Faleminderit
Fran Gjoka: Profesor Vehbi Hoti, intelektuali i vlerave të mëdha
E enjte, 11.07.2024, 07:54 PM
IN MEMORIAM
Profesor
Vehbi Hoti, intelektuali i vlerave të mëdha të dritësimit pedagogjik të brezave
(Në
kujtim të jetës dhe veprës së pavdekshme të Prof. Vehbi Hotit)
Nga:
Fran GJOKA
Një vit më parë u
nda nga jeta profesori ynë i paharruar, Vehbi Hoti, që për 50-vjet me radhë ja
kushtoi dijes dhe edukimit, edukatori i një qyteti të tërë, që aq shumë e deshi
dhe aq shumë bëri ai për të dhe për njerëzit. Fëmijëria dhe adoleshenca nuk ishin
të lehta për të, e ndoshta ky është shkaku i një miredukimi e shkollimi, me
sakrificë, të cilët ai ka ditur t’i mundë shumë mirë. Shkollimi ishte pika më e
ndjeshme e tij dhe që i hapi rrugë të reja për të njohur më mirë jetën. Që në rininë
e hershme ai njihej si një djalë fjalëpakë, pa zhurmë dhe me energji të pashtershme,
punëtor i palodhur në shërbim të arsimit të lartë, dashamirës që nuk iu dëgjua kurrë
zëri për keq, gojëmbël dhe me kurajë, që
mbronte me dinjitet pikëpamjet e tij. Një burrë që nuk e nisi dhe as e
përfundoi karrierën e tij me bujë e reklama, por ua la të tjerëve të gjykonin për
shërbimin perfekt dhe me sinqeritet që u bënte studentëve, por që vlerësoi me
profesionalizëm, sinqeritet e dashamirësi, punën e mirë që bënin kolegët e tij.
Shumë shpejt, profesor Vehbi Hoti u shndërrua një ndër figurat e dashura publike
dhe i admiruar jo vetëm nga shkodranët, por nga e gjithë Shqipëria. Duke qenë një
burrë me tradita të mrekullueshme fisnike dhe një familje intelektuale, të gjithë
të shkolluar në universitetet tona shqiptare, ai ishte një njeri shumë i ndjeshëm,
human e tepër miqësor, po kaq ishte dinjitar e konsekuent në gjërat themelore të
bindjeve dhe ekzigjencave që të përbëjnë të plotë personalitetin e tij.
Energjitë e tij ai i vuri
në shërbim të studimeve, didaktikës, pedagogjisë dhe edukimit
Tek profesor Vehbi
Hoti, mendimi dhe preokupimi i vazhdueshëm rrinte përherë zgjuar, ashtu si rri ndezur
zjarri në një vatër të ngrohtë familjare, ëndërronte aspiratën e shpejtë dhe rrugën
për demokraci të vërtetë dhe integrim dinjitoz dhe evropian. Them këtë, jo aq nga
mosha, por nga energjia dhe vitalitetit që shfaqte në studime dhe kërkime në fushën
e didaktikës, pedagogjisë dhe të edukimit në tërësi, nga ndihma dhe mbështetja që
profesori ynë vazhdonte t’u jepte studentëve dhe kolegëve të tij pedagog dhe gjithë
atyre që dëshironin t’i futeshin punës së bukur dhe të vështirë shkencore dhe pedagogjike.
Profesor Vehbi Hotin kam pasur fatin ta njoh
që në rininë time të hershme. Ai ishte shembulli më i shkëlqyer i njeriut të formuar
me një personalitet dhe kulturë njerëzore. Janë pikërisht këto cilësi tepër të vyera
që më nxit të hedh në letër këto radhë për jetën, punën dhe veprën e pavdekshme
të këtij njeriu me shumë vlera në fushën e dijes dhe të prosperitetit tonë kombëtar.
