me modelin e saj të humanizmit dhe të shenjtërimit.
Shqiptarët
janë krenarë se kanë nxjerrë nga gjiri i vet këtë emër kulti planetar. Janë
krenarë që lindën, rritën dhe edukuan te ajo frymën e paqes, ndihmës humane,
mëshirës dhe zhvilluan filozofinë e jetës përmes saj. Prandaj dhe ata shqiptarë
të pakët në numër, të cilët fyejnë dhe nuk e pranojnë Nënë Terezën, duhet të
kuptojnë se Shqipëria, Kosova, shqiptarët i detyrohen aq shumë Nënë Terezës .
Ata nuk kanë të drejtë të shtrojnë pyetjen se “Çfarë bëri Nënë Tereza për
shqiptarët”?! Vetëm emri i saj ka bërë atë që nuk e ka bërë askush tjetër për
kombin tonë. Autoriteti dhe ndikimi i saj te kancelaritë amerikane, europiane
dhe në botë, kanë qenë të mjaftueshme për ta sjellë në vëmendje çeshtjen
shqiptare!
Do
të ishte e dobishme, e madje e domozdoshme, që parlamenti i Shqipërisë dhe ai i
Kosovës, po ashtu edhe parlamenti i Maqedonisë së Veriut të miratonin një ligj
të posaçëm për respektimin dhe nderimin e Nënë Terezës, duke dënuar penalisht
çdo shtetas të këtyre vendeve që do të guxonte të fyente personalitetin dhe
veprën e jashtëzakonshme të Nënë Terezës! Ndoshta duhet themeluar edhe një javë
përkujtimore me veprimtari të shumta në të tri këto shtete me rastin e ditës së
shenjtërimit të saj!