Faleminderit
Kolec Traboini: E kam takuar Skënder Dajën
E marte, 13.08.2024, 08:35 PM
E KAM TAKUAR SKËNDER DAJËN
Nga
Kolec P. Traboini
Duhet
të ketë qenë jo më shumë se 14 vjeç kur e kam takuar Skënder Dajën në qytetin e
Nxënësve në Tiranë, martirin dhe heroin që do ta ekzekutonin në revoltën e
Spaçit në moshën 23 vjeçare. Asokohe isha në shkollën Pedagogjike 2-vjeçare për
mësues dhe kjo shkollë ishte në të njëjtën
godinë me Shkollën e
Kulturës, një ndërtesë e vjetër kjo që kishte shërbyer si kazermë
ushtarake me emrin e Ali Rizait. Se kush kish qenë ushtaraku Ali Rizai kurrë
nuk e mësuam, por emrin e tij gjithnjë e përmendnim. E ka dikush ndonjë fat të
tillë, t’i mbetet emri duke mos bërë
hiçmosgjë, vetëm rreshtore me rekrutët e rinj të ushtrisë, ndërkohë që
paradoksalisht martirët e heronjtë edhe mund të harrohen.
Meqenëse
kisha kaluar disa vjet në Shtëpinë e Fëmijëve në Shkodër e nuk kisha asnjë
ndihmë financiare si mbështetje, konvikti na siguronte veshmbathje e disa
shpenzime të vogla. Ne të shtëpisë së fëmijëve kishim një farë miqësie e
solidariteti mes vedit për shkak të një fati të përbashkët. Shumica ishim
jetimë, pa prindër e pa përkrahje. Mbaj mend se nga të shtëpisë së fëmijëve në
shkollën tonë ishte edhe Eduard Aliu nga Durrësi, Kiço Babi e Katerina Papa nga
Saranda, Elefteria Kapsali minoritare dhe Gëzimi Isufi.
Një
herë Katerina që ishte si motra jonë e më quante vëlla, më afrohet e më thotë
se do të njoh me një shoqen time që është edhe ajo e shtëpisë së fëmijëve e ne
duhet të kemi përkrahje për njëri tjetrin. Atë kohë në shkollën e kulturës mbaj
mend të ketë qenë edhe Tonin Tërshana.
Ndoshta koleges sime gazetare, me të cilën kam qenë në një klasë, Zenepe
Çekrezi-Luka do ti kujtonte më mirë këto njerëz e këto ngjarje.
Në
një nga pushimet e pasdites më afrohet Katerina me një vajzë me fytyrë të
vogël, të qeshur, një natyrë gazmore dhe e shkathët me të cilën u miqësuam menjëherë.
-
Kjo është Engjëllushja- më tha Katerina. Dhe shtoi - Është si ne.
Katerina
me këtë donte të thoshte se na bashkon fëminia e vështirë. Engjëllushja, kjo
vajzë e shkathët, e sinqertë e gazmore kishte një zë shumë të bukur dhe sa herë
që të dy shkollat bënim mbrëmje të përbashkëta vallëzimi apo veprimtari,
këndonte. Kush si ajo. Ne ishim aq të
gëzuar kur këndonte Engjëllushja. Brohorisnim. Edhe Engjëllushja ngazëllente.
Ishte vajzë lozonjare dhe falë talentit e lumtur.
Kisha
parë të vinte në oborrin e shkollës, aty ku ndodhej një rrap shekullor dhe
ishin çezmat e ujit, një djalë adoleshent që kërkonte të takonte këngëtaren e
shkollës sonë. Ishte i vëllai, Skënderi. Ai ishte një djalë i urtë me sy
inteligjent, plot gjallëri, por që rrinte i tërhequr në botën e vet. Priste aty
në stol nën hijen e rrapit sa dilte Engjëllushja nga ora e mësimit, e takonte
dhe ikte shpejt.
Ndoshta
kurrë nuk do të më sillej në kujtesë ky takim, se të tilla ndodhin shpesh e
harrohen, sikur ky i ri të mos kishte
një fat tragjik. Do të ekzekutohej nga diktatura ashtu siç i kishin ekzekutuar
babain Qemal Daja në vitin 1953 kur Skënderi ishte vetëm 2-vjeç.
Mbas
mbarimit të shkollës ne u shpërndamë për të mos u bashkuar më kurrë me njëri
tjetrin. E për të mos u parë gjithashtu.