Ishte sa e lehtë, edhe aq e vështirë dhe, sipas kujtimeve që unë kam ruajtur për
figurën e tij, ishte njeriu me vlera të përkushtueshme, me kulturë e vizion perëndimor,
i talentuar, i përgatitur, emocional, i dhembshur, me vizion të gjerë për jetën,
për familjen e shoqërinë. Ishte “i vështirë”, sepse profesor Vehbiu kishte lindur
i talentuar, donte të punonte megjithëse në kushte të vështira në momente të
tilla, kur vështirësitë familjare nuk e favorizonin sa duhet dëshirën edhe pasionin
e tij. Megjithatë ai punonte e punonte dhe krijonte pa u lodhur njëkohësisht.
Si qytetar aktiv i Shkodrës, Vehbiu po ngjiste shkallët e karrierës me shpejtësi
marramendëse. S’kishte si të ndodhte ndryshe për një talent dhe shkencëtar që kishte
hedhur me kohë ide, kishte botuar shkrimet e para shkencore pedagogjike e
didaktike që në vitin e largët 1965, për të mos u ndalur për asnjë çast deri më
5 korrik 2023, ku zemra e profesorit pushoi së rrahuri.
Universiteti i Shkodrës ishte jeta e tij
Profesori i madh na la një pasuri të jashtëzakonshme shkrimore
Prof. Vehbiu thoshte: “Po të ishte e
mundur të bëhesha edhe njëherë i ri, veç për Universitetin e Shkodrës do të
dëshiroja të punoja e të kontribuoja me dëshirë e pa hezitim”. Janë me dhjetëra
veprat e tij, me qindra kumtesa e referate të botuara në revista shkencore dhe të
mbajtura në shumë simpoziume kombëtare e ndërkombëtare, me qindra artikuj pedagogjik
e didaktik të botuara në organet e ndryshme të shtypit apo në revistat shkencore
më prestigjioze të vendit dhe jashtë tij. Pra, gjithë jeta dhe veprimtaria
50-vjeçare e profesor Vehbiut iu kushtua zhvillimit të arsimit të lartë tonë kombëtar.
Kështu, u bë shumë shpejt figurë e njohur, falë punës dhe djersës së tij brenda
dhe jashtë Shqipërisë. Prof. Vehbiu është autor dhe bashkautor i shtatë botimeve
monografike, të katër teksteve mësimore për shkollën e lartë dhe dy për shkollën
e mesme. Ka botuar rreth 60 punime në shtypin shkencor dhe ka referuar mbi 50
sesione e konferenca shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë. Është kënaqësi të thuhet
në ceremoninë solemne në korrik të vitit 2022, me rastin e 65-vjetorit të themelimit
të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër profesor Vehbi Hoti iu dha titulli:
“Profesor Emeritus”, nderimi më i lartë dhe i vetmi për një pedagog të këtij institucioni
të lartë arsimor.
Në foto Prof. dr. Vehbi Hoti, gjatë marrjës së titullit “Profesor Emeritus”, korrik 2022
Në nder të profesorit
të madh, Universiteti i Shkodrës organizoi konferencën me titull: “Jehonë auditorësh”,
me rastin e 80-vjetorit të lindjes. Për më shumë se 15 vjet ai ka qenë Sekretar
i Këshillit Shkencor të Universitetit, kryeredaktor i serisë të revistës shkencore
të edukimit dhe për 13 vjet dekani i parë i Fakultetit të Shkencave të Edukimit
dhe anëtar i Senatit të Universitetit të Shkodrës. Pasioni për auditorin e bën që
më shumë se gjysmë shekulli, profesori ynë i paharruar të edukonte breza të tërë
studentësh me përkushtim dhe pasion, ndaj dhe kujtimet, përshtypjet, mbresat e
miqve dhe të shokëve të shumtë të tij janë të pashlyeshme, sepse ashtu siç
thekson Prof. Dr. Tomor Osmani për figurën e ndritur dhe të pavdekshme të Prof.
