Faleminderit
Florim Zeqa: Halil Zeqa largëpamës dhe vizionar
E merkure, 20.11.2024, 06:58 PM
Në 15 vjetorin e shkuarjes në amshim
17.04.1933-19.11.2009
Halil
Zeqa largëpamës dhe vizionar
Shkruan:
Florim Zeqa
Halil
Zeqa lindi më 17.04.1933 në fshatin Bokshiq (komuna e Klinës). Ishte i pari
djalë i arsimuar i familjes Zeqa, i pari mësues nga fshati dhe lokaliteti ynë
në përgjithësi. Për disa vite rresht kishte punuar në shkollën fillor të Gllogjanit
(Lugu i Baranit), për t'u avancuar më pas në punë të ndryshme administrative në
rrethin e Pejës, e më pas si zyrtarë dhe arkëtar në Kuvendin Komunal të Klinës
deri në largimin nga puna nga regjimi pushtues i Millosheviqit pak kohë para
pensionimit të rregullt.
Atdhetari në shënjestër
të antishqiptarëve
Si
një personalitet i rrallë, i arsimuar dhe i mirë edukuar nga prindërit Meta dhe
Cyma, Halili në kohën e antishqiptarit Aleksandër Rankoviqi shumë shpejt bie në
shënjestër të pushtetarëve të atëhershëm, të cilët e ndoqën hapë pas hapi, duke
e ftuar në biseda informative për veprimtarinë e tij edukativo arsimore, me
ç'rast e largojnë nga mësimdhënja në Gllogjan.
Më
pas Halili detyrohet të kryejë punë të tjera administrative në Kooperativa të
ndryshme Bujqësore në Zahaq të Pejës dhe Jashanicë të Klinës deri në rënjën e
famëkeqit Aleksandër Rankoviq.
Por,
asgjë nuk përfundon më kaq, me ardhjen në pushtet të Sllobodan Millosheviqit,
përseri policët serb iu vërsulen atdhetarëve, ku ndër të parët në fshatin tonë
e përzgjodhen përseri babain tim, Halilin, nën pretekstin e kërkimit të armëve.
Ishte
vjeshtë e vonë e vitit 1992, kur regjimi pushtues i Millosheviqit në Kosovë,
kishte nisur vazhdimin e aksionit famëkeq të kërkimit të armëve nga shqiptarët,
i mbetur në gjysmë nga antishqiptari Aleksandër Rankoviq.
Pre
e ndjekjes dhe torturës për armë nga koha e Rankoviqit e deri të ajo e
Millosheviqt ishte edhe babai im i ndjerë (Halil Zeqa), i torturuar disa herë
nga policia serbe, por asnjëherë i nënshtruar.
Herën
e parë pas torturave ç'njerëzore që i bën policët serb në Stacionin Policor në
Klinë, i thashë, "Ah bre babë çka të paskan bërë!" Ai, i qetë ma
ktheu: "Jo asgjë nuk është kjo, por një gjë ta dini mirë, këtë sakrificë e
kam bërë për ju, se përndryshe, për të gjallë nuk iu kisha rënë në dorë
policëve të Millosheviqit, duke aluduar në mua, vëllaun Ismetin dhe familjen në
përgjithësi".
Kjo
e dëshmon nivelin e lartë të përgjegjësisë njerëzore dhe të kujdesit që kishte
për mbrojtjen e familjes së tij.
Herën
tjetër pas kthimit nga Stacioni Policisë në Klinë, babai me plagë të rënda
trupore nga tortura e policisë serbe gjendej duke u kuruar në shtëpi, ndërsa
unë gjatë kthimit nga procesi edukativo-arsimor, u ndala në shitoren e fshatit
për të blerë diçka. Aty brenda ishte nje tollovi e madhe e njerëzve që
debatonin me shqetësim për aksionin e policisë serbe për grumbullimin e armëve.
Me
të dalë nga shitorja, më ofrohet një familjarë i një personi, për të cilin ne i
kishim dyshimet për spiunim të babait tek policia serbe, me fjalët; "Unë
sonte së bashku me disa të tjerë (i citoi me emra, ndër ta edhe një gazetarë)
do të vijmë për ta vizituar babain tënd...". Përgjigja ime ishte e prerë,
jo nuk keni fare nevojë të vini, babai im është mirë dhe se asgjë e keqe nuk i
ka ndodhë!
Ishte
hera e parë që vendosa kështu pa u konsultuar ne babain, pasiqë nuk doja t'ia
pëserisja edhe një herë torturën psiqike që kishte përjetuar nga policia serbe!
Me
të kthyer në shtëpi, nga frika se mos po më çorton babai Halili për vendimin e
marrë, me gjysëm zëri i tregova për rastin, ndërsa babai me plot entuziazëm ma
ktheu; "Mirë ua paske bërë, të njëjtën përgjigje do ta merrnin edhe nga
unë".
Mesazhi i babës
Pas
sulmit të 23 shkurtit të vitit 1993, të forcave të mëdha policore mbi Bokshiq,
në fshatin tonë erdhi një delegacion i LDK-së dhe KLDMNJ nga Prishtina të
shoqëruar nga autoritetet komunale të kohës për të vizituar të lënduarit nga
torturat fizike në Stacionin Policor në Klinë.