Rasti
me çoi të shkoj në verën e vitit 1965 në Korçë ku u mblodhën tërë fëmijët e
shkollave të mesme të Shqipërisë që ishin të Shtëpisë së Fëmijëve. Por Engjëllushe Daja nuk erdhi atë vit me ne.
Aty pata rast të njoh shumë prej tyre, nga Saranda, Durrësi, Shkodra. Mbaj mend
edhe Jolanda Prekën- Shala që ishte e
shtëpisë së fëmijës dhe ajo e më pas do të bëhej një aktore e shquar në
Estradën e Shkodrës.
Do
të kalonin pak vjet kur rasti e solli të dëgjoj në radio sërish zërin e
Engjëllushe Dajës. Ajo tanimë ishte aktivizuar në një trupë artistike dhe
merrte pjesë në veprimtari artistike
kombëtare. U bë një këngëtare e njohur dhe mua më vinte mirë. Por një ditë
dikush më solli një lajm që më trishtoi. Engjëllushja nuk mund të këndonte më. Pyeta dhe ma thanë shkakun. I
kishin dënuar vëllain për arratisje. Por më pas akoma, kur isha me studime
Unversitare do të merrja një lajm tragjik. Vëllai i saj i burgosur, Skënder
Daja, kishte qenë një nga organizatorët
e revoltës së Spaçit. E kishin pushkatuar pas një gjyqi të improvizuar dhe pa
kaluar as 24 orë nga dhënia e vendimit. Dhe ishte vende pa mbushur 23 vjeç.
Ndjeva
një pikëllim të madh në atë kohë si për atë djalin e mbetur në kujtesën
time tek
vinte të takonte motrën në shkollë,
por edhe kur mendoja për gjendjen e shoqes sonë të shkollës Engjëllushe.
Çfarë fati i tmerrshëm. Nuk mjaftoi fëmijëria plot travajë, por edhe pushkatimi
i vëllait e më pas humbja përgjithmonë e të drejtës për të kënduar. Por edhe
sikur të lihej, si mund të këndonte ajo për ata që kishin ekzekutuar vëllain e
saj të cilit nuk ia dinte as varrin.
Në
kujtimet e tij për Skënder Dajën, Filip Gazulli nga New Yorku më shkruan:
“Kam
qenë në Durrës me Skënderin, kurse me
Petritin, vëllain e tij të madh kam qenë në Shkodër, dhe në Durrës.
Engjëllushen e kam njohur prej tyre. Petriti ka qenë një djalë shumë bukurosh
dhe i qeshur (shumë vjet më vonë e kam takuar në Tiranë me rroba
bojaxhiu). Skënderi, ka qenë i talentuar
këngëtar dhe kitarist, këndonte mirë sidomos këngët italiane. Ishim bashkë
ushtarë në Linzë të Tiranës në 1969!
Mbaj mend që i vinin shokë nga Tirana me kitarë dhe këndonin nën ullinjtë e
Linzës. Kjo u ra në sy komandës, por unë ndërhyra (isha piktor dhe shkrues i
repartit, repart pune se të gjithë ishim me biografi jo të mirë) i përzura
shokët e tij dhe e mbajta afër. Mbas 7-8 muajsh e shkrinë repartin dhe i ndanë
në disa reparte si në Ksamil, në një repart kuajsh, Tiranë dhe 2-3 reparte të
tjera. Skënderin e caktuan për të shkuar në Ksamil. Sapo kishte nisur ndërtimi
i plantacionit të Ksamilit dhe duheshin ushtarë për punë. Duke qenë se listat
më ranë në dorë për t’i shkruajtur bukur, mu dha mundësia të bëja ndërrime
emrash (këtë e bëra për ca shokë të mi), ndaj
e pyeta Skënderin, bile iu luta, por më tha se ka shokët, dhe donte të
ikte! Më ka mbetur peng pse nuk këmbëngula dhe nuk ia hoqa emrin nga
ky repart dhe nuk e lashë në Tiranë."
Në Ksamil të Sarandës thonë se mendoi të arratisej megjithëse ai
nuk e pranoi të ketë bërë përpjekje. Ishte vetëm një mendim. Megjithatë e
dënuan. Në gjyq Skënder Daja trimërisht kishte deklaruar se “Doja të këndoja me
Adriano Çelentaon, sikur edhe rrugët e Romës të fshija!". Më vonë morëm
vesh se e pushkatuan në revoltën e Spaçit!
Koha
solli ndryshime në jetën e atyre njerëzve që arritën të mbesin gjallë nga
diktatura, por ata që u ekzekutuan nuk mund të ktheheshin më.
Engjëllushja
ca vite punoi në Radio Televizion. Me gjithë dëshirën, për shkak se ndodhesha
dy dekada jashtë atdheut, nuk arrita ta takoj asnjëherë. Përndryshe,
ani pse në largësi, arrita të njoh atë pjesë të ngjarjeve të vitit 1973 që zhvilloheshin larg syve tanë, brenda
telave me gjemba të burgjeve të tmerrshme komuniste.
Tashmë
është bërë e ditur se Revolta e Spaçit erdhi krejt spontanisht. Njëri nga të
burgosurit Pal Zefi ishte i sëmurë dhe gardianët kërkonin ta dërgonin të
punonte në galeri ani pse ishte i pamundur. Kaq shumë ishte mbushur kupa e
durimit të burgosurve sa ata shkas deshën për të shpërthyer. Gardianët
urdhëruan, por asnjë i burgosur nuk
pranoi të dilte në punë nëse e detyronin të sëmurin të futej në galeri.
Ngjarjet u përshpejtuan, revolta u rrit, nisën të këndonin vargjet e këngës “Ja
vdekje ja liri”, të thërrisnin “Poshtë diktatura!” dhe ngritën në dritare flamurin kombëtar pa
yllin e kuq komunist që ishte simbol i dhunës së kuqe. Erdhën forcat speciale
nga Tirana dhe revolta u shua. Deri në fund Skënder Daja kishte kënduar me
kitare këngën “Ja vdekje ja liri”. Një bishë sigurimi me emrin Feçor Shehu u
sul si egërsirë mbi të burgosurit e lidhur. Improvizoi një gjyq sa për sy e
faqe, i cili dha vendimin fatal për të dënuar tre të burgosur me vdekje. Gjatë
gjyqit Hajri Pasha foli plot trimëri,
ani pse e dinte se Feçor Shehu që ishte edhe ai nga Mallakastra, do ta
dënonte egërsisht siç kishte dënuar dhe
njerëzit e tjerë të familjes së tij. E kështu listës iu shtua dhe Hajri
Pasha.
Të
dënuarve me vdekje Skënder Daja, Hajri Pasha, Dervish Bejko e Pal Zefi ju thanë
se mund të bënin një kërkesë për falje. Ju ndezën një shpresë krejt të kot,
sepse gjithçka ishte paravendosur. Të katër të dënuarit me vdekje u ulën e
shkruan nga një letër lutje për falje jete
drejtuar Kryesisë së Kuvendit
Popullor.
Po
atë mbrëmje u mblodh kryesia e Kuvendit dhe dha verdiktin mizor që të katër të
ekzekutoheshin. Dhe po të njëjtën ditë në Spaç i morën katër të dënuarit, i ekzekutuan te ura e Fanit dhe i hodhën në
një kamion ushtarak e i nisen drejt Tiranës për ti përdorur kufomat e tyre si kavie. Por spitali nuk i pranoi se kishin
plot kufoma dhe i morën sërish e i groposen diku ku të mos gjendeshin më kurrë.
Mizoria duhej të shkonte deri në fund. Kjo ndodhi në Burgun e Spaçit më 24 maj 1973.
Mbas
vitit 1990 e shembjes së diktaturës,
kriminelët kurrë nuk u dënuan, veç faktit se në vitet 1981-‘82, Feçor
Shehu, ashtu si krimineli që e frymëzonte Mehmet Shehu përfunduan me nga një
plumb në kokë, të dy si tradhtarë, sepse viktima nuk mund t'i quash këta
xhelatë të pamëshirshëm e hiena gjaku. Kishin bërë krime të përbindshme dhe
gjetën fundin më mizor, por të meritueshëm. U vranë si qentë prej shokëve të
tyre po aq kriminelë. Kish ardhur koha që në luftën për pushtet i hanin kokat
edhe njëri-tjetrit.
Një
ditë më ra në dorë edhe përmbajtja e letrës që Skënder Daja i kishte shkruar
Kryesisë së Kuvendit Popullor për faljen e jetës, letër që meriton të lexohet e
të meditohet gjatë për të, sepse është letra e një 22 vjeçari që lutet për
jetën e vet të re përballë plumbave të kriminelëve komunistë që nuk kishin
zemër, kishin vetëm ideologji vrastare.
“Unë,
Skënder Qemal Daja, i datëlindjes 1950,
me arsim 8-vjeçar, lindur në Tiranë, me origjinë fshatar i varfër, i dënuar në
Kampin e Spaçit me 10 vite për tentativë arratisjeje, sot i dënuar me vdekje, i
akuzuar me nenin 72-76 dhe 73. Në fakt,
kam pranuar se i revoltuar kam bërë propagandë atë ditë, ashtu siç bërtitën të
gjithë në kamp dhe nuk kam marrë pjesë në asnjë lloj grupazhi e nuk jam bërë
pengesë për sabotim ekonomik dhe të frymëzoj ndonjë person. Kur mbaroi revolta
ne kishim frikë se do të na rrihnin, prandaj u grindëm me ta. Me kaq e mbyll
këtë letër lutjeje, me shpresë që të më falni jetën si i ri që jam.”
Po
si mendoni se u përgjigj Kryesia e Kuvendit Popullor? A patën ndofarë
ndjeshmërie kur e lexuan letrën e 23 vjeçarit? A menduan për fëmijët e tyre? A i menduan lotët e dy
motrave për vëllanë? Lotët e
Engjëllushes shoqes tonë të shkollës? A
menduan se për këtë krim si mijëra krime mbi popullin shqiptar do të
përgjigjeshin një ditë? Jo asnjë nga këto nuk i menduan. Menduan veç një gjë,
se ishin të pamposhtur dhe kishin të drejtë të përgjaknin populli dhe se do të
mbijetonin në çdo rrethanë.
E
kush mund të thotë se kjo nuk ndodhi. Pra kriminelët mbijetuan edhe pasi u
përmbys kupola dhe sistemi i përgjakur komunist. Sepse nuk u vu në plumb asnjë
prej atyre që e firmosën dënimin me vdekje të Skënder Dajës, Hajri Pashës,
Dervish Bejkos, e Pal Zefit. Asnjë nuk u dënua. Të mos përmendim edhe emra
viktimash të tjera, martirësh të tjerë. Ne shpesh përmendim disa, por janë me
mijëra. Dheun e kish mbuluar gjaku.
E
pse mund të pyetet? Pse nuk u dënuan? Ca demagogë foltoresh do të thonë se
demokracia nuk vret. Por ky është vetëm
justifikim, sepse shteti i quajtur demokratik (e dyshimtë kjo shprehje)
dënoi e vari në Fier dy vëllezër, djem të rinj,
që kishin vrarë një familje. Por as që mendoi që të varte në litar qoftë
dhe një monstër diktature, apo t’u bënte një privilegj duke u dhënë plumbin në
lule të ballit këtyre sadistëve që po shënoj më poshtë. I quaj kështu sepse pa
qenë kriminelë në shpirt nuk mund të jepnin një vendim të tillë.
Pse
vallë nuk u shkrep një plumb në kujtim të 22-vjeçarit Skënder Daja, pse asnjëri
prej këtyre kriminelëve nuk u vu përballë togës së ekzekutimit?
Tani
më thoni si na qenka kjo demokraci dhe
për kë është?! Ose edhe nëse e pranojmë, kjo është një demokraci ku kriminelët
dhe viktimat trajtohen barabar, ku të parët, xhelatët pra, apo bijtë e tyre,
vazhdojnë të udhëheqin, ndërsa viktimat
e fëmijët e tyre vazhdojnë të viktimizohen. Më këtë ndjesi e dhimbje realizova
një film dokumentar për Skënder Dajën “Djaloshi me kitare”. Një ngushëllim i
vogël është edhe shpallja “Martir i Demokracisë” sepse ende eshtrat e
22-vjeçarit të ekzekutuar Skënder Daja vazhdojnë të tundohen e thërrasin për
jetë, atje në varrin e humbur në ferrin e mallkuar të Spaçit.
Të
tillë demokraci mos paçin as armiqtë!
Kryesia
e Kuvendit Popullor që miratoi dënimet me
vdekje ishin këta maskarenj që nuk u dënuan kurrë për krimet e veta në
diktaturë: Haxhi Lleshi, Rita Marko, Myslym Peza, Shefqet Peçi, Bilbil Klosi,
Pilo Peristeri, Karaman Ylli, Sadik Bekteshi, Agim Mero, Dhimitër Shuteriqi,
Vito Kapo dhe Spiro Moisiu.