Dr. Vehbi Hotit: “Është dhe mbetët një nga figurat e shquara të shkencës pedagogjike
shqiptare, autor i shumë veprave dhe studimeve shkencore nga fusha e pedagogjisë,
mësimdhënies dhe didaktikës të botuara brenda dhe jashtë vendit”. Do të thosha
me plot gojën se Vehbi Hoti mbetët integrali i vlerave gjurmëlënëse i dritësimit
pedagogjik të brezave. Një jetë plot gjurmë, një jetë plot përkushtim, kjo ishte
dhe mbeti deviza e jetës së Vehbi Hotit.
I thjeshtë, i ditur dhe i urtë si e vërteta
Një intelektual i fisnikërisë,
i mendjes së ndritur. Ai dinte të mësojë të nderojë të tjerët. Për profesorin e
paharruar mund të shkruhen plot kujtime, shkrime apo studime. Ai ishte dhe mbeti
një thesar, një vlerë e shtuar e pedagogjisë shkodrane kohore e mbarëkombëtare.
I thjeshtë, i ditur dhe i urtë si e vërteta. Fjala dhe shembulli i tij rrezatonin
kudo mirësi, thjeshtësi e dituri. “Kam pasur fatin ta njoh nga afër kur unë botoja në organin
shkencor të Universitetit apo në gazetën “Jeta e re” e Shkodrës, në kohën e tërmetit,
asokohe unë shkoja në Bushat, Berdicë, Trush e Velipojë, Vehbi Hoti ishte sa i thellë
e filozof i pedagogjisë, aq edhe i thjeshtë e gjurmëlënës, i dashur, e dashamir
për botuesit. Me çiltërsinë e zemrës dhe bazuar në studimet e tij, me të drejtë
do ta quaja Hasan Tahsini i Shkodrës e më gjerë. Botimet e tij janë të çmuara e
me plot vlera. Ndihmesa e tij në arsimin e lartë, urtësia prej një intelektuali
zemër drite nuk harrohen kurrë, -kështu e mbyll bisedën e tij poeti dhe shkrimtari
dibran, Mevlud Buci. Veprën e tij e pasojnë tre djemtë e mrekullueshëm e të zgjuar
në punën e tyre si: Dritani, me profesion jurist, Arbeni, pedagog për lëndën e Psikologjisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”
Shkodër, Bledari, me profesion gazetar, aktualisht redaktor lajmesh në televizionin
kombëtar Klan. Këta tre pasardhës shikojnë sot modelin e prindërve të devotshëm,
babain e tyre të mirënjohur dhe të paharruar, të nënës së tyre, Fitnetit, që personifikon
sot modelin njerëzor të nënës së dhembshur, që sa punoi, mbeti një profesioniste
e rrallë në arsim, që rrezaton mirësi, një qytetare e denjë shkodrane e me
emancipim bashkëkohor.
Njeri i vlerave të mëdha njerëzore
E takoja shpesh profesor
Vehbiun në Shkodër e Lezhë, bisedonim për çështje të arsimit dhe shkollës dhe vija
re se herë pas here shfaqte interesa të larta intelektuale për frymën e re perëndimore
që po hynte në shkollat tona, veçanërisht kur biseda binte për temat e
ndryshimeve të tranzicionit, gjithnjë ishte i hapur me atë vështrimin e ëmbël e
të respektueshëm, fliste me pasion e logjikë dhe me argument për vlera e
alternativa, për ide dhe mendime të dobishme për demokracinë në Shqipëri. Ky njeri i vlerave të mëdha ishte një shembull i shkëlqyer
dhe i vlerave njerëzore, nga duhet të marrin shembull ideatorët e sotëm të fushës
së pedagogjisë dhe didaktikës si dhe shoqëria njerëzore e ditëve të sotme.
Ishte një pedagog me emër të madh, si Vehbi Hoti, vlen jo vetëm të kujtohet,
por dhe të përgjithësohet dhe të kapësh dhe detajet më të vogla të aktivitetit të
tij studimor 50-vjeçar, pasi dhe ato do të ishin dukuri pozitive për brezat e
rinj pedagogë. Dhe, siç duket, do kalojnë plot vite e dekada të tjera dhe emri i
ndritur Vehbi Hoti do të mbetet në kujtesën e brezave, ku sot është bërë shpirt
e zemra e kujtdo. Kur bisedon me njerëz të profesioneve të ndryshme, e kujtojnë
shpesh profesorin ku mbart një shtrirje të gjerë miqësie e shoqërie nga trevat shqiptare
brenda dhe jashtë vendit, në fushë veprimtarie leksionesh, duke u skalitur në kujtesën
e brezave studentë me atë portretin e një embleme të veçantë, që rrezatonte dashuri
e respekt të ndërsjellë. Asnjëherë nuk i uli vlerat e tij, por qëndroi besnik i
figurës morale e profesionale. Asnjëherë nuk dinte të diferencojë studentët
sipas shoqërisë, miqësisë që kishte, por gjithmonë ishte pranë tyre, me
pasionin që i jepte profesioni, edukimi, kultura e lartë shkodrane. Sa jetoi e
punoi, Vehbiu kurrë nuk bëri kompromis me karakterin e tij edhe kur ishte përfitimeve
e famës shoqërore e miqësore. Mbeti deri në frymëmarrjen e fundit i dashur me të
vërtetën dhe i rreptë ndaj padrejtësive.
Një personalitet si prof. dr. Vehbi Hoti mbetet i pavdekshëm
Sot u mbush plot
një vit që është ndarë nga jeta, por trashëgimia e tij në fushën e arsimit dhe kërkimit
shkencor do t’i rezistojë kohërave, kontributi i tij do të jetë vazhdimisht i dukshëm
dhe me vlera të papërsëritshme. Pas shumë vitesh, mësuesit dhe studiuesit e
ardhshëm do ta kujtojnë edhe më mirë thellësinë e mendimit të tij, aftësinë për
të vëzhguar dhe eksperimentuar, për të bërë përgjithësime e nxjerrë konkluzione
që do të ndihmojnë shkollën e shoqërinë në demokratizimin dhe emancipimin e
tyre të mëtejshëm. Këtu më vjen ndërmend një thënie e Hygoit: “Njerëzit e mëdhenj bëjnë piedestalin, e ardhmja u ngre statujën”.
Ndërsa shkruaj këto
radhë për ketë njeri që sakrifikoi shumë nga vetja për t’u dhënë dije e kulturë
brezave, më vjen keq për harresën e organeve qendrore dhe atyre vendore në Shkodër.
Kurrë s’ka punuar për lavdi, ndonëse lavdinë me punë e sakrifica e emrin e mirë
la kudo, e meriton plotësisht, pas vdekjes, që t’i jepet titulli “Mjeshtër i
Madh”. Për njerëz të tillë të ditur, të emancipuar, tolerant në shërbim të dijes
dhe për 50 vjet me radhë mbajti titullin e lartë dhe të denjë “Njeri”, si Vehbi
Hoti, sa shumë ka nevojë shoqëria e sotme shqiptare. Sa i thjeshtë në dukje, aq
edhe i lartë e njerëzor ishte. Cilido që ka njohur apo ka lexuar për Vehbi Hotin,
krenohet dhe frymëzohet dhe pyet veten: “Jeta vlen kur vihet në shërbim të mirësisë
e diturisë”. Profesor Vehbi Hoti mbetet intelektuali i vlerave të mëdha të dritësimit
pedagogjik të brezave. Përmes kujtimeve synuam të kujtojmë sadopak jetën plot
aktivitet të një njeriu, humbja e të cilit një vit më parë preku thellë jo vetëm
familjen Hoti, por dhe gjithë Shqipërinë dhe më gjerë. Ishte një humbje e madhe
për shkencën pedagogjike dhe arsimin tonë kombëtar. Njerëz të tillë lindin rrallë,
por mbetën përgjithmonë të pavdekshëm në mendjen e zemrat e popullit.
I paharruar qoftë vepra
dhe kujtimi i tij!