Me
të hyrë në konakun tonë, zyrtarët e lartë nga Prishtina e shprehën keqardhjen
për torturën fizike ndaj babait tim dhe bashkëfshatarëve tjerë në përgjithësi.
Ata
mbetën të trondituar, por edhe të impresionuar nga rrëfimet rrënqethëse të
bababit tim, Halilit, i cili ndër të tjera ua tha edhe këto fjalë: "Aq të
rënda dhe ç'njerëzore kanë qenë torturat në Stacionin Policor në Klinës saqë
fjalët janë të pamjaftueshme për t'i treguar të gjitha, por janë gjurmët e
goditjeve në fytyrën time që flasin më së miri për këtë.
"Të
gjitha i përballuam më lehtë sesa sharjet dhe fyerjet në baza nacionale, saqë
atë natë (23 shkurt 1993) jam betuar, se edhe 100 herë le të më shanë një
bashkombas i imi, nuk do të më shkojë mendja për t'i bërë gjë, vetëm do t'i
themë, faleminderit vëlla të qoftë për nder, pasi na rrahën dhe torturuan, na
fyen dhe na shanë nënën shqiptare shkijet dhe s'patëm mundësi të bëjmë asgjë,
nuk do të marr kurrë hak ndaj vëllezërve të mi"!
Në
atë moment që e dëgjova një mesazh kaq të fuqishëm kombëtar dhe gatishmëri për
vetëflijim të prindit tim, jo vetëm që u ndjeva mirë, u kalita edhe më shumë
për përballjen e radhës me pushtuesit serb, të cilën e përjetova dy javë më pas
në post-bllokun policor në Vitomiricë të Pejës, ku, sa herë që më godisnin
policët serbë, bëhesha akoma më i fortë, pasi gjithnjë i mendoja fjalët e
babait tim, Halil Zeqa.
Momente të rënda, por
edhe krenarie kombëtare
Megjithatë,
momenti më i vështirë i jetës sime mbetet ai kur na rrethuan forcat policore më
23 shkurt 1993. Ishte ky një moment tepër i rëndë, kur në njërën anë e lashë
babain vetëm, ndërsa para syve të mi i shihja duke ikur të gjithë djemt dhe
burrat e lagjes nga mosha 10 vjeçare e sipër të ndjekur nga tre kordon të
policisë serbe.
Shkaku
i shqetësimeve për babain kam qenë i fundit që jam futur në mal, me brengen dhe
ankthin e madh që i lash pas familjet e pambrojtura, pleq e plaka, nëna e vajza
të vetmuara nën mëshirën e barbarëve serb.
Gjatë
kapërcimit të përroit dhe futjes në mal, u dëgjuan krismat e automatikëve serb.
Në atë moment jam ndalur dhe e kam kthyer kokën prapa për të shiquar se kush
mbeti vrarë nga familjarët tonë!
Pikërisht
në ato momente, me sytë e mi e pash kur e arrestuan dhe goditën me kondak të
pushkëve babain tim policët serb, të cilët mëpastaj e tërhoqën zvarrë duke e
goditur pamëshirshëm në të gjitha pjesët e trupit.
Në
atë moment u shtanga në vend, nuk më mbeti forcë të vazhdojë tutje! Mirëpo më
erdhi në ndihmë kushëriri Idriz Musa i cili më kapi për krahu dhe hynëm së bashku
në mal.
Mugesë e pakompensueshme
familjare
Tani
kur u bënë 15 vite që babai im Halili u largua nga kjo botë, duke na lënë të
pikëlluar, por duke na lënë pas një trashëgimi të pasur dhe të begatë. Ai sot
do të ishte në moshën 91 vjeçare, unë do të isha më i pasur me ide dhe më i
fuqishëm në qëndrime. Edukata e shëndosh dhe në frymën e pastër kombëtare e
babait Halilit, e pishtarit të arsimit shqip e ka trasuar rrugën e shumë
brezave, të familjes Zeqa në veçanti.
Halil
Zeqa ishte personalitet i rrallë, i urtë dhe i matur, por i pakthyeshëm në
vendime. Ishte njohës i mirë i rrethanave politike dhe vizionar i së ardhmës.
Parashikimet e tij ishin aq të sakta dhe largëpamëse, saqë shpesh na dukeshin
të paimagjinueshme, por për fatin tonë të keq, të gjitha që ai i parashikojë i
përjetuam dhe po i përjetojmë edhe në ditët e sotme!
Për
t'ia bërë të qartë lexuesit largëpamësinë e tij, për fund po e ndaj edhe një
rrëfim interesant. Ishte viti i parë i lirisë së Kosovës, kur unë mendova të
kthehem bashkë me familje në vendlindje, porqë ishin fjalët e babait që më
ndaluan: "Mos i merrë në qafë fëmijët, le të rriten dhe shkollohen në vend
të sigurtë, se do të kalojnë edhe 30 vite e mirë nuk do të bëhet në këtë
vend"!
Mungesa
e tij na ka lënë zbrazëtirë që nuk plotësohet me askë dhe me asgjë në këtë
jetë, por njëherit është edhe krenari dhe histori familjare të cilën përveqse e
ruajmë dhe kultivojmë, e kujtojmë me nostalgji dhe pietet të lartë.
Prehu
në paqe vizionari ynë!
Florim Zeqa
19.11.